BREAKING NEWS

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik raportimesh për UFO-t në Itali, ja rasti i paprecedentë që ka kapur radari në aeroportin Malpensa në Milano dhe lidhja me pandeminë e COVID-19

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik
x

Kultura

Trashëgimia jomateriale, nënshkruhet bashkëpunimi për dosjet në UNESCO

Trashëgimia jomateriale, nënshkruhet bashkëpunimi për dosjet

 Ministrja e Kulturës Elva Maragriti nënshkroi me Fondacionin Shqiptaro - Amerikan për Zhvillim AADF The_AADF, memorandumin e mirëkuptimit për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jo-materiale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jo-Materiale të Njerëzimit” të UNESCO-s. Ky memorandum u nënshkrua në Razëm, dhe sipas ministres së Kulturës Elva Margariti këtë pasuri të jashtëzakonshme shqiptare duhet ta ndajmë dhe me botën. “Bëhet fjalë për katër pasuri të jashtëzakonshme shqiptare, me të cilat ne krenohemi e fëmijët tanë nuk do të na e falnin nëse nuk do t'ua trashëgonim. E jo vetëm kaq, por ta ndanim edhe me botën. Ato janë: 1) “K’cimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, pasuri e folklorit koreografik, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare; 2) “Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, ritual shumë i vjetër, që zhvillohet nga Veriu në Jug të Shqipërisë; 3) “Xhubleta”, kjo veshje e rrallë, e mrekullueshme, si teknologji dhe ribërje artizanale unikale dhe të formave të përdorimit të saj. 4) “Eposi i Kreshnikëve”, i kënduar dhe shoqëruar në lahutë, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore jo materiale shqiptare. Kemi rrugë të vështirë përpara, por të bindur t'ia dalim me sukses, lidhur ngushtë me komunitetin lokal”, shprehet Margariti. Disa kohë më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtarë të Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale u mor vendimi që të miratoheshin katër “dukuri” të reja, që sipas ministres së Kulturës Margariti janë të denja për të qenë pjesë e kandidimit si kryevepra të trashëgimisë në UNESCO. Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore, nënkupton praktikat, paraqitjet, shprehjet, gjuhën, njohuritë dhe krijimtarinë popullore, si dhe veglat, objektet, artizanatin dhe hapësirat kulturore që bashkëshoqërojnë ato, që bashkësitë, grupet dhe, kur është rasti, individët i pranojnë si pjesë përbërëse të trashëgimisë së tyre kulturore. Në trashëgiminë kulturore shpirtërore (jomateriale) bëjnë pjesë përdorimi i gjuhës në veprat letrare, folklori gojor i ruajtur në kujtesë, i shkruar ose i regjistruar, folklori vokal, koreografik dhe instrumental, zakone dhe doke tradicionale, etj.