Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Andi Deliana: Lufta e vështirë e korrupsionit, në “Out of Touch”

Postuar: 11/12/2011 - 15:33

“Out of Touch” ishte filmi më i ri shqiptar që u shfaq premierë në edicionin e nëntë të TIFF. Me skenar dhe regji të Andi Delianës, filmi ka në fokus luftën ndaj korrupsionit. Gjithçka në film nis nga një histori tenderi dhe dervion situata në konflikte personale, për të përfunduar në një katrahurë, ku ka një aksident dhe dy vrasje. Në këtë intervistë dhënë për gazetën regjisori Deliana tregon se morali i fabulës, është që korrupsioni është luftë po aq e vështirë të kthesh mbrapsht disa vlera, e cila kërkon kohë për ta kthyer në një mentalitet më të emancipuar, në një shoqëri ku njerëzit respektojnë ligjin dhe janë koshientë për këtë respekt ndaj ekzekutivit apo gjykatave. Në vijim të intervistës, regjisori Deliana shpjegon deri në detaje projektin dhe risitë që sjell ky film në publikun shqiptar.

-Filmi juaj “Out of Touch” u shfaq premierë në edicionin e nëntë të TIFF. Çfarë mund të na thoni për filmin tuaj, i cili këtë herë erdhi në Tiranë?
Filmi ishte jashtë konkurrimit në Festivalin e Filmit në Durrës, dhe desha që të testoja dhe audiencën. Filmi u shfaq tashmë në TIFF, i cili në këtë aktivitet ka mbledhur shumë prodhime filmike nga vendi dhe bota. Më vjen mirë që dhe unë u prezantova në këtë festival, duke qenë mes prodhimeve të tjera kinematografike.
-Çfarë trajton filmi juaj artistik me metrazh të gjatë “Out of  Touch” dhe cilët janë aktorët që e kanë ndërtuar atë?
Në role kryesore janë Gentian Zenelaj, Rozina Kostani, Sonila Kapedani, Xhibani i cili njihet si këngëtar rrepi, Xhevdet Jashari dhe Sefedin Shabani nga Maqedonia etj. Në film është një ngjarje urbane dhe e merr spunton nga një histori tenderi dhe dervion situata në konflikte personale për të përfunduar në një katrahurë, ku ka një aksident, dy vrasje, deri në kthim në pikën e parë ku fillon dhe vetë filmi. Këtu është dëshira për të kthyer pas një vendim, që ka ndodhur nga një institucion qeveritar, por forcat negative të njerëzve që janë individë që kanë jetuar falë një frymë korruptive që është gjithmonë në biznes dhe  janë të luftuar tashmë nga vendimi i qeverisë, ata nisin të luftojnë këtë duke i bërë rezistencë. Përfundimi tregon moralin e fabulës, që korrupsioni është luftë po aq e vështirë të kthesh mbrapsht disa vlera, e cila kërkon kohë për ta kthyer në një mentalitet më të emancipuar, në një shoqëri ku njerëzit respektojnë ligjin dhe janë koshientë për këtë respekt ndaj ekzekutivit apo gjykatave.
-Kur do të jetë premiera në kinema për publikun?
Duke filluar që nesër filmi do të jetë në kinema “Imperial” tek qendra “Kristal”. Filmi do të qëndrojë për aq kohë sa të ketë interes nga publiku shqiptar.
-Çfarë mund të na thoni për financimin e filmit, pasi dihen vështirësitë e prodhimit kinematografik?
Filmi është financuar pjesërisht nga QKK dhe nga fonde private ose të organizmave të tjerë që nuk janë në tregun aktual, por kam ndihmën edhe të dy kompanive produksioni amerikane. Janë njerëz me eksperiencë që kanë punuar me aktorë të njohur në Amerikë. Ata më kanë ndihmuar shumë nga përgatitjet, por dhe në postproduksionin e filmit, siç është montazhi apo dhe marketingu.
-Këtë vit erdhët në TIFF dhe si anëtar jurie, por çfarë mund të na thoni mbi filmat që u shfaqën?
Ka një përpjekje të mirë në festival. Unë mendoj që TIFF ka bërë një përzgjedhje të zgjuar meqë më shumë ka dhe eksperiencën disa vjeçare, për t’ia arritur kësaj pune. Këtë vit kemi prurje të mira dhe kanë qenë shumë interesantë për një audiencë që gjen disa vlera, që paraqiten në ekran. TIFF ka një eksperiencë në traditën e kinemasë. Këtë vit ka qenë shumë i vështirë organizmi i tij dhe më vjen shumë keq për punën e madhe që kanë bërë organizatorët, të cilët kanë dashur të mbajnë lart kualitetin e festivalit. Ata e zhvilluan festivalin në mungesë fondesh, por ia arritën të sjellin një festival me vlera. Unë i përgëzoj dhe është një luftë titanike që të arrish të sjellësh një festival me përmasa të tilla dhe me cilësi, në një vend ku ka kaq shumë probleme.
-Ju nuk jetoni në Shqipëri, por në Amerikë. Çfarë mund të na thoni mbi aktivitetin tuaj atje?
Unë jam diplomuar për kinema (regji filmi) në Montreal, Kanada. Kam punuar si fillim, dikur në Kanada, në disa projekte filmash të shkurtër të xhiruar me celuloid, më së shumti si kameraman. Po ashtu në Kanada xhirova si skenarist, producent dhe regjisor një metrazh të shkurtër eksperiemental të quajtur “La Reception”. Në Amerikë, ku jetoj prej vitesh tashmë, kam punuar në shumë reklama me nivele të ndryshme buxhetesh dhe në prodhime filmash të ndryshëm me pjesëmarrje emrash të njohur në industrinë e filmit. Sidomos ne reklamat me buxhete të mëdha kam pasur fatin të punoj me producentë dhe kameramanë me emër. Një nga emrat më të njohur janë: Tim Maurice Jones, i cili është Drejtori i Fotografisë së regjisorit anglez Guy Ritchie . Kam punuar dhe me supermodele që njihen në nivel botëror. Kam punuar dhe vazhdoj të mbaj lidhje me emra të tjerë të njohur në kinemanë indipenedente të New York.
-Aktiviteti juaj është në Amerikë, por sa keni qenë aktiv me filmat shqiptarë?
Kam punuar, dhe kontakti i parë me filmat shqiptarë ka qenë “Koha e kometës” e regjisorit Fatmir Koçi. Ka qenë një film me njerëz profesionistë. Po ashtu kam pasur rastin të punoj dhe me emra të tjerë në Shqipëri, që janë eksperienca të mira.
-Si regjisor filmi, çfarë mund të na thoni për projektet tuaja në vijim?
Kam një projekt dhe një iniciativë për të bashkëpunuar me një skenar, që ka përballë mafien shqiptare, botën e krimit të Shqipërisë. Projekti ka ngjyrat e veta dhe pëlqehet në të gjithë botën, madje xhirimet mund të jenë një pjesë dhe në Nju Jork.
-Sa jeni në dijeni të kinemasë shqiptare?
Unë mendoj se që para tre viteve ka pasur një përpjekje të mirë për të ngritur nivelin, si dhe sasinë e prodhimtarisë. Rezultati është dhënë dhe këtë e pamë në Festivalin e Berlinit, ku morën pjesë tre filma me temë ose me shqiptarë që kanë marrë çmime. Përmend këtu filmat “Amnistia”, “Falja e Gjakut” dhe “Shqiptari’. Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 4. Total votes: 20