BREAKING NEWS

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta bëjë subjekt të SPAK, nga vilat e 13 apartamentet, te shpenzimet mijëra paund në Londër

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta
x

Lifestyle

Horoskopi i shkurtit nga Paolo Fox: Ç’kanë parashikuar yjet për muajin e dytë të vitit? Surprizat e bukura që iu presin

Horoskopi i shkurtit nga Paolo Fox: Ç’kanë parashikuar yjet

Nga Paolo Fox

Dashi

Vazhdon ndikimi pozitiv i Saturnit dhe Jupiterit, duke e ndryshuar kështu kryekëput parashikimin e yjeve për shenjën tuaj në krahasim me vitin e shkuar. Kush ka çështje të lëna pezull, mund t’i zgjidhë. Kush ka probleme ligjore të mbetura që nga viti 2020 ose një kontratë që është drejt përfundimit, mund të marrë lajme të mira. Rreth datës 11 do t’ju karakterizojë një energji e madhe për shkak të ndikimit favorizues të planetëve në shenjën tuaj. Për sa i takon aspektit profesional, do të karakterizoheni nga një vullnet i madh, pasi do t’ju rikthehet gjallëria që ju karakterizon. Të paktën, do të mund ta nisni nga e para. Nuk janë keq as ditët e fundit të muajit. Ndikimi i Marsit do të ndihmojë në shtimin e të ardhurave. Sigurisht që jo gjithçka mund të rikuperohet brenda një kohe të shkurtër, por të paktën jeni në rrugë të mbarë.

Emocionet janë shumë të rëndësishme në shkurt. Pikërisht nga mesi i muajit do të keni mundësinë e një takimi ose të një pajtimi, nëse ka pasur probleme në të shkuarën. Nuk duhet të tregoheni kokëfortë, pasi shenja juaj karakterizohet nga kokëfortësia. Duke analizuar gjithçka me logjikë dhe racionalizëm, mund të thuhet se këtë muaj, marrëdhëniet e krijuara prej kohësh nuk do të kenë zënka dhe lidhjet e reja do të ndiejnë t’u rrahë zemra fort. Njohjet e reja mund të emocionojnë zemrat e vetmuara. Vazhdon të jetë një qiell i favorshëm për çiftet që kanë mundësi dhe dëshirë të bëjnë fëmijë. Tani që ndikimi i Saturnit dhe Jupiterit është pozitiv, duhet të kërkoni emocione të reja. Nga ana tjetër, është e rëndë barra e tensioneve dhe shqetësimeve që tërhiqni nga viti i kaluar, por pak nga pak do të mund të liroheni nga të gjitha peshat e tepërta.

Pas një janari thuajse të tmerrshëm, forma fizike është e mirë. Nga mesi i shkurtit do të ndiheni shumë mirë, madje është çasti më i mirë për të filluar ndonjë terapi. Në krahasim me vitin e kaluar, ky fillim viti është shumë më i mbarë!

Demi

Do të hasni disa vështirësi për të marrë leje, pasi shkurti është një nga muajt më të ndërlikuar të këtij viti për shenjën tuaj. Ata që punojnë për një kompani të madhe nuk janë të bindur nëse duhet të vazhdojnë aty edhe gjatë gjysmës tjetër të vitit. Më datë 11 duhet të tregoheni paksa të kujdesshëm në aspektin profesional, pasi mund të përballeni me ndryshime të papritura. Duhet të bëni kujdes edhe me shpenzimet, pasi në shkurt do t’ju duhet të merreni me shtëpinë, ose të rinovoni një kontratë pune. Gjatë këtij muaji duhet të shmangni ndërlikimet e kota. Më mirë merruni me projektet për verën, sepse do të jenë muaj shumë interesantë. Është i pashmangshëm tensioni për studentët ose njerëzit që po merren me një projekt të ri dhe presin një konfirmim, pasi kjo mund të ndikojë në rezultatet përfundimtare të një prove.

Për sa u takon ndjenjave, shkurti vë në pikëpyetje gjithçka që ka lindur në janar. Zakonisht jeni të qëndrueshëm, të motivuar dhe të vendosur, por gjatë këtij muaji mund të ndiheni rebelë. Kjo gjendje mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Me gjasa do t’ju duhet të zgjidhni një problem familjar, ose dikush do të ketë nevojë për ju. Prej kohësh keni pasur konflikte me të afërmit për çështje parash dhe pronash. Edhe shitjet do të pësojnë rënie. Nuk duken të kënaqshme ofertat që do të merrni në shkurt. Do të ndihet një nervozizëm i theksuar nga mesi i muajit ose më datë 25. Mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë të vendosni në këtë periudhë kalimtare, aq sa ju këshillohet ta shtyni për në maj çdo iniciativë. Kur ju ngulitet diçka në kokë është e vështirë të ndaleni, por duhet të bëni durim.

Dy muajt e parë të vitit nuk janë më të mirët për sa i takon shëndetit, madje edhe ju vetë ndieni njëfarë tensioni të brendshëm me raste. Por e mira është që nuk ju mungon vullneti për ta marrë veten dhe data 22 është idealja për këtë. Situata të rrezikshme do të paraqiten në datat 10, 11 dhe 24, 25.

Binjakët

Ndikimi i yjeve në shenjën tuaj është kaq i favorshëm gjatë këtij muaji, sa kushdo që nuk bën ndryshime rrënjësore në aspektin personal duhet të pyesë veten nëse po e bën këtë për shkak të mosbesimit apo pesimizmit. Të rinjtë mund të vendosin për një përvojë të re. Ata që vjet kanë nisur një projekt profesional, edhe kundër mendimit të të gjithëve, do ta vazhdojnë. Duket sikur të gjithë planetët po bashkëpunojnë në favor të shenjës suaj këtë muaj. Këtë muaj favorizohen edhe martesat, ose lindjet. Vartësit mund të marrin më shumë propozime. Duket një periudhë aq e mbarë, sa mund të përfitojnë edhe ata që prej kohësh bëjnë punë me kohë të pjesshme. Më në fund, pas një viti tepër të vështirë, sipërmarrësit do të favorizohen më shumë. Kuptohet që kjo ndryshon në varësi të aftësive të kujtdo, por më të suksesshëm do të jenë më të përgatiturit, pasi rastet nuk do të mungojnë.

Për sa i takon aspektit personal, data 10 duket si më favorizuesja. Mund të bëni një zgjedhje të rëndësishme, t’i jepni fund gjithçkaje që nuk ia vlen më dhe të përjetoni emocione të reja. Është muaji i duhur për çiftet që kanë mundësi dhe dëshirë të bëjnë fëmijë. Nëse nuk ju intereson tema e dashurive të reja, të paktën shkurti do të jetë i qetë, nuk do të vuani për shkak të ndjenjave që nuk ju këmbehen. Dashuritë që lindin në shkurt janë të rëndësishme dhe intriguese. Mund të lindë një emocion i ri në mes të muajit, duke e mbyllur kështu muajin në favorin tuaj në shumë drejtime. E keni të nevojshme të bisedoni me dikë që ju bën të ndiheni të rëndësishëm dhe që i kupton bisedat dhe projektet tuaja.

Nëse keni pasur probleme shëndetësore, do ta merrni veten më së miri. Ndoshta disa duhet të shmangin mbingarkesën në punë dhe në jetën private, pasi rrezikoni të vini në provë organizmin tuaj. Favorizohen të rinjtë dhe ata që duan të bëjnë diçka të re.

Gaforrja

Shkurti i shton shpresat për të ardhmen. Ka ardhur momenti të ndryshojnë punë ata që punojnë prej kohësh në të njëjtin vend. Shkurti ofron energji, sidomos në gjysmën e dytë të muajit, pas datës 18. Shumë projekte që nisin në këtë periudhë do të vihen në zbatim vetëm në qershor. Do të ndieni njëfarë rënieje ekonomike, për shkak të ndikimit të planetëve në aspektin financiar. Ata që duhet të shpenzojnë nuk ndihen aspak të qetë. Megjithatë, nuk duhet ta ulni vigjilencën, sepse rastet e mira mund të vijnë edhe gjatë muajve në vazhdim.

Nga data 18, Dielli është favorizues në shenjën tuaj. Nuk duhet harruar që keni kapërcyer muaj të vështirë, pasi dhjetori dhe janari nuk kanë qenë fort të mirë për sa i takon aspektit personal. Këshillohet të krijoni miqësi dhe lidhje të reja, sepse nga data 25 parashikohet për shenjën tuaj një ndikim i shkëlqyer i Venusit.

Në krahasim me janarin, këtë muaj do të keni mundësi ta merrni veten. Keni mundësinë të kujdeseni për trupin tuaj, pasi dihet prej kohësh që stomaku është pika juaj e dobët. Ditët që duhet ta shmangni stresin janë datat 15, 16 dhe 23. Duke qenë se vuani nga stomaku, nuk duhen të mbani dieta të gjata dhe duhet të kujdeseni më shumë për ushqimin.

Luani

Për sa u takon marrëdhënieve profesionale, ka shumë për të thënë, madje edhe për të protestuar, por gjithmonë në varësi të profesionit. Është një periudhë disi stresuese për të gjithë të lindurit e shenjës suaj, qoftë për ata që ndihen të diskriminuar ose të lënë mënjanë, qoftë edhe për ata që kanë një rol drejtues dhe nuk ndihen të qetë, sepse i kanë duart të lidhura, ose nuk kanë arritur rezultate të shkëlqyera. Këtë muaj do t’ju duket sikur idetë tuaja janë në kundërshtim me të gjithë ata që ju rrethojnë. Për pasojë, ju duket sikur s’keni lirinë që të bëni atë që dëshironi. Shkurti nuk është fort i favorshëm financiarisht dhe më datë 11 do të keni momente tensioni. Fatmirësisht, jeni të guximshëm dhe nuk dorëzoheni. Ndaj, në një situatë të tillë, nuk ju këshillohet të bëni investime që nuk janë të sigurta. Kujdes nga goditjet e papritura, pasi ju kanë shumë zili dhe kundërshtarët tuaj nuk ndalen para asgjëje.

Nuk ka gjithmonë mirëkuptim në çift, por veçanërisht nga mesi i muajit mund të përballeni me vështirësi serioze. Ata që janë prej kohësh në një lidhje mendojnë se partneri nuk i kupton. Madje, kur janë bashkë, flasin më shumë për punë se për ndjenja dhe projekte. Njëkohësisht, lidhjet e reja krijohen me njerëz që nuk janë të lirë. Jeni tepër krenarë për të kërkuar atë që ju takon, ndaj doni që partneri ta kuptojë vetë sa vleni.

Duhet të shmangi çdo lloj tensioni, pasi ditët e mesit të muajit shoqërohen me nervozizëm. Mund të keni edhe marramendje. Në këto raste është më mirë të zbuloni se çfarë ju mundon. Gjithçka do të jetë më e thjeshtë nëse ruani qetësinë.

Virgjëresha

Edhe në shkurt vazhdon ndikimi pozitiv i Marsit në përgjithësi, pasi të gjithë do të përfitojnë diçka më shumë. Madje, deri në mars, mund të fitoni një sfidë. Në periudha të zymta fitojnë ata që nuk mposhten nga paniku, ose ata si ju, që e shndërrojnë një problem në zgjidhje. Ndaj ju këshillohet këmbëngulje, pasi rezultatet do të ndryshojnë deri në gjysmë të vitit. Kuptohet që në një situatë të tillë mund të dominoni dhe të fitoni. Ata që kanë humbur rolin e tyre gjatë dy vjetëve të fundit mund ta rifitojnë atë. Sigurisht që lodhja ndihet. Veçanërisht më datë 19 do të keni disa probleme të vogla shëndetësore. Duhet të shoqëroheni nga njerëz më konstruktivë.

Mos ndoshta të gjithë ata që janë vetëm presin një dashuri të re? Po të kihet parasysh psikologjia e të lindurve nën këtë shenjë, kuptohet se frika e tyre nuk i ndihmon të krijojnë lidhje të reja. Për këtë arsye, këshillohet që gjatë këtij viti kaq interesant të eliminohet çdo lloj paqartësie. Madje, edhe nëse një lidhje nuk shkon mirë, duhet t’i jepni fund dhe ta shihni të ardhmen me më shumë shpresë. Ata që kanë prej kohësh një lidhje, mund ta zyrtarizojnë atë në martesë. Duhet t’u kushtoni vëmendjen e duhur njerëzve të sinqertë dhe projekteve në çift. Më datë 25 duhet të tregoheni më të vendosur me dikë që vazhdon t’ju qëndrojë larg, pavarësisht përpjekjeve tuaja për t’u afruar me të.

Shkurti karakterizohet nga ditë të qeta, ndonëse duhet të tregoheni të kujdesshëm me dietën ushqimore, pasi shenja juaj vuan shpesh nga stomaku ose nga problemet e zorrëve. Duhet të bëni kujdes me mundimin fizik, pasi do të keni ditë më të lodhshme se të tjerat. Datat 20, 21, 24 dhe 28 mund të shoqërohen nga disa shqetësime shëndetësore.

Peshorja

Shumë përgatiten për të arritur një qëllim madhor në mes të vitit në këtë periudhë, qoftë kjo një diplomë, përballja me një provë ose një sukses të ri. Shkurti bën të mundur që ta shihni të ardhmen me optimizëm. Data 11 është shumë interesante. Në përgjithësi, shkurti do të lërë gjurmë. Kontaktet me strukturat e reja mund të rezultojnë pozitive. Kjo do t’u shërbejë edhe atyre që kërkojnë diçka të re. Duhet të këmbëngulni gjithmonë, qoftë edhe për të përfituar diçka më shumë. Nëse ju është propozuar një ngritje në detyrë, është çasti i duhur për ta pranuar. Një mundësi e papritur mund të përshpejtojë një përgjigje. Ndihen ende pasojat ekonomike të vitit 2020 në shenjën tuaj.

Në shkurt ju shtohet optimizmi dhe dëshira për të dashuruar. Nuk duhet ta çoni dëm këtë muaj me sjellje pesimiste. Do të ketë nga ata që do të kenë mundësi të tradhtojnë ose të përjetojnë emocione të pazakonta. Pra, këtë muaj do të mund të bëni pak nga të gjitha. Madje, ekziston mundësia edhe që të merrni veten edhe nga një zhgënjim i madh.

Datat 8 dhe 14 do të jenë me fat. Kujdes datat 22 dhe 23, pasi do të jenë ditë paksa konfuze. Do të jetë një muaj i shfrenuar, ndaj mundohuni të gjeni momente qetësie.

Akrepi

Për sa i takon aspektit profesional, nuk do të keni qartësi deri në qershor. Nëse punoni si vartës, do të mendoni shpesh nëse kjo që po bëni është puna e duhur për ju. Do ta keni të lehtë të fshihni tensionin e brendshëm. Nëse keni pikasur dikë që e konsideroni si burim keqkuptimesh, do të ndieni nevojën për t’ia thënë hapur mendimin tuaj. Datat 10, 11, 17 dhe 18 janë goxha të zjarrta për sa i takon ndikimit të yjeve në sektorin e bashkëpunimeve. E vërteta është që jeni lodhur duke bërë të njëjtat gjëra dhe e keni të vështirë qoftë edhe që të gjeni stimuj të rinj. Keni nevojë që të bëni diçka më krijuese. Nëse prej vitesh keni të njëjtin rol, tani doni të ndryshoni, të paktën për një stimul më shumë. Zgjidhja e duhur nuk është që të reagoni me agresivitet ose të hiqni dorë nga gjithçka. Ky është horoskopi ideal për ata që kanë mbushur moshën e pensionit dhe kanë luksin të vendosin ç’do të bëjnë me të ardhmen e tyre. Të rinjtë që janë në kërkim të identitetit të tyre, në këtë periudhë mund të fillojnë punë me kohë të pjesshme. Kështu do të krijojnë edhe përvojë, që është ngaherë e dobishme në jetë.

Gjatë muajit shkurt, çiftet do të jenë shumë në siklet dhe kjo nuk ka domosdoshmërish lidhje me dashurinë. Ata që kanë një biznes me partnerin mund të hidhërohen paksa, pasi kanë probleme që vjet. Të tjerë, për arsye të ndryshme, nuk gjejnë qetësi. Njerëzit me të cilët njiheni tani, përmes rrjeteve sociale apo rastësisht, nuk duket se përkojnë me shijet tuaja. Duhet thënë se edhe ju, me qëndrimin tuaj të rreptë, largoni këdo që përpiqet t’ju afrohet. Më mirë sqarojini keqkuptimet e vjetra pas datës 25.

Do të jeni pak të dobët fizikisht edhe në shkurt, sidomos nga data 11. Duhet të shmangni çaste tensioni, sidomos në datat 18 dhe 25. Nuk duhet të ndërmerrni asnjë rrezik financiar, por as të abuzoni me fizikun.

Shigjetari

Për shkak të gjysmës së planetëve që ndikojnë pozitivisht në shenjën tuaj, është një muaj i mbarë. Me gjasa, një projekt i nisur rishtazi do të ketë më shumë sukses. Favorizohen edhe studentët që po mendojnë të bëjnë provime të rëndësishme deri në verë. Ata që kanë përfunduar kontrata ose u kanë dhënë fund bashkëpunimeve, do të kenë risi interesante. Mund t’ju caktojnë një detyrë të re. Shkurti në përgjithësi është muaji i intuitës, marrëveshjeve të respektuara, por edhe mund të çliroheni nga një peshë.


Nuk është një periudhë për të ndenjur duarkryq, por fatmirësisht jeni aktivë. Më datë 11 dhe 20 mund të keni goxha intuitë, por në datat 13 dhe 21 mund të jeni të shpërqendruar dhe konfuzë.

Mund t’ju lindin dyshime nëse jeni prej vitesh të lidhur me dikë, por ndiheni të lodhur dhe kërkoni emocione gjetkë. Mund të ndodhë gjithçka, por mundohuni të mos futeni në telashe. Të sapomartuarit mund të mendojnë të bëjnë një fëmijë ose të blejnë një shtëpi të re. Ndërsa për çiftet që kanë më pak se një vit bashkë, sidomos për ata që e kanë kapërcyer me sukses gjysmën e dytë të vitit të shkuar, ka ardhur momenti që të mendojnë për martesën, të bashkëjetojnë ose të kërkojnë një shtëpi më të përshtatshme. Jeni në një çast evoluimi të madh psikologjik dhe është mirë të rrethoheni nga njerëz që e ndihmojnë këtë proces.

Duhet të bëni durim me kurat e reja, sepse do të japin rezultate. Nëse doni të bëni diçka të mirë për veten, regjistrohuni në palestër, kërkoni pak qetësi në datat 8 dhe 14. Të lindurit në shenjën tuaj e eliminojnë stresin me sport.

Bricjapi

Datat 8 dhe 9 janë ditët tuaja me fat për këtë muaj. Në datat 10 dhe 11 do të diskutoni për para, biznese të reja, ndoshta edhe për ndonjë rol të ri në një kompani. Nuk do të keni fitime të mëdha, ndaj duhet të bëni kujdes me shpenzimet. Por e rëndësishme është të rifitoni forcën dhe energjinë. E keni karakteristikë të mendoheni mirë para se të zgjidhni dhe kjo do t’ju ndihmojë shumë. Do t’ju vijë diçka në datat 17 dhe 18, ose në fund të muajit. Do të merrni kërkesa interesante. Por ata që duan të investojnë para duhet të dinë se s’duhet të besojnë menjëherë, por të tregohen të matur, ose të informohen mirë para se të bëjnë çdo blerje, shitje apo biznes.

Për të lidhurit, shkurti është një muaj i mbarë. Ata që kanë humbur dashurinë duhet ta heqin nga mendja se është më mirë të rrinë vetëm. Të lindurit nën shenjën e Bricjapit qëndrojnë shumë kohë vetëm para se të krijojnë një lidhje të re. Nëse jeni në një lidhje, kjo është periudha më e mirë për projekte. Nëse i keni idetë të qarta dhe doni të bëni një kërkesë, këshillohet ta bëni pas datës 18. Kujdes nga lidhjet me njerëz që s’ju kuptojnë, pasi tani, më shumë se kurrë, doni qartësi.

Shkurti është muaji i duhur nëse doni të ndiheni më mirë. Mundohuni të kontrolloni një problem në datat 15, 16 dhe 22. Keni probleme me gjurin e djathtë, kockat dhe cervikalen, që kanë nevojë për kujdes.

Ujori

Datat 10 dhe 11 janë të rëndësishme për të lindurit e shenjës së Ujorit. Mund të merrni një lajm që do të ndryshojë gjithçka. Ju ka pushtuar një mërzi e madhe, një ndjenjë pakënaqësie që s’duhet t’ju shtyjë në zgjedhje irracionale. Ndryshimet që mendoni nuk mund të realizohen gjithmonë në një kohë të shkurtër. Nëse nuk gjeni një zgjidhje, ideja e pavarësisë mund të bëhet shumë e lodhshme.

Për sa i përket sferës sentimentale, kjo mund të konsiderohet si një fazë revolucionare. Nëse jeni të lidhur, do t’ju shtohet dëshira për t’u shpërngulur, për të nisur një jetë gjetkë, shumë më ndryshe nga kjo që keni bërë deri më sot. Por nëse jeni prej vitesh të lidhur me dikë, mund t’ju lindë nevoja për të pasur një lidhje paralele, sa për të ndier një shtysë të re. Do të jenë më të ndërlikuara marrëdhëniet prind-fëmijë, nëse secila palë kërkon të imponojë vullnetin e vet. Datat 10 dhe 11 janë të mbushura me emocione, por do të ndiheni pak më të rënë moralisht më datë 17. Bëni kujdes me vendimet që merrni dhe mos abuzoni me shëndetin.

Shëndeti do durim, problemet duhen trajtuar me radhë. Ujori nuk kujdeset shumë për shëndetin, por shkon te mjeku vetëm kur është e domosdoshme. Me gjasa këtë muaj do të kaloni shumë ditë stresuese, sa do të ktheheni të drobitur nga puna. Shmangni mundimet e tepërta në datat 4, 5, 17, 18, 24 dhe 25.

Peshqit

Shkurti dhe marsi janë muaj ngritjesh në detyrë. Edhe ata që s’kanë lëvizur mund të mendojnë për një projekt të ri në pranverë. Një ndryshim i vogël mund të ndihet që më datë 12. Ata që janë vartës ndoshta nuk veprojnë dot si duan, por ndërkohë mund të kërkojnë diçka më shumë. Periudhë e mbarë për ata që kanë ndër mend të realizojnë një ide të bukur, sidomos më datë 18. Nuk duhet të anashkaloni miqësitë e sinqerta, pasi në këtë periudhë revolucionesh të rëndësishme duhet të hapeni me dikë. Do t’ju ndihmojë edhe të gjeni shtysën e duhur. Ata që të njohin mirë e dinë që duhet të dalësh vetë nga telashet dhe problemet në të cilat përfshihesh shpesh pa dëshirën tënde.

Ka ardhur çasti që të bëni veprime konkrete për të treguar dashurinë tuaj. Edhe ata që nuk janë në kërkim të një lidhjeje mund të përjetojnë diçka të rëndësishme. Kush është ndarë, do të gjejë menjëherë dikë tjetër për t’u lidhur. Ky është viti i duhur për t’u martuar, bashkëjetuar, për të gjetur shtëpi ose për ta ndërruar atë. Ndaj shumë të dashuruar do të ndërmarrin projekte të rëndësishme që mund të shtrihen edhe në vitin 2022. Mund të lindë një dashuri me dikë të largët ose në rrjetet sociale.

Pavarësisht ulje-ngritjeve, duket se gjërat po shkojnë më mirë. Ndërhyrjet e vogla estetike do të kenë sukses. Ndikimi i Diellit në shenjën tuaj më datë 18 do t’jua shtojë energjinë.