BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

 Zef Deda: Ministria e Kulturës e paaftë, mungon vlerësimi dhe përkujdesja për artistët

 Zef Deda: Ministria e Kulturës e paaftë, mungon vlerësimi

Për artistët nuk pyet kush sot nga institucionet shprehet aktori i njohur i humorit Zef Deda. Një kohë e vështirë për artin dhe kulturën, ku problemet janë shtuar dhe për shkak të pandemisë, por për aktorin e njohur Zef Deda për artistët ka pak vëmendje. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Zef Deda “Mjeshtër i Madh” shprehet se artistët nuk vlerësohen, ku dhe pagat janë të ulëta. Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të vendit, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Prej vitesh me punën me e tij si aktor humori Zef Deda ka marrë shumë vlerësime brenda dhe jashtë vendit, por ai shpreh keqardhjen që sot trupat artistike nuk janë më si dikur. Për Zef Dedën për artin është një Ministri Kulture e paaftë, që sipas tij nuk ka bërë sa duhet. Zef Deda ka punuar për më shumë se 40-vite në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ai gjithashtu gjatë këtyre viteve ka interpretuar në komedi të suksesshme si “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, “Lufta dhe paqja pa pilaf…”, etj. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ndër dekada ai ka realizuar qindra figura artistike. Janë bërë të njohura tek artdashësit dhe të paharruara shumë nga figurat e tij që ka interpretuar, dhe është nga aktorët më të dashur për publikun.

-Ju jeni shprehur herë pas herë, që artistët sot në vendin tonë nuk kanë vlerësimin e duhur nga institucionet. Për ju çfarë po ndodh?

Në vendin tonë artistët nuk janë vlerësuar sa duhet për punën e tyre. Ka pasur që janë vlerësuar edhe në kohën e monizmit kush kaq qenë i zoti, dhe që kanë shpërthyer fuqishëm. Monizmi atë kohë i ka shpërblyer me tituj dhe gjëra të tjera. Edhe sot jo se nuk ka simpati shoqëria për artistët, por kanë mërzi qeveritë me u marrë me artin, me shkollën, me njerëzit të cilët japin ushqimin shpirtëror, ideor, moral për të qenë të fortë, në këmbë dhe fisnik. Por sot dhe artisti më i vogël duhet vlerësuar. Të hysh në një teatër, estradë apo koncert bileta kushton. Por sot mbërrin puna se je duke marrë veten me të mirë, je duke qetësuar ndërgjegjen tënde, duke hequr stresin. Po kush e bën këtë punë? Janë artistët. Të vegjël dhe të mëdhenj të vlerësohen artistët, që nga vendi ku ata punojnë dhe nga ana materiale dhe me respektin e duhur. Artistët që kanë shumë sukses dhe kanë fansa i do populli, i duartroket dhe nuk ka mbetur ai për ta duartrokitur një udhëheqës, një drejtor apo një ministër, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që populli e vlerëson në mënyrë të jashtëzakonshme. I tillë është artisti, sepse ai ka forcë të madhe që ta transformojë komplet gjendjen psikike. Në tërë kohërat është vlerësuar shumë ai artist, që del në skenë. Të gjithë duartrokasin në sallë, 500 veta sa janë për atë njeri. Por këta kushtojnë, sepse populli ka nevojë shumë për tu qetësuar dhe të largohet pak nga hallet, që ai ka. Edhe ai popull që është atje lart në qeveri ka nevojë për artin dhe artistin, ndaj duhet vlerësuar arti, artistët, sporti dhe shkolla. Por sot nuk po pyet kush për artistët, këta shembën Teatrin Kombëtar. Teatrin e korifenjve më të madh që ka prodhuar ky vend. Ku është teatri? Teatri u rrënua. Turp, që e shembën. Në vendet e botës teatrot i ruajnë, ndërsa te ne shemben. Vlerësimi dhe përkujdesja për artin dhe artistët në vend mungon. Nuk pyet kush a është gjallë artisti. Si jeton, si vishet, ku rri artisti? Nuk mund të lihet artisti me ato paga të ulëta, pensione të ulëta. I gjithë populli e nderon në rrugë kur artisti kalon, e kanë për nder të flasin me të, e kanë për nder të dalin një fotografi me të. Në Tiranë le të ndërtohen sa të duash teatro, sepse ka shumë nevojë për teatro të rinj, por jo të shembnin Teatrin Kombëtar, pasi kjo është shumë gabim. Në teatër luajtën Margarita Xhepa, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Roza Xhuxha, etj. Luajtën në skenë aktorët më të mirë shqiptarë dhe i dhanë popullit role të bukura. Teatri Kombëtar nuk duhej shembur, por të restaurohej dhe do të bëhej mirë. Ky popull ka nevojë për teatro dhe salla për aktivitete të ndryshme, për shfaqje, për koncerte, por jo të shembej Teatri Kombëtar. Por ne kemi një politikë të paaftë për artin në vendin tonë.

-Ju jeni cilësuar si një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë. Por sot estradat nuk janë më si dikur. Për aktorin Zef Deda çfarë ka sjellë kjo?

Çdo qytet në botë ka shtëpinë e kulturës së tij, pallatin e kulturës apo teatrin. Në teatër është dhe varieteja brenda përveçse dramës. Të gjithë së bashku bëjnë një trupë për mbi 100 veta në një qytet, ku bashkia është e shtetit dhe ai i jep urdhër dhe para për të zhvilluar aktivitetin kulturor. Në qytete të ndryshme në botë, janë trupat artistike. Në vendin tonë para viteve ’90 kanë qenë dikur 16 estrada profesioniste dhe teatro profesionistë, që sot një pjesë e trupave të estradave janë shuar dhe tek ato pak që mundohen të jenë gjallë janë 2 aktorë apo 3 që marrin rrogën. Por dhe tani që jemi kohë pandemia as nuk guxon kush për tu futur në teatër për të parë shfaqje apo për të bërë shfaqje. Jemi në muajt e funti të vitit, por përherë dikur kur vinte Viti i Ri ne bënin shfaqjet gati, pra premierat. Shfaqjet e fëmijëve dhe për të rritur. Kishte shumë gjallëri artistike atë kohë. Por këto shfaqje që ishin për Vit të Ri me artistët, ishin përveç atyre që ne jepnim gjatë gjithë vitit për publikun. Por sot janë bërë shumë televizione, që kanë prodhuar show dhe veç këtyre nuk ka asgjë tjetër më. Çfarë do me thënë kjo, që nuk ka më artistë? Jepu para ti si shtet teatrove, vlerësoje teatrin dhe krijoje trupën artistike. Trupa jonë e Shkodrës me estradën është shuar, i fundit aktor u nda nga jeta para disa kohësh. Unë kam dalë në pension, por ashtu dhe aktorë të tjerë. Në trupën e estradës nuk ka mbetur kërkush, janë tre veta të orkestrës dhe një që është këngëtar. Nuk ka më estrada si dikur, por kjo dhe në qytete të tjera. Në Vlorë janë 2 a 3 artistë më duket, në Korçë djali i Aleko Prodanit është dhe ndonjë një tjetër, por dhe në Durrës nuk ka trupë estrade si dikur apo dhe në qytete të tjera. Shteti jonë nuk ka më teatrin e varietesë shtetëror. U shua Estrada e Tiranës vite më parë, që ka qenë më e madhja e vendit, nuk ka më as sallë e as artistë. Aktorët më të mirë i ke në rrugë. Kërrkund nuk e ke sot edhe teatrin si dikur me trupat artistike. Sa herë kur kaloj rrugës më thonë: Zef si nuk po na bën ndonjë shfaqje si më përpara? Zef a ka mbetur më ndonjë estradë për të na bërë të qeshim? Tërë populli jonë ka nostalgji për trupat e estradave të Shkodrës, Fierit, Elbasanit, Vlorës, Durrësit, Korçës, Tiranës. Kanë nostalgji dhe rrinë duke i përmendur artistët e humorit. Është fatkeqësi që sot trupat artistike me estradat nuk ekzistojnë më si dikur. Monizmi e ka mbajtur në mënyrë kapitaliste artin. Shteti jepte para për tu bërë shfaqjet. E ka paguar mirë për ti dalë e bukur shfaqja. Nëse atëherë shteti jepte buxhet për teatrin, me shfaqjet fitonte më shumë.

-Pagat e aktorëve janë problem sot dhe herë pas here artistë të ndryshëm bëjnë apel për më shumë vlerësim ndaj tyre. Ju si e shikoni këtë problem?

 Unë kam 47 vite punë në institucion, pensioni në fillim më doli 220 mijë lekë të vjetra. Për fatin tim unë kam titull si “Artisti i Merituar”, urdhri “Naim Frashëri”, “Mjeshtër i Madh” dhe më doli një pension i posaçëm 270 mijë lekë të vjetra shtesë, që quhet pension i posaçëm. Por unë nuk po flas për veten time, sepse dhe mua nga titujt m’u dha ky pension shtesë. Sot artistët janë me pagat të ulëta dhe pensione të ulëta. Është shumë e vështirë për artistët, ndaj duhet të kenë më shumë vlerësim. Pensionet shtesë dihet që kanë disa nga aktorët e njohur në vend, por problemi është që duhet menduar për të gjithë artistët. Më parë se të dalin në pension artistët duhet të kenë pagën më të lartë, por dhe një kërkesë llogarie për të plotësuar atë.

-Ju po flisni për probleme të ndryshme në jetën artistike, në vend. Por sa ka bërë Ministria e Kulturës për artistët?

Ministria e Kulturës në vendin tonë është e paaftë. A për të folur, grirë sallatë apo për të shkruar libra i shkruajnë ata. Por sot kanë dalë shpikësa, që marrin tituj dhe hipin lart e shkojnë në ministri dhe japin propozime plot. Por shkolla tek ne ka rënë. Ne nuk shohim se çfarë bën Europa, por ama jemi më mirë se ajo sepse dhe spitalet thotë i kemi më mirë se Franca e Italia. Por tek ne është katastrofë ekonomia, shëndetësia, gjendja e artit. Për mua Ministria e Kulturës është e paaftë. Ka qenë e tillë dhe vazhdon të jetë e paaftë për artin dhe kulturën.

-Ka qenë një vit i vështirë prej pandemisë, si ndikoi dhe në art për ju?

Veç problemeve që ne kemi pasur në fushë e artit dhe kulturës, pandemia hyri dhe sakatoi shumë gjëra. Të gjithë po ecin me vështirësi këtë kohë, nuk po them vetëm vendi jonë. Por kontrasti i madh i vendit tonë me vendet e tjera është, sepse në vendet e tjera mundosh që të zgjidhin problemet edhe ekonomikisht dhe emergjencë ka kudo e tërë bota tani. Por tek ne arti, kultura dhe sporti në Shqipëri është si me thënë që kemi çuar në luftë 3 sakatë, që shpresojmë të fitojmë me ata. Ama lufta do bura të fortë, patriotë, do artistë të fuqishëm e të mençur që nuk kanë nevojë të vjedhin shtetin, por e kanë rrogën. Sot nuk pyet kush më për artin, sepse dhe drejtues të teatrove janë vënë të paaftë. Nuk e bëjnë punën me shpirt e zemër. Nuk shihet bashkia socialiste apo demokrate, por në krye të institucioneve kudo duhet të jenë njerëz të aftë. Ata artistë që kanë qenë dikur në institucione edhe sot duhet të shfrytëzohen për shfaqjet. Mua nuk duhet të më lënë, apo dhe të tjerë artistë. Unë nuk kam nevojë për paratë sepse e marr pensionin, por artistët duhet të shfrytëzohen dhe të rinjtë duhet të aktivizohen me ata. Hyn me shkollë dhe se ka idenë se si punohet. Por në atë estradë me Bep Shiroka, Paulin Preka, me Zef Deda, Besnik Çinari, Zyliha Miloti, etj, me shkollë të mesme kemi qenë, por ama kemi mësuar dhe studiuar deri në gjuhë të huaja për me dalë bukur në skenë. Sot dëshirojnë të rinjtë me dalë në skenë, por nuk i afrojnë sa duhet. Nuk janë sa duhet mundësitë sepse nuk janë shumë dhe hapësirat.