
"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton deklaratën e bujshme të Ilir Metës, zbërthen skenarin e presidentit me Sali Berishën: O pushtetin o kokën e Lulit!

“Zgjoi” 3 çmime në “Sundance Film Festival”, artistët: Filmi po kalon periudha të mira

Shkruar nga Julia Vrapi 4 Shkurt 2021

Filmi artistik “Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli fitoi tre çmime në festivalin më të madh të filmit të pavarur në SHBA, “Sundance Film Festival”. “Zgjoi” fitoi çmimin filmi më i mirë, regjisorja më e mirë dhe çmimin e publikut. Për vlerësimin me tre çmime të filmit me regji nga Blerta Basholli, komuniteti artistik si në Kosovë dhe në Shqipëri përcolli mesazhe të shumta, ku nuk munguan edhe dy qendrat kinematografike në Shqipëri e Kosovë. Në një reagim të saj regjisorja Blera Basholli me një mesazh të shpërndarë përmes një videoje u shpreh se shpërblimi nga festivali i saj i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme. “Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipin, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne”, u shpreh skenaristja dhe regjisorja e filmit Basholli përmes një video mesazhi, me rastin pranimit të çmimit regjisorja më e mirë. Me vlerësime filmi në “Sundance Film Festival”, regjisorë e aktorë nga Shqipëria shprehen se lajme të tilla emocionojnë shumë. Aktori Lulzim Zeqja thotë se po tregohet, që filmi shqiptar po kalon periudha të mira. “Jam shumë i gëzuar që filmi shqiptar po kalon periudha shumë të mira! E kam uruar që në mëngjes regjisoren me një status në Facebook, si dhe ekipin! Jam i lumtur për arritjet e kinemasë kosovare!”, thotë ai. Aktore dhe regjisore Suela Bako shprehet se dhe pjesëmarrja në një festival të tillë filmi është arritje, ndërsa thotë dhe se mezi po pret të shikojë filmin “Zgjoi”. “Edhe pjesëmarrja në Sundance, është një arritje e madhe, ndërkohë “Zgjoi” dhe regjisorja Blerta Basholli kthehen me tre çmime. Lajme të tilla më emocionojnë shumë, duke ditur deri diku përpjekjen dhe mundin e madh për të realizuar një film. Urimet e mia më të përzemërta për regjisoren Blerta Basholli, ekipin dhe kastin e këtij filmi që mezi pres ta shoh”, shprehet Bako. Në urimin e saj për filmin Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se është një lajm i mirë për kinematografinë, ndërsa ka publikuar dhe çmimet për “Zgjoin”. Ndërsa Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Tiranë gjithashtu përshëndet vlerësimin për “Zgjoi”, në festivalin amerikan. “Urime të përzemërta filmit kosovar "Zgjoi", me regji nga Blerta Basholli që bëri histori sot si në botën shqiptare, ashtu dhe në atë të filmit të pavarur në botë, duke fituar tre çmimet kryesore në festivalin e rëndësishëm të “Sundance Film Festival””, shkruan mes të tjerave AQSHF.
Historia e filmit
Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë aktorët Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri). Producent në film janë Yll Uka, Valon Bajgora, Agon Uka dhe me bashkëproducentë Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n dhe Paskal Semini. Filmi ëhstë i prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, Albasky Film, Swiss National TV.
Më të lexuarat


“Rinia tok në valle”, qëllimi jo vetëm njohjen e kulturës materiale, por edhe shpirtërore

ASH: Xhevahir Spahiu në 76 vjetor, një nga poetët më të mëdhenj të vendit

Teatrot pa aktivitet artistik, aktorët: Kemi mall për skenën, nuk është normale kjo gjendje

Kujtim Gjonaj ndahet nga jeta, kinematografia humb një nga regjisorët e vlerësuar

Teatri Metropol me “Ëndrra e një nate vere”, një nga komeditë më të hershme të Shekspirit në festivalin “Moisiu On”

Rakip Shabani: GKA nuk duhet të quhet galeri kombëtare por antikombëtare, Ministria e Kulturës nuk po bën sa duhet për artin

Xhamia e Plumbit, Margariti: Shpejt do të kthehemi me ekspertët për punën në terren

Festivali “MetroSounds” nis të dielën, artistë nga Shqipëria dhe Kosova në edicionin e tretë

"Shtatë shenjtorët" pas ndërhyrjes restauruese i shpëtojnë shkatërrimit

Mblidhet këshilli shkencor i QBAE: Puna për rishikimin e Historisë mund të fillojë së shpejti, Enciklopedia sektori më i vështirë
