BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Lifestyle

Horoskopi javor vjen me surpriza/ Çfarë kanë parashikuar yjet për datat 26 tetor - 1 nentor

Horoskopi javor vjen me surpriza/ Çfarë kanë parashikuar yjet

Dashi

Nuk pritet që kjo të jetë një javë fort e mbarë për të lindurit e shenjës së Dashit, sidomos në aspektin sentimental. Venusi, Dielli dhe Hëna do të jenë në prapavijë. Do të keni të vështirë të gjeni gjuhën e përbashkët me të dashurin e zemrës, aq sa me raste do të parapëlqeni të heshtni. Në aspektin profesional parashikohet që më datë 28 dhe 29 tetor të merrni një lajm të mirë.

Demi

Edhe pse Hënën do ta keni kundër në pjesën më të madhe të javës, kjo nuk do t’ju pengojë që të angazhoheni me shumë gjëra njëherësh dhe pse jo, edhe të keni sukses. Gjithçka do t’ju ecë shumë mbarë në aspektin profesional. Çfarëdolloj pune që do të merrni përsipër, do ta kryeni me sukses. Edhe në aspektin sentimental gjërat do të shkojnë mirë. Kujdes datat 31 tetor dhe 1 nëntor, pasi do të keni disa probleme.

Binjakët

Ju pret një javë e shkëlqyer. Kalimi i Mërkurit në shenjën e Akrepit më datë 26 dhe 27 tetor, duket se do të ndikojë për mirë edhe për ju. Gjërat do të shkojnë shumë mirë në aspektin financiar. Do ta keni të lehtë të gjeni ofertat më të mira, prandaj dhe do të bëni blerje të shumta. Bëni kujdes më datë 27 tetor, pasi nuk është dita më e përshtatshme për të nënshkruar kontrata apo për të marrë përsipër iniciativa të guximshme.

Gaforrja

Po kaloni një periudhë tranzicioni. Duket se shumë gjëra dhe shumë njerëz i keni lënë pas dore. Një ndryshim i papritur mund të ndodhë ditën e premte më 30 tetor. Në aspektin financiar duket se gjithçka do të shkojë mirë. Në aspektin profesional pritet që të kaloni ditë të vështira, aq sa me zor do ta prisni fundjavën që të çlodheni pak. Lidhja me partnerin do të bëhet më e fortë dhe më e zjarrtë.

Luani

Javën e kaluar në jetën tuaj ka hyrë një person i ri. Tani është momenti i përshtatshëm që ta thelloni lidhjen me të. Kalimi i Mërkurit më datë 28 tetor në shenjën e Peshores, me siguri që do t’ju japë dhe juve një shtysë të mirë në aspektin profesional. Shmangini megjithatë për momentin investimet e rëndësishme në bursë. Yjet ju këshillojnë gjithashtu që të mos bini pre e provokimeve.

Virgjëresha

Gjatë kësaj jave Hënën do ta keni aleate. Tani është momenti që t’u kushtoheni disa çështjeve që i keni lënë pas dore. Llogaria juaj bankare është e boshatisur dhe një zgjidhje për momentin do të ishte marrja e një huaje. Keni nevojë për para që të vini në zbatim projektet tuaja. Bëni kujdes më datë 1 nëntor, pasi nuk do të ndiheni fort mirë shpirtërisht. Në dashuri do t’ju ecë mbarë. Më në fund mund të diskutoni për të ardhmen së bashku me partnerin.

Peshorja

Do të jetë një javë plot me mosmarrëveshje, gjatë së cilës nuk do të ndiheni mirë dhe shpeshherë do të keni momente pështjellimi. Shumë njerëz që i konsideronit miq, do t’ju dalin kundër. Në dashuri gjithçka do të shkojë mirë, por ditën e mërkurë më datë 28 do të keni një zënkë, për shkak të një personi që është bërë prej pak kohësh pjesë e jetës suaj. Beqarët pritet që të marrin në fundjavë një lajm të mirë.

Akrepi

Ju mbaheni për njerëz të fortë, por mos i mbivlerësoni aftësitë tuaja. Bëni kujdes të mos merrni përsipër diçka, që në fund mund të rezultojë me humbje. Në aspektin sentimental duket se gjithçka do të shkojë më së miri. Marrëdhënia me partnerin do të bëhet më e fortë. Situata në shtëpi paraqitet e mirë. Yjet ju këshillojnë të mos thoni fjalën e parë që ju vjen në mendje, sepse më pas mund të pendoheni.

Shigjetari

Nuk pritet që kjo të jetë një javë e mbarë në aspektin financiar. Bëni kujdes me shpenzimet e paparashikuara, përndryshe mund t’ju duhet të prekni kursimet tuaja, gjithmonë nëse keni, ose mund të kërkoni një hua. Në dashuri pritet që të keni disa mosmarrëveshje në fillim të javës, por që për fat do të zgjidhen në fundjavë. Datat 28, 29 dhe 30 tetor nuk do të jenë fort të mbara në aspektin profesional.

Bricjapi

Fillimi i javës do të jetë i mbarë, kurse në fundjavë do të keni probleme në çështjet e punës. Nëse jeni në kërkim të një pune, përpiquni që në fillim t’i keni idetë e qarta përpara se të merrni përsipër një angazhim të ri. Nëse mendoni se nuk po tregohen korrektë me ju, çojeni CV-në tuaj diku tjetër. Kujdes edhe me shpenzimet e mëdha, si në rastin kur bëhet fjalë për blerjen e një makine apo të një shtëpie, sidomos më datë 30 tetor.

Ujori

Mundohuni të ruani qetësinë, kur vjen puna te çështjet e zemrës. Prej kohësh partneri ju kërkon më shumë vëmendje, por me sa duket e keni të vështirë t’i përkushtoheni. Kjo nuk është arsye për ta prishur lidhjen, sepse në fund të fundit, ju duheni. Datat 27 dhe 29 tetor nuk do të jenë fort të mbara në aspektin profesional. Do të keni mosmarrëveshje me një koleg, që me sa duket ka pakënaqësi nga puna juaj. Mos bëni kompromise!

Peshqit

Në përgjithësi kjo do të jetë një javë e mbarë për ju. Jupiteri dhe Plutoni do të jenë të kthyer nga shenja juaj. Do t’ju duhet të mbyllni disa çështje të punës, të cilat i keni lënë pas dore. Për sa i përket çështjeve të zemrës, duket se më në fund keni gjetur ekuilibrin, që aq shumë e dëshironit. Për beqarët parashikohen takime me njerëz interesantë, që më vonë mund të kthehen në histori të rëndësishme dashurie.