Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, foleja e grerëzave të Diktaturës

Postuar: 28/01/2012 - 20:50

Nga Sali LEKA*Në kohën e Diktaturës komuniste, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ishte i vetmi ent botues në Shqipëri, ku përplaseshin klane dhe interesa nga më të ndryshmet, jo vetëm botuese e promovuese, por dhe klaniste, klienteliste, nepotike etj, si dhe kryheshin me një intensitet të paparë investigimet që bënin strukturat e Sigurimit brenda dhe jashtë saj, për të pastruar me “dorë të hekurt” antikonformistët, disidentët dhe ata që nuk pajtoheshin me metodën krijuese të socrealizmit.

Pa mohuar faktin që në këtë shtëpi botuese punonin dhe njerëz të ndershëm dhe kurajozë, me virtyte shembullore dhe të përkushtuar për një letërsi të vërtetë, shumica e atyre që gëlonin në këtë institucion fole grerëzash ishin jashtë profilit letrar, shërbëtorë të zellshëm të diktaturës vrastare dhe agjentë të fshehtë të sigurimit, që përgatisnin me ngut dhe me një zell të madh listat e zeza të censurimit, persekutimit dhe degradimit të shkrimtarëve të këtij vendi. Unë jam dëshmitar i shumë akteve jashtëletrare, të kurdisura nga ustallarët e regjur të kësaj shtëpie botuese, kundër shkrimtarëve më të njohur, si dhe i zellit të sëmurë që disa redaktorë dhe drejtues të saj ushtronin për të përndjekur shkrimtarët me kualitet të lartë estetik, të presupozuar prej tyre dhe nga ata të cilëve iu shërbenin si “armiq të partisë dhe të shtetit socialist”.
Që nga viti 1961, unë autori i këtyre radhëve, kam dërguar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” tre, katër dhe ndonjëherë pesë libra për çdo vit, tregime, poezi, novela, romane, ese, por asnjë rresht nuk është botuar nga redaktorët përtacë dhe të paaftë të saj, që nuk shquheshin për asgjë, përveçse për të qenë hija e shefave të tyre sigurimsa në zyrat e këtij enti botimi. Krijimtaria ime nuk kishte asnjë armiqësi me Shqipërinë, as me njerëzimin, përkundrazi ishin shkrime dhe krijime në shërbim të dinjitetit të kombit tim, por këta rezila nuk donin të botonin letërsi realiste, por pallavrat dhe dogmat që mbanin erë revolucion, dhunë revolucionare dhe luftë të shtresave sociale të shoqërisë për hegjemoni dhe sundim, duke shtypur me thundër të hekurt pjesën tjetër të popullit.
Mbas vitit 1971, pas dhjetë vitesh tentativa për të thyer murin e kobshëm të heshtjes komuniste, të atij refuzimi mafioz, përfaqësuar nga shtëpia e censurës, vendosa të ndërpres shkrimet, të merrem me punët e mia dhe ta braktisi ëndrrën e botimit. Pra, vendosa që ta ndërprisja punën për letërsinë, të braktisja shkrimin dhe t’i kushtohesha vetëm profesionit tim si mjek veteriner. Këtë ia thashë mikut tim në redaksinë e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Dhimitër Fullanit, redaktor pranë kësaj shtëpie, ndër të vetmit që më kishte nxitur dhe ndihmuar që të shkruaja dhe pati bërë shumë tentativa për të më botuar, por pa dobi. Dhimitri më tha që të mos i ndërprisja shkrimet e mia, që ai i quajti të mrekullueshme dhe shtoi duke më thënë se fjalët i merr era, shkrimi mbetet, ndonjë ditë këto shkrime do ta shohin dritën e diellit. Fullani më premtoi se ai së bashku me disa shokë dhe shoqe të tjera redaktore dhe daktilografiste do të më ndihmonin që t’i daktilografoja këto shkrime e libra, që t’i kisha gati për t’i botuar në rastin më të mirë të mundshëm.
Kështu, i nxitur nga ky burrë fisnik, që më ndihmonte jo vetëm mua, por të gjithë ata që shiheshin me syze paragjykimi në dyert dhe korridoret e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, vazhova përsëri punën time me letrat, duke vijuar të shkruaja vepra letrare të llojeve e gjinive të ndryshme, te cilat m’i daktilografonte Fullani me shokët dhe shoqet e tij, pa pyetur për grerëzat që vërdalloseshin në këtë ent botues, duke pickuar letrarët që vinin këtu për të gjetur dritën e munguar të botimit. Pra, vazhdova të shkruaja e të sillja rishtas libra në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku nën drejtimin e Dhimitër Fullanit, të katër shokëve dhe tetë shoqeve letrare, daktilografiste e redakore, librat e mia në dorëshkrim kalonin në makinë shkrimi, daktilografoheshin e redaktoheshin për mrekulli, por botimi i tyre përsëri mbetej një “mollë e ndaluar”.
Mbas vitit 1961, kur arrestuan Hysenil Dumen dhe Eqerem Bibën, gjendja në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” u bë më ankthioze, më e rëndë dhe më e degraduar, aq sa nuk iu zihej besë më as mureve. Hysnil Dume ka bërë burg politik pa kryer asnjë faj, por nuk ka qenë shoku im dhe unë nuk e kam mbrojtur. Kurse Jolanda Gjoni, letrare dhe redaktore e talentuar, e kam mbrojtur deri në fund. Ajo, çensorëve që e kërcënonin me burgosje, ashtu si Hysenil Dumen, u është përgjigjur: “Do të shkoj në burg së bashku me Sali Lekën dhe Dhimitër Fullanin, por nuk e ndërpres punën për daktilografimin e veprave letrare të shkrimtarit Sali Leka, poeti dhe letrari i blerimit, që ushqen aq shumë dashuri për kohën dhe njerëzit dhe një individ i tillë nuk mund të jetë armik”. Unë këmbëngula që të mos i sillja më shkrime Jolandës për t’i daktilografuar, pasi nuk doja t’i bëja keq, por ajo ishte e vendosur të më ndihmonte deri në fund, pasi qe e bindur se nuk kisha bërë asgjë të keqe, përveçse kisha ngritur në kult të bukurën dhe të madhërishmen në shkrimet dhe krijimtarinë time letrare e publicistike.
Jolanda Gjoni aso kohe sulmohet keq nga Preç Zogaj, një poet i përkëdhelur me tepri në fillim të viteve ‘80, si dhe nga një bashkëkrahinar i saj nga Mirdita, me të cilin jam përleshur keq për shkak të servilizmit të tij të sëmurë ndaj regjimit dhe dredhive dhelprake që kurdiste në kurriz të Jolandës. Duhet thënë se Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, në kohën e komunizmit, sidomos gjatë viteve ’80, qe kthyer në një fole grerëzash pickuese, që sulmonte gjithkënd që nuk mendonte njësoj si puthadorët e saj, njerëz mediokër e servilë të rezilosur, që nuk njihnin asnjë parim moral dhe qenë kthyer në fanatikë të sëmurë të regjimit diktatorial.
Censurimi ishte vetëm njëra anë e kësaj medalje të trishtë. Ana tjetër e saj ishte përgjimi, përndjekja, hartimi i listave të zeza, burgosjet e internimet e shkrimtarëve, degradimi i këtyre të fundit, përgojimi dhe inskenimi I dramave të përmasave shkespiriane me jetën dhe fatin njerëzor.
Shumë shkrimtarë me premisa për t’u bërë të shquar janë mbytur që në embrion nga censorët dhe mizorët e pashpirt që gëlonin skutave të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, të lidhur me strukturat më të errëta të shërbimeve sekrete komuniste.
Revolucioni i kuq i donte shkrimtarët në radhë duke brohoritur për urinë, varfërinë, plagët, dhimbjet, gjymtimin e ëndrrave njerëzore, kulakët e krimit të përbindshëm, bunkerët dhe instinktet më skllavëruese të qenies njerëzore. Dhe hija e saj, hija e në Shtëpisë së dikurshme Botuese “Naim Frashëri” ende nuk ka ikur, ende shkrimtari nuk çmohet në këtë vend për veprën e tij letrare, për atë që shkruan apo boton, por për shërbimet jashtëletrare, shërbime të gjithfarshme që mund të kenë vlerë për shumëçka e për gjithkënd, por jo për kualitetin letrar, që ata pretendojnë dhe për të cilin vlerësohen me çmime e honorare marramendëse. *Shkrimtar disident

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 106