BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Trashëgimia kulturore, Ministria e Kulturës dhe ASA marrëveshje bashkëpunimi

Trashëgimia kulturore, Ministria e Kulturës dhe ASA marrëveshje

Ruajtja, vlerësimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore do të jetë në bashkëpunimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike me Ministrinë e Kulturës. Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Ministria e Kulturës, e përfaqësuar nga ministria, znj. Elva Margariti, nënshkruan të mërkurën një “Marrëveshje bashkëpunimi”, e cila ka si qëllim ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin, administrimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare. Pas nënshkrimit të marrëveshjes ministrja e Kulturës Elva Margariti theksoi se së bashku me ASA do të realizohen projekte që do të shërbejnë. “Akademia e Studimeve Albanologjike, është një institucion i rëndësishëm për ruajtjen, studimin dhe përçimin e vlerave më të mira identitare; për hedhjen dritë në historinë e kombit shqiptar; për promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Jam e bindur që së bashku do të realizojmë projekte, që do t’i shërbejnë së ardhmes”, tha ministrja Margariti ndër të tjera në fjalën e saj. Më tej ministrja e Kulturës tha se me rektorin Marenglen Verli diskutuan mbi shumë pikëtakime ndërinstitucionale, të cilat nuk do t’i çojnë përpara vetëm me një firmë në letër. Qendra e Studimeve Albanologjike sot Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish-Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. E pasur me një ekip kërkuesish shkencorë e specialistësh të konfirmuar në fushat e studimeve albanologjike, si dhe me fonde e materiale arkivore të një rëndësie të veçantë, ASA pozicionohet si një ndër institucionet më të rëndësishëm kërkimorë-shkencorë të botës shqiptare. Krahas kërkimit në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj, rëndësi të posaçme në punën e ASA marrin hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit shqiptar.