BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

Vizitorët në DPA njihen me procesin e konservimit dhe restaurimit të materialeve

Vizitorët në DPA njihen me procesin e konservimit dhe restaurimit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave vazhdimisht mirëpret vizitorë të ndryshëm në mjediset e saj. DPA shprehet se vizitat e ofruara përshtaten me llojin e publikut dhe me interesat, qofshin ato vizita shkollore ose akademike, shërbime shtetërore ose shoqata. “Duke respektuar masat për mbrojtje nga covid-19, sot mirëpritëm kursantet nga Qendra e Formimit Profesional. Turi u organizua mbi kërkesën e tyre për përfitimin e njohurive në përpunimin tekniko-shkencor të dokumenteve, ku panë nga afër këtë proces të punës si dhe u informuan për punën në sekretari-arkiv. Gjithashtu u njohën me pasurinë dokumentare që ruan Arkivi i Shtetit dhe veç kësaj u informuan dhe mbi digjitalizimin masiv të kryer. Në fund u vizitua një sektor themelor siç është ai i restaurimit, ku kursantet panë nga afër procesin e konservimit, mirëmbajtjes dhe restaurimit të dokumenteve arkivore”, shprehet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për vizitat që zhvillohen gjatë kësaj kohe në mjediset e saj. Arkivi i Shtetit shqiptar është institucioni më i rëndësishëm arkivor në shkallë kombëtare ku grumbullohen, ruhen, përpunohen dhe shërbehen dokumentet kryesore, që dëshmojnë për historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia e arkivave në Shqipëri është e lidhur me historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar, dhe është rezultat i proceseve dhe i fazave të zhvillimit të tyre. Fillimet e veprimtarisë arkivore datojnë që nga antikiteti, kur në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, krahas librave, ruheshin edhe dokumente. Dokumenti i parë që bën fjalë për përpjekjet për krijimin e një Arkivi Qendror Historik, është vendimi i datës 2.1.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Arkivi i Shtetit u krijua si sektor në varësi të Institutit të Studimeve në vitin 1947. Me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr. 21, datë 8.6.1949 ( AQSH i RSH, F. 890, V. 1949, D. 501) Arkivi i Shtetit doli si institucion i pavarur. Në vitin 1951, Arkivi i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në vitin 1962. Po këtë vit u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, në varësi të Këshillit të Ministrave.