Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Vangjel Gjikondi: Kështu siç funksionon GKA më mirë le të mbyllet fare, madje dyshoj se ky është qëllimi i bllokimit të ekspozitave

Postuar: 25/05/2019 - 07:28

Piktori Vangjel Gjikondi shprehet se mënyra se si po funksion Galeria Kombëtare e Arteve nuk është normale për atë institucion arti. Sipas piktorit, është një gjendje ku për piktorët nga Shqipëria është treguar se nuk ka pasur hapësira për të ekspozuar veprat e tyre. Piktori vijon se deri tani duke mos pasur komunikim nga galeria me artistët nuk po kuptohet se çfarë do të ndodhë me këtë institucion të artit. Në intervistën për “SOT” piktori Vangjel Gjikondi shprehet se për atë prej kohësh Galeria Kombëtare e Arteve nuk po funksion dhe përgjegjësia sipas tij shkon dhe te Ministria e Kulturës, që ka në varësi këtë institucion. Shqetësues është dhe fakti që GKA prej vitesh nuk ka mundur të blejë vepra arti, dhe sipas tij nuk mund të quhet ky institucion një Muze i Arteve të Bukura siç është pohuar deri tani. Sipas piktorit do të ishte gjë e bukur nëse Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës do të kishin në vëmendje, që të organizonin ekspozita kombëtare me tematika të ndryshme, gjë e cila deri tani ka munguar.

 -Piktorë të ndryshëm kanë shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si po funksion sot Galeria Kombëtare e Arteve. Ju sie shikoni?

Për mua si piktor Galeria Kombëtare e Arteve ka kohë që nuk funksionon. Ka qenë dikur periudha e Abaz Hados që bënte ekspozita të bukura, por dhe Artan Shabani kur ishte, ka bërë ekspozita të ndryshme. Por tani është bllokuar çdo gjë aty. Aty kanë ardhur artistë nga Kosova apo dhe disa të huaj. Unë vetë nuk kam parë aktivitete në atë institucion. Nuk është një gjendje normale Galeria Kombëtare e Arteve sot, por është anormale. Derisa ne e shikojmë si Galeria Kombëtare e Arteve duhet të ketë aktivitete shumë më tepër se sa tani.

-Piktorët shprehen se drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve nuk ka pasur komunikim me ata. Ju si e shikoni?

Drejtori Shkololli ka dhe një emër që unë nuk po e mësoj dot. Unë vetë e njoh vetëm nga fotot. Unë nuk di të dalë ai të flasë për çfarë po ndodh në GKA. Nuk ka aktivitete, nuk dihet se çfarë do të ndodhë aty. Por ne mund ta kritikojmë, por nuk është vetëm ai fajtori për çfarë po ndodh në Galerinë Kombëtare të Arteve. Fajtori është Ministria e Kulturës, sepse ajo e ka në varësi atë institucion. Faji nis që lart te ministria pastaj vjen te GKA.

-Ju jeni shprehur se Galeria Kombëtare e Arteve nuk mund të jetë Muzeu i Arteve siç është pohuar deri tani. Pse ju jeni shprehur kundër?

 Unë nuk e di se si mund të quhet GKA Muzeu i Artit. Unë nuk e kuptoj se si mund të ndodhë kjo. Nuk ka pse të quhet muze, le të rrijë siç është Galeria Kombëtare e Arteve. Ti thuash muze arti GKA nuk jam dakord, vetëm po ta quajnë muze i realizmit socialist. Çfarë do të bëjë GKA si muze? Po të jetë muze duhet të ketë tema madhështore dhe historike. Luvri bën të tilla, janë hapur ekspozita të piktorëve të mëdhenj. Në GKA jo që nuk bëjnë ekspozita të piktorëve, por as muze nuk mund të quhet. Nëse duan ta quajnë muze le ta quajnë muzeu i realizmit socialist, sepse në GKA nuk janë blerë vepra. Nuk ka blerë GKA deri tani asnjë cikël veprash nga piktorë të ndryshëm shqiptarë. Ka vepra në fond, por janë të kohës së diktaturës së atëhershme. Një cikël punësh i vogël është, që i takon viteve 1920 deri në ‘40 nga autorë që kanë mbaruar në Romë, në Rusi, por që janë peizazhe të bukura. Që ta quash muze arti GKA duhet të fillosh nga ana historike dhe duhet të kesh punë shumë vjetra. Duhet të kesh punë të shumë piktorëve shqiptarë dhe të huaj, por ne kemi shumë pak dhe të autorëve të huaj. Galerinë Kombëtare të Arteve mund ta quash muze i realizmit socialist, por jo muze i arteve të bukuria. Mungesa e blerjes së veprave të artit sjell probleme. Si do ta pasurojë fondin? Muzeu atë kuptim ka që të pasurohet gjithmonë me shumëllojshmëri veprash. GKA duhet të ketë buxhet nga shteti dhe të blejë vepra arti, ta pasurojë fondin sa më shumë me vepra që nga koha e lashtësisë dhe deri më sot.

-Artistët janë shprehur se dhe ato ekspozita të pakta, që janë hapur qëndrojnë disa muaj me radhë. Ju si e shikoni?

Nuk është normale që të qëndrojnë kaq gjatë ekspozitat në GKA. Janë thjesht sa për të realizuar planin e GKA kur brenda një periudhe 1 vjeçare nga 4 a 5 ekspozita sa mendon mund të bëjë më shumë, mund të bëjë dhe 12 ekspozita. Është gjë pozitive për të bërë ekspozita GKA, por kjo që bën sot është një mënyrë përtacie. Pra në GKA nuk bëjnë punën e shtetit, por rrinë aty kot. Ky është kuptimi për mua dhe nuk është pozitive kjo që po bën GKA. Por tek ne nuk funksion fare kultura. Nuk funksionojnë si duhet institucionet e artit tek ne. Janë institucione që kanë Ministrinë e Kulturës dhe për gjendjen që ka sot GKA të dyja janë përgjegjëse. Galeria ashtu dhe Ministria e Kulturës të dyja bashkë janë fajtore. Madje për mua kryesorja e përgjegjësisë është lart në ministri. Ekspozita duhet të bëhen në GKA dhe jo të marrin vetëm artistë nga Kosova dhe të huaj që të ekspozojnë dhe piktorët që janë nga Shqipëria mos të ekspozojnë fare.

-Sa është shqetësues për ju fakti që nuk kemi asnjë lloj konkursi, ekspozite kombëtare që të jetë e zhvilluar nga GKA?

Por çfarë të themi me këtë situatë, më mirë le të mbyllet fare Galeria Kombëtare e Arteve. Madje unë këtë parandjenjë kam se mos e mbyllin fare, ndaj nuk po bëhen aktivitete, ndaj është ftohur çdo gjë, nuk interesohen për asgjë, nuk interesohen për projekte. Unë mendoj se mund të lind ideja që GKA mund të prishet si godinë. Mund të jetë si problemi i teatrit. Por këtu nuk ka mbrojtës si aktorët atje, sepse piktorët janë jashtë institucionit dhe e kanë më të lehtë për t’u prishur GKA. Por uroj mos të bëhet. Është gjë e bukur nëse do të kishim aktivitete të organizuara nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës. Dikur ka pasur konkurse, ekspozita, piktorët futeshin në aktivitete dhe krijohej një mënyrë kush duhej të bënte gjëra të bukura. Ai që ta fitojë ta fitojë, por nuk bëhen më gjëra të tilla. Është më mirë që të bëhen ekspozita kombëtare në GKA të artistëve të ndryshëm se sa kanë filluar vetë në grupe të ndryshme. Me grupe është pak e copëtuar dhe për mua nuk dalin mirë, sepse krijon atë egon e vet sikur x apo y është i talentuar, por për mua është më mirë që të dalin në ekspozita kombëtare. Të ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve të gjithë piktorët me veprat e tyre, kjo është e bukur. Aty del puna e bukur. Është më mirë të bëhen ekspozita kombëtare në GKA se sa kështu si po ndodh copa- copa. Por kështu do të vazhdojë dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjnë. Ministria e Kulturës unë nuk e di se çfarë bën për GKA. Po vijon kjo situatë ne flasim asgjë nuk ndryshon.

 

-Ju keni dekada me krijimtarinë, por cila ka qenë periudha më problematike në aktivitetin tuaj artistik?

Unë kam pasur dëshirë të merrem me kompozime të mëdha monumentale, por nga Instituti i Lartë i Arteve ato vite nuk më lejonin të merresha me kompozime dhe më thanë të merresha me peizazhin. Kështu që unë vijova me peisazhin, por unë sërish i jam kthyer anës monumentale ashtu si bëra dhe ciklin e veprave në pikturë për Skënderbeun. Unë në aktivitetin tim jam marr nga peisazhi, portreti e deri te tema historike.

-Tani me çfarë po merreni, ku jeni fokusuar në punën tuaj si piktor?

Unë tani po merrem vetëm me lulet. Kujtoj që në vitin 1997 kur ishte ajo kohë e mbrapshtë unë u mora vetëm me lule. Edhe tani pas shumë vitesh po vijoj të njëjtën gjë, po merrem me lule në pikturat e mia. Në momentin që po shikoj se krijohet një rrëmujë unë krijoj vetëm motive me lule. Gjatë kësaj periudhe prej njëzet vitesh mund të kem bërë 100 tablo piktura me lule. Vetëm tani kam bërë diku te 40 punime natyrë të qetë me lule të ndryshme, me iris, lule manjole, me zambakë të kuq dhe të bardhë. Unë po mendoj të bëj një ekspozitë me këto piktura.

-Si e shikoni ju sot tregun e artit?

Preferenca e njeriut është pa fund. Ndaj artistët nuk duhet të bëjnë një motiv të caktuar, por duhet të bëjë tema të ndryshme, ta pasurojë sa më shumë aktivitetin e tij dhe të ketë sa më shumë llojshmëri punësh. Ne themi për çdo gjë, për çdo problem, për çdo ndihmë për artistët shteti. Por shteti nuk ka më fuqi. Unë mendoj që shpirtin artistik, vullnetin, duhet ta marr vetë parasysh artisti. Artisti duhet të punojë. Nëse e ka me shpirt të punojë duhet ta bëjë dhe nuk duhet të mendojmë më që vetëm shteti. Unë në aktivitetin tim si krijues vetë kam çarë. Piktori duhet të investojë sa më shumë vetë, jo të mendojë vetëm shteti.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/06/2019 - 07:40

Në kuadër të paktit për universitetin u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Arteve.

Postuar: 20/06/2019 - 07:38

Filmi "Rrëfimi i një vrasësi me pagesë", me skenar nga Vladimir Prifti dhe regji nga Kl

Postuar: 20/06/2019 - 07:37

Piktori Rakip Shabani shprehet se në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk gjen artistët shqiptarë, nd

Postuar: 19/06/2019 - 07:41

 "Lapsi i memories" titullohet ekspozita me vizatime të artistit Anastas Kostandin

Postuar: 19/06/2019 - 07:40

Ekspozita “Hybrid” u çel për publikun në  qendrën e artit bashkëkohor “ME

Postuar: 19/06/2019 - 07:38

Në galerinë “Zeta” do të shfaqet ditën e enjte filmi dokumentar “Fotografët Ber

Postuar: 19/06/2019 - 07:37

Muaji i Muzikës po zhvillohet përmes aktiviteteve, por te artistë të ndryshëm kjo nismë e Ministr