Postuar: 11/12/2011 - 16:07
Poeti Agim Doçi, i njohur për suksesin e tij në disa edicione të festivaleve të muzikës së lehtë shqiptare, vjen për herë të parë në një rrëfim mbi dashurinë. Poeti i cili ka shkruar me qindra këngë për dashurinë, megjithatë vargjet më të bukura sipas tij janë në poezitë “Mbretëri pa mbret” dhe “Sa mirë më vjen”. Duke rrëfyer për ndjenjën e cila i jep lumturi dhe mund ti shkaktojë dhimbje kujtdo, poeti i njohur tregon se nuk mund të kridhen në ujërat e dashurisë ata që nuk dinë të notojnë,
sepse duhet të dish të dashurosh. Në intervistën dhënë për gazetën, poeti Agim Doçi flet për shumë aspekte të jetës duke theksuar se dashuria është ajo që i jep kuptim çdo gjëje. Për poetin dashuria është e shenjtë, por meqenëse është e vetmja ndjenjë që sheh përtej horizontit, qorrave u duket e verbër. Poeti Agim Doçi sot është një nga emrat më të njohur në këngët shqiptare, pasi me tekstet që ai shkruan sjell gjithmonë dhe më shumë dashurinë dhe gëzimin për jetën. I vlerësuar dhe i mirëpritur me krijimtarinë e tij ndër vite, edhe sot poeti Agim Doçi vijon të sjellë vargje të cilat të shoqëruara dhe me tingujt muzikorë bëhen këngët më të preferuarat për publikun. Poeti tregon se shkruan për dashurinë, pasi fund të fundit nuk ekziston ndjenjë tjetër më superiore sesa dashuria. Intervista me poetin e njohur vjen vetëm disa javë para festivalit të Këngës në RTSH. Edhe këtë vit është pjesëmarrës në edicionin e 50-të të festivalit në RTSH, ku poeti i njohur vjen me tre bashkëpunime në këngë. Poeti Agim Doçi e vlerëson këtë aktivitet muzikor, ku sipas tij përballen vlerat e këngës së lehtë shqiptare.
-Bini lehtë në dashuri?
Nuk jam në gjendje të dalloj mrekullinë që ndodh me mua kur shoh një krijesë të bukur, me magjinë që ka të rënurit në dashuri. Megjithatë të biesh në dashuri nuk është e lehtë. Sepse dashuria nuk është greminë. Dashuria është det, është oqean, pra nuk mund të biesh në det, në oqean, aha mund të zhytesh ose mund të mbytesh në ujërat e mëdha e me dallgë të detit të dashurisë, lëre më kur ajo bëhet oqean! Por nuk besoj që të kridhen në ato ujëra njerëzit që nuk dinë not! Duhet të dish që të dashurosh.
-Ç’ndodh me ju kur bini në dashuri?
Në veçanti ndjenja e dashurisë të bën tjetër njeri, por meqenëse ju pyesni duke vënë foljen “bini” kam të drejtë të them që kur “bihet në dashuri” them se bihet në hundë e buzë!
-A është e mundur që një dashuri të zgjasë përjetësisht?
Varet nga lloji i dashurisë, ajo për nënën për fëmijën po, është e përjetshme. Nëse e keni fjalën për dashurinë që vendos marrëdhëniet femër mashkull, shpesh ngatërrohen detyrimet për njeri tjetrin, detyrimet që të imponon opinioni dhe për pasojë çiftet me vjetërsi në dashuri fillojnë alibitë, fillojnë e luajnë teatro, fillojnë të frigohen nga ftohja që i kërcënon. Megjithëse ne shqiptarët nuk kemi përvojë pozitive në dashuri, se ahere do ishim kampionë të qëndresës dhe mbijetesës së gjatë në dashuri. Ne jemi popull seksual, pra na pëlqen shumë seksi, sepse ka qenë gjatë mollë e ndaluar. Europa është treguar e mençur, për të marrë vesh vlerat e familjes ka shpikur Shtëpitë publike. Ne shqiptarët jemi të vetmit që jemi edukuar të mendojmë ndryshe dhe të veprojmë ndryshe. Europianët nuk kanë frikë që të deklarojnë: - nuk të dashuroj më!, ndërsa ne jemi tuca, kemi frikë, nuk kemi kurajo, sepse nuk kemi civilizimim dhe tolerancën e duhur për të kuptuar që kaq ishte, kaq funksionoj! Hajt tani shko në punën tande!
-Cilat janë shenjat e një dashurie të vërtetë sipas jush?
Nuk të shijon asgjë pa praninë e asaj apo të atij që dashuron. Kur mungon dashuria rron kot! Ha kot, dhe shkurt bën sikur jeton!
-Çfarë është në gjendje të bëjë një burrë i dashuruar për dashurinë e tij?
Varet se nga është burri. Është qytetar apo fshatar.
-Thonë se dashuria është e verbër nuk zgjedh. Mendimi juaj?
Dashuria është e shenjtë por meqenëse është e vetmja ndjenjë që sheh përtej horizontit, qorrave u duket e verbër.
-A ndodh që mashkullit i mungon kurajo për të shprehur i pari dashurinë ndaj dikujt madje edhe vetes së vet!?
Ka meshkuj që nuk i lë hunda, pra nuk e ulin hundën për të deklaruar i pari dashurinë. Megjithatë meshkujt shqiptarë për të treguar se janë “trima” e thonë të parët edhe të dua dhe përsëri mbesin të parët kur ikin nga dashuria!
-A ka kuptim poeti pa dashuri?
Do të thosha që dashuria është poezi dhe nuk mund ta kuptoj asnjë dashuri pa poetin brenda.
-Katër vargjet më të bukura që i ke thurur dashurisë?!
Mund të shkruaj katër vargjet më të bukura që i kam shkruar dashnores, se katër vargje për dashurinë janë pak, shumë pak për dashurinë që në fund të fundit nuk ekziston ndjenjë tjetër më superiore sesa dashuria. Pastaj unë kam shkruar qindra këngë për dashurinë, megjithatë vargjet më të bukura janë në poezitë “Mbret pa mbret” dhe “Sa mirë më vjen”.
Vargjet më të bukura për dashurinë
Mbretëri pa mbret
Kjo Mbretëri e Shenjtëruar
Që në çdo zemër e ka një Fron.
Në shpirtin tim të dashuruar
Ka ndenjur zgjuar dhe ngrohtë gjithmonë.
Nuk ka nën qiell dhe mbi tokë
Që konkurron me dashurinë!!.
Kur dashuron sundon një Botë!
Se ke me vehte dhe Perëndinë.
Të dashurosh, tek unë do të thotë
Që je njeri me shpirt trazuar
Që digjesh mall, bile derdh lotë
Në zjarr të saj të përvëluar...
Të dashurosh merr kuptim jeta
Të duken njerëzit të gjithë të mirë!
Tek dashuria përherë unë gjeta
Një dritë më shumë në errësirë.
Të dashurosh me shpirt e zemër
Do thotë që dhimbjen ta pranosh.
Se dashuria vjen si një ëndërr
Pa dashuri është jeta bosh!
Sa mirë më vjen!
Në jetë askurr se kam menduar
cili motiv të jep më shpresë.
As vehten time se kam gjykuar.
se fundi i fundit diçka do mbesë...
Do mbesë një puthje në mes të ditës
a mbas mesnate një përqafim...
nuk ka rëndsi se shumë prej frikës
kanë humbur vehten dhe dashurin...
dhe janë përpjekur në jetë të jetës
të ulen prap në Fron të saj
i kanë bërë bisht dhe së vërtetës
me klithma boshe, me lot dhe vaj
por vjen një ditë dhe shkrepet qielli
me një rrufe që përcëllon
kur dashuria më fort se dielli
të ngroh, të shkrin... kur dashuron.
Dhe befas ndjehesh që ke ndryshuar
bëhesh i ëmbël, bile poet.
Se çdo njeri i dashuruar
ka poezinë "armën" e vet.
Nga t'ia filloj më parë më thoni?
Nga përqafimet që të tundojnë!?
Mjafton që ju të dashuroni
se pastaj çastet nuk të mjaftojnë...
Të duket dita e shkurtë, një çast
Të duket nata një mbretëri...
Kur vjen mëngjesi zgjohesh plot gas
se mbrëmë ke bërë shumë dashuri.
Pastaj takon njerëz të njohur
që rrinë e shohin si të hutuar
lexojnë në sy që je i lodhur
me vehte thonë: - "është dashuruar!..."
Eh, punë e madhe se çfarë thotë Bota
qoftë dhe mendimi krejt kolektiv!
Për dashurinë vetëm do thosha
Ta shijosh jetën! - ky është motiv! Intervistoi: Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/