BREAKING NEWS

Policia del me reagim ZYRTAR për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Tiranë (Zbardhen detajet kush është i kërkuari për masakrën e Lushnjes që i drejtoi armën punonjësit të Shqiponjave)

Policia del me reagim ZYRTAR për ngjarjen e rëndë që ndodhi
x

Kultura

Veprat e albanologut Gustav Weigand, prezantohen në Bibliotekën Kombëtare

Veprat e albanologut Gustav Weigand, prezantohen në Bibliotekën

Ekspozita me rastin e 160-vjetorit të lindjes së albanologut gjerman Gustav Weigand, u çel në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Me një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet ballkanologjike, kjo ekspozitë vjen për publikun edhe si një homazh ndaj gjestit sa shkencor aq edhe qytetar të Weigand. Studiuesi në vitin 1929, i dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë 81 tituj të koleksionit personal albano-balkanologjik, vepra madhore për kulturën dhe kombin shqiptar si “Dottrina Christiana” Pjetër Budi (1664); “Katër Ungjillat” përkthyer prej greqishtes në shqip nga Kostandin Kristoforidhi (1886); “Dhiata e re” përkthyer prej Kostandin Kristoforidhit (1872); “Abavatar arbëror” i Anastas Kullurioti (1882); “Shkronjëtore e gjuhës shqip” prej Sami Frashërit (1886); “Rapsodie albanesi” prej Zef Skiroit (1887); “Abetare e gjuhës shqyp” prej Gaspër Benusi (1890); “Historia e Shcypniis” e Ndoc Nikaj (1902) etj., por edhe botime të tjera të vyera, si: “Elementi di grammatica della lingua albanese” të Giacomo Jungg (1881); “Skënderbeu ose heroi i shqipëtar” i Rogatien Faurrès (1912). Një vëmendje të veçantë në këtë ekspozitë iu kushtua kontributit të tij shkencor, përmes studimeve të rëndësishme, si: “Die Aromunen” (1895); “Die dialekte der Moldau und Dobrudscha” (1902); “Albanesische grammatik im Sudgegische dialekt: (Durazzo, Elbasan, Tirana) : mit zëei Tafeln” (1913); “Albanesisch-deutsches und deutsch-albanesisches Worterbuch” (1914); “Ethnographie von Makedonien: geschichtlich-nationaler, sprachlich-statistischer Teil” (1924) etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në sallën “Albano-Ballkanologjike” të Bibliotekës Kombëtare nga data 17-25 shkurt. Gustav Weigand (1860-1930) kontribues i shquar në studimet ballkanologjike, hartues atlasesh gjuhësore, hulumtues i marrëdhënieve mes gjuhëve e kulturave të popujve ballkanikë, vështruar në kontekstet e tyre historike e etno-folklorike, zuri një vend të rëndësishëm edhe në debatet shkencore mbi historinë e gjuhës shqipe, veçanërisht përmes 12 argumenteve të tij mbi prejardhjen e saj prej trakishtes. Ky studim u publikua pak vite para se ai të ndahej nga jeta, më 1927 në “Balkan Archiv”, u përkthye dhe botua po atë vit në revistën “Dituria” nga Aleksandër Xhuvani.