BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Kultura

Xhevair Lleshi: Letërsia është edhe lojë mençurie, për librin ka 30 vjet që nuk ka politika, nuk është ndërtuar asnjë bibliotekë

Xhevair Lleshi: Letërsia është edhe lojë mençurie,

Institucionet në vend duhet të merren seriozisht më librin, por përballë problemeve të shumta edhe për bibliotekat në vend duhet të bëhet më shumë. Xhevair Lleshi, “Mjeshtër i Madh”, shkrimtar e botues, shprehet se për librin ka 30 vjet që nuk ka politika dhe nuk është ndërtuar një bibliotekë. Në intervistë për gazetën SOT”, shkrimtari Xhevair Lleshi pohon se në këto tre dekada për librin tek ne as ka pasur dhe as ka politika, ka vetëm fjalë, herë-herë të stolisura. Një tjetër problem sipas tij është që Ministria e Kulturës duhet të merret seriozisht me librin dhe jo me një herë drejtori libri, herën tjetër me qendër kombëtare të librit. Problem shqetësues sipas tij është dhe fakti, që sot mblidhen dhe diskutojnë për librin pa e lexuar atë dhe kjo është një dhimbje kur shikon çfarë ndodh. Pjesë e intervistës me shkrimtarin dhe botuesin e njohur Xhevair Lleshi është dhe puna e tij gjatë kësaj kohe me librin dhe botimet e reja.

- Si po i kaloni ditët këto kohë?

 Si jo më mirë. Vetëm dhe përballë kompjuterit. Ne kështu jemi çdo ditë, në të vërtetë. Sigurisht, jo të shtrënguar me detyrim (!), por të lirë, vetëm se nga shtrëngimi edhe shpirti na kullon dritë. Konstrukte punësh. Dëshira. Uri e zgjatur për të shkruar. Zanafilla. Ne nuk gdhendim gurin, por përvijojmë linja e vija, duke konturuar personazhin, një gjetje të re, duke ardhur aty rrotull si flutura që digjet te flaka e qiririt... Një meditim i pafund, gjatë të cilit sapo bëra gati librin më të ri “Buharaja - Faltorja e Shqipes”.

-Kjo situatë, ju ka penguar në aktivitetin tuaj me librin?

Sikur t’më pengonte do të qe një ekuivalencë ideale. Sepse do të bëhej më e balancuar krijimtaria ime. Por mua më kënaqin pa masë punët e miqve të mi, shkrimtarëve. Ndryshe s’do të njihja krijimet e tyre. Një roman i ri nga Istref Haxhillari (pogradecarit të talentuar që ecën në hijet dhe mrekullitë e Mitrushit), po ashtu një roman i ri nga Roland Gjoza, stilisti i mahnitshëm i letërsisë sonë, i pakrahasueshëm me të tjerët, po edhe romani i tij i ri «Batërflaj blu» kushtuar Migjenit tonë të madh është një vepër që të frymëzon. Por mos harroni, janë edhe të tjerë miq shkrimtarë: Thanas Jorgji, Faslli Haliti, Bujar Balliu, Dashnor Kokonozi, Faruk Myrtaj, Fitim Sula, Valentina Hysi, Astrit Hykaj...Gjithashtu më frymëzon botimi i veprave të Petraq Zotos, mikut tim të vyer... Mos harroni ndërkohë se është edhe letërsia e madhe që boton “Uegen”: romanet e përkthyer së fundi të Emil Zola, me një përkthim të mahnitshëm nga Asllan Saraçi. Pastaj nxjerrja në dritë, e plotë, Jodi Picoult dhe përkthimet e Astrit Hykajt. E sa të tjera? Pa fund...

-Çfarë mendoni se mund të bëjnë institucionet për këtë kohë sa i përket aktivitetit me librin, në ndihmë të botuesve dhe autorëve?

-Aktivitetet me librin...E kush s’do t’i donte! Por, duke qenë edhe botues, tashmë i vjetër, kjo pikë e nxehtë më shqetëson. Sidomos shtampa. Mblidhen për të diskutuar për librin pa e lexuar atë. Flitet dhe përkëdhelen autorët. A nuk të shkakton dhimbje? Sigurisht. Se ti pyet me siguri (edhe të tjerët po ashtu): Ku janë gjuha e kulluar shqipe, gjuha artistike, gjetjet befasuese, marrëdhënia dashurore e figurës artistike të mishëruar në subjekt, interpretimi (kur e dëgjon të lexuar), fantazia, e padukshmja, karakteri, madje ajo që shkakton patjetër rezonancën delikate, po edhe kur e gjen masën e duhur... Mirëpo edhe unë i kërkoj institucionet. Cilat institucione? Bibliotekat?...Nuk i gjej dot ku janë. Universitetet? Shkollat? S’e di. Ndoshta vjen një ditë...

- Ministria e Kulturës e shpalli muajin prill si “Muajin e librit”, duke e lidhur edhe me Ditën Ndërkombëtare të Libri. Sipas ministrisë, libri do të ishte kryefjala e këtij muaji. Çfarë mund të na thoni për këtë nismë, për ju sa ka shërbyer?

Po. Do t’më pëlqente që të citoja autorë të mëdhenj, mendimtarë etj. Por meqë botimi ynë i fundit ka qenë libri biografik, “Kisingeri 1923-1968, I, Idealisti” shkruar nga Nill Ferguson, ku përmendet një fakt domethënës, duke nënvizuar një gjë jashtëzakonisht të rëndësishme: mos i ngrini përmendore librit, por lexoni librin dhe prej tij do të ngrini qindra vepra, e mundësisht nga një bibliotekë të thjeshtë çdo muaj të vitit... Më vjen të qesh: ne po bëjmë (të mjerët ne!) tridhjetë vite në “demokraci” dhe s’kemi bërë asnjë bibliotekë ku njerëzit të lexojnë e punojnë aty mendërisht, por ama ia kemi arritur ditës, i kemi prishur të gjitha bibliotekat që erdhën edhe nga regjimi komunist... Fjalët e tjera janë bosh...

-Problemet me librin apo dhe mjerimi që kanë bibliotekat është shqetësuese për autorët? Nëse flasim për bibliotekat në vend, çfarë mund të na thoni?

E thashë. Krejt gjakftohtë, çuditërisht i pa prirë për vërejtje e kritikë, pa kurrfarë nervozizmi e justifikimi, as moskuptimi e kundërshtimi dhe kjo deri në pafundësi. Bibliotekat mungojnë.Ju lutem kërkoni 11 bibliotekat pa libra të Tiranës. Ku kanë humbur, ku?

-Më herët Ministrisë së Kulturës nga botuesit i është kërkuar krijimi i një fondi mbështetjeje për përkthimet, për të ndihmuar edhe përkthyesit edhe botuesit. Ç’mund të thoni për këtë?

S’më pëlqen të flas për gjëra jo ekzistente, ose për çmime, shkresa, diskutime që nuk sjellin asgjë. Vetëm sa krijon përshtypjen e disfatës. Por ndërkohë them se vetëm letërsia është një lojë mençurie. Shoqatat, ministritë dhe çfarëdo qofshin të tjera nuk e kanë këtë mundësi. Do të doja që ministria më së pari të merrej seriozisht me librin dhe jo me “një herë drejtori libri, herën tjetër me qendër kombëtare libri”. Kështu vetëm libri humbet...

-Me këto probleme që janë sot, sa janë ndihmuar autorët me krijimtarinë letrare?

As mos e ço në mendje. Çmimet paracaktohen pastaj ndahen. Edhe veprat parabëhen pastaj mbështeten. Do të thotë që bëhen me porosi dhe sigurisht paguhen. Tek ne ka gjëra të tilla? Nuk e di. Pas saj me siguri vjen vetëm përdhosje. Por, po qe se tek ne shteti do të ndihmonte shkrimtarët, (ne këtë nuk e presim kurrë që të ndihmohemi!) do të ishte mirë, nëpërmjet funksionimit të bibliotekave të bashkive (siç ndodh të paktën e të paktave në Kosovë me bibliotekat e komunave - po edhe atje nuk merren librat tanë po librat e fotokopjuara nga libraritë që fitojnë tenderët!) pas gjithë asaj pakënaqësie të tmerrshme për gjërat që nuk shkojnë mirë tek ne! Po kujt t’ia mbushësh mendjen? Sado ta kesh intuitën tënde të ndezur deri në ministri nuk arrin dot. Ministria është thjesht ministri...

-Jeni shprehur se nga institucionet, Ministria e Kulturës, më shumë bëhet propagandë për librin dhe nga shteti nuk tregohet kujdesi minimal. Ç’politika kanë ndikuar, mendoni?

 Po. Jam shprehur, por gjithnjë e më shumë jam i bindur se “kam grirë” sallatë. Dhe jo vetëm unë. Kush e di sa të tjerë! Jep sa të mundësh kumte dhe të hedhësh sado pak dritë në skutat e errëta... Dhe jo se ka qenë diçka që s’ka ecur. Kështu për librin jo vetëm që s’ka propagandë, po sikur të kishte! Për librin tek ne këta tridhjetë vite, as ka pasur dhe as ka politika. Ka vetëm fjalë, herë-herë të stolisura...

-Sipas jush sa është dëgjuar nga institucionet zëri i autorëve shqiptarë si dhe i botuesve për aktivitetin me librin?

Po. Si jo! Aty e kanë mendjen, te zëri ynë! Apo te botuesit. Ata (provojeni) kur hyn një botues në ministri s’gjejnë dot vend ku ta fusin! Janë gati ta mbajnë në krahë! Në Shqipëri shpallen libra bestseller me bujë nga politikanët dhe gazetarët që i kanë asgjësuar gjithë të tjerët me librat e “romanet” e tyre, të cilët çdo gjë mund të jenë, po romane s’ma do mendja të jenë. Po, megjithatë, “romancierët” e kësaj letërsie, nuk dinë ç’të bëjnë me letërsinë e tyre, ata dalin në televizion dhe duan të na mbushin mendjen, se “letërsia është një histori e bukur, që duhet të intrigojë e të tërheqë vëmendjen”. E mjera letërsi, thuaj, ç’heq!

-Në nëntor të 2018, jeni shprehur se libri fatkeqësisht ka vdekur, biblioteka nuk ka dhe libraritë janë si kioska. Pse e thoni këtë dhe çfarë ka ndryshuar nga kjo gjendje?

Po. S’e luan as topi. Libri o ka vdekur o është në oksigjen. Sidomos tani me koronavirusin. Me frymëmarrje artificiale. Në vend që të nderohej! Të ishte në piedestal. Por, po nuk u bënë bibliotekat, po edhe këto me kritere të drejta dhe jo “ca të nënës e ca të njerkës” s’kemi për të pasur gjë në vijë. Aso kohe do të themi se s’do të ketë më ngushëllime për librin...

-A keni një apel për Ministrinë e Kulturës për librin, në këtë situatë?

 Jo. Për mua më mirë të mos ketë ministri të atyre që dinë ta mjelin mirë. Le të jemi vendi i vetëm në botë pa ministri kulture. Se faktikisht kështu jemi. Më mirë djepi bosh! Kot...Le të jetë një drejtori kulture në ministrinë e brendshme. Të paktën shërben për diçka...

 

-Si autor, në fushën e krijimtarisë ku jeni përqendruar këtë kohë?

Sa mbylla librin “Buharaja - Faltorja e Shqipes”, si dhe studimin për psikologjinë e politikës “Uni dhe psikopolitika”. Vijoj të shkruaj tregime, etyde, ese, poezi, pa fund. Kam në dorë edhe një tjetër libër “Alpet - mrekullia shqiptare”. Se, sikur vetëm Alpet të dinim si t’i shfrytëzonim, do të ishim si në Zvicër, jo si ëndërr por si realitet. Po, nejse, kujt t’ia thuash? Sidoqoftë, faleminderit !

Intervistoi: Julia Vrapi