Lajme të tjera
BREAKING NEWS

PËRDITËSIMI/ Ulen ndjeshëm rastet e infektimeve me Covid-19 në 24 orët e fundit

PËRDITËSIMI/ Ulen ndjeshëm rastet e infektimeve me Covid-19
x

Kultura

TOB këtë mbrëmje, me operetën gazmore "Lakuriqi i Natës” nga Johan Strauss

TOB këtë mbrëmje, me operetën gazmore "Lakuriqi i

Opereta “Lakuriqi i Natës” këtë mbrëmje është pjesë e programit artistik, të Teatrit të Operës dhe Baletit. Opereta "Die Fledermaus" (Lakuriqi i Natës) nga Johann Strauss është mjaft e njohur në skenat e botës, por dhe në skenën shqiptare ka shënuar suksesin e saj. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se kjo është një vepër, që dy vite më parë ka marrë shumë duartrokitje nga publiku kur u soll në skenë. “Lakuriqi i natës” me kompozim nga Strauss, libreti është shkruar nga Karl Haffner dhe Richard Genee. Me rolin kryesor atë të Rosalindës në skenë, sopranoja e njohur Eva Golemi thotë se në aktivitetin e saj si artistik pak personazhe ka të tillë. “Rosalinda është rol gazmor dhe unë luaj shumë pak të tillë ose thuajse aspak ku nuk vdes njeri në fund, siç jam mësuar pothuaj në të gjitha rolet që kam kënduar, ku heroina kryesore mbaron me fund tragjik. Për herë të parë këtë rol e kam luajtur në vitin 2007”, shprehet sopranoja e njohur Eva Golemi. Për veprën që këtë mbrëmje do të prezantohet për artdashësit, TOB shkruan se bashkohen valset dhe ariet. “Shfaqja hit, më e duartrokitura e vitit 2018, rikthen emocionet dhe humorin, që karakterizon këtë vepër. Me solistët e vokalit, korin, trupën e baletit, orkestrën, opereta "Lakuriqi i natës" është edhe teatri i folur brenda gjinisë së operës, ku bashkohen valset, ariet dhe libreti më i bukur”, shprehet institucioni. TOB e risjell këtë mbrëmje operetën në programin artistik online, që po vijon prej disa javësh dhe artdashësit mund ta ndjekin Live në Facebook dhe në kanalin e institucionit në YouTube në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme. Në 2018 në role përmendim artistët si Branimir Agovi, Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri, etj. Përpara publikut shqiptar vepra erdhi në 2018 me regji dhe koreografi nga Renato Zanella, i cili deklaroi se “Lakuriqi i natës” vinte e përshtatur me elementë shqiptarë. Dirigjent në vepër ishte Lazlo Gyuker.

Ngjarjet e operetës

“Lakuriqi i Natës” ofron një komedi situatash dhe ngatërresash, që në të vërtetë i has edhe sot. Gra e burra kurorëshkelës, gjyqtarë e drejtorë burgjesh të korruptuar, politikanë pijedashës, artiste mendjelehta dhe shërbëtore që duan të arrijnë nivelet e zonjave të tyre. Opereta “Lakuriqi i Natës” është historia e Eisenstein. Në festën e vitit të ri ai duhet të ishte në burg, pasi goditi një oficer policie. Atë mbrëmje pasi e gënjeu bashkëshorten, Rosalindë, shkon në ballon me maska të princit bujar Orlofsky. Ajo e di këtë dhe e ndjek, duke u prezantuar në festë si një konteshë hungareze. Pas identiteteve të rreme, Eisenstein përpiqet të joshë konteshën, pa e ditur që pas maskës është bashkëshortja e tij. Lakuriqi i natës” është një operetë nga Johann Strauss ( i biri i kompozitorit me të njëjtin emër). Muzikantit iu deshën vetëm 43 ditë për të përfunduar veprën, e cila do t’i jepte atij famën. Johann Strauss ka shkruar afro 500 kompozime të muzikës së vallëzimit, si valse, polka, kadrila, galope, etj. Me forcën e madhe të talentit të tij, shpërtheu në valset, të cilat janë plot melodi, freski dhe origjinalitet. Ato shquhen për ritmin e tyre, duke mos lënë pas edhe orkestracionin shumë tingëllues. Ai ka kompozuar 15 opereta, një opera komike dhe një balet, duke u cilësuar mjeshtër operetash. Në 30 vitet e fundit të jetës së tij, ai u mor më shumë me këtë gjini muzikore skenike. Veprën e parë muzikore për teatër, Strauss e krijoi në vitin 1870 dhe vazhdoi të shkruajë në këtë gjini me plot energji deri në ditën e fundit të jetës së tij.