BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

TKOB, programi artistik me koncertin e violinistit të njohur Elvin Hoxha

TKOB, programi artistik me koncertin e violinistit të njohur Elvin Hoxha

Artistë të njohur shqiptarë, që kanë vlerësime në skenat botërore janë bërë pjesë e projekteve të ndryshme artistike që zhvillon Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Një prej tyre është dhe violinisti i njohur Elvin Hoxha, që ishte me një koncert premierë, me vepra të autorëve të njohur botërorë shoqëruar nga pianisti Jacopo Giovannini. Koncerti i tij premierë u shfaq dhe në RTSH HD1, por në vijim do të jetë edhe në rrjetet sociale të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Teatri e quan një premierë të jashtëzakonshme këtë koncert dhe thotë se për publikun shqiptar u interpretuan vepra përfaqësuese të autorëve të njohur botërorë. “Premierë e jashtëzakonshme me virtuozin e violinës Elvin Hoxha Ganiyev. Pas eksperiencave në skenat botërore, violinisti me origjinë shqiptare vjen në Shqipëri në një produksion të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të interpretuar përballë publikut shqiptar me vepra përfaqësuese të kompozitorëve George Enescu, Edvard Grieg dhe Franz Waxman, shoqëruar nga pianisti Jacopo Giovannini. Koncertin e virtuozit Elvin Hoxha do të mund ta ndiqni sot në RTSH 1 HD, dhe së shpejti në Facebook, Youtube të TKOBAP dhe www.tkob.gov.al”, shprehej më parë TKOB, ku koncerti recital i violinistit të njohur shqiptar u shfaq mbrëmjen e së hënës në ekran për publikun. Në jetën artistike prej disa kohësh TKOB po vazhdon të prezantojë aktivitetin artistik online, pasi për shkak të pandemisë shfaqjet në skena janë pezulluar. Disa javë më parë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit prezantoi në një mbrëmje një nga produksionet më të bukura. Koncerti vokal instrumental me titull “Ta dish” erdhi online për publikun, me interpretimin e baritonit të njohur Gëzim Myshketa që e ndoqi në rrjetet sociale. Më herët TKOB bënte me dije se "Ta dish", një koncert vokal instrumental me krijimet më të bukura të muzikës shqiptare vinin të interpretuara mjeshtërisht nga baritoni shqiptar me famë botërore. Sipas TKOB, një udhëtim në kohë dhe në krijimet e mjeshtrave tanë të përpunuara nga Kujtim Gashi dhe ekzekutuar në piano nga Elda Laro, Abigeila Voshtina në violinë, dhe Igert Zeqiri në violonçel.

Aktiviteti i violinistit

Koncerti i violinistit Elvin Hoxha është në vijim të artistëve të njohur, që bëhen pjesë e aktivitetit të TKOB. Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shprehet se për brezin e ri të instrumentistëve Elvin Hoxha Ganiyev është padyshim violinisti më virtuoz i skenave evropiane dhe botërore. Ai lindi në 1997 në një familje muzikantësh të nderuar dhe filloi të luante violinë kur ishte 5 vjeç. Në moshën 8 vjeç, ai dha koncertin e tij të parë orkestral me gjyshin e tij Server Ganiyev dhe po atë vit ai u pranua në programin Konservatori i Ri i Konservatorit të Cyrihut. Muzikanti shqiptar, Elvin Hoxha, i cili jeton prej vitesh në Madrid, ka zhvilluar më parë edhe një koncert online për të argëtuar dhe rritur optimizmin e njerëzve në ditët të vështira pandemie. Duke qenë se në këto ditë e gjithë bota ndodhej në izolim nga rreziku i koronavirusit, artistë të ndryshëm botërorë kanë marrë nisma për të argëtuar sadopak njerëzit. Një nga këta artistë të angazhuar në këtë luftë globale ishte edhe muzikanti shqiptar me famë botërore, Elvin Hoxha, i cili zhvilloi në muajin mars të 2020 një koncert online, që u ndoq në gjithë planetin. Violinisti Elvin Hoxha prej vitesh jeton në Madrid, ku dhe po ndjek një nga konservatorët më të rëndësishëm evropianë dhe jep koncerte në disa shtete europiane.