BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

Viktor Canosinaj: Detyra e shkrimtarëve është që të bëjnë letërsi cilësore, detyra e institucioneve që ta mbështesin

Viktor Canosinaj: Detyra e shkrimtarëve është që të

E premtja në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit është me autorë shqiptarë dhe krijimtarinë e tyre. Takimi i radhës në mjediset e QKLL solli shkrimtarin e njohur Viktor Canosinaj. Ai zhvilloi një takim letrar përballë lexuesve të rinj, ku rrëfeu se si lindi letërsia brenda e tij, cilat janë temat me të cilat mbruhet letërsia e tij, romanin që është duke shkruar, etj. Në këtë takim ai foli dhe për problemet, që hasin sot autorët dhe libri. Për Viktor Canosinaj autorët në vendin tonë janë në një periudhë të vështirë, dhe sipas tij kërkohet më shumë vëmendje. “Jam i mendimit, që ka shumë për të diskutuar për letërsinë shqipe dhe autorët shqiptarë. Thjesht kërkohet më shumë vëmendje që ata të vihen në fokus të kritikës, të lexuesve dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që e ka filluar mbarë këtë mbështetje dhe unë shpresoj shumë që do të vazhdojë, sepse jemi në një situatë të vështirë. Autorët shqiptarë janë në periudhë të vështirë për shkak të konkurrencës së pashembullt, që ekziston me shumë botime të huaja. Por duhet më shumë mbështetje, pastaj cilësia le të flas vetë”, u shpreh ai gjatë takimit. Për shkrimtarin Viktor Canosinaj nëse i afrohet një krijimtari e mirë lexuesi të lexon, ndaj detyra e autorëve është që të shkruajnë letërsi cilësore. Por ndërsa autorët duhet të vijnë para lexuesve me letërsi cilësore, sipas tij janë institucionet që duhet ta mbështesin. “Lexues shqiptar ka dhënë prova, që nëse i afron letërsi të mirë cilësore ai të lexon dhe kjo nuk vlen vetëm për lexuesin shqiptar, por dhe për lexuesin në botë. Kështu që detyra e shkrimtarëve është që të bëjnë letërsi cilësore dhe detyra e institucioneve është që ta mbështesin”, pohon ai. Në takimin e zhvilluar në mjediset e QKLL përballë të rinjve shkrimtari Viktor Canosinaj u shpreh se problem është që në vendin tonë nuk ka dhe biblioteka cilësore. Sipas tij, lexuesi i rri formulës që kur i jepet letërsi cilësore të lexon, por problemi te ne është organizativ. “Unë mund të them plot qyteza dhe qytete të vegjël që ende nuk kanë biblioteka cilësore dhe të pasura me libra. Për shkak të aktivitetit letrar kam shkelur pothuajse gjithë Shqipërinë dhe e di situatën se si është. Te aktiviteti i fundit kam qenë në Vaun e Dejës, një vend me traditë shekullore dhe ishin akoma në fazën e ringritjes së bibliotekës. Për të plotësuar këtë mungesë kishin ngritur një rrjet shpërndarje me makinë të librave dhe shkonin në fshatra. Dhe pas një muaji ktheheshin merrnin ata libra, që kishin lexuar dhe jepnin të tjerë. Një përvojë e mirë që kam ndeshur dhe në Lezhë e Durrës, kështu që është thjesht çështje organizimi”, u shpreh ai.

Problemet organizative

 Shqetësuese sipas shkrimtarit Viktor Canosinaj është që nuk kemi ende një rrjet mbarëkombëtar të shpërndarjes s librit, ashtu siç ka në shtete të tjera. Ai tregon se ne nuk kemi këtë rrjet, që ta shpërndajmë librin e autorëve në Shqipëri dhe në Kosovë, Maqedoni të Veriut etj.“Një tjetër problem organizativ që unë e kam theksuar, është ngritja e një rrjeti mbarëkombëtar të shpërndarjes së librit siç e ka gjithë bota. Po marrim SHBA, atje del libri të hënën nga botimi  dhe ditën e martë ka shkuar nga Zelanda a Re, Indi, Kanada, etj, kudo ku lexohet në anglisht. Nuk ka shkuar me anije ose avion. Mjafton që ti i çon një formë elektronike romanin dhe atje të del libri i paketuar për 10 minuta, sepse një shtëpi botuese në Nju Jork ka filialet e veta në vendet anglishtfolëse dhe distribucioni është i përsosur që kryhet. Por ne akoma nuk e kemi ngritur një rrjet të tillë që të çojmë librin në Maqedoni, Kosovë, Mali të Zi e pastaj në diasporë”, shprehet shkrimtari. Në aktivitetin e tij përmendim librat “Katër "yje" në qytet”, “Ata kërkonin lumturinë” , “Mikjon / Piratja sybojë qielli”, “Lulet e përgjakura të 7 marsit”, “Në rrugë roman”, “Ikja e pëllumbave roman”, “Lamtumirë guacka ime”, “Meriyll”, “Dashuri në ikje”, “Monstrat e Rrugës së Mimozave”, “Të gjithë tulipanët e botës”, “Lufta në udhëkryq”, “Vite blu”, “Një dashuri sa dy oqeane”, “Nesër do të jetë ndryshe”, si dhe libra të tjerë.