Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Libri i Fevziut për Enver Hoxhën, asnjë material me vulën e Arkivit të Shtetit

Postuar: 17/12/2011 - 21:24

Nga Dr. Vasfi Baruti Apogjeu politik i Enver Hoxhës: Për herë të parë Enver Hoxha u zgjodh me votën e delegatëve në krye të Partisë në nëntor 1948 dhe, nga Konferenca e Labinotit (mars ’43) deri në Kongresin e Parë Enveri ishte në detyrë paralele (sekretar politik) me Koçi Xoxen (sekretar organizativ) dhe u lutej Miladin-Mugoshës që detyrën e tij ta merrte Xoxe sepse vetë ndihej i paaftë për atë detyrë.“Enver Hoxha. E para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën”. Me autor gazetarin Blendi Fevziun dhe e promovuar bujshëm në ditët e panairit e në vazhdim. Me guxim intelektual e punë pasionante që dhe t’a mendosh shokohesh që e shkruan për tre muaj! Autori u jep shqiptarëve një libër me interes për të njohur diktatorin, egërsinë e ligësitë e tij, dhe për nga formati, struktura, faktologjia, burimet arkivore, biografia është gjetje e menduar.

Biografia here-herë me konfuzion faktesh, me të pavërteta e kontradiktore, me lajthitje të mëdha historike, aqsa Enveri (nga padia) ngrihet në piedestalin më të lartë të Luftës! E pabesueshme por e vërtetë! Edhe me plot panagjerike e reklama: dihet se “reklama është melodia e zanatit” por që ajo shkon shumë përtej cakut të të qenit reklamë saqë kthehet në trakt me deklaratën: “Historianët s’kanë asnjë vërejtje për biografinë”(!) dhe s’kuptohet apo bëhet gjasme për heshtjen e historianëve, dhe e keqja më e vogël e heshtjes është “votë” abstenim! Amá çdo gjë që shndrit jo domosdoshmërisht është gjë e artë. Dhe motivohem të sjell ca shënime, nga leximi i parë…Marrëdhëniet midis autorëve dhe botuesve rregullohen me ligj: E Drejta e autorit, e cila domosdoshmërisht kërkon që botuesi për çdo botim të ketë dy deri tre reçenzentë (oponentë), redaktorin e korrektorin letrar, dhe të gjithë të shënohen në faqen e dytë të librit e të marrin e mbajnë përgjegjësi, por biografisë i mungojnë oponentët e nëse do t’i kishte atëherë biografia do të shpëtonte nga lajthitje historike e mungesa të tjera që prekin e cënojnë rëndë të vërtetën për diktatorin.Libri është Biografi, siç shihet në kopertinë, apo është edhe Ese, siç lexohet në faqen e parë të biografisë?! Zhanri Biografi ka kritere të forta shkencore, ku fjala e mendimi kanë peshë, hedhin rrënjë dhe biografia e diktatorit shpesh është larg së qeni mirëfilli biografi; Edhe ese s’mundet, një zhanër i pamundur për biografi personalitetesh, aq më shumë për diktatorë, porqë nga fillimi e fundi biografia ka ca paragrafe a faqe me ngjyrime eseiste. Dhe bëhet e vështirë përgjigja për pyetjen: Biografia për diktatorin mund të jetë njëherësh edhe biografi dhe ese, si pretendohet!? Më afër së “vërtetës”: Biografi gazetareske- një “zhanër” që është vetëm se shpikje shqiptarçe! E ç’e keqe vjen të jetë: një libër për diktatorin!Biografia për diktatorin Enver H. është e para biografi, siç lexohet në kopertinë dhe e vërteta është se biografia s’është e para por e pesta, në 40 vjetshin e jetës ka tre biografi e një e katërt botohej një vit pas vdekërimit të diktatorit. Të katër biografitë kanë vlera referimi, por i referohem biografisë së parë, që s’gjendet në fondet e Bibliotekës Kombëtare dhe e shumëkërkuara biografi mbetej rastësisht në tregun e rrugës, saqë nga kureshtja intelektuale m’u duk se gjeta gotën e Gralit. Dhe veç të tjerash, biografia e parë ka një tregues shumë të vlerë: atë që Enver H. me dorën e vet për herë të parë shkroi biografinë e tij ku shndrit kulti e miti i tij, që u dha jetë në vitet që erdhën më pas. Për biografinë e parë të Enver H. mbeti dhe një dëshmi arkivore mjaft me vlerë e byroistit Pandi Kristo: “Një ditë [Koci X.] e gjeta duke lexuar… biografinë e komandantit [Enver H.] dhe më tha nëse e ka parë Byroja këtë gjë [biografinë] se ky është një akt me rëndësi të madhe se është dokument dhe se kishte gjëra që i përkisnin vetëm një njeriu.” dhe Xoxes habia i vinte pas një qëndrese dy mujore në Moskë dhe shihet qartë xhelozia e tij për komandantin që i botohej biografia, por më i rëndësishëm është fakti se sekretari organizativ i KQ të PKSH Koci X. s’kishte asnjë dije për biografinë e botuar të Enver H. dhe që domosdoshmërisht duhet të kishte vendim të Byrosë Politike për botimin e biografisë. Kush e shkruan biografinë dhe i aftë për këtë punë ishte vetëm Nako S., por biografia s’ka asnjë shenjë të stilit të tij shumë të njohur dhe autorësia i mbetet vetëm se Enver H. e Nexhmije H., bashkëshortet e diktatorëve gjithnjë kanë dorë në biografitë e tyre.“Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, për Enver Hoxhën janë shënuar 5 ditëlindje të ndryshme. […] Por këto të dhëna […] janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.” [f. 21] Pesë ditëlindjet e diktatorit (që autori i këtyre faqeve i ka zbuluar e botuara vite më pare në Standard) as për një njeri fare të rëndomtë e jo më për një kryeministër s’mund të mendohen e justifikohen si “produkt i kaosit” të vendit atëherë! Enver H. ndryshon ditën që nëna e lindi dhe baba e regjistroi në Bashkinë e Gjirokastrës, një ditëlindje monstër me penallti diktatori. Në regjistrin e Bashkisë së Gjirokastrës Enver H. mban ditëlindjen 22 maj 1908, por më 2 tetor 1947 (në faqet e shtypit) dhe në gazetën Bashkimi të 16 tetorit zyrtarizohet ditëlindja e komandantit: 16 tetor! Katër ditëlindjet e para shpjegohen me nivelin kulturalisht të ulët të të riut Enver H., i pushtuar nga mentalitete për ndodhi pozitive a negative të rastësishme, kurse muaji tetor i lindjes është me ngjyrosje të fortë politike: Për 800 vjetorin e themelimit të Moskës, një artikull i gjatë i Enver H. mbush tre faqe të gazetës Pravda dhe shihet sa shumë i dehur është ai nga flladi i Revolucionit (asfare s’ishte revolucion) të Tetorit dhe s’ka më të pështirë e neveritëse kur sheh komandantin të zvarritet para Moskës e baba Stalinit, të heqë zvarrë dëshmorët, gjithë shqiptarët që e “kanë” në shpirt Moskën e Tetorin e madh, një marrëzi jashtë të zakonshmes! Ndërsa tetorin e lindjes Enver H. e përfton nga Revolucioni, s’dihet gjetja prej tij e datës 16, që mund të jetë krijesë numeralogjike a ditëlindja e ndonjë nga gjeneralët e shquar që ndërmendtte ai. Enveri është i ngjashëm me Stalinin, i cili ndryshoi ditëlindje e vitlindjen e vërtetë; Enveri është pak i ngjashëm me Tito-n, i cili për emër mbajti pseudonimin Tito dhe kishte gjashtë ditëlindje, por me vendim të shokëve të luftës mbajti ditëlindje jo të vërtetë; Edhe Migjeni me katër ditëlindje: dy të shtetit shqiptar (pasaporta e certifikata), një nga shteti italian (nga spitali ku kurohej) dhe një nga dokumenti shkollor serbokroatisht, por shkodranët e mençur bënë Gjyqin e Paqit, i cili vendosi ditëlindjen e vërtetë, atë të 30 shtatorit; E për analogji do të ishte punë e paqme që edhe Bashkia e Gjirokastrës të bëjë një gjyq formal (dokumenti origjinal është në Bashki) për të vendosur të vërtetën e ditëlindjes së Enver H.! Ndoshta në biografi mund të kishte nja dy radhë për origjinën e familjes Hoxha që të parët e saj para dy-tre shekuj vijnë nga Dropulli dhe në shek. XIV janë me status katolik me mbiemrin Kola, dhe që më vonë myslimanizohen e i përkisnin sektit Bektashi, sekti më liberal i fesë Islame.Biografia e diktatorit ka vetëm shtatë dokumente arkivore të reja, të panjohura më parë, të vendosura si apendis në fund të librit, në faqet 363 dhe 365, dhe pesë prej tyre (të faqes 363) janë me shkrim dore e trajtohen si të E. H. por u mungon “vula” Copy e AQSH e cila saktëson se dokumentet janë njësh me origjinalin e Arkivit, përndryshe kur mungon Copy vihet në dyshim autenticiteti i dokumentit, dhe në ribotim pritet që këto dokumente të mbajnë siglën e Arkivit.“Sabiha Kasimati tallej shpesh me Enver Hoxhën, edhe pse ishte nga Gjirokastra …” [f.28] Profesor Vedat Kokona në krijimtarinë e tij të fundit rrëfen të vërtetën e hidhtë që është më shumë se tallje e Sabihasë. Në lice bëhej mbrëmje vallëzimi dhe Enveri vallëzon me Sabiha Kasimati, porqë ngacmon e s’ishte ndonjë mëkat, por Sabiha e sëmbuar keq në dinjitetin e saj gjeti momentin kur të gjithë ishin ulur e iu drejtua: “More Enver, gomar ke qenë dhe gomar mbete”; dhe kjo është arsyeja e vërtetë pse Sabiha e shkolluar në perëndim, shkencëtare e parë femër e pa asnjë angazhim në politikë arrestohet për “incidentin” e bombës në Ambasadën Sovjetike e që s’kishte asnjë lidhje me të dhe pushkatohet pa gjyq dhe hedhur bashkë me 22 të pushkatuar në një varr të përbashkët që zbulohet pas katër dhjetëvjeçarë.“Enver Hoxha ishte nxënës mesatar, mirëpo arriti të fitojë një bursë studimi nga Mbretëria Shqiptare” dhe për këtë “Hoxha gëzonte ndihmën e Eqerem Libohovës, Ministër i Jashtëm i Mbretërisë.” [f..31-32] Por zbulohet se ka edhe një pohim të vetë Enver Hoxhës në biografinë e tij të parë të viteve të para të çlirimit: “Të drejtën e studimit për në Francë e fitova me ndihmën e profesorëve të Liceut.” E drejta e bursës së Enverit për në Francë ka dy komponentë: I pari, është afirmimi në meritë të bursës që duhet të jepet nga drejtoria e Liceut e dihet se Liceu i Korçës ishte shkolla më me emër e shquhej për përgatitjen e nxënësve elitë dhe nxënësit që do të arsimoheshin në Francë me bursë zgjidhen nga nxënësit elitë të Liceut, dhe këtu shtrohet pyetja serioze: Cila ishte ajo arsye e fortë që drejtoria e Liceut shkel parimet e veta të shenjta për edukimin e nxënësve me të drejtën e meritës dhe Enverit me përparim nën mesatar i bën karakteristikë e vendim që të legjitimojë studimin e tij në Francë?! Kjo është vërtet çështja dhe këtu ngulet fort gozhda e arsyes! Për këtë është kërkuar shumë në Arkiv, por dokumentet “bënë këmbë” e s’janë gjetur. S’mund të mos hiqet një paralele me Mehmet Shehun që akuzohej agjent amerikan nga Enveri meqë kish mbaruar [shkëlqyeshëm] Shkollën e Fulcit; andaj me logjikën e Enverit kemi të drejtë të mendojmë se edhe Enveri ishte agjent i Francës (vërtet pse jo!), aq më shumë Liceu i dha dhe të drejtën të vazhdojë studimet atje. Nga vendet perëndimore vetëm me Francën Enveri mbajti marrëdhënie mjaft të mira e s’pati kurrë incidente diplomatike. Edhe Ministria e Arsimit e ministri Ivanaj (i burgosur nga Enveri vdiq në burg) i shkelën kriteret: diplomimi shkëlqyer e kryerja e ushtrisë, e asnjë prej tyre s’plotësonte Enveri! Në faqe të tëra të biografisë rreket të sillen fakte për qenien e Enverit komunist, anëtar a militant i PK Franceze a artikujshkrues në L’ Humanite, madje edhe deri tek orientimi i hapur seksual me prirjen gay të Enverit. Atij informacioni, që jepet në biografi, në libra politikë e më shumë nga albanologë perëndimorë për orientimin komunist e militantizmin e Enverit në gjirin e PKF, më në fund papritur i vihet pika nga vetë Nexhmije Hoxha në një intervistë mediatike dhe që s’le më vend për diskutim: “Enveri nuk ka qenë anëtar i partisë as në Shqipëri dhe as në Francë, sepse në Shqipëri nuk kishte ende parti …” Enveri në biografinë e tij, të fillimit të nëntorit për zgjedhjet e dhjetorit ’45 shkruan se në Francë botonte artikuj me pseudonimin Lulo Malësori dhe, aq e vërtetë është kjo sa të besosh se Lulo Malësori (Enver H.) polemizon me Çajupin, i cili e shante dhe e akuzonte atë (Lulo Malësorin) se i kishte rrëmbyer Virgjinin e tij të dashur e që s’rreshti së shkruari tërë jetën me mall e dashuri për gruan e tij të parë; por edhe nxënësit e klasës së nëntë të shkollës nëntëvjeçare sot e dinë se Lulo Malësori është Milo Duçi, shkrimtar i njohur dhe bashkëkohës me Enver H. në Montpelie.“… në kohën që ai [Enveri] ishte sekretar [privat, v.b] i Konsullit të Nderit [në Belgjikë] u vodh arka e konsullatës dhe ky qe shkaku kryesor e zyrtar i shkarkimit të tij. … Thoshin se ky [Enveri] e vodhi për vete, por kjo mbeti një enigmë.” [f. 45] Biografia s’duron enigma, megjithatë t’a shohim enigmën nga një kah tjetër e më nga afër. Profesori Enver kur ishte në Lice paraqiste në drejtori kërkesa për pagesë për orë të pabëra, siç shihet në dokumente arkivore dhe drejtori i Liceut bën shënime të forta për këtë cen mashtrues të profesorit. Një letër nga Tarasi drejtuar Hysenit (Gogo Nushi) në Qarkorin e Tiranës ku i shkruan edhe: “Jepi Delegates (Nexhmije Xh.) 105.000 njëqind e pesë mijë franga shqiptare dhe vihini për llogari të sheqerit. Valbona”; dhe shuma e frangave shqiptare sipas përllogaritjeve është 2600 (dy mijë e gjashtë qind) napolona flori, kur një deputet i kombit merrte 37 napolona flori në muaj dhe as është ky një shpërblim i majmë për Delegaten Xhuglini! Kurse llogaria e sheqerit është edhe më interesante, dhe siç i shkruante Nako S. Tarasit kishin kapur 800 (tetë qind) kuntal sheqer…, por në dokumentet e financës së partisë të vitit ’45 s’gjeta asnjë dokument justifikimi për ç’ka merrte Delegati apo për 100.000 napolonat e floririt nga shitja e sheqerit të kapur nga Partia në Bankën e Durrësit!“Në Shqipëri qarkulloi për shumë vite nën zë komenti ose mërmërima se Enver Hoxha në të ritë e tij kishte qenë gay. …Nuk është çudi që, më shumë se një anë e jetës së tij, kjo të ketë qenë një etiketë që i mbeti nga frekuentimi i rretheve të Lucien Vogel-it në Paris në mes të viteve ’30, rrethe në të cilat ndikimi i gay-ve ishte shumë i fortë…” [f.42-44] Biografi e thotë prerë se s’gjeti ndonjë fakt për t’i vënë diktatorit emrin gay! Në kërkim të orientimit të hapur seksual, që merr edhe meritë ngase theu një tabu të fortë shqiptare, vijnë argumente autoritare të pamohueshme (që po zbardhen) se diktatorin në vite të luftës e kishin dylber të tyre, madje jepen skena erotike që shkojnë përtej fantazisë.“Në muajt e parë të pushtimit [fashist], ndryshe nga sa rrëfen në kujtimet e veta në librin “Kur lindi Partia”, Hoxha nuk ishte aktiv… as në rezistencën antiitaliane në përgjithësi.”[f. 54-55] Ka dokumente arkivore fashiste për organizimin e demonstratës së fortë antifashiste ditën e 28 nëntorit ’39, organizuar nga profesorë të Liceut të Korçës, me organizatorë profesorët Selman Riza e Abaz Ermenji, aktivë dhe profesorët Masar Shehu, Vedat Kokona, Loni Kristo dhe studentët Pëllumb Dëshnica, Dhimitër Lamani, Eleni Panduku, Nurije Shehu, e në rendin e parë të denoncimit fashist lexohet emri i Enver Hoxhës. Ndërsa për të gjithë pjesëmarrësit e shumtë në demonstratë ka një proces hetimor fashist, konstatohet se emri i Enver H. s’lexohet kund në procesin e hetimit, apo dokumenti është fshehur nga policia e fshehtë fashiste, ose zhdukej nga organet e censurës komuniste. Si rrjedhojë e pjesëmarrjes në demonstratë profesor Selman Riza, Abaz Ermenji etj. transferohen e më pas pushohen e internohen në ishulli e vdekjes Ventotene të Italisë kurse Enver H. nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, dhe ka një dokument përmbledhës në Arkiv ku konstatohet se Enver H. në dhjetor ’39 shkon për disa muaj në Itali, por dosja e plotë me vizën e dokumente të tjera pritet në shiritin e mikrofilmit me shënimin “merret në Komitetin Qendror” dhe shtrohet pyetja: A mundet që Ministria e Brendshme fashiste t’i japë vizë për në Itali Enver H., pjesëmarrës në demonstratën e 28 nëntorit dhe s’mund të mendohet një përgjigje pozitive! Në nëntor Enveri transferohej në Liceun e Gjirokastrës nga efekti i një kurthi të ngritur mjeshtërisht (provë homoseksualiteti) nga disa profesorë “ortodoksë” korçarë (tetor-nëntor), por as Liceu i Gjirokastrës nuk e pranoi me motivin se “s’ndjehet nevoja për të”, kurse në botimet historike e politike të kohës, në librat e Enverit e në botime të sotme shkruhet se Enveri pushohej nga puna se “është element kundër regjimit fashist.”! Edhe një argument-provë më shumë: Enveri i kërkon drejtorisë së Liceut pagesë për orë të pabëra, e cila i drejtohej Ministrisë së Arsimit dhe çuditërisht urdhëri për shpërblimin e Enver H. Ministrisë së Arsimit i vjen nga Ministri i Brendshëm fashist! Dhe çfarë argumenti më shumë duhet për lidhjet e Enverit me shërbimin e fshehtë fashist! Enver H. Por ka edhe fakte të tjera.Biografi lëshon sirenat e alarmit, se pas viteve ’90 rrëfimtarët në memuaristikën e tyre denigrojnë pa shkak(!) diktatorin Enver Hoxha dhe orvaten “ta zhdukin nga çdo piedestal” të “merituar” dhe ja refleksioni i autorit Fevziu: “Pas viteve ’90 dëshira për ta treguar historinë e Enver Hoxhës dhe të karrierës së tij ashtu siç ishte, reale, shpesh i zhyti rrëfimtarët në kurthin e kalimit të cakut, të denigrimit pa shkak dhe të memuaristikës së diktuar nga zhvillimet e ditës. Enver Hoxhën u orvatën ta zhdukin nga çdo piedestal, duke u nisur nga pyetjet bazike: A kishte qenë ai komunist? A kishte qenë ai i pari i Partisë apo e kishte uzurpuar Partinë që mori pushtetin në dorë? Pothuajse nuk pati kthjelltësinë të kuptonte se e gjitha kjo kishte pak rëndësi. Nëse trokiti i pari, i dyti ose i fundit në lëvizjen komuniste, kjo ishte thjesht statistikë.” [f.20] E s’paska rëndësi të dihet nëse ishte apo jo Enveri komunist para themelimit të Partisë, nëse në krye të Partisë ishte legjitim a kishte uzurpuar partinë dhe këto qenkan thjesht statistikë, statistikë!?

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 48