BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Kultura

TKOB: Vepra “Esmeralda”, në skenë më 1953 nga grupi i baletit të Filarmonisë Shqiptare

TKOB: Vepra “Esmeralda”, në skenë më 1953 nga grupi i

Baleti “Esmeralda” u vu në skenën shqiptare në vitin 1953. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka publikuar disa fakte për baletin “Esmeralda”. “Baleti “Esmeralda” pati premierën e tij më 11 janar të vitit 1953 dhe u vu në skenë nga grupi i baletit të Filarmonisë Shqiptare. Ishte mjeshtri rus i baletit Georgi Perkun, i cili drejtoi baletin e dytë klasik si regjisor dhe baletmaestër duke ndikuar në ngritjen teknike dhe artistike të trupës së baletit. Stavri Rafael dhe piktori Vangjush Miho kanë meritën e madhe në krijimin e ambienteve të kohës, në të cilën zhvillohet ngjarja duke realizuar skenografitë për çdo tablo të baletit”, shprehet Tetari Kombëtar i Operës dhe Baletit, që ka publikuar dhe foto të asaj kohe me artistët. TKOB vijon se mjeshtri Panajot Kanaçi luajti një rol të dyfishtë në këtë balet, si asistent baletmaestër dhe interpretues i rolit të priftit Kllod Frollo. Sipas TKOB, jo vetëm puna me artistët, por dhe puna që u bë për kostumet e artistëve, ndriçimin, etj, ia shtuan vlerat kësaj vepre. “Puna si dekoratore e Angje Nogës, kostumet e realizuara nga rrobaqepësit Juli Vangjeli dhe Ropi Janllari dhe ajo e teknikëve të skenës e ndriçimit ia shtuan vlerat artistike kësaj shfaqjeje”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, në një material për këtë vepër. Panajot Kanaçi, në vitin 1945 ishte ndër të parët që krijoi grupet e valleve, duke realizuar miniatura baleti dhe valle popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Ai realizoi baletin e parë kombëtar “Halili dhe Hajria”, me muzikë të Tish Dajisë. Më pas realizoi baletin “Delina”, “Bijtë e Peshkatarit”, etj. Ai ishte lëvrues i palodhur i valles popullore, duke arritur nivele të larta përpunimi si “Vallëzimi i shqipeve”, “Valle labe”, “Valle myzeqare”, etj. Historia e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit fillon në vitin 1950, vit në të cilin u krijua Filarmonia Shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik. Filarmonia Shqiptare e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën, ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më vonë në vitin 1953 u transferua në godinën ku sot është Universiteti i Arteve. Në këtë godinë u realizuan shfaqjet e para të operës dhe baletit.