BREAKING NEWS

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër ‘shuplakë’ e fortë për Monika Kryemadhin / Damian Gjiknuri jep lajmin, ja çfarë ka ndodhur në Vlorë

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër
x

Kultura

Vangjel Gjikondi: Ministria e Kulturës merret me arkitekturën, zero ndihmë për artistët, nuk kemi ende një ekspozitë kombëtare

Vangjel Gjikondi: Ministria e Kulturës merret me arkitekturën, zero

Piktori Vangjel Gjikondi këto kohë po shkruan romanin e tij. Një libër që nisi në vitet e tij të adoleshencës, por kur kanë kaluar dekada piktori ka nisur ti shkruajë në kompjuter ato që dikur i kishte shkruar në fletore. Në intervistën për gazetën “SOT”, piktori Vangjel Gjikondi tregon se pasi ta mbarojë së shkruari romanin e tij më pas edhe do ta botojë. Por sa i takon jetës artistike dhe kulturore, piktori thotë se shumë pak ka vëmendje për artistët nga institucionet. Piktori Vangjel Gjikondi tregon se Galeria Kombëtare e Arteve nuk është ai institucion që artistët prisnin me aktivitetin artistik, ndërsa dhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj në këtë gjendje. Piktori thotë se Ministria e Kulturës më shumë merret me arkitekturën se sa me artin dhe kulturën. Për piktorin Vangjel Gjikondi kjo nuk është e drejtë, pasi sipas tij duhet të tregojë vëmendje dhe për artin.

-Këtë kohë ju po merreni me shkrimin e një romani. Duket se jeni shkëputur pak nga piktura dhe po merreni me librin tani. Për çfarë bëhet fjalë?

Unë në adoleshencën time kam shkruar. Shënimet që kam në fletore janë shkruar vite më parë dhe tani këtë kohë kam nisur ti shkruaj në kompjuter. Në vitet 1974 deri në 1976 kur unë si adoleshent shkruajta romanin tim më frymëzoi Tolstoi, apo vepra “Lulet e mollës” e Gollsuorthit. Ky roman atë kohë u bllokua i gjithi, sepse arti u bllokua që në ‘71. Unë kisha kontakt atë kohë me Kristo Verlin, që ishte kryeredaktor i “Zërit të rinisë”, që mi lexonte këto pjesë që shkruaja, por nuk mi pranonte dhe kjo vetëm për të mirën time. Unë kam pas shoqëri 8-vjeçare me Kristo Verlin dhe Agim Sulaj, dhe ato vite vetëm këtyre ia tregoja. Tani që jemi në kohë pandemie, që vjet në nëntor nxora 50 fletoret që i kisha shkruar vite më parë, dhe po i hedh shënimet e mia laptop. Deri tani kam shkruar 130 faqe dhe po vijoj punën, duke shkruar romanin tim. Këto kohë e kam lënë pikturën dhe dua ti rikthehem adoleshencës sime. Unë kam qejf tani të shkruaj këtë roman, një koncept të dallimin klasor, mes klasave të larta dhe ulëta. Pas 45 vitesh unë i kam nxjerrë ato që kam shkruar në fletore, dhe po i shkruaj në kompjuter dhe sapo ta mbaroj do ta botoj roman timin. Një roman që do të jetë mbi 400 faqe, ku unë jam frymëzuar nga autorë të mëdhenj. Atë kohë ishte dhe frika dhe nuk mund ta tregoja. Unë temën e kam zgjedhur vetë për librin tim. Një roman që tregon dallimin klasor mes shtresave të larta aristokracisë dhe shtresave të ulëta.

-Ju keni punuar dhe në ish-Kinostudio për disa vite me radhë. Si e kujton atë kohë?

Unë kam punuar disa vite në Kinostudio. Atje kam punuar nga vitit 1983 deri në 1993. Kam qenë piktor, jam marrë me kostumet. Atë kohë ka qenë një punë kryevepër. Një krijimtari e bollshme me filmat. Nuk ke pse t’ia mohosh atë periudhë Kinostudios me filmat. Por sot ka humbur ajo që ishte atëherë. Kinostudio ka qenë si një Hollivud i fshehtë për Shqipërinë. Filmi im i parë ishte me skenar nga Roland Gjoza nga veriu i Shqipërisë. Një temë, që ishte dhe si diplomë e një regjisori atë kohë. Ishte një organizim i përsosur ato vite. Mos shikoni vetëm temat që ishin të asaj kohe, por ama organizimi i punës me filmin ishte një mrekulli. Aty dukej në ato vite sikur ishte Kinostudio si një Hollivud i fshehtë dhe i vogël. Xhiroheshin filma dhe kishte dekore të mëdha. Shikoje regjisorët që punonin aty dhe kishte një korrektësi, rregull dhe përsosmëri puna.

-Ministria e Kulturës së fundmi bëri me dije dhe prezantimin e “Parkut të Artit” në ish Kinostudio. Ju si e shikoni këtë?

Kinostudio nuk është ajo që ka qenë, ndër vite prej saj nuk mbetën shumë gjëra që ajo kishte. Por nëse flasin për “Park Arti” dhe muze filmi siç thuhet, unë uroj të bëhet diçka e mirë. Uroj që ti kujtojnë dhe imazhin asaj Kinostudio, të mbajnë imazhin e saj tamam nëse flitet dhe për një muze filmi, që do të bëhet.

-Ju vazhdoni të jeni kritik ndaj Galerisë Kombëtare të Arteve, çfarë po ndodh sipas jush si piktor?

Galeria Kombëtare e Arteve për mua është zero.

-Pse pohoni se është zero për ju si piktor?

Po sepse nuk ka bërë asgjë. Galeria Kombëtare e Arteve ka ekspozuar disa autorë, por nuk ka pasur aktivitetin që prisnim. Unë nuk di çfarë të them për galerinë, por uroj që të jetë më mirë me aktivitetin e saj. Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion, ku edhe ekspozimi i punëve duhet të bëhet tamam. Në koleksionin që ka GKA ka edhe punime, që janë të dobëta. U ekspozuan edhe veprat e arkivit dhe u vunë vend e pa vend aty.

-Ju keni vepra në fondin Galerisë Kombëtare të Arteve ?

Po kam vepra arti, ose e di që kam pasur 6-7 vepra në Galerinë Kombëtare të Arteve. Tre e di që janë, për tjerat se di. Janë vepra arti që janë blerë në vitet 1983, ’85, ’87 dhe në mos gaboj edhe në ‘90. Kur u bë një nga bienalet e Aleksandrisë në 1983 që është çuar puna ime atë e ka marrë galeria, pra e ka blerë. Një tjetër ka qenë ajo e 1985 në ekspozitën që u hap në Pallatin e Kulturës dhe aty në mos gaboj më blenë piktura. Në vitin 1990 kur nisën protestat, unë kam bërë ekspozitë në GKA dhe aty janë blerë vepra. Por sot galeria nuk blenë më vepra arti si dikur, mund të ketë blerë mbase deri në 1997, por me pas nuk bleu më si ato vite. Ishin dhe aktivitete dhe ekspozita të ndryshme që zhvilloheshin, dhe galeria blinte veprat e autorëve. Tani ne nuk kemi më ekspozita si dikur kombëtare. Por që duhen të bëhet patjetër. GKA duhet të bëjë një ekspozitë kombëtare për të gjithë piktorët që të jenë pjesëmarrës, të jetë një konkurs kombëtar. Nëse GKA nuk blen vepra për të pasuruar fondin ai varfërohet. Kjo është në dëmin tonë. Kjo është një gjë që po vijon prej vitesh. Por duhet të subvencionojë shteti për këtë gjë. Nëse nuk e bën këtë të paktën GKA të bëjë ekspozita me artistët, sepse aty ekspozohen dhe mund të shiten vepra. GKA ka një varësi nga Ministria e Kulturës, që duhet ta ketë nën kujdes dhe vëmendje, por ajo nuk tregon atë që duhet për aktivitetin e artistëve. Ministria e Kulturës asgjë nuk ka ndihmuar, zero. GKA është në varësi të Ministrisë së Kulturës, por nuk duan t’ia dinë.

-Ju në vitin 2018 hapët një ekspozitë kushtuar Skënderbeut, që ishte në Muzeun Historik Kombëtar. Nga ajo kohë keni qenë në GKA për të hapur ekspozitë, pra keni bërë kërkesë?

Unë më parë që nga 2012 kam vajtur në GKA, por nuk më kanë pranuar ekspozitën. Edhe para disa vitesh që kur ishte drejtor Artan Shabani kam vajtur në GKA, që më priti shumë mirë dhe nuk ishte faji i tij për ekspozitën, por i ministrisë. Ishte Ministria e Kulturës atë kohë që i sabotonte gjërat, nuk besoj se kishte faj drejtori atëkohë. Unë shkova te muzeu se nuk kisha çfarë të bëja. Ekspozita “Historia e Skënderbeut” u hap në 2018 në shtator në Muzeun Historik Kombëtar. Puna me ciklin e pikturave për Skënderbeun e kisha nisur që në vitin 2008, por vetëm pas dhjetë vitesh arrita ti ekspozoja veprat. Në ekspozitën që çela më parë në MHK ishin 60 punime të realizuar nga unë. Nga viti 2008 fillova ciklin mbi heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i frymëzuar nga historiani Marin Barleti. Cikli i tablove që kam realizuar, përfshin një periudhë nga lindja deri pas vdekjes së Skënderbeut. Vepra që janë realizuar duke gjetur frymëzimin edhe tek Fan Noli apo dhe autorë të tjerë të mëdhenj. Deri tani askush nuk e ka organizuar dhe marrë përsipër një ekspozitë të tillë mbi historinë, jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut. Ka qenë mundësia që kjo ekspozitë të hapej kohë më parë, por është lënë më vonë, është shtyrë për probleme të ndryshme. Punët e këtij cikli pikturash janë të realizuar në vaj, dhe me formate të mëdha. Unë për këtë ekspozitë kam bërë vetë çdo gjë.

-Si e shikoni sot Ministrinë e Kulturës, politikat e saj për artin dhe sa po bën për artistët?

Ministria e Kulturës nuk ka bërë asgjë për ne artistët, ka bërë vetëm për arkitekturën. Ministria e Kulturës merret me restaurime të xhamive dhe kishave. Për restaurimet duhet të merret Instituti i Monumenteve të Kulturës, të ketë specialistë që të merret me restaurimet. Për mua e ka gabim që del ministria. Ministria e Kulturës të merret tamam me artin dhe kulturën. Edhe unë kur kam qenë student jam marrë me restaurime, kam qenë me Mustafa Arapin që ka qenë në Institutin e Monumenteve të Kulturës i cili atë kohë ishte më vete. Mustafa Arapi ishte shef atë kohë në IMK. Por sot si e kemi IMK? Sa kanë mbetur specialistë aty?

-Pandemia sa ju ka penguar në aktivitetin tuaj me pikturën?

Unë kam punuar në studio brenda, nuk mund të them që më ka penguar pandemia. Unë kam qenë me punë, madje dhe për shitje më ka ecur mirë me pikturën.

-Kur të përfundoni së shkruari librin, a do të vijoni më pikturën?

Do të vijoj, por tani unë do shkruaj librin. Tani jam i frymëzuar me librin, me romanin tim.

Ekspozita për Skënderbeun

Piktori i njohur Vangjel Gjikondi rrëfeu historinë e Skënderbeut përmes 60 tablove monumentale. Artisti, i cili i ka dedikuar 10 vite realizimit të këtyre tablove, solli figurën e heroit kombëtar. Kjo ekspozitë u çel në Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ekspozita e piktorit Vangjel Gjikondi titulluar “Historia e Skënderbeut” realizuar në pikturë u çel më 15 shtator dhe qëndroi deri më 25 shtator në muze të 2018. Piktori Gjikondi tregoi se është frymëzuar nga historiani Marin Barleti dhe autorë të tjerë në realizimin e këtyre tablove, që iu deshën plot 10 vjet për t’i realizuar. Pikturat e ekspozuara tregonin historinë e Skënderbeut që nga lindja e tij e deri në vdekje. Kjo ekspozitë ishte shumë interesante, sepse vetëm përmes pikturave mund të mësoje historinë e Skënderbeut. Gjithçka nis nga lindja, pagëzimi i Skënderbeut duke përvijuar në beteja të ndryshme udhëhequr prej tij. Synimi sipas piktorit, ka qenë që të pasqyrojë sa më njerëzore figurën e Skënderbeut.