BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Kultura

TK: Çfarë ndodhi në Tiranë në nëntor 1944, zbulohet të shtunën

TK: Çfarë ndodhi në Tiranë në nëntor 1944,

Teatri Kombëtar nis sot “Netët e leximit të dramës shqipe” edicioni i katërt. Ky edicion nis me veprën “Hijet e natës” të autorit Vedat Kokona. Teatri shprehet se ngjatja që ndodhi në nëntor 1944 do të zbulohet këtë mbrëmje. “Çfarë ka ndodhur në Tiranë ditët e fundit të nëntorit 1944? “Hijet e natës”, drama e Vedat Kokonës, përshtatur për skenë nga Hervin Çuli, tregon fatin e një familje tiranase gjatë atyre ditëve. Një e vërtetë apo një këndvështrim? Ju ftojmë ta zbuloni ditën e shtunë, 21 nëntor, ora 18:00. Livestream në faqen e Facebook të Teatrit Kombëtar”, shkruan institucioni. Në këtë vepër të autorit Vedat Kokona lexojnë aktorët Naun Shundi, Dritan Boriçi, Luli Bitri, Myzafer Zifla, Natasha Sela, Laert Vasili, Dori Caushi, Luli Hoxha, Besmir Bitraku, Genti Deçka, Donald Shehu dhe Xhoana Karaj. Regjisor televiziv është Lorin Terezi. “Netët e leximit të dramës shqipe IV” vjen këtë vit në një formë të re. Sipas teatrit, në muajin nëntor ky aktivitet do t'i dedikohet arkivës artistike, me rastin e festave të nëntorit dhe do të bëhet leximi i veprave “Hijet e natës” nga Vedat Kokona dhe “Prefekti” nga Besim Levonja. Vedat Kokona (Izmir, 7 gusht 1913 - 14 tetor 1998) ishte një shkrimtar, përkthyes dhe leksikolog shqiptar, i shekullit të 20-të, i njohur edhe për fjalorët e tij dygjuhësh anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip dhe për kontributin e tij në leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare. Gjatë luftës botoi dy vëllime me poezi “Dritë dhe hije” Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha dhe atë me satira “Shtatë prilli, Mussoliniada” Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin “Yje të këputur” Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës. Ndër veprat e mëvonshme të Vedat Kokonës janë romani me dy pjesë “Me valët e jetës” Tiranë 1961, 1965, dhe drama “Hijet e natës” Tiranë 1966. Edicioni i fundit i aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe” u zhvillua në vitin 2017. Për këtë edicion të katërt Teatri Kombëtar njoftoi të gjithë dramaturgët dhe regjisorët shqiptarë, se duke filluar nga data 5 nëntor deri në 5 dhjetor 2020 mund të dorëzojnë pranë sekretarisë së institucionit veprat e tyre ose rikonceptime të veprave të vjetra shqiptare. Teatri Kombëtar njofton ky aktivitet do të kalojë në disa faza.