Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Studimi i NASA-s/ Ja si po shemben qytetërimet. A jemi në rrezik?

Postuar: 18/03/2019 - 08:59

Të gjithë qytetërimet e mëdhenj të së kaluarës besonin se mund të zgjasnin në përjetësi, por herët a vonë pësuan një kolaps që më pas i shkatërroi. Studiuesit e lëndës filluan të mendojnë se rendi i qytetërimeve është ciklik dhe ka karakteristika të përbashkëta që përsëriten gjatë historisë: pasi arrin shkëlqimin maksimal, vjen pashmangshmërisht një rënie e cila nuk kuptohet menjëherë dhe si pasojë reagimi është i vonë, shpesh me mjetet e gabuar.
 
Një studim i financuar nga nga Goddard Space Flight Center i NASA-s, ka mbërritur tashmë në konkluzionin që qytetërimi ynë industrial paraqet simptoma degradimi shumë të rënda dhe është pranë një fundi që pa ndërhyrjet e duhura, do të vijë shumë shpejt, brenda pak dekadash. Është e çuditshme që një qendër fluturimesh hapësinore të merret me gjërat banale që ndodhin mbi Tokë, por studimi është kryer nga një matematicien i shquar, Safa Motesharrei dhe nga studiues të shkencave natyrore në kuadrin e një disipline të re të quajtur Handy (Human and Nature Dynamics), që përzien ngjarje sociale dhe natyrore për të nxjerrë parashikime për të ardhmen.
 
Motesharrei dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë një lidhje mes situatës aktuale të planetit me atë të perandorisë romake, të qytetërimit të majave, të mbretërive të Mesopotamisë, të dinastive Han në Kinë, të Mauriave dhe Guptave në Indi. Për shekuj të tërë, sovranët e tyre besonin se mundeshin ta dominonin botën që njihnin, por më pas ndodhi diçka që nuk e kuptuan ose që e nënvlerësuan, një ndryshim i ngadaltë i ekuilibrave që dukej pa ndikim, ose i përballueshëm, por që solli shkatërrimin.
 
Sipas NASA-s, faktorët e përbashkët mes qytetërimeve të kaluar dhe qytetërimit tonë, janë në total pesë dhe u duhet kushtuar shumë vëmendje dinamikave të tyre. Janë popullsia, klima, uji, bujqësia dhe energjia. Sa kohë që janë në ekuilibër, qytetërimi përparon. Kolapsi ndodh nëse verifikohen dy kushte sociale preçize, që fatkeqësisht tashmë janë të pranishme dhe forta në qytetërimin tonë: varfërimi i burimeve të disponueshëm dhe shtresëzimi i shoqërisë mes një grupi të formuar nga elitat dhe një mase të njerëzve të zakonshëm.
 
Kur verifikohet një rrallim i burimeve të disponueshëm, tendenca në qytetërimet e 5000 viteve të fundit ka qenë ajo e ndërprerjes së rishpërndarjes së tepricave tek shoqëria. Me një analizë shumë pranë mendimit marksist, Goddard Space Center thotë që, në kohën e Majave ashtu si sot, kontrolli i ushtruar nga elitat bën që masa, e cila prodhon pasurinë merr mbrapsht një pjesë të vogël, në nivel ekzistence apo pak më shumë. Kjo çon në kolapsin e shtresës sociale më të dobët, që megjithatë shoqërohet pashmangshmërisht edhe me shkatërrimin e klasës më të fortë.
 
Përballë këtyre ngjarjeve, kastat në të kaluarën kanë vazhduar të bëjnë “business as usual”, duke injoruar alarmet dhe duke shkuar drejt fundit pa vepruar në mënyrë të përshtatshme. Është një situatë shumë e ngjashme me atë të tanishmen në qytetërimin tonë perëndimor, edhe pse shumë shkencëtarë janë të bindur që zhvillimi i teknologjisë do të na shpëtojë nga mungesa e paralajmëruar e burimeve energjetikë, ujit dhe ushqimit për të gjithë. Megjithatë, në këtë drejtim studimi i NASA-s nuk është optimist: teknologjia, sipas tij, përmirëson aftësinë e njeriut për të gjetur burime, por rrit edhe konsumin për frymë. Rritja e produktivitetit në bujqësi dhe në industri kanë sjellë njëkohësisht një rritje të përdorimit të lëndëve të parë.
 
Sipas Safa Motesharreit dhe grupit të tij të studiuesve, qytetërimi ynë ka ende shanse të shpëtohet, por duhet të veprojë me shpejtësi në tre drejtime: duhet të reduktojë pabarazitë ekonomike, të shpërndajë më mirë burimet duke i përdorur më pak dhe duke mbajtur nën kontroll numrin e banorëve të planetit, nëse është e mundur ta reduktojë madje. Por askush nuk ka iluzione që një projekt i tillë mund të vihet në zbatim në shkallë botërore.
 
Për reduktimin e banorëve të Tokës as që bëhet fjalë, maksimumi mund të ketë përpjekje për të ulur numrin e lindjeve në Indi dhe në Afrikë, duke parë që Europa po e bën tashmë. Për të kursyer burime, do të duhej të fillonte një modifikim për keq i nivelit të jetesës në botën perëndimore, gjë që pjesërisht po ndodh. Pastaj do të ishte e nevojshme të bindeshin kinezët dhe indianët që, tani që ka ardhur momenti i tyre për të blerë automobilë, lavatriçe dhe frigoriferë, duhet të heqin dorë prej tyre për të shpëtuar qytetërimin industrial tek i cili më në fund kanë zbritur. Për të eleminuar pabarazitë, do të duhej të bindej pakica që ka pjesën më të madhe të pasurisë që ta shpërndajë kryesisht tek shumica që ka gjithmonë e më pak para. Me sjellje të mirë, nuk ia ka dalë asnjëherë, askush. /La Stampa – Bota.al

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/04/2019 - 09:18

Njihuni me parashikimin e astrologut italian Paolo Fox, për punën, shëndetin dhe ndjenjat, si do të ecë dita për të lindurit e çdo shenje.

Dashi

Postuar: 19/04/2019 - 23:53

Personat që i përkasin shenjës së akrepit përputhen krejtësisht me shprehjen “i pangopshë

Postuar: 19/04/2019 - 18:37

Astrologe Meri ka renditur edhe për muajin prill, shenjat më me fat.

Postuar: 19/04/2019 - 09:19

 Nëse mendoni se së fundmi nuk keni pasur fat atëherë ju duhet një hajmali.

Postuar: 18/04/2019 - 19:16

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Wuinsconsin të Amerikës.
 

Postuar: 18/04/2019 - 16:16

Këtë javë, njerëzit në mbarë botën do të fillojnë festimet e tyre të Pashkëve, duke filluar me