BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

TKOB: Opereta e parë shqiptare “Agimi”, u shfaq në 1955

TKOB: Opereta e parë shqiptare “Agimi”, u shfaq në 1955

“Agimi” është opereta e parë shqiptare. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit risolli në vëmendje këtë vepër, që u vu në skenën shqiptare në vitin 1955. TKOB ka publikuar disa materiale nga arkivi, si foto nga vepra e asaj kohe, shkrime në gazeta, etj. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehej mes të tjerave ditët e fundit se është vepër e kompozitorit Kristo Kono. “Sot është ditëlindja e 66-të e operetës së parë shqiptare “Agimi” e kompozitorit Kristo Kono “Artist i Popullit”, shfaqur nga artistët e Filarmonisë Shqiptare më 30 prill 1955. Kompozitorja Dhora Leka në revistën “Nëntori” 1-1955 shkruante: “Fakti që ne kemi në skenën tonë lirike operetën e parë nacionale është me të vërtetë një sukses i madh, jo vetëm për kompozitorin Kristo Kono, por për gjithë artin tonë muzikor ...””, shkruante TKOB në një status të datës 30 prill në Facebook. Kristo Kono (Korçë, 22 janar 1907 - 22 janar 1991) ka qenë kompozitor shqiptar. Pas çlirimit të vendit veprimtaria krijuese artistike e Konos njohu përmasa të reja, muzika e tij u ekzekutua nga orkestra e ansamble profesioniste, u transmetua nga radio, u incizua nëpër pllaka e u botua nëpër libra. I frytshëm ka qenë bashkëpunimi i Konos me këngëtaren e mirënjohur Tefta Tashko Koço, e cila nga krijimtaria e Konos interpretoi me shumë sukses këngët; “Kur më vjen burri nga stani”, “Fol e qesh moj sylarushe”, “Fryn veriu në Mal të Thatë”, etj. Në 20 vjet krijimtari 1945-1965, përfshihen një numër i madh krijimesh, me një llojshmëri të madhe gjinish. Ajo që e bëri të njohur ishte kompozimi i veprave të mëdha vokale-instrumentale, të përmasave të mëdha; poemat, kantatat. Ato ishin nga të parat në llojin e tyre, nga më të njohurat përmendim poemat vokale-instrumentale “Borova”, “Labëria”, kantata “Malli për atdhe”. Në veprat koncertale-instrumentale përmendim “Fantazi shqiptare”, “Valle shqiptare”, fantazia “Mezhgorani”, poema për orkestër “Bredhat e Drenovës”, etj. Kristo Kono shkroi shumë pjesë instrumentale të formacioneve të ndryshme, që nga suita për orkestër, pjesë për ansambël, flaut, oboe, violinë, piano, klarinetë, etj. Ka meritën se kompozoi operetën “Agimi” në vitin 1954, e cila i hapi rrugën zhvillimit të operas në vendin tonë. Kryevepra e Kristo Konos ishte opera “Lulja e kujtimit" në nëntor 1961, e cila u dha disa herë edhe në skenën e TKOB. Në vitin 1961 Kristo Konos iu dha titulli “Artist i popullit”. Kono mbylli sytë në Korçë më 22 janar 1991.