Lifestyle

Shën Valentini, festa më e ëmbël/ Domethënia e çokollatës si dhuratë

Shën Valentini, festa më e ëmbël/ Domethënia e

Çdo komb, çdo kulturë ka mënyrën e vet për të festuar Shën Valentinin. Por, një gjë i bashkon të gjithë në ditën më të ëmbël të vitit… çokollata.

Por, përse dhurohet çokollatë? Përse lidhet me dashurinë? Përse konsiderohet afrodiziake?

Popullariteti i çokollatës për Shën Valentin nuk është vetëm komercial dhe marketing. Çokollata prej kohësh është e lidhur me dashurinë. Dhe nëse nuk do të ishte për mjeshtrit e përpunimit të saj, do të konsumohej ende në filxhan. Deri në vitet ‘700 përdorej vetëm në formë pijeje.

Siç thoshte Giacomo Casanova, çokollata ishte eliksiri suprem i dashurisë, që ngrinte peshë shpirtin e të gjitha të dashurave të tij.

Lidhja mes dashurisë dhe çokollatës ka absolutisht faktorë kulturorë. Që nga koha e Majave dhe Aztekëve, kakaoja përdorej nga elita dhe ishte aq e çmuar saqë përdorej si valutë shkëmbimi. Vetëm familjet e pasura mund ta konsumonin pijen me bazë kakao “xocoatl”. Thuhet se Montezuma e pinte para se të hynte në haremin e tij, sepse e konsideronte një afrodiziak të fuqishëm.

Çokollata u bë një simbol dashurie sepse është një e mirë e shtrenjtë dhe luksi. Vetëm shtresat e larta të shoqërisë, në vitet ‘500 në Europë, mund ta blinin dhe ta dhuronin. Dhe ky luks i saj e bënte të dukej një dhuratë speciale për të dashurën e zemrës.

Në ditët e sotme, nuk është më një produkt kaq luksi, por, gjithsesi është një dhuratat më të përshtatshme për ta bërë në ditën më speciale të të dashuruarve.