BREAKING NEWS

Koronavirusi drejt zhdukjes në Shqipëri, ja sa persona kanë rezultuar të infektuar me Covid-19 në 24 orët e fundit, asnjë humbje jete

Koronavirusi drejt zhdukjes në Shqipëri, ja sa persona kanë
x
BREAKING NEWS

Mjekësia në zi/ Ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar, kolegët e tij japin lajmin e trishtë: Humbje e madhe! (EMRI+FOTO)

Mjekësia në zi/ Ndahet nga jeta mjeku i njohur shqiptar, kolegët
x

Kultura

Vangjel Gjikondi: Skenarët e dobët dhe mungesa e mbështetjes financiare, problemet kryesore të filmit shqiptar sot

Vangjel Gjikondi: Skenarët e dobët dhe mungesa e mbështetjes

Kinematografia shqiptare ka probleme të ndryshme në prodhimin e filmave shqiptarë. Sot jo vetëm buxheti është problem, por mangësi shihen dhe te skenari. Herë pas here është folur për nivelin artistik të filmave, por për piktorin e filmit Vangjel Gjikondi dikur në Kinostudio punohej në mënyrë shumë të organizuar. Në intervistën për “SOT” piktori i njohur Vangjel Gjikondi shprehet se dikur ishte me shumë përkushtim puna për filmin. Për piktorin e filmave “Duaje emrin tënd”, “Treni niset në 7 pa 5” dhe të tjerë prodhime të asaj kohe, shqetësues sot për filmin është skenari dhe buxheti i paktë. Piktori që për një dekadë ishte në Kinostudio me filmin, dhe me bashkëpunime me emra regjisorësh të njohur të asaj kohe, thotë se skenari duhet të jetë i bukur dhe filmi kërkon gjetje të reja, por që kjo ka munguar. Sipas piktorit Vangjel Gjikondi, është gjë e bukur të jesh piktor filmi dhe të punosh me grupin e xhirimit. Ai thotë se është e lodhshme është, por të xhirosh është një mrekulli.

-Për disa vite ju keni qenë si piktor filmi në Kinostudio. Si e kujtoni punën në Kinostudio në fillimet tuaj?

Piktor filmi si fillim unë isha me filmin vizatimor, por u bë një shkëmbim atë kohë ku Zana Varvarica erdhi në filmin vizatimor dhe unë u futa piktor në filmin artistik. Filmi im i parë ishte me skenar nga Roland Gjoza nga veriu i Shqipërisë. Një temë, që ishte dhe si diplomë e një regjisori atë kohë. Ndërsa filmi im i dytë ishte me regji nga Saimir Kumbaro. Ishte një film që u xhirua në qytetin e Sarandës dhe quhej “Nxënësit e klasës sime” në vitin 1983. Mua më pëlqente më shumë filmi artistik dhe në momentin që u bë shkëmbimi nisa punë direkt me filmin artistik.  Në filmin e regjisorit Saimir Kumbaro ishin aktorë të njohur si Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Artur Gorishti. Në ato vite puna me filmin në Kinostudio ishte një mënyrë e përsosur, flas me pasionin që kishin artistët. Kinostudio ishte ato vite sikur kishe dalë nga Hollivudi dhe ikje xhiroje filma. Mos shikoni vetëm temat që ishin të asaj kohe, por ama organizimi i punës me filmin ishte një mrekulli. Xhiroheshin filma dhe kishte dekore të mëdha. Shikoje regjisorët që punonin aty dhe kishte një korrektësi, rregull dhe përsosmëri puna. Ato vite kishte koncept ideologjik është tjetër gjë, por me filmin punohej shumë. Grupi që organizonte ishte një mrekulli. Unë tani që bëhen xhirime me filmin artistik nuk besoj të jetë një punë aq e bukur, sa bëhej ato vite me filmin.

-Pas filmit me regji nga Saimir Kumbaro që ishit në Sarandë, si vijoi më tej puna juaj si piktor filmi dhe bashkëpunimet me regjisorët?

Filmi i tjetër ishte ai me titull “Duaje emrin tënd”, që u xhirua në Pogradec. Dhe aty i njëjti grup i mirë, me aktorë si Ndriçim Xhepa, etj, dhe ishte një organizim i përsosur. Në atë kohë ishin të gjithë gjërat që duheshin kur shkonte të punonte aktori. Nuk është puna se u bë një moment xhirimi një skenë, por nëse nuk dilte mirë bëhej 6 herë po ajo skenë derisa të dilte si duhej. Por atë kohë ishte shteti që financonte me filmin, nuk janë me projekte si sot. Puna në ato vite në realizimin e filmit artistik ishte me një këmbëngulje të madhe dhe bëhej me cilësi. Grupi që punonte me të vërtetë kënaqej kur bënte punën me filmin, dhe jo ta bënte punën shkel e shko. Puna bëhej me nivel të lartë artistik dhe kjo është kuptimi. Në ato vite në Kinostudio si piktor filmi unë kam punuar me dhjetë filma. Kam punuar me regjisorë të njohur si Saimir Kumbaro, Kristaq Mitro, Viktor Gjika, Muharrem Fejzo dhe të tjerë. Me Muharrem Fejzon kam qenë me filmin “Pranverë e hidhur”, ku ishte dhe Sandër Prosi aktor në atë film. Në ato vite kujtoj punën që kanë bërë operatorët si Bardhyl Martiniani, Gavrosh Haxhihyseni, Lionel Konomi, Lek Kasneci, Spartak Papadhimitri, Bujar Kokonozi, Pëllumb Panariti e shumë të tjerë, që e njihnin kompozimin në kamerën e filmit. Nisa punën në vitin 1982 në Kinostudio atë kohë dhe punova deri nga vitet 1992-‘93. Kinostudio ka një arkitekturë shumë interesante. Në fakt atë e kanë bërë rusët, por influenca e saj është e stilit helenistik, pavarësisht se janë shtrembëruar gjërat.

-Ju keni qenë deri në vitet e para pas ’90 si piktor filmi në Kinostudio. Sot nuk është më si dikur, çfarë mund të na thoni?

Për Kinostudion është gabimi i regjisorëve që nuk ditën ta administrojnë këtë institucion të madh, sepse dhe Anagnosti kur u bë ministër i tha regjisorëve veproni, por deshën të bëheshin pronarë secili për vete, dhe nuk u mblodhën në mënyrë kolektive, këtu është gabimi i tyre. Madje dhe te filmi vizatimor donin që të merrnin të gjithë nga një dhomë. Por kjo nuk mund të ndodhte që secili të ishte pronar. U bënë sabotime. Jo të gjithë regjisorët, por një pjesë kishin pretendime të tilla. Unë isha nga të parët që ika nga Kinostudio, më pas ikën dhe tjerë piktorë. Pastaj unë ika dhe Greqi dhe më pas krijova galerinë time me piktura. Gjatë kësaj periudhe unë kisha punuar shumë dhe kjo më ndihmoi.

-Tani për në ish Kinostudio nga Ministria e Kulturës po flitet se do të bëhet një park arti. Si e shikoni këtë?

Nuk e shikoj keq nëse bëhet një park arti, sepse dhe kështu siç është nuk ka pse të rrijë. Nëse ka hapësirën që mund të bëhet, atëherë duhet të realizohet një projekt i duhur. Kinostudio nuk është ajo që ka qenë, ndër vite prej saj nuk mbetën shumë gjëra që ajo kishte. Por nëse flasin për park arti dhe muze filmi siç thuhet, unë uroj të bëhet diçka e mirë. Uroj që ti kujtojnë dhe imazhin asaj Kinostudio, të mbajnë imazhin e saj tamam nëse flitet dhe për një muze filmi.

-Çfarë mendoni sot për prodhimet të filmave shqiptarë?

Sot kemi filma shqiptarë që realizohen nga regjisorë të ndryshëm. Kemi filma që janë të bukur, por dhe me probleme në nivel. Dhe në kohën kur ishte Kinostudio puna ishte shumë e mirë në organizim me grupin e xhirimit, por dhe në ato vite ka pasur filma të dobët. Dhe sot probleme me filmat shqiptarë kemi. Buxheti i paktë është shumë problem për prodhimet e kinematografisë shqiptare. Filmit shqiptar sot i mungojnë paratë. Një tjetër problem është dhe skenari i filmit, ku ka regjisorë sot që i bëjnë vetë skenarët, por skenari duhet të bëhet bukur. Në kohën e Kinostudios skenarët kanë qenë të mrekullueshëm, nëse skenari nuk ishte i bukur regjisori nuk e bënte filmin. Sot në prodhimet kinematografike shqiptare mendoj që buxheti i paktë është problem, por dhe skenari. Shkrimtari, skenaristi duhet të gjejë momente të caktuar të godasë me skenarin e tij dhe të përkrahë atë që do publiku. Mënyra se si e gjen është zotësia e tij. Brenda diktaturës ne kemi pasur dhe tema të bukura në filmat tanë, edhe pse ishin vite të vështira, ku ngjarjet historike janë gjetur bukur për t’u trajtuar në filma. Skenari është kryesori në film, është si puna e një tabloje që duhet ta skicosh bukur dhe ta ekzekutosh. Sot nuk kemi më skenaristë si ato vite. Ajo që unë mendoj është që filmi do gjetje të reja. Në skenarë të filmit duhet të gjenden tema që të tërheqin vëmendje. Po nuk u bë skenari i bukur nuk ka kuptim filmi, ndaj tani ka probleme.

-Pas viteve ’90 keni vijuar punën me filmat?

Kam pasur bisedime, ftesa nga regjisorët, por jam përqendruar te piktura në studio. Dhe tani kam pasur propozime për filma, por të shohim si do të shkojnë gjërat. Po mu dha rasti do të shkoj si piktor filmi. Unë në këto vite jam marrë me pikturën, nuk është se më ka munguar shumë puna me filmin, por është gjë e bukur të jesh piktor filmi, të punosh me grupin e xhirimit. E lodhshme është por në fund ndjen kënaqësi. Të xhirosh është një mrekulli.

-Gjatë kësaj kohe me çfarë po merreni?

Unë po merrem me romin tim. Jam para kompjuterit çdo ditë duke shkruar. E kam lënë pak pas dore pikturën dhe jam fiksuar tek libri. Dua ta përfundoj dhe deri tani kam bërë 45 për qind të punës me librin. Unë në adoleshencën time kam shkruar. Shënimet që kam në fletore janë shkruar vite më parë dhe tani këtë kohë kam nisur ti shkruaj në kompjuter. Në vitet 1974 deri në 1976 kur unë si adoleshent shkruajta romanin tim më frymëzoi Tolstoi, apo vepra “Lulet e mollës” e Gollsuorthit. Një roman që do të jetë mbi 400 faqe, ku unë jam frymëzuar nga autorë të mëdhenj. Atë kohë ishte dhe frika dhe nuk mund ta tregoja. Unë temën e kam zgjedhur vetë për librin tim. Një roman që tregon dallimin klasor mes shtresave të larta aristokracisë dhe shtresave të ulëta. U bënë 4 muaj që jam duke shkruar romanin tim të parë.

 -Ju jeni kritik që sot nuk kemi një konkurs apo ekspozitë kombëtare organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës. Si ndikon kjo sipas jush?

Galeria Kombëtarë e Arteve mund të bëjë ekspozita kombëtare me tema të ndryshme, por asgjë. Që kur u mbyll konkursi “Onufri” nuk ka asgjë. GKA duhet të ketë një konkurs, ekspozitë kombëtare. Por nuk kemi sot asgjë.

-Sa problem është sot për artistët ekspozimi i veprave të tyre?

Për piktorët ka mbetur vetëm salla e Muzeut Historik Kombëtar dhe aty artistët duhet të paguajnë para. Por kjo nuk është e drejtë. Ministria e Kulturës dhe MHK nuk duhet ti marrin para artistëve. Te MHK ka vend për të ekspozuar, por nëse bëhet ekspozita aty nuk duhet ti marrin artistëve paratë e sallës, por dhe nuk bëjnë fare marketing për piktorët.

-Ekspozita e fundit e juaja ishte në 2018 për Skënderbeun në MHK. Një ekspozitë që ka pasur jehonë atë vit. Sot çfarë mund të na thoni për aktivitetin tuaj, do të keni një ekspozitë tjetër?

 Ekspozita ime e fundit që u prit shumë mirë. Unë nisa nga viti 2000 për atë ekspozitë dhe në 2018 i ekspozova veprat. Vetëm tema për Skënderbeun nga lindja deri pas vdekjes së tij frymëzuar nga Marin Barleti. Ishin 60 tablo cikël historik për Skënderbeun. Unë kam vepra për të ekspozuar, por të shohim. Kam rreth 15 piktura dhe për Ali Pashën, por të shohim nuk e kam vendosur për ekspozitën.

-Sa është i vështirë aktiviteti artistik për piktorët?

Piktorët përballen me vështirësi në aktivitetin e tyre artistik. Unë e kam një dyqan timin dhe studion time që punoj, dhe kjo më ndihmon shumë. Por ka të tjerë që nuk kanë dhe është e vështirë. Por dhe artistët vetë duhet të përpiqen që të krijojnë klientelën e tyre. Unë kam 2 vjet që kam mbajtur dyqanin me veprat. Kur je në dyqan të imponon të punosh, kurse në shtëpi është më ndryshe. Unë vij në orën 8:00 në mëngjes dhe deri në orën 21:00 të mbrëmjes në dyqan. Puna këtu më bën mirë. Plus krijon klientelën dhe shitet piktura. Artistët duhet të përpiqen, që të krijojnë vetë klientelën.

Intervistoi: Julia Vrapi