Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Petraq Kolevica: Të kërkosh spiunët në Lidhjen e Shkrimtarëve është njëlloj si të kërkosh qenin e ngordhur te ara e Tares

Postuar: 24/04/2012 - 20:42

Lidhja e Shkrimtarëve të socrealizmit ka 22 vjet që nuk ekziston dhe të kërkosh sot spiunët në gjirin e poetëve të asaj kohe është njëlloj si të kërkosh qenin e ngordhur te ara e Tares”. Kështu u shpreh dje, njëri nga kolosët e rezistencës dhe mirësisë, Petraq Kolevica, i cili nuk është aspak dakord me hapjen e dosjeve të shkrimtarëve.

Duke qenë vetë, krejtësisht i pastër dhe madje i persekutuar nga regjimi komunist, ai ndihet krejtësisht i çliruar dhe pa komplekse për të thënë hapur mendimin e tij mbi këtë tematikë.
Zoti Kolevica jeni pro, apo kundër hapjes së dosjeve për shkrimtarët?
Lidhja e Shkrimtarëve të socrealizmit ka 22 vjet që nuk ekziston dhe të kërkosh sot spiunët në gjirin e poetëve të asaj kohe është njëlloj si të kërkosh qenin e ngordhur te ara e Tare. Kjo është një çmenduri. Përse duhet të hapim dosjet e shkrimtarëve, kur ne nuk kemi mbyllur akoma llogaritë me fajtorët e vërtetë të diktaturës të cilët dalin çdo ditë nëpër ekrane. Në vitin 1990 ne deshëm të nxjerrim spiunët nëpërmjet dosjeve por nuk nxorëm dot para gjyqit as shkaktarët e vërtetë të genocidit komunist. Kurse tani kërkojmë gjilpërën në kashtë.
Ju vetë nuk keni kureshtje për të zbuluar kush ka qenë spiun dhe kush jo?
Jo. Nuk kam kureshtje dhe ju them, se e gjithë kjo që thoni, është një marrëzi. Unë vetë nuk kam pasur asnjë raportim nga askush dhe nuk kam raportuar asnjëherë, askënd. Pra, nuk kam probleme personale. Prandaj, edhe kam të drejtën morale ta sqaroj deri në fund këtë problem. Ju pyes zotërinj: Kujt i duhen sot spiunët? Apo që t’i çjerrim sytë njëri-tjetrit. Çfarë kanë bërë spiunët e letërsisë, përveçse ndonjë kritike nëpër recensa. Kurse kriminelët e vërtetë, që uzurpuan pushtetin në Shqipëri, kanë vrarë, kanë masakruar dhe kanë pushkatuar pa gjyq, njerëz të pafajshëm. Dhe askush nuk ka kërkuar hapje dosjesh. Më falni, dua t’ju them që në fillim, se kisha vendosur të varja në gozhdë armët e luftës intelektuale. Jam në një moshë të tillë, kur dua të pushoj dhe të shkruaj libra brenda shtëpisë sime. Por, ju paralajmëroj, se hapja e dosjeve për shkrimtarët është një gabim.
Pra, ju jeni kundër mendimit të Kadaresë, për dosjet e shkrimtarëve?
Natyrisht. Kadare është në radhë të parë një shkrimtar. Ai duhet të shkruajë libra e jo të merret me punët e dosjeve. Po ua them edhe njëherë, qartë: Le ta ketë spiunuar kush të dojë Kadarenë, apo dikë tjetër. Por këto spiunime nuk e penguan atë të shkojë në Helsinki, Moskë, Japoni, Francë, Itali etj, etj. Shembullin për Kadarenë e mora rastësisht, por këtë mund ta thosha edhe për Agollin, për Kolevicën apo për këdo tjetër. Çfarë të keqe i kanë bërë spiunët Kadaresë, pasi e paskan spiunuar. A e kanë penguar të shkruajë apo të studiojë jashtë shtetit? A e kanë burgosur apo internuar? A e kanë përjashtuar nga forumet, ku ishte pjesëmarrës dhe ndonjëherë drejtues? Asgjë nuk i kanë bërë. Por edhe mua, që më kanë denigruar apo fyer në profesionin tim, përsëri nuk më lejohet të bëj propozime për hapje dosjesh. Këtë nuk mund t’ia falja vetes në këtë moshë.
Ju mendoni se duhet lënë në heshtje çështja e spiunëve brenda rradhëve të shkrimtarëve?
Në çdo rast duhet të ndalemi veç e veç. Po ju them një shembull. Në një mbledhje të arkitektëve në vitin 1975 erdhi në presidium gjysma e anëtarëve të Byrosë. Aty, mua dhe disa shokëve të tjerë, na kritikuan rëndë. Por ashtu ishte dhënë orientimi. Si mund të më mbronin mua kolegët e mi, kur në atë sallë udhëheqësit e lartë i binin me grusht tavolinës. Ata më shanë dhe më kritikuan ashpër, por unë i kuptova dhe nuk i vura kurrë faj. Po të vepronin ndryshe ata mund të ndëshkoheshin, kurse unë isha që isha atë ditë në bankën e të akuzuarve. Kështu ka ndodhur edhe me shkrimtarët. Kishte orientime nga lart dhe askush prej tyre nuk mbronte dot askënd. Por udhëzoheshin për të kritikuar diçka. Kjo natyrisht dëmtonte artin, por sot nuk mund të dalë dikush që të thotë “përse nuk kundërshtuan shkrimtarët orientimin e Komitetit Qendror?”. Zotërinj, po ju them edhe njëherë: Merruni me fajtorët e vërtetë dhe mos u merrni me shkrimtarët.
Atëherë, le të ndalemi te faktet: Pjetër Arbnori është ridënuar në burg për librin e tij, ku recensentë ishin dy shkrimtarë…
Në radhë të parë më thoni: Ç’ishte ky burg, ku zoti Pjetër gjente mundësinë të shkruante libra. Atje ku nuk të linin as të shkruaje në letrat e cigareve, na qenkan shkruar shkrime të gjata nëpër fletore. Por do t’u përgjigjem edhe për recensentët, të cilët nuk i njoh, por i kam dëgjuar të përfliten. Orientimi ishte deri në atë masë, saqë gati-gati, materiali ose recensa që duhej të firmosnin shkrimtarët ishte i gatshëm. Sistemi prodhonte shkatërrimin dhe njerëzit donin të mbijetonin. Në fund të fundit, shkrimtarët ndonjëherë krimin e tyre më të madh mund ta kenë bërë duke shkruar recensione. Por kush mund të vepronte ndryshe në atë kohë. Prandaj ju thashë më lart shembullin tim, ku më kritikuan rëndë shokët e mi. Para disa vitesh djali i Sotir Peçit, ka nxjerrë një libër ku tregon me emra dhe mbiemra, (ndonjëherë me iniciale të gjithë shkaktarët e burgosjes). Por, në fund del qartë se njerëzit ishin të shtrënguar ta bënin këtë gjë. Tani më dëgjoni edhe një pyetje, në lidhje me atë kohë: Kush janë fajtorët e vërtetë të shkatërrimit ekonomik, politik e moral të asaj kohe, shkrimtarët, politikanët apo spiunët? Dhe në këtë linjë unë pyes: Si do të shkojmë nesër përpara, ne dhe fëmijët tanë, me gjithë këto dyshime e rezerva që kemi për njëri-tjetrin. Ka ardhur një moment dhe është krijuar një psikozë sikur po të ketë qenë dikush shkrimtar, dyshohet se mund të ketë qenë edhe spiun. Për këtë arsye, shumë shkrimtarë kanë ulur kokën dhe presin në mëshirën e fatit, se çdo të dalë nga kombinacionet e procesit të hapjes së dosjeve. Por nëse do të bëhet kjo gjë, ju them se është gabim i jashtëzakonshëm.
Po përse shkrimtarët nuk guxojnë të kundërshtojnë idenë e Kadaresë?
Disa kanë komplekse frike, se mos po të kundërshtojnë Kadarenë, atëherë mund të cilësohen si të dyshimtë dhe me biografi spiunazhi. Disa të tjerë nuk besojnë se mund të kundërshtohet Kadareja dhe të tjerët janë vërtet të implikuar në ndonjë histori recensionesh, prandaj heshtin. Por unë nuk kam frikë nga këto komplekse dhe e ndjej se është detyra jonë ta thyejmë heshtjen, për të thënë atë që kërkon koha dhe qytetarët shqiptarë.

Dilaver Bengasi: Kadareja spiunoi Agollin, shkrimtarët burgosën Trebeshinën
Kadareja erdhi tek unë dhe denoncoi Dritëro Agollin, në lidhje me honoraret e përkthimit të librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në frëngjisht”. Kështu u shpreh dje, ish hetuesi Dilaver Bengasi i cili nënvizon se pasi verifikoi çështjen, doli e vërteta. “Pasi bëra një telefonatë në Lidhjen e Shkrimtarëve aty më thanë se honoraret e Kadaresë kanë ardhur në adresë të Lidhjes dhe se ai mund t’i merrte kur të dëshironte”, vijon Bengasi, i cili pasi rrëfen se ia transmetoi Kadaresë këtë lajm, ky i fundit kishte tërhequr denoncimin nga hetuesia, kundër Agullit. Ndërsa, në lidhje me dënimin e Trebeshinës, ai rrëfen se pati disa reaksione nga shkrimtarët për dënimin e tij: “Ata vinin me radhë në hetuesi dhe dëshmonin njëri pas tjetrit kundër Trebeshinës. Dhe kjo rrezikonte problemin. Thoshin se Kasemi kishte sharë qeverinë, në librat e tij, por edhe gjatë bisedave të përditshme. Madje, nxirrnin edhe bisedat që ai i kishte bërë në tavolina, për problemet të librave. Numri i dëshmitarëve në gjyq nga Lidhja e Shkrimtarëve kundër Trebeshinës ishte shumë i madh. Madje ishin pjesëtarë nga ajka e letërsisë së asaj kohe. Mbaj mend se gjatë një ballafaqimi në hetuesi Kasemi e goditi me pëllëmbë njërin prej tyre, me mbiemrin Bllaci, cili në thelb po shpifte kundër tij. Dhe unë i ndava. Por dua të shënoj këtu se në gjyq pjesa më e madhe e dëshmitarëve ishin shkrimtarë. Aty e pashë se sa e dobët dhe e pabesë ishte raca e shkrimtarëve e poetëve shqiptarë të asaj kohe që ishin gati të spiunonin shokun e tyre qoftë edhe për një shaka që mund të kishte bërë më parë. Në gjyqin e Trebeshinës, ishte korri i madh i krijuesve që përcaktoi ndëshkimin e tij. Madje, edhe ata që për arsye të ndryshme nuk ndodheshin në Tiranë atë ditë, i dërguan dëshmitë e tyre kundër Trebeshinës me shkrim”, përfundon Bengasi.

Nafiz Bezhani ishte kundër Kadaresë
Kadareja e ka hedhur idenë e hapjes së dosjeve të shkrimtarëve edhe para 10 vjetëve. Duket se gjatë çdo dekade, shkrimtari i shquar shqiptar, kërkon gjithmonë të njëjtën gjë: Hapjen dosjeve të shkrimtarëve. Gjatë asaj periudhe ish-kreu i Komisionit të Verifikimit të Figurave, Nafiz Bezhanin është shprehur kundër Kadaresë. Lidhur me propozimin e Kadaresë, ai është përgjigjur në këtë mënyrë: “Ismail Kadareja duhet të jetë i përmbajtur aq sa është edhe i madh. Aq më tepër, ai duhet të jetë tek të heshturit, sepse në diktaturë ka qenë shkrimtari më i mbrojtur nga Enver Hoxha. Atij i janë vënë në dispozicion Arkiva e Partisë, Arkiva e Shtetit, e të gjitha këto me urdhër të posaçëm të familjes Hoxha. Ndaj, mendoj se Kadareja nuk është objektiv në kërkesën e tij për hapjen e dosjeve”. Dhe për Dilaver Bengasin: Kadareja spiunoi Agullin, shkrimtarët burgosën Trebeshinën
Kadareja erdhi tek unë dhe denoncoi Dritëro Agollin, në lidhje me honoraret e përkthimit të librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në frëngjisht”. Kështu u shpreh dje, ish hetuesi Dilaver Bengasi i cili nënvizon se pasi verifikoi çështjen, doli e vërteta. “Pasi bëra një telefonatë në Lidhjen e Shkrimtarëve aty më thanë se honoraret e Kadaresë kanë ardhur në adresë të Lidhjes dhe se ai mund t’i merrte kur të dëshironte”, vijon Bengasi, i cili pasi rrëfen se ia transmetoi Kadaresë këtë lajm, ky i fundit kishte tërhequr denoncimin nga hetuesia, kundër Agullit. Ndërsa, në lidhje me dënimin e Trebeshinës, ai rrëfen se pati disa reaksione nga shkrimtarët për dënimin e tij: “Ata vinin me radhë në hetuesi dhe dëshmonin njëri pas tjetrit kundër Trebeshinës. Dhe kjo rrezikonte problemin. Thoshin se Kasemi kishte sharë qeverinë, në librat e tij, por edhe gjatë bisedave të përditshme. Madje, nxirrnin edhe bisedat që ai i kishte bërë në tavolina, për problemet të librave. Numri i dëshmitarëve në gjyq nga Lidhja e Shkrimtarëve kundër Trebeshinës ishte shumë i madh. Madje ishin pjesëtarë nga ajka e letërsisë së asaj kohe. Mbaj mend se gjatë një ballafaqimi në hetuesi Kasemi e goditi me pëllëmbë njërin prej tyre, me mbiemrin Bllaci, cili në thelb po shpifte kundër tij. Dhe unë i ndava. Por dua të shënoj këtu se në gjyq pjesa më e madhe e dëshmitarëve ishin shkrimtarë. Aty e pashë se sa e dobët dhe e pabesë ishte raca e shkrimtarëve e poetëve shqiptarë të asaj kohe që ishin gati të spiunonin shokun e tyre qoftë edhe për një shaka që mund të kishte bërë më parë. Në gjyqin e Trebeshinës, ishte korri i madh i krijuesve që përcaktoi ndëshkimin e tij. Madje, edhe ata që për arsye të ndryshme nuk ndodheshin në Tiranë atë ditë, i dërguan dëshmitë e tyre kundër Trebeshinës me shkrim”, përfundon Bengasi. Ilir BUSHI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 17