BREAKING NEWS

Thellohet skandali, Ilir Meta 13 shkresa shantazhuese ndaj KLGJ e KED brenda vitit, ja si po tenton të kapë Gjykatën e Lartë e Kushtetuese

Thellohet skandali, Ilir Meta 13 shkresa shantazhuese ndaj KLGJ e KED brenda
x

Kultura

Trashëgimia shpirtërore, këngëtarët e polifonisë: Ministria e Kulturës dokumente vetëm në letër, s’ka treguar interes për ruajtjen dhe promovimin

Trashëgimia shpirtërore, këngëtarët e polifonisë:

Trashëgimisë kulturore jo materiale duhet të jetë në vëmendjen të institucioneve në vend gjatë gjithë kohës. Por kjo sipas bartësve të ndryshëm të polifonisë ka munguar. Reagimi i tyre vjen në një kohë kur vetëm pak ditë më parë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale miratoi katër “dukuri” të denja për t’u kandiduar si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Në reagimin e tyre artistë të ndryshëm që prej dekadash merren me polifoninë thonë se është një rast për tu përshëndetur kjo që u bë së fundmi, por sipas tyre trashëgimia kulturore jo materiale shpirtërore kërkon hulumtim, studim dhe promovim dhe jo vetëm të jetë në dokumente në letra. President i shoqatës “Polifonia shqiptare” këngëtari Yzeir Llanaj thotë se trashëgimia shpirtërore duhet ndjekur aty ku ka lindur, por deri tani nuk ka qenë sa duhet në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës. “Ne do të përgatisim dokumente për trashëgiminë tonë shpirtërore, që janë për të kandiduar në UNESCO dhe kjo është kënaqësi, që nuk është e paktë. Por në radhë të parë duhet që të hulumtohet dhe lëvrohet kjo trashëgimi në të gjitha fshatrat ku ka dalë, lindur dhe vazhdon, por kjo gjë nuk ekziston fare nga Ministria e Kulturës. Mirë që i bëjnë këto shkresa po ku është sot trashëgimia shpirtërore ta prekim?”, shprehet Llanaj. Nën drejtimin e Yzeir Llanajt në vendin tonë zhvillohet edhe festivali “Bylispolifonia”, ku shoqatë “Polifonia shqiptare” ka bërë herë pas here dhe takime me studiues të ndryshëm për vlerat e trashëgimisë. Në reagimin e tij Yzeir Llanaj thotë se nëse ata si shoqatë kanë bërë konferenca të ndryshme, ka munguar interesimi nga institucionet. “Ne kemi bërë 8 konferenca shkencore dhe një forum shkencor akademik dhe një herë Ministria e Kulturës nuk ka qenë për të parë se çfarë po bën shoqata jonë. Nuk do t’ia dijë nëse ka aktivitete për trashëgiminë kulturore dhe për polifoninë, që ka marrë UNESCO. Trashëgiminë shpirtërore po e mban populli vetë, nuk ekziston asnjë lloj institucioni”, shton më tej këngëtari Llanaj.

Interesi i të huajve për trashëgiminë

Prej 25 vitesh Sinan Ahmeti vazhdon aktivitetin e tij me polifoninë. Drejtues i grupit polifonik “Zëri i bilbilit” dhe pjesëmarrës në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare vlerësuar me çmime të ndryshme, këngëtari thotë se nga institucionet nuk ka atë përkrahje që duhet trashëgiminë shpirtërore. “Unë vetë e kam zgjedhur në formën time, duke bashkëpunuar me agjencitë turistike dhe duke transmetuar këto vlera. Drejtoj ansamblin “Zëri i bilbilit”, ku përfshihen polifonia dhe vallja tradicionale. Për trashëgiminë tonë shpirtërore duhet bërë shumë më tepër jo vetëm nga bashkitë, por dhe nga Ministria e Kulturës për ruajtjen dhe promovimin e saj. Kjo vlerë duhet të futet në shkolla, ku të jepet mësim dhe të përcaktohen mësuesit për këtë polifoni”, thotë këngëtari Ahmeti. Në reagimin e tij këngëtari i polifonisë Sinan Ahmeti flet dhe për kujdesin dhe vëmendjen, që duhet treguar për instrumentet popullore. I vlerësuar si këngëtar i polifonisë, ai thotë se nëse nuk bëhet gjë nga institucionet trashëgimia shpirtërore rrezikon zhdukjen. “Ne po flasim dhe për instrumente, që faktikisht po na i rrëmbejnë të tjerët, duke i pasur që vit pas viti që kanë rezistuar me shekuj dhe ne i kemi kultivuar dhe tek brezat më të rinj. Por ministria duhet të bëjë shumë punë me qëllim që jo vetëm ti ruajë në të ardhmen. Nëse nuk bëhet gjë, do të zhduket polifonia, vallja, etj, që janë tradicionale, kur faktikisht dhe bota i kërkon. Do të themi na ishte njëherë një polifoni”, tregon ai. Më shumë se dy dekada që merret me polifoninë, Sinan Ahmeti ka krijuar dhe një grup me rreth 100 fëmijë, që i edukon dhe i mëson për këtë vlerë të trashëgimisë. Me grupin e tij ka marrë pjesë në shumë aktivitete, ku siç shprehet dhe vetë rreth 250 koncerte janë në Sarandë për turistët e huaj.