BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Kultura

Xhamia e Et’hem Beut, Margariti prezanton punën pas restaurimit

Xhamia e Et’hem Beut, Margariti prezanton punën pas restaurimit

Ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektoi xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë. Përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman dhe kryeministrit Edi Rama, ministrja Margariti i prezantoi punën që është bërë për restaurimin e saj. Sipas Margaritit, në këtë çelje të muajit të Ramazanit vendosën të inspektojnë xhaminë e Et’hem Beut. “Kisha kënaqësinë që t’u prezantoja përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman dhe kryeministrit Edi Rama rezultatin e një pune të gjatë, sa të bukur edhe të vështirë të specialistëve shqiptarë e turq (TIKA), për të konsoliduar, restauruar strukturën e xhamisë dhe për të nxjerrë në dritë afresket e mrekullueshme të këtij monumenti kulture. Shpresojmë, që ky muaj i bekuar të sjellë mbarësi dhe çlirim nga pandemia covid- 19 dhe xhamia të mbushet sërish me lutjet e besimtarëve”, tha ministrja e Kulturës, që ka publikuar dhe foto nga vizita në këtë xhami. Ndërhyrja tërësore në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë është financuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit, TIKA. Xhamia e Et'hem Beut, është një xhami historike dhe monument kulture në mes të Tiranës, e cila nisi të ndërtohej nga stërnipi i Sulejman Pashës, Molla Beu i Petrelës rreth 1793 dhe e përfundoi i biri, Haxhi Et'hem Beu më 1238 H (1822/1823). Në kohën që është ndërtuar xhamia bënte pjesë në kompleksin e ndërtimeve, që përbënin qendrën e Tiranës. Përballë saj ndodhej pazari, pranë saj kulla e sahatit që është pjesë e pandarë, në lindje xhamia e Sulejman Pashës 1614, në veri perëndim xhamia e Karapicëve. Xhamia e Et’hem Beut përbëhet nga salla e lutjeve, portiku që e rrethon atë nga lindja dhe veriu, si dhe minarja. Salla e lutjeve ka planimetri katrore dhe është ndërtuar me vëllim unik mbuluar me kupolë. Hyrja për në sallën e lutjeve është në anën veriore. Kupola është gjysëm sferike dhe pa dritare. Portiku mbulohet nga një çati me konstruksion druri dhe tavan të rrafshët dërrasash. Minarja ndodhet në të djathtë të sallës së lutjeve dhe lidhet me të në dy nivele, në dyshemenë e sallës dhe atë të mafilit. Pjesa e poshtme e minares është me seksion drejtkëndësh. Mbi të vjen një pjesë e ulët trung piramide shumë faqëshe.