BREAKING NEWS

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta bëjë subjekt të SPAK, nga vilat e 13 apartamentet, te shpenzimet mijëra paund në Londër

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta
x

Kultura

Xhamia Mbret pas restaurimit, Margariti: Ka dalë në dritë bukuria e monumentit

Xhamia Mbret pas restaurimit, Margariti: Ka dalë në dritë

Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, është një nga xhamitë kryesore të Beratit. Në kuadër të programit të Ministrisë së Kulturës “Rrugët e Besimit”, Xhamia Mbret i është nënshtruar ndërhyrjeve restauruese, të financuara nga Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA) dhe e mbikëqyrur nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se pas ndërhyrjes kanë dalë në dritë bukuritë e këtij monumenti, ndërsa ka publikuar dhe një video me xhaminë. ““Rrugët e besimit” na çojnë në Berat, në Xhaminë Mbret, ku falë një pune të gjatë restaurimi dhe mbështetjen financiare dhe profesionale të TIKA, ka dalë në dritë bukuria e këtij monumenti”, shkruan ministrja Margariti, në një status të saj në Facebook. Xhamia Mbret ndodhet në qendër të qytetit si pjesë e një kompleksi arkitekturor, ku veç saj janë dhe teqeja e Helvetive me gjithë konakët, si dhe ajo e Sheh Qerimit. Xhamia Mbret është monument kulture i kategorisë së I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX. Xhamia Mbret së bashku me teqenë Helvetive dhe konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare. Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret më herët u bë me dije se kishte si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti. Punimet restauruese të parashikuara konsistonin në konsolidimin strukturor të monumentit, restaurimin e çatisë, çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç çimento dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale. Konservimin dhe restaurimin e pikturës murale, restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj. Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrap në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik. Portiku është më i ri se xhamia dhe është ndërtuar në fund të shekullit të XVIII nga Usta Dush Barka. Ai qarkohet nga një harkadë e mbështetur në kolona guri. Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi, dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin e XV.