Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kantautori nderuar “Mjeshtër i madh i skenës” tregon se u largua nga skena si këngëtar, për t’ia lënë garën të rinjve

Postuar: 11/12/2011 - 16:03

Kantautori i njohur Luan Zhegu me një eksperiencë 35 vjet në skenën e festivaleve të këngës tregon se në jetën e tij ka qenë e rëndësishme që të prezantohet mirë në skenën e festivalit dhe të bëjë këngë që ti rezistojnë kohës. Në intervistën dhënë për gazetën, kantautori i njohur vjen me një rrëfim mbi jetën e atij artistike, duke veçuar momentet më të bukura dhe ato më të vështira, momente të cilat edhe sot e kësaj dite i ruan në kujtimet e tij artistike.

Jeta e tij artistike në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH nisi që në vitin 1975, për të vijuar edhe në ditët e sotme, një aktivitet që ka sjellë para publikut këngë të cilat janë mirëpritur dhe duartrokitur shumë. Këtë vit Luan Zhegu vjen si krijues me këngën “Të kërkoj”, e cila do të interpretohet nga një këngëtare e re, por që kompozitori tregon se ka një vokal të mirë. Për dekada me radhë në skenën e festivaleve, kantautori Luan Zhegu tregon se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar me pasion dhe me dashuri për këngën. Në vitin 1995 Zhegu u prezantua për herë të fundit si këngëtar, ndërsa tregon se tashmë radhën e kanë të rinjtë. Për kantautorin e njohur Luan Zhegu, skena e festivalit kërkon vetëm interpretim live, ndërsa kënga në playback është vetëm për show. Për emrin e njohur të këngës shqiptare vetëm me live arrin të përcjellësh emocionin me këngën.
-Këtë vit Festivali i Këngës në RTSH këtë vit mbërrin në edicionin e tij të 50-të. Çfarë mund të na thoni këtë herë për pjesëmarrjen tuaj në skenën e festivalit?
Këtë vit ashtu si dhe në vitet e tjera unë vij si krijues. Jam pjesëmarrës i mbi 20 festivaleve të këngës si këngëtar, por si krijues jam shumë më tepër. Këtë vit unë vij me një krijimtari muzikore që i takon baladës. Kënga titullohet “Të kërkoj”, tekstin e ka shkruar Rudina Delia, e cila dhe do ta interpretojë në festival. Është një këngëtare e mirë, e cila ka aktivitet dhe në TOB, ka një zë të ëmbël dhe me një vokal të kënaqshëm. Mendoj se do të prezantohemi mirë në festival. Unë e konsideroj dhe e marr me shumë pasion dhe me shumë impenjim festivalin e fundvitit, dhe kjo nuk ka ndryshuar që në festivalin e 14-të që unë kam filluar të këndoj dhe deri më tani. Në çdo festival që unë kam marrë pjesë nuk kam pretenduar për çmime, pavarësisht se në aktivitetin tim jam nderuar me çmime të para, të dyta, të treta. Për mua ka qenë e rëndësishme që unë të prezantohem mirë në skenën e festivalit dhe të bëj këngë që ti rezistojnë kohës. Kujtoj këtu shprehjen latine që thotë: “Nuk mbetet ajo që fiton, por fiton ajo që mbetet”. Kur mbetet kënga tek publiku, atëherë ke fituar çdo çmim.
-Çfarë kërkon të thotë kënga “Të kërkoj”?
Është një këngë që i këndon dashurisë.
-Këtë vit në 50-vjetor të festivalit do të marrin pjesë emra që kanë vite eksperiencë në festival, por dhe emra të rinj dhe të talentuar. E ndjeni konkurrencën?
Unë kënaqem kur ka dhe emra të rinj që janë të talentuar, sepse ne hyjmë në ring me të njëjtën peshë. Uroj që ne të jemi mirë dhe të na pëlqejë spektatori.
-Festivali i Këngës në RTSH është cilësuar si aktiviteti më i madh i këngës shqiptare dhe ka peshën e tij. Për disa vite festivali nuk pati interpretimin live, si të orkestrës ashtu dhe të këngëtarit. Çfarë solli kjo në vlerat e tij?
Unë nuk mund të them se u zbeh krijimtaria e festivalit. Në ato vite pati shumë këngë të bukura. Po të shikojmë arkivin me këngët e viteve ’90 deri në ’97, kishte një krijimtari artistike në nivele të kënaqshme. Në ato vite kujtoj këngën “Pyes lotin”, një krijim shumë i bukur dhe kishte dhe kompozitorë të tjerë të njohur të cilët sollën një krijimtari të bukur dhe me vlera, që janë pëlqyer nga spektatori. E vetmja gjë që mund të jetë penetruar, është fakti qw mund të ketë pasur këngëtarë që nuk kanë qenë në nivele të këndojnë live dhe më pas koha i ka seleksionuar. Koha e seleksionon atë që nuk është në gjendje të këndojë live. Pra nuk mund të themi se në ato vite u zbeh krijimtaria, përkundrazi kishte këngë me vlera artistike, madje në ato vite kishte një liri. Këtu dua të përmend dhe përshëndes udhëheqësin artistik Zhani Ciko, falë të cilit në ato vite është bërë një punë shumë e mirë në krijimtarinë artistike me këngën. Unë u paraqita me këngën “E doni dashurinë” në vitin 1995, dhe unë më shumë problem kisha sepse nuk isha mësuar të këndoja me playback, pasi isha mësuar të këndoja live. Nga momenti në moment kisha frikë se mos kishte probleme me CD dhe kjo ishte e dëmshme për këngën, unë isha mësuar vetëm me live. Në ato vite me tekstet ka bërë një punë të talentuar Alqi Boshnjaku, dhe ishin me nivel. Në ato vite kemi pasur një larmi fabulash të bukura dhe ishin poetët më të mirë shqiptarë, duke filluar me Gjok Becin, Jorgo Papingjin, Agim Doçi, Arben Duka, Alqi Boshnjaku, etj, emra të cilët shkruanin tekste të mira. Vërejtja ime qëndron vetëm tek këngëtarët, që nuk ishin me nivel si ata të interpretimi live, por koha i seleksionoi.
-Këtë vit, nga organizatorët është pohuar se do të jetë i tëri live festivali?
Më vjen mirë nga kjo. Dua të përgëzoj udhëheqësin artistik të festivalit Shpëtim Saraçin, i cili është një nga emrat e talentuar dhe e ka marrë seriozisht. Unë mendoj se ai do të paraqitet shumë mirë, sepse kam besim tek edukata e tij e punës, sepse ai ka filluar që herët të merret me krijimtarinë muzikore. Ka një bagazh që është për tu admiruar dhe ai ka shumë parametra tepër të realizueshëm për këtë eveniment muzikor. Edhe në stafin që është këtë vit unë kam shumë besim, është regjisor Osman Mula, është Alfred Kaçinari, Edmond Zhulati, drejtori Martin Leka, pa harruar dhe impenjimin dhe punën e drejtorit të RTSH, Petrit Beci.
-Sipas jush, si ka qenë prezantimi i Shqipërisë në “Eurosong” gjatë viteve?
Mua më kanë pëlqyer të gjithë këngët që kanë shkuar në skenën e Festivalit Europian të Këngës, pavarësisht që dihet se çfarë ndodh në festival. Shqipëria është paraqitur gjithmonë me dinjitet. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, se mendimi im është që nga tre këngët që janë të renditura në festival, mes tyre të zgjidhet ajo që duhet të shkojë në “Eurosong”, dhe jo të jetë domosdoshmërish këngë që merr çmimin e parë, por ajo të zgjidhte me këtyre të trejave. Kjo mund të bëhet me një votim tjetër. Pjesëmarrja e Shqipërisë për në “Eurosong” mund të avancojë dhe tek festivalet e tjera që zhvillohen, pasi dhe ato kanë krijimtari të mirë artistike, por meqë ka eskluzivitetin RTSH nuk mendoj se duhet ti hyjnë në hise, por të shikohet mënyra e votimit duke kaluar pak kohë nga prezantimi i këngëve.
-Më parë kanë qenë dhe juritë e rretheve, si i kanë parë këto votime?
Në këto juri bënin pjesë profesionistë dhe ashtu si ishte juria e Tiranës ishte dhe ajo e Shkodrës apo e Gjirokastrës, apo dhe juri të tjera. Emra ishin profesionistë që dëgjonin festivalin dhe jepnin dhe ata mendimin për këngën.
-Jeni për një interpretim live apo playback në skenën e festivaleve?
Për mua këngëtari duhet të jetë vetëm live, për mua vetëm një videoklip mund ta pranojë këngëtarin playback, ose mund të jetë një program televiziv që është show, por festivali duhet të jetë vetëm live. Më vjen mirë që sot ka festivale që janë kthyer live dhe ka më tepër emocion një interpretim i tillë.  Festivali nuk kërkon këngë që janë në kompjuter, por një interpretim dinjitoz dhe duhet të jetë drejtpërdrejt në skenë, live.
-Në këngën shqiptare sot janë futur dhe rryma të reja, ju si i keni parë këto tendenca muzikore?
Në festival ka një ndryshim të madh në krijimtari, sepse është përzgjedhja nga profesionistët dhe përgjegjësinë e mbajnë ata që merren me këtë. Në tregun muzikor sot ka shumë gjëra që lenë për të dëshiruar. Shikoj një reminishencë të disa këngëve tona me të huaja dhe kjo është për të ardhur keq, sepse jo vetëm prishet shija muzikore e publikut, por ngadalë humbet identiteti i këngës shqiptare. Ne duhet ti referohemi baballarëve të muzikës së lehtë shqiptare, që të ndjekim dhe ne rrugën e tyre, sepse kështu do të ketë ecuri krijimtaria muzikore brez pas brezi dhe në këtë mënyrë krijon dhe identitetin e këngës shqiptare. Nëse do ti referohesh brezave, unë kam pasur se çfarë të mësoj nga Çesk Zadeja, Avni Mula, Agim Prodani, Tish Daija, Agim Krajka, Feim Ibrahimi dhe kompozitorë të tjerë që kanë lëvruar këngën e lehtë shqiptare. Më pas erdhën brezat me Kujtim Laron, Hajg Zaharjan, Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçin, Osman Mula, Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali etj, që ditën se çfarë të marrin nga brezat më parë. Edhe brezat e rinj që vijnë nëse nuk i referohen brezave, rrugës që ata u bazuan tek bulëzat dhe perlat e muzikës popullore shqiptare nuk do të sjellin krijimtari të pasur artistike, dhe nëse ata do ti referohen kësaj atëherë gjithmonë do të ketë vazhdimësi kënga shqiptare, do të ketë identitetin e saj që në të gjithë botën të jetë origjinale shqiptare. 
-Për herë të parë morwt pjesw si këngëtar në vitin 1975 në skenën e Festivalit të 14 në RTSH. Si e kujtoni atë kohë?
Interpretova këngën e Shaqir Kodrës  me titull “Shokët” me tekst të Betim Muçës dhe orkestruar nga Gjon Simoni. Ishte një nga këngët më të bukura të festivalit. Kënga në ato vite këndohej me dy variante dhe ajo këndohej nga dy këngëtarë. Unë kisha fatin e madh që një variant të saj e këndoi e madhja Vaçe Zela dhe ne u nderuam me çmimin e dytë, unë në atë vit isha 25 vjeç.
-Më pas si vijoi jeta juaj artistike, pasi ju u vlerësuat me shumë çmime?
Vijoi mirë dhe unë më pas u paraqita me këngën e Agim Krajkës “Këngët  e rinisë”, që dhe sot e kësaj dite është hit, për t’ia lënë vendin këngëve të tjera, të cilat më kanë dhuruar shumë momente emocionuese.
-Deri në vitin 1995 ju keni kënduar në skenën e festivalit, për t’ia lënë vendin vetëm kompozimit. Pse u larguat nga skena si këngëtar?
Nuk e them që më kanë lënë forcat, sepse unë këndoj dhe tani në evenimente të ndryshme, por garën mendoj se duhet t’ia lësh dhe të rinjve. Ata vijnë me një performim tjetër. Mendova që ta lë sallën plot dhe kënga e fundit që kam kënduar në festival ka qenë “E doni dashurinë” dhe spektatori e mirëpriti shumë. Kjo ka qenë arsyeja që unë u largova, që rradhën t’ia lija brezit të ri.
-Në krijimtarinë tuaj artistike një vend të rëndësishëm zënë dhe kompozimet, çfarë mund të na thoni rreth tyre, kush ka lënë mbresa tek publiku?
Këtu ka vend për t’u përmendur këngët e mia që kanë lënë mbresa tek publiku si “Do dal malit”, “Mësuesit tim të parë”, “Nusja e Lirisë”, “Vajza dhe Deti”, “Dashuria”, “Jeta s’është lodër”, “Lozonjarja”, “Mirësia dhe e vërteta”, “Vajzë, moj, lule, moj”, “Pse kënduam Letit Be”, “Twist Again”, “Fal”, “San Valentino”, “Simfonia e Nënës”, “S’e fal rininë”, “E dua stinën e pranverës”, dhe shumë e shumë këngë të tjera që është e pamundur të përmenden.
-Ndërkohë, po interpretimet në skenë?
Për sa i përket interpretimeve, ka shumë që kanë lënë mbresë, por po përmend disa: “Shokët”, “Babain tënd e kisha shok”, “Këngët e rinisë”, “Më dhe dritë nga syri jot”, “Alo Alo”, “Bashkë me fëmijët”, “Kur ishim të vegjël”, “Si zogjtë me cicërima”, “Kur jemi bashkë  të dy”, “E bukur vjen pranvera”, “E doni dashurinë”, e shumë e shumë të tjera që kanë bërë epokë në vitet ‘70, ‘80, ‘90 dhe 2000.
-Si këngëtar nga 1975 deri më 1995, cili ka qenë momenti më i bukur në aktivitetin tuaj artistik?
Ka shumë momente të tilla në jetën time artistike me këngën.
-Pse vijon akoma nostalgjia e këngëve para viteve ’90?
Këngët që kanë qenë në ato vite pëlqehen akoma nga publiku sepse nuk mund të mohohet rinia. Ishte sistemi në ato vite, por unë çdo gjë e kam bërë me një pasion të paparë dhe primare kisha anën shpirtërore në muzikë se sa anën financiare. Ne çdo gjë e bënim vetëm nga pasioni. Unë me këngët e mia i kam kënduar dashurisë, pranverës, nënës.
-Po sot, çfarë mendoni për tekstet e këngëve?
Ka dhe sot tekste që janë të bukura, por këngët janë me rryma dhe nuk mund të paragjykoj tekstet, sepse janë të ndara në kategori këngët sipas rrymave muzikore.
-Moment të vështirë në karrierën tuaj artistike?
Momente të vështira ka pasur. Në ato vite ishin dhe Koncertet e Pranverës dhe Dekadat e Majit. Në çdo aktivitet jam prezantuar me këngë të mira, por ekzistonte frika se çfarë do të thonë pas festivalit. Jam ndjerë keq në vitin 1978, unë pata bërë një këngë për Margarita Tutulanin në Dekadat e Majit. Kënga titullohej “Nusja e lirisë” me një tekst të Sulejman Matos, orkestruar nga Alqi Kareco dhe e kënduar nga Vaçe Zela, e cila e këndoi shumë mirë. Në atë kohë një nga anëtarët e byrosë politike nuk e pëlqeu këngën, sepse i ishte bërë një përshkrim fizik heroinës, teksti thoshte: “Ç’mu kujtove sonte motra Margaritë, me fustan të grisur si dritë e lirisë”. Pse ishte në tekst fustani i grisur, foli gazeta, kënga u këndua, por u hoq nga interpretimi, nuk u transmetua më.
-A keni pengje në jetën artistike?
Pengje kam. Kam dashur të merrja pjesë në Festivalin Europian të këngës.
-Jeni nderuar me titullin “Mjeshtër i madh i skenës”, por si nisi udha juaj drejt krijimtarisë muzikore?
Fillesat drejt rrugës së artit janë rreth viteve 1957, në Pallatin e Pionierëve dhe më vonë në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Kam filluar të këndoj që i vogël, çdo këngë që dëgjoja në radio mundohesha t’a këndoja vetë. Këtë gjë e vuri në dukje motra ime, që ishte më e madhe se unë. Në skenë kam kënduar për herë të parë në moshën 12-vjeçare dhe jam duartrokitur nga spektatori. Atëherë kam provuar emocionet e para të skenës që më dukej gjigante dhe unë isha tepër i ndrojtur para madhështisë së saj. Magjia e publikut ishte e panjohur për mua dhe filloi të njihet nga unë me kalimin e viteve. Sa shumë emocion ke kur del para publikut, por sapo fillon të interpretosh, fillon magjia. Emocioni kthehet në një forcë të brendshme shpërthyese interpretuese, duke ja përcjellë të gjitha vlerat që përmban kënga, si vijën melodike, fabulën dhe interpretimin, publikut të dashur që të mirëpret. Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 4. Total votes: 9