Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Furtunë shkarkimesh në administratë, Rama kërkon nga drejtuesit në qarqe lista me emrat e drejtorëve dështakë, ikin 20 emrat e parë në Tiranë

Furtunë shkarkimesh në administratë, Rama kërkon nga
x

Kultura

Vasil Tole: Kënga “Vlora, Vlora”, si dëshmi unike e asaj lufte heroike

Vasil Tole: Kënga “Vlora, Vlora”, si dëshmi unike e asaj

Në kuadër të 100 -vjetorit të Luftës së Vlorës (1920-2020) është bërë rijetëzimi i këngës “Vlora, Vlora”. Akademiku Vasil Tole bën me dije se bashkë me këngëtarin zë artë Josif Gjipali dhe kompozitorin e njohur Klodian Qafoku, kanë bërë të mundur rijetëzimin e këngës-himn "Vlora, Vlora", përmes ri-harmonizimit, ri-orkestrimit për orkestër simfonike dhe ri-këndimit të saj. Tole shprehet se kjo këngë u krijua gjatë Luftës së Vlorës nga shqiptaro-amerikani i madh Thoma Nasi, dirigjenti i Bandës Kombëtare “Vatra”, pjesëmarrës në atë luftë, mbi poezinë e vlonjatit të rrënjës Ali Asllani. “Thoma Nasi theksonte se dëshira për një muzikë të re, i dha atij mundësinë të kompozonte shumë këngë. Një nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së "Vatrës" në front më 1920 ishte kur pas largimit të italianëve, të gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar: Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora! Kënga pati sukses të menjëhershëm dhe brenda pak ditëve u përhap në të gjithë Shqipërinë”, shprehet akademiku Vasil Tole. Më tej ai vijon se në një nga transmetimet e saj në radio, Dorothe Thompson tha se shqiptarët kur hidheshin në sulm kundër italianëve këndonin këngën “Vlora, Vlora”. “Kjo këngë është bërë një nga klasikët shqiptare dhe ende këndohet sot. Gjëja që më ka habitur e befasuar më shumë është se si këngët, që shkruaja arrinin të shpërndaheshin pothuajse brenda natës në të gjithë vendin dhe të këndoheshin e ekzekutoheshin pa nota të shtypura nga orkestrat vendase. Kudo që vizitonim qytete të mëdhenj a të vegjël, popullata vendase do të na përshëndeste duke kënduar këto këngë”, tregon akademiku. Sipas muzikologut dhe akademikut Vasil Tole kënga do të shpërndahet në një botim të veçantë, në një konferencë të ASH. “Kënga në fjalë, si trashëgimi shpirtërore e asaj epopeje vjen në 100 -vjetorin e Luftës së Vlorës, si dëshmi unike e asaj lufte heroike që ribëri Shqipërinë. Ajo do të shpërndahet në një botim të veçantë si CD, për pjesëmarrësit e konferencës shkencore që do të organizojë Akademia e Shkencave si dhe për publikun e gjerë”, pohon Tole. Pas restaurimit të këngës së “Kongresit të Lushnjës”, ky është rasti i dytë i rijetëzimit të trashëgimisë historike artistike, në fushën e muzikës patriotike.