Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Uran Butka: Të dëmshpërblehen viktimat që u vranë pas Konferencës së Mukjes

Postuar: 01/02/2012 - 16:29

Duke filluar nga periudha e Konferencës së Mukjes, të gjithë viktimat e komunizmit duhen dëmshpërblyer nga shteti shqiptar, për të vënë në vend drejtësinë historike dhe dinjitetin e viktimave të pafajshme, apo të patriotëve tanë”. Kështu u shpreh dje, për gazetën “Sot”, njëri nga njerëzit më të nderuar të universit antikomunist në Shqipëri, Uran Butka. Pa përmendur fare vuajtjet e tij familjare dhe personale, për shkak të genocidit komunist, Butka mendon se ky projektligj është i mangët dhe madje krejtësisht i pakuptimtë, nëse në të nuk përfshihen qindra e mijra viktima të terrorizmit shtetëror, shumica e të cilëve janë ekzekutuar me urdhrin e Enver Hoxhës, apo të bashkëpunëtorëve të tij.

“Ky projektligj nuk mund të jetë i mjaftueshëm nëse në të, nuk përfshihen të gjithë patriotët e pushkatuar, duke filluar nga periudha e dështimit të Konferencës së Mukjes e deri në fillimin e pluralizmit shqiptar”, vuri në dukje Uran Butka.

Zoti Butka, a duhen dëmshpërblyer viktimat e komunizmit që u vranë gjatë periudhës 25 tetor të vitit 1944, deri në fillimin e pluralizmit?
Unë mendoj se duhet të shpërblehen të gjithë njerëzit e pafajshëm dhe patriotët e ndershëm të këtij kombi që u vranë nga terrori komunist. Ndërsa në lidhje me datën që përmendni juve, them se ky lloj dëmshpërblimi do të jetë i pakuptimtë dhe i mangët.

Çmendoni për projektligjin e qeverisë ku dëmshpërblimi përfshin edhe viktimat e vrarë nga 25 tetori i vitit 1944 e deri në vitin 1990?
Mendoj se ky projektligj i hartuar në këtë mënyrë nuk e kryen siç duhet funksionin e dëmshpërblimit të viktimave të komunizmit. Sepse ky projektligj nuk bën gjë tjetër veçse shton afatin e përfshirjes në dëmshpërblim vetëm për rreth 33 ditë. Pra, nga 25 tetori deri në 28-29 nëntor. Por nëse kërkojmë vënien në vend të një drejtësie historike dhe sociale, kjo nuk mjafton, madje ky projektligj rezulton të jetë me deficite.

Përse mendoni kështu?
Sepse gjatë periudhës 25 tetor deri në 28-29 nëntor mund të jenë vrarë rreth 40 -50 vetë. Natyrisht, të gjithë këta persona e meritojnë plotësisht përfitimin e dëmshpërblimit, por problemi qëndron tek të pushkatuarit e tjerë. Si do të bëhet vallë me ata që janë ekzekutuar nga data 24 tetor, apo me të tjerë që janë vrarë një apo dy javë para këtij afati. Për këtë arsye unë mendoj se ky projektligj duhet korrigjuar dhe duhet ndërtuar në një mënyrë tjetër.

Si duhet bërë?
Ky që do them tani nuk është vetëm mendimi im, por i shumë përfaqësuesve të ish të përndjekurve politikë, të cilët kërkojnë një zgjidhje përfundimtare për këtë problem. Ndërsa kjo që propozohet në projektligjin aktual është një zgjidhje gjysmake.

Çfarë propozoni ju?
Unë propozoj që në projektligj të përfshihen të gjithë emrat e njerëzve të pafajshëm, apo patriotëve të ndershëm shqiptarë të cilët janë vrarë prej komunistëve që nga Konferencës e Mukjes. Pra, unë propozoj që dëmshpërblimi i ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve të përfshijë të gjithë personat e vrarë nga komunistët duke filluar nga data 1 gusht, i vitit 1943. Ky është mendimi i shumicës së njerëzve që bëjnë pjesë në listat e ish të përndjekurve politikë. Nëse nuk arrihet kjo gjë, atëherë çdo lloj projektligji mund të konsiderohet i pavlefshëm.

Përse ju propozoni pikërisht, datën 1 gusht të vitit 1943?
Me këtë periudhë lidhet dështimi i Marrëveshjes së Mukjes. Me këtë akt brutal, Enver Hoxha me urdhër të Titos projektoi thertoren e madhe të shqiptarëve , ku vrau e pushkatoi me qindra dhe mijra patriotë të ndershëm, vetëm për faktin se ata nuk ishin dakord me platformën e tij. Që nga kjo periudhë, Enver Hoxha nisi barbarinë e pashembullt kundër shqiptarëve dhe intelektualëve, apo njerëzve të thjeshtë që kishin dhënë kontribute për Shqipërinë. Për këtë arsye, unë së bashku me mijra të tjerë, nga rradhët e ish të përndjekurve politikë, mendoj se ky dëmshpërblim duhet të fillojë sa më shpejt kundrejt familjeve të viktimave. Sepse shumica e tyre, ose pothuajse të gjithë këta patriotë e intelektualë janë vrarë pa gjyqe dhe vetëm për të përmbushur oreksin e Enver Hoxhës, apo Titos.

Zoti Butka edhe diçka tjetër. Në projektligjin që po flasim përfshihen edhe dëmshpërblimet për fëmijët e birësuar të ish të përndjekurve politikë? Sipas jush, si duhet vepruar në këtë rast?
Mendoj se kjo gjë që thoni juve, nuk vlen që të trajtohet nga ana ligjore, sepse krijon një shpërqendrim të vëmendjes nga viktimat e pushkatuara të komunizmit. Mendoj se ky ligj duhet të saktësojë plotësisht, dëmshpërblimin e viktimave që u pushkatuan nga komunistët që nga Konferenca e Mukjes e këtej. Ndërsa për rasatet e tjera që kanë lidhje me birësimin e fëmijëve, mendoj se duhet trajtuar në ndonjë bisedë tjetër, duke bërë analiza rast pas rasti.

Murat Basha: Ja pse duhen dëmshpërblyer viktimat e barbarisë

Në lidhje me këtë problem nënkryetari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, Murat Basha u shpreh: Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë duhet të përfshijë një periudhë më të gjatë historike. Aty duhet të përfshihen të gjithë viktimat e sistemit gjakatar të komunizmit. Dhe jo vetëm disa prej tyre. Sepse ata ishin shqiptarë të ndershëm e intelektualë, apo patriotë idealistë. Ata kërkuan vetëm përparimin e Shqipërisë, por në rrugën e tyre u ndeshën me barbarinë. Padyshim, që Enver Hoxha është terroristi dhe krimineli më i madh i shekullit të kaluar. Ai e mbyti kombin shqiptar në gjak. Dua t’ju kujtoj këtu, se ashtu siç veproi më vonë, gjatë 45 viteve të socializmit duke vrarë e pushkatuar mijra vetë, ai njëkohësisht në të njëjtën mënyrë, ka vepruar me vitet e luftës. Por në këtë rast krimet i ka bërë gjatë një periudhe të shkurtër, pra gjatë viteve 41-44. Mjafton të përmend këtu, se ish-komandanti Mehmet Shehu, në Lushnje, ka therur me thikë 68 vetë. Pa llogaritur krimet makabre të Shefqet Peçit e komandantëve të tjerë. Përveç të tjerëve, komunistët kanë pushkatuar dhe kanë dënuar edhe gratë. Madje edhe ato që militonin në rradhët e tyre. Kjo ndodhi, sepse fara komuniste ishte e destinuar të krijonte një formacion njerëzish të ngjashëm me përbindëshat. Ndërsa, Enver Hoxha ishte një gjarpër që helmonte në çdo vend ku shkelte këmba e tij.

Adriatik Alimadhi: Lista e krimeve të komunizmit kërkon drejtësi

Nga ana e tij, në lidhje e me pyetjen e mësipërme, kryeballisti Adriatik Alimadhi u shpreh se: Lista e krimeve të komunizmit kërkon në rradhë të parë drejtësi dhe vënie në vend të dinjitetit të patriotëve shqiptarë, të cilët janë vrarë ose janë burgosur vetëm se aspironin përparimin, nëpërmjet parimeve humaniste të Ballit Kombëtar. Pra, nevojitet jo vetëm dëmshpërblim i plotë për të persekutuarit, por edhe rivlerësim i historisë së Shqipërisë. Komunistët e filluan në Devoll, ku vranë shqiptarin nga Kosova, Zija Gashin dhe Hamdi Kazimatin, me 6 të tjerë. Pastaj, në Gjirokastër, vranë Rukmedin Dino, me katër nacionalistë, tradhtuan dhe vranë çetën e Hysni Lepenicës, duke masakruar 36 komandantë çetash. Më tej, vranë me atentat, sekretarin e rinisë së Ballit Kombëtar Hazis Shara, masakruan në Matjan të Lushnjes 67 ballistë të çetës së Isa Manastirliut. Sërish vranë në Gjirokastër, avokatin Emin Kokolari, Tajar Çarçanin, Qemal Bejlerin, Xhaferr Alushuin, Sefedin Hadërri, Boço Kalo, profesor, Taro Kalon, Myzafer Shehun 70 vjeç, me gjithë të birin, 15 vjeç,Vasil Shahinin, Dino Maton dhe Hajro Laton. Në Korçë çeta komuniste, e kryesuar nga Agush Gjergjevica, masakroi në mënyrë barbare Bexhet dhe Xhevdet Bulgarecin, u prenë hundët dhe veshët, u nxorën sytë, u thyen krahët, madje për të mos krijuar familje, ju këputën edhe organet. Në Kavajë kapën dhe vranë, dy djelmoshat, Besnik Cano dhe Qeramudin Sulo. Sërish, në Korçë, ju vranë Baba Zylfon, Sabri Panaritin, Refat Goskovin, me gjithë të birin. Në Tiranë vranë me atentat trimin, Azis Camin, ndërsa, në Vlorë vranë avokatin Skënder Muço me dy të tjerë.
Por lista e të vrarëve nga pabesia komuniste është e gjatë. Tragjedia arrin kulmin e saj në përroin e Shipskës, në Voskopojë të Korçës, ku zbulohet krimi i radhës dhe kufomat e shqiptarëve arrijnë në 185 veta, Ata u gjetën pas 3 muajsh, të masakruar barbarisht, u kishin prerë krahët, këmbët e kokat. Viktimat ishin nga qytetet më patriotike, Vlorë, Berat, Korçë, etj. Dhe për këtë krim barbar po i vë në dispozicion, për herë të parë redaksisë së gazetës “Sot”,një dokument të marrë nga arshivat, më datë 17 Shkurt të vitit 1944, e cila vërteton këtë masakër tuajën. Ndërkaq, në Tiranë, më 14 Nëntor 1944, në hotelin Bristol, (sot Muzeu Kombëtar) vranë 14 veta të cilët ishin: Isamil Petrela, tre vëllezërit Kokolari, Lluka Xhumari, Nebil Çika dhe kunati i tij, së bashku, me pesë të tjerë. Këto janë vetëm disa nga statistikat e krimit. Pra dëshmorët e Ballit Kombëtarë janë me qindra e me mijëra, duke rënë për çështjen kombëtare, e cila sipas statistikave në arshivat tona shkon nga 6000 deri në 10000 dëshmorë. Të gjithë këta bëjnë apel për rivendosjen e drejtësisë dhe rishikimin e historisë, pa harruar edhe dëmshpërblimin ndaj tyre, si martirë të kombit shqiptar.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 90

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/11/2018 - 14:32

Pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për në Budapest, ku është në pritje të azilit politik, vjen një reagim nga avokati Spartak Ngjela.

Postuar: 16/11/2018 - 14:16

Taulant Muka që prej ditës së djeshme nuk është më zv. ministër i Arsimit.

Postuar: 16/11/2018 - 14:07

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma në një dalje për mediat ka folur për përgjysmimin e p

Postuar: 16/11/2018 - 13:13

Pas firmosjes së dekretit nga presidenti Meta për lirimin e Sandër Lleshit nga statusi i ushtarak

Postuar: 16/11/2018 - 12:37

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se “Tu

Postuar: 16/11/2018 - 12:35

Presidenti Ilir Meta dekreton nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore, Gjeneral Brigade S

Postuar: 16/11/2018 - 12:18

Partia Demokratike, përmes deputetes Orjola Pampuri, ka kërkuar sërish arrestimin e kryebashkiaku