Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Xhevair Lleshi: Për turp ta kenë të gjithë ata, që vetëdijshëm po e vdesin librin shqip...

Postuar: 08/09/2018 - 08:09

 Problemet me librin apo dhe mjerimi që kanë bibliotekat, është një situatë shqetësuese për autorët. Në reagimet e tyre shkrimtarë dhe botues pohojnë mungesën e vëmendjes nga institucionet, duke pohuar se dhe statistikat për leximin janë për të vënë duart në kokë. Shkrimtari dhe botuesi Xhevair Lleshi pohon se përballë problemeve edhe fondet që jep Ministria e Kulturës janë qesharake për krijimtarinë dhe përkthimet. Në intervistën për “SOT” shkrimtari Xhevair Lleshi flet për problemet që hasin sot autorët me krijimtarinë, dhe punën e institucioneve përballë kësaj situate problematike. Për shkrimtarin libri shqip po përpëlitet, dhe duket se po jep shpirt, një situatë që sipas tij tregon se nuk ka pasur vëmendje prej vitesh. Për shkrimtarin asgjë nuk ka ndryshuar nga problematikat, dhe sipas tij për turp ta kenë të gjithë ata që vetëdijshëm po e vdesin librin shqip.

 

 

-Në fushën e librit problemet vijojnë, shqetësuese kanë qenë dhe statistikat për leximin. Për ju si autor dhe botues sa është shqetësuese kjo?

 

Është shqetësuese, thua? Është për të vënë duart në kokë! Një miku im më tha një pasdite teksa me fjalë i vinim rrotull botës: Libri shqip në fakt ka vdekur, por lëre ç’themi ne! Ec t’i bëjmë qejfin vetes e të mbajmë gjallë shpresat, e të themi: libri shqip përpëlitet sikur po jep shpirt. Thonë se s’ka lexues, por kjo nuk shkon, se ne nuk duam as një milion lexues dhe as njëqind mijë, sepse vetëm 1 për qind e popullsisë lexon dhe këta bëhen nja 20 deri 30 mijë vetë dhe kuptohet që 1/100 e kësaj shifre i bie të jetë për letërsinë artistike. Por deri në moshën 60 vjeç lexojnë dhe kryesisht rinia. Po ku i ke të rinjtë? Janë bërë firar. I ka kapur të ftohtët, që më fort e ndjejnë prej parave që u mungojnë. Pastaj, ajo e statistikave se 1 milion shqiptarë nuk lexokan (domethënë i bie që 1 milion tjetër lexokan!), tingëllon vërtet absurde. Këtu nuk lexohet, or mik, se librat janë mbyllur në të ashtuquajturat librari (edhe ato të mjerat me pikatore i marrin), këtu kanë vdekur bibliotekat! Biblioteka s’ka. Edhe mund të ketë tek-tuk ndonjë po edhe ato nuk funksionojnë. Sepse tek ne nuk funksionon as kryebiblioteka, së cilës na detyrojnë t’i falim nga pesë libra. Kur them biblioteka do të thotë se të tilla duhet të ketë çdo qytet e çdo fshat, çdo lagje, spital, burg, shkollë, repart ushtarak apo qendër policie, madje çdo qelizë. Ooo, duhet të kem një grusht të fortë dhe t’i kisha shembur të gjitha! Të gjitha! Ka uri për libra dhe librat s’gjenden gjëkund. Kemi 61 bashki të reja dhe asnjë bibliotekë bashkiake për të qenë. Bibliotekë e vërtetë quhet ajo që ble me fonde shtetërore nga pesë libra. Më trego si bëhet kjo, të shkruaj diçka për të qenë. Ec në Roskovec dhe gjeje bibliotekën! Po edhe në Berat ku ka ndërtesë, brenda ka libra të socializmit, se s’funksionon. Tmerr. Po ti pse vrapon kaq larg: eja në Tiranë dhe shih librat në bibliotekat e lagjeve (11 të tilla!) që po ringrihen me tam-tame dhe ku i ke? Një lagje e Tiranës është sa një Elbasan, sa një Berat, apo jo. E pse e kërkojmë të keqen kaq larg deri në Konispol e Has?

-Ju pohoni se libri ka vdekur, por ndërkohë që nga Ministria e Kulturës flitet për fonde të krijimtarisë, përkthimit. Si kanë ndikuar këto fonde sipas jush, dhe si janë ndarë për librin?

Fonde? Ato janë gjëra për të qeshur! Aq sa fonde kanë dhënë ata si qeveri për krijimtari e përkthime vetëm unë i kam falur në dhjetë fish e më tepër në bibliotekat e shkollave! Mendo se ku jemi! Unë e pohoj duke e thënë me zë të lartë këtë fakt. Jo, nuk them që bibliotekat janë me mure të leskëruar, me qyngje stufash që shkojnë gjer lart mbi tarracë ku bubullijnë thashethemet. Unë nuk them se në to vjen erë e qelbur nga ajri i ndotur, sepse, për shembull, biblioteka e Beratit është në mes të lulishtes dhe buzë lumit (i cili u kujtohet njerëzve kur i mbyt librat - natyrisht po të gjejë libra!). Por unë them që nuk ka as biblioteka dhe as libra në to! Edhe po të ishin gjysmë lakuriq, do bënim si do bënim, por ama sytë e bibliotekës i zë parulla që kap katër faqet e murit. Brenda dhe jashtë. Fjalë të kuqe, të gjata, që nuk ngjërohen fare, të shohin me sy të ftohtë dhe bëjnë lëvizje të ngathëta. O Zot, kjo gjendje është e padurueshme! Se 61 bashki (Bashki dhe bashkiçka! Ne duhet të kishim 1 bashki dhe 60 komuna!) plus 11 në Tiranë bëjnë 72 dhe nga çdo titull ato duhej të merrnin nga 5 libra (një bibliotekë për lexuesit e saj merr të paktën 10 ekzemplarë për çdo titull) dhe shumëzimet bëjini vetë. Po bibliotekat e tjera? Prandaj duke qenë se nuk e bëjnë dot e kanë gjetur më të thjeshtë t’i prozvalin, t’i lënë të vdesin, t’i poshtërojnë dhe nganjëherë në hënë të bërtasin duke na thënë fjalë koti si ajo shprehja se 1 milion shqiptarë nuk lexojë! Çfarë poshtërimi! Tani vijnë e kërkojnë të vdekurit dhe gjoja duan që të ngjallen përsëri. A kanë b... ata t’u japin lekë bibliotekave të blejnë libra? Jo, s’kanë !...

-Keni publikuar më parë të dhëna për bibliotekat në vend, sipas jush sot janë në mjerim. Çfarë ka ndodhur, sa po bëhet për pasurimin e tyre me libra?

Më kujtohet një batutë e Kadri Roshit: Plake! Ke?  Plaka mbante barkun me dorë nga të qeshurat. Pastaj kur e kuptoi që ai tallej, qau, sepse... S’kishte më libra! Dhe këtu mbyllet humori. Atë vezë që bënte diktatura komuniste me librat nuk e bëjnë dot as këta dhe asnjeri tjetër! Dhe është e thjeshtë: duhet vetëm pak vullnet dhe pak dashamirësi! Ato shifra ua kam dhënë të gjithëve. I kini! Jepuani përditë dhe bërtisni, kundërshtoni, kërkoni. Ajo është çështje jete a vdekje e gjuhës shqipe. Ajo, e mjera, nuk mbahet gjallë me fjalime e parulla, ajo do b... të mbahet gjallë, do dëshirë e vullnet që lekët e nevojshëm të kalojnë në favor të librit. E bën Kosova, e bën Mali i Zi, e bën Maqedonia, edhe Serbia po të doni. Kurse ne rrimë e shohim, madje duke tretur vështrimin larg. Kështu, mik, nesër del një libër i mrekullueshëm me tregime i autorit Faruk Myrtaj. Gjithë sharm. Tregime të mrekullueshme! Po ku do venë? Shkollat jo, bibliotekat jo, bibliotekat e universiteteve (apo kemi pak!), jo andej e jo këtej dhe vlera vdes! E tmerrshme! Njëlloj sikur ta flakësh në mes të rrugës. Po kështu edhe tregimet e Roland Gjozës, romanet e Dashnor Kokonozit dhe Istref Haxhillarit, libra vërtet me vlerë por që janë të destinuar të vdesin. Ende pa dalë në skenë e në dritë, ata përpëliten...

-Pas zjarrit të marsit një vit më parë, Biblioteka Kombëtare ka kufizuar shërbimin e saj publik në pikën e huazimit, që nënkupton huazimin e njësive bibliotekare jashtë ambienteve të saj. Kjo si ndikon sipas jush?

Kam ëndërr një bibliotekë. Biblioteka presidenciale. Lëre atë që po djeg dhe po i ujit librat! E reja po. Biblioteka që them. Bibliotekë e komunitetit. Edhe me fonde të krijuara me fonde shqiptare emigrantësh dhe këtu. Sigurisht me dashuri dhe energji të pa mendueshme. Të paktën të tregohet një herë të vetme se ç’mund të bëjë njeriu kur zotëron ide të qartë dhe dëshirë të zjarrtë. Shteti e ka në dorë ta gjejë vendin dhe ta bëjë të mundur këtë hap të madh kulture. Jo, nuk arrijnë dot, ata dinë vetëm të jenë të dhunshëm. Dhe s’lëshojnë pe. Duken të denjë për dashuri dhe të pamëshirshëm për librin. Ama të kënaqin me broçkulla. Ç’flas dhe unë... Por ndërkohë dëgjoj: “Të hiqen fotografitë e At’ Gjergj Fishtës, poetit të madh”. Dhe shoh të lëvizin shtabe inekzistent vullnetarësh, si një lukuni ujqish që duan të gjithë të shqyejnë libra. Sepse librat janë kthyer në kërma...Sepse perandori Cin i Kinës, dikur, dha urdhër të digjen të gjithë librat, përveç librit të historisë që fliste për të! Dhe është po ai perandor që ndërtoi Murin e Madh kinez! Ju jeni të mençur dhe arrini ta bëni vetë krahasimin.

-Për ju në gjendjen që është sot Biblioteka Kombëtare, çfarë ka emergjente për institucionin?

Ç’bëja unë, mik, më thoshte një pasionant i Bibliotekës Kombëtare, punën e pastër të një lexuesi, sepse tani librat s’mund të merren me vete, por duhen lexuar aty. Do që të torturohesh? Shko në bibliotekë dhe lexo aty. Lëri punët e tjera, personazhet e rëndësishëm, që ky sistem i ri nuk i do dhe tenton t’i damkosë me vulë tradhtie. Mik, e pse duhet kërkuar se çfarë është emergjente? Çfarë do më tepër? Teatri Kombëtar u shkatërrua, Biblioteka Kombëtare po shkatërrohet, stadiumi “Qemal Stafa” u shkatërrua,  Galeria e Arteve një këmbë e ka në varr, libri është lënë në vdekje të lirë, të ngadalshme...Mjaft të vijë ai, që është ditë natë zot i ekranit dhe i fjalës, ku herë i bie kazanit dhe herë zurnasë dhe sogjeton gabimet e opozitës dhe kujtdo tjetër...Dhe ti më thua Biblioteka Kombëtare. Pallavra! E pashë librin teksa iu ul në gjunjë atij dhe iu përgjërua duke iu lutur, madje po i thoshte se i dhembte zemra, duke i kërkuar ta linte të jetonte ditët e fundit... me të... që vinte thjesht si një ngushëllim për vete e për ne. Sigurisht kush ka shpirt pikëllohet për gjuhën tonë të bukur!

-Edhe këtë vit do të zhvillohet panairi i librit, si botues çfarë pret nga aktiviteti më i madh për librin në vend?

Libra të rinj? Po, do të ketë! I shoh tek hyjnë me turfullimë, me një përroskë kënge në buzë, që hapin dyer e dritare me zhurmë, që herë-herë i përplasin ato, si për të dhënë një kumt të madh, ndërsa gjithçka përreth e shkretuar, por ende gjallë nën strehën e madhe të shpresës. Libra të rinj të Zolasë, të Mojesit, Balzakut, Fransit etj., për t’i pirë në kupë. Por ndërkohë kurva shtet qesh me të madhe. Del krejt lakuriq duke thirrur e buluritur për para. Kaq. Dhe pastaj s’resht duke thënë fjalë të dala boje. Do t’i heqë vijë, si gjithnjë, librave. Se paratë i duheshin kuçedrës PPP me shtatë kokë! Ndërsa shkrimtarët shqiptarë enden të neveritur me brekë nëpër këmbë. Një skenë që sigurisht të rrëqeth. Po paratë për librat ku janë? Hë gjeji edhe ti, ku? S’mori kush gjë, sepse libri qante e përpëlitej në agoni. Duhet të kesh durim të madh e sedër të vogëlth ta bësh sehir këtë skenë.

- Ju dhe të tjerë autorë keni vite që flisni për problemin me librin dhe botimet, çfarë ka ndryshuar, kërkesat tuaja dhe sa janë marrë parasysh nga institucionet?

Asgjë! As që e prisja! Ata, si zakonisht do të shtroheshin të hanin me babëzi në tryezën e madhe PPP. Institucionet tona janë të vdekura të pakallura! S’janë për t’u zënë më në gojë. Ato e shohin dhe për ironi e fshijnë një pikë lot te cepi i syve të librit. Ç’burra! Të mbaruar! Kushdo mund t’ia shohë klavikulat librit, sidomos kur mbllaçitet (sepse për belá i japin edhe për të ngrënë- pak supë si asistencë sociale. Shoga e librit digjet në shpuzë të dendur dhe i shuhet në finjë te pjesa e sipërme e kokës, kurrizi i Librit është gërmuqur, rrudhat janë shtuar së tepërmi, dëshpërimi i përvijohet në vijat e deformuara të trupit që po vdes. Ç’fatkeqësi të shikosh librin që s’është më për asgjë. Dhe shteti mëkaton me të, si gjithnjë entuziast se... natyrisht s’di ç’e pret! Mos e vrit mendjen, i dashur, i belbëzoj librit, kjo jetë kështu është. Bëj ç’të mundesh, që të marrësh frymë. Ne jemi të lumtur që marrim frymë dhe shohim e ndjejmë ende bashkë me ty. Le të shpresojmë. Shpresa vdes e fundit. Fundja të shijojmë këtë që na ka rënë për pjesë se s’kemi ç’kërkojmë më dhe s’mund të kërkojmë gjë prej gjëje. Vura re se dikush kërkonte të gjente një ilaç për të harruar. Edhe ne do të kemi kujtime, shumë të bukura, një pjesë, madje, na mbushin me një pendim të egër, se natyra na ka dhënë me të dyja duart optimizmin. Prandaj shpresoj! Dhe mbase vetëm kështu do të shpëtosh edhe ti libër i dashur, ndoshta në çastin e fundit. Dhe dihet se si, por ata nuk duan. Për turp ta kenë të gjithë ata që vetëdijshëm po e vdesin librin shqip.

 Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

 

 

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 3. Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 09:41

Ambasada Franceze fton në Tiranë kompaninë “Transe Express” e themeluar më 1982, e cila konsiderohet si një nga kompanitë më të rëndësishme në Francë dhe në Evropë të cirkut dhe performancës, të prezantojë

Postuar: 25/09/2018 - 08:05

Këtë rradhë grupimi i piktorëve pleneristë nga Shqipëria ishin të ftuar nga disa komuna të jugut

Postuar: 25/09/2018 - 07:59

Opera “Carmen” zyrtarisht realizon aktin e parë të protokollit të bashkëpunimit të TO

Postuar: 25/09/2018 - 07:57

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit ka nisur

Postuar: 23/09/2018 - 08:05

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit nis mbrëmjen e sotme dhe është cilësuar si ngjarja më e rëndësi

Postuar: 23/09/2018 - 08:03

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjell premierën e re “Kumt&rdqu

Postuar: 23/09/2018 - 07:58

Krijimtaria në vend nuk mbështetet sa duhet për zhvillimin e saj, por problem mbetet dhe zbatimi