BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Xhelozia, tema e tretë e “Monolog” në programin artistik të teatrit Metropol

Xhelozia, tema e tretë e “Monolog” në programin artistik

Monologje të personazheve nga veprat e Shekspirit janë zgjedhur, si pjesë e programit artistik të teatrit “Metropol” këtë kohë. Xhelozia, një nga motivet më të lashta në dramën njerëzore, është tema e episodit të tretë të “Monolog”, që zhvillohet nga teatri Metropol. Nga aktori Margent Caushi erdhi Otello, nga tragjedia “Otello”, një burrë i lënduar për shkak të xhelozisë, pre e intrigave keqdashëse që e shtyjnë të marrë vendimin fatal të vrasjes së gruas së tij të pafaj. Aktorja Sonila Kapidani erdhi me Beatrisën, nga komedia “Shumë Zhurmë Për Asgjë”, një vajzë e lënduar për shkak të padrejtësisë që i bëhet kushërirës së saj ditën e dasmës, nga dhëndri xheloz, pre e thashethemeve. Në “Monogol” aktori Amri Hysenlliu solli Edmondin, nga tragjedia “Mbreti Lir” e Uilliam Shekspir. Edmondi një bir i lindur jashtë martese, i konsumuar nga xhelozia për vëllanë e tij, birin legjitim të të atit. E njohur në aktivitetin teatror, këtë herë aktorja Klodjana Keco erdhi si Titania, prej komedisë “Ëndrra e Një Nate Vere”, mbretëresha e zanave dhe e florës, e gjendur në një grindje të hidhur me të shoqin, për shkak të xhelozisë së tij. “Monolog” e Shekspirit edhe mbrëmë u shfaq për publikun në të gjitha rrjetet sociale të teatri Metropol. Shekspiri 400 vjet më parë krijoi për publikun e tij një galeri personazhesh thellësisht njerëzorë, që mbartnin tensionet dhe pikëpyetjet e kohës kur u krijuan, të tendosur midis dilemave dhe luftërave të brendshme, shpesh në skajet e lumturisë dhe hidhërimit, fitores dhe humbjes. Monologu është për çdo aktor çasti më intim dhe njëkohësisht më i izoluar në skenë, kur përballet jo vetëm me publikun, por edhe me vetveten. Më parë si pjesë e programit artistik, nga tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” monologu i Romeos erdhi nga aktori Roerd Toçe dhe ai i Zhuljetës nga Ketjona Pecnikaj. Nga komedia “Nata e 12” monologu i Orsinos ishte nga Florian Agalliu dhe monologu i Olivias nga aktorja Rozi Kostani.

Veprat e Shekspirit

Teatri “Metropol” këtë sezon vere po vijon program artistik online me një seri me monologje të Shekspirit, që janë përzgjedhur nga gjithë vepra e tij. Për publikun herë pas here nga prezantimi që bën teatri, monologjet vijnë me interpretimin e aktorëve të ndryshëm. Nga veprat “Romeo e Zhuljeta”, “Rikardi III”, “Nata e 12”, “Ëndrra e një nate vere”, “Hamlet” “Makbeth” , “Mbreti Lir”, “Otello”, “Tregtari Venedikut”, “Jul Çezari”, “Shume zhurmë për asgjë”, etj, janë përzgjedhur 30 monologje të personazheve të njohura të këtyre veprave, që kanë nisur të prezantohen për artdashësit. Këto monologje trajtojnë tema të përbotshme si dashuria, loja, xhelozia, humbja, tradhtia, pushteti, hakmarrja, ku gjithsecili gjen vetën në to, marrë nga personazhe si Romoe e Zhuljeta, Orsinjo, Olivia, Merkuti, Viola, Beatriçe, Paku, Edmond, Otello, Titania, Kostanca, Kordelia, Ofelia, Hamleti, Glauster, Desdemona, Emilia, Bruti, Mark Antoni, Rikardi III, Ledi Makbeth, Shajlok, Jago, Oberoni, Portia etj. Këto monologje, të cilat janë punuar dhe xhiruar për më shumë se një muaj vazhdojnë që të shfaqen në platformat online të Teatrit Metropol, si në kanalin e Youtube apo edhe në Facebook. Teatri bën me dije se monologjet janë të trajtuara në mënyrë sa më urbane dhe janë regjistruar përgjatë disa javëve nga një staf profesional, duke u përshtatur dhe kushteve aktuale. “Ato transmetohen çdo javë me seri me nga 5 monologje përgjatë këtyre muajve veror. Për këto monologje kanë punuar mbi 16 aktorë kryesisht të Teatrit Metropol, por dhe aktor të jashtëm; si Klodiana Keco, Armela Demaj, Roerd Toçe, Sonila Kapidani, Amri Hasanlliu, Edvin Mustafa, Xhino Musollari, Klea Konomi, Rozi Kostani, Elona Hyseni, Ketjona Pecnikaj, Margent Caushi, Silvio Goskova, Ermir Jonka”, pohon teatri. Ky program artistik online këtë kohë është një mënyrë, që institucionet kanë gjetur për të qenë pranë publikut.