Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Stefan Çapaliku: “XXL TV”, që njerëzit të jenë sa më pak manipulues

Postuar: 23/12/2011 - 20:31

Komedia “XXL TV” çeli sezonin artistik të Teatrit të Komedisë. Shkruar nga dramaturgu Stefan Çapaliku, me regji nga Naun Shundi dhe interpretim të aktorëve Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Olta Daku dhe brezit të rij Marsela Lena, Flaureta Kodra, Lulzim Zeqja dhe Roland Saro, vepra përcjell një aktualitet të shoqërisë shqiptare, i cili vjen me nota komike. Vepra është rikthyer në skenën teatrore, duke e përfshirë publikun me të tjera situata. Dramaturgu Stefan Çapaliku shprehet se i vjen mirë që komedia është mirëpritur nga publiku, i cili këtë herë po shijon një vepër shqiptare. Ai tregon se në këtë shfaqje teatrore preket aktualiteti i medias në vend, ku personazhet nëpërmjet portreteve të tyre pasqyrojnë hallet dhe brengat e punonjësve të medias. “Gjithçka në vepër përcillet përmes realitetit skenik dhe atij virtual” tregon dramaturgu.

Stefan Çapaliku, i cili njihet për veprat e tij ku gjithmonë sjell në fokus shoqërinë shqiptare me problemet e saj, tregon se këtë herë vepra “XXL TV” vjen me mesazhin që njerëzit të jenë sa më pak manipulues. “Këtë herë e shkrova veprën për një realitet, i cili nuk njihet shumë nga shoqëria, që ka të bëjë me median. “XXL TV” është për njerëzit që te jenë sa më pak manipulues. Vepra nuk është një komedi klasike që mbështetet tek loja apo keqkuptimi, por është një dramë komike. “XXL TV” përpiqet të tregojë se ka dy të vërteta, ajo reale dhe ajo që krijon media”, tregon dramaturgu. Premiera, e cila i takon një vepre shqiptare me këtë rikthim të saj po përcjell tek publiku diçka ndryshe dhe të munguar për spektatorin kryeqytetas. Dramaturgu Stefan Çapaliku pohon se shfaqja “XXL TV” tregon kur teatri merr guximin të hyjë brenda një studioje televizive dhe të qëmtojë imtësisht mënyrën se si realiteti vjen dhe përpunohet brenda kësaj studioje televizive. Në këtë komedi të shtatë aktorët luajnë 11 personazhe në skenën teatrore, duke nisur një komedi e cila mbaron si tragjedi. Në këtë vepër të mirëfilltë shqiptare, zbulohen jo pa qëllim shumë truke brenda një stacioni privat dhe jo pa qëllim del në pah dhe përpëlitja për mbijetesë e një kanali televiziv. Mes aktorëve, Bujar Asqeriu ka rolin e një mundësi, i cili ka marrë një medalje në një kampionat europian të mundjes. I ftuar në emisionin e mëngjesit në televizion ai bëhet protagonist i jetës së brendshme të atij televizioni, ku vëren dhe reagon ndaj situatave që krijohen.
“XXL TV”, një fushëbetejë e njerëzve
Vepra merret me mënyrat e manipulimit të së vërtetës, me karakterin ordiner të imazhit dhe mesazhit televiziv. Në qendër të estetikës së saj është vendosja përballë e teatrit si demaskues i televizionit. Është mëngjesi i parë në një televizion privat, që përpiqet të mbijetojë me të gjitha format duke përcjellë një realitet fals. Ngjarjet janë zhvendosur në studion e një stacioni televiziv që ndodhet në katin e dytë të një ndërtese në qendër të qytetit, mbi Bankën Kombëtare. Nëpër skenë rri duke lëvizur një kamera e mbështetur mbi një stativ me rrota. Mbi skenë është një ekran gjigant televizori në qark të mbyllur me kamerën që shëtit në skenë dhe që transmeton nën siglën e “TV-XXL”, i cili manipulon mendjen dhe zemrat e publikut. Pak janë ata që e dinë sesi prodhohet ky manipulim. Studioja televizive vjen dhe bëhet fushëbeteja dramatike e njerëzve fare të zakontë, si ne dhe të ngjashëm me ne, që kanë hallet dhe problemet e veta ekzistenciale.

Homazhe në nderim të Nina Mulës, i jepet lamtumira sopranos së njohur
Adhurues të artit, miq, kolegë e politikanë zhvilluan dje homazhe në nder të sopranos së njohur Nina Mula. Në homazhet për këngëtaren lirike, e cila u nda nga jeta mëngjesin e të enjtes në moshën 80 vjeçare, nuk munguan as kujtimet skenike e personale që emra të njohur të artit të operistikës dhe muzikës patën me Nina Mulën. Gjatë karrierës së saj artistike në Shqipëri, pas njohjes në konservatorin e Moskës me Avni Mulën, solli interpretimin e personazheve të famshëm nga veprat “Berbeti i Seviljes”, “Madam Batërflaj” e deri tek “Pranvera” Tish Daisë. Sopranoja ishte njëkohësisht edhe pedagoge e brezave të shumtë këngëtarësh. Në nder të saj homazhe dje zhvilloi edhe presidenti Bamir Topi së bashku me bashkëshorten e tij, kryebashkiaku Lulzim Basha dhe ministri i Kulturës Aldo Bumçi. Kreu i shtetit Bamir Topi vlerësoi jo vetëm kontributin e sopranos, por edhe të gjithë familjes Mula, të cilët i dhanë një emër të veçantë vendit. “Sot përcjellim për në Parajsë, një figurë të ndritur të artit skenik, lirik, operistik shqiptar, një zë brilant, sikurse ishte zëri i Nina Mulës. Unë do të specifikoja jo vetëm individualitetin e lartë artistik, por edhe kontributin e jashtëzakonshëm të familjes Mula, sepse të gjithë së bashku; e ndjera Nina Mula, bashkëshorti Avni Mula, por edhe produkti i tyre, Inva Mula i kanë dhënë një emër të veçantë Shqipërisë jo vetëm në artin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar. Unë i shpreh me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë trupës së këtij teatri”, u shpreh presidenti Topi. Në homazhe kryebashkiaku Lulzim Basha ka vlerësuar rolin e sopranos së mirënjohur për skenën shqiptare. “Sot ndahemi me artisten e madhe Nina Mula. Po ndahemi me dhimbje ndaj saj, por nuk ndahemi me aktin e saj frymëzues për një brez të tërë dhe as me trashëgiminë që la pas që do të frymëzojë brezat dhe artistët e rinj”, pohoi krebashkiaku Basha. Sopranoja Edit Mihali, kolege e Mulës në skenën e operas kthehet pas për të kujtuar Nina Mulën në tërë dimensionin e saj. “Për mua ka qenë shembulli unik i punës dhe gruas energjike. Ka qenë dhe mbetet shembulli i artistes së përkushtuar. Deri ditën e fundit ajo qe pranë artistëve të rinj”, u shpreh Mihali. Ish-studentët e sopranos të cilët ishin aty në nder të figurës së artistes u shprehën se ishte dhe pedagoge e pazëvendësueshme. “Është një humbje shumë e madhe për artin shqiptar. Ajo ka qenë pedagogia ime për 4 vjet. Ishte ajo që më dha kulturën në lidhje me muzikën klasike”, tregon këngëtarja Ledina Çelo. Nina Mula, e cila u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare u lind në 23 nëntor të viti 1931 në qytetin Izhevski të Rusisë. Gjatë karrierës së saj artistike ajo ka realizuar shumë role të rëndësishme, si nga operat shqiptare ashtu edhe ato botërore.

GKA, konkurs për monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë
GKA shpalli dje konkursin ndërkombëtar për realizimin në skulpturë të veprës monumentale kushtuar “100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar: 28 nëntor 1912-‘28 nëntor 2012”. Kushtet pjesëmarrëse në konkurs janë: vepra monumentale mendohet të jetë e përmasave të mëdha; përmasat e sakta të veprës do të jepen në momentin e përcaktimit përfundimtar të sheshit në të cilin do të vendoset ky monument në qytetin e Tiranës; lartësia, gjerësia dhe gjatësia e veprës monumentale do të jenë në varësi të modelit që do të paraqesë artisti, grupe artistësh apo studio skulpture, të cilat duhet të marrin në konsideratë të dhënat e përmasave të sheshit në të cilin do të vendoset vepra. Pas aprovimit të bocetit, realizimi i veprës monumentale mund të jetë në këto materiale të forta si: i derdhur në bronz apo beton, i gdhendur në gur ose mermer si dhe në teknika të tjera të përziera. Kjo do të varet nga ideja dhe modeli konkurrues fitues i artistit, grupe artistësh apo studio skulpture. Në këtë konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë dhe arkitektë shqiptarë kudo që jetojnë dhe punojnë, artistë dhe arkitektë të huaj, studio skulpture shqiptare dhe te huaja. Modelet konkurruese do të dorëzohen në Galerinë Kombëtare të Arteve, pranë Sektorit të Arkiv Dokumentacionit nga data 27 shkurt- 2 mars 2012. 

Topi pret në takim balerinin Kledi Kadiu
Presidenti i Republikës Bamir Topi priti dje në mesditë balerinin e njohur shqiptar me banim në Itali, Kledi Kadiu me të cilin zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor në prag të festave të fundvitit, duke i uruar me këtë rast “Një Vit të Ri 2012 sa më të gëzuar e të mbarë”. Pasi çmoi veprimtarinë e shquar artistike të balerinit shqiptar, i cili është shpallur edhe “Ambasador i Kombit” në vitin 2008 nga kryetari i shtetit vlerësoi me krenari të gjithë ata bashkatdhetarë si zoti Kadiu, të cilët janë dalluar në Evropë e më gjerë me karrierat dhe profesionalizmin e tyre, por në radhë të parë me ndjenjat e spikatura të atdhedashurisë duke lartësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë. Nga ana e tij, balerini shqiptar Kledi Kadiu, pasi falënderoi për pritjen e përzemërt dhe për vëmendjen e vazhdueshme institucionale dhe personale të Presidentit Topi kushtuar shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, theksoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të nderuar gjithmonë emrin e kombit shqiptar dhe në veçanti për të nxjerrë edhe më në pah vlerat dhe talentin e artistëve shqiptarë. Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: