Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arben Fagu: Basketbolli ynë për t’u vajtuar, s’ka e s’mund të kemi më një Agim Fagu

Postuar: 21/04/2012 - 22:42

Tranzicioni i gjatë dhe i egër në Shqipëri ka prekur të gjitha fushat e jetës e nuk ka lënë jashtë vëmendjes as sportin, dikur kaq masiv e cilësor, sot i rrënuar e në luftë për mbijetesë. Në këtë kuadër mund të flitet dhe për sportin e basketbollit, nivelet e të cilit këtu e tre-katër dekada më parë ishin të larta e të krahasueshme me vendet e rajonit e më gjerë,

ndërsa sot një sport që ka vetëm emrin, me përpjekje titanike për të mbijetuar në kushtet e mungesës së gjerë të infrastrukturës, organizimit e suportit financiar. Në një intervistë të dhënë për “SOT”, ish-basketbollisti e aktualisht trajner i njohur i basketbollit, Arben Fagu, sjell në vëmendje emocionet e kohës, organizimin, masivitetin, përplasjet e skuadrave tona kombëtare me ato të vendeve të tjera dhe imazhin që kishte basketbolli. Fagu përpiqet të bëjë krahasime interesante në shifra, në elementë cilësorë teknikë, në mënyrën e perceptimit të këtij sporti dhe arritjet e tij në kohë. Ai flet për kohën e mrekullueshme kur pallatet e sportit ishin plot, por edhe për gjendjen mjerane që karakterizon sot basketbollin shqiptar. Duke qenë një Fagu, nuk mund të lihej jashtë vëmendjes Agimi, vëllai i tij, basketbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në Shqipëri dhe një sportist që la gjurmë të fuqishme në brezin e tij të rinisë për elegancën në sport dhe personalitetin e fuqishëm që rrezatoi te sportdashësit për vite e vite me radhë. Natyrisht që Arben Fagu ndihet krenar për arritjet e vëllait të tij, ashtu sikurse ndihet keq që basketbolli ynë nuk ka ende një sportist në nivelet e tij. I ndodhur pranë basketbollit duke drejtuar skuadrën private të UAT (Universiteti Amerikan i Tiranës), Fagu jep edhe mendimet e tij për zgjidhjen e situatës, duke thënë që të bëhet sa më shpejt lidhja e sportit me shkollën, por edhe hartimin e projekteve afatgjata në sport. Infrastrukturën e sheh në një nivel të dobët dhe shpesh herë, pranon se situata të bën pesimist për të ardhmen e sportit të koshit në Shqipëri. Në intervistën e tij, kuptohen qartë dy pamjet e kohëve të ndryshme, pasioni, përkushtimi dhe mendimi pozitiv, oshilacionet e basketbollit ndër vite dhe të qenit krah për krah me Agim Fagun, “Yllin Polar” për basketbollistët e rinj.

Cilat kanë qenë lidhjet tuaja me sportin e basketbollit? Çfarë ju ka shtyrë dhe si ka ndodhur?
Unë linda në një familje ku sporti kishte peshë dhe ishte pjesë e pandarë e jetës tonë. Babain e kisha sportist të njohur të futbollit në Shqipëri, ku kishte luajtur me Partizanin që nga krijimi i tij. Vëllai ishte gjithashtu një sportist i madh. Por nuk përfundonte këtu, pasi dajat i kisha sportistë. Një teze imja ishte kampione e atletikës e në këtë kuadër unë nuk mund të isha ndryshe në një familje ku kishte sportistë kampionë. Kjo pati shumë rëndësi për mua, sidomos në formimin tim.
Ju keni qenë nxënës i mirë, apo nuk ju linte sporti të ushtroheshit?
Ndoshta mundësitë për të mësuar kanë qenë më shumë, por unë mendoj se angazhimi i shumtë në sport nuk më linte shumë kohë. Megjithatë, në atë kohë unë mbaj mend që nxora një mesatare 9.3 në maturë, që ishte një mesatare e lartë për kohën.
Në këtë intervistë nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes Agimin, vëllain tuaj. Sa ka ndikuar ai në formimin tuaj si basketbollist dhe si kanë qëndruar raportet mes jush?
Lidhja ime me vëllanë ka qenë shumë e fortë. Ai ka ndikuar shumë në formimin tim sportiv, madje më shumë se sa kaq. Kudo që ai shkonte, në ndeshje, në stërvitje unë do të isha i pranishëm atje. Ai ka një diferencë moshe prej 9 vjetësh me mua, por kjo nuk na pengoi të luanim bashkë te ekipi i parë i Partizanit, pra në pesëshen kryesore. Natyrisht unë isha në hapat e parë, ndërsa im vëlla Agimi ishte në kulmin e karrierës së tij dhe pak më vonë do ta linte sportin.
Na tregoni diçka për fillimet tuaja në sport. Ku u angazhuat fillimisht dhe si vijoi karriera më pas?
Unë fillimisht kam luajtur futboll tek paratërinjtë e Partizanit. Kishte aktivitete në lagje, në kampin e pionierëve. Aty kishte shumë emocione. Bëheshin aktivitete shumë të bukura, kampionate të rregullta dhe ku kishte rivalitet. Futbolli ishte pasioni im i parë. Kjo ishte dhe një traditë, pasi im atë kishte luajtur si qendërmbrojtës dhe ishte e natyrshme që unë të luaja si futbollist. Por suksesi i tim vëllai në basketboll, lidhja ime e fortë shpirtërore me të, bënë që të shkoj te basketbolli. Por duhet pranuar dhe diçka tjetër, që basketbolli në atë kohë u bë një sport shumë i dashur. Në vitin 1968 unë ende luaja futboll te paratërinjtë e Partizanit, ku kisha trajner të famshmin Kolec Kraja. Në basketboll u angazhova kur isha në fund të klasës së shtatë. Zhvillohej kampionati i paratërinjve. Shkova të shikoja dhe trajneri Njazi Lleshi më zhveshi me zor dhe më futi të luaja. Fillimi zyrtar si basketbollist ndodhi në janar të vitit 1970. Debutova në kupën e Durrësit për të rinj. Në atë kohë Durrësi ishte kampion absolut. Si fillim unë u zhgënjeva plotësisht.
Pse çfarë ngjau?
Durrsakët e ngacmonin trajnerin Lleshi, duke thënë me këtë skuadër do na rrahësh? Madje talleshin me mua që kisha rrobat e mëdha. Unë isha ende mjaft i ri në atë kohë. Por Njaziu (Lleshi) tha që me këtë skuadër do ju mund vitin tjetër. Dhe vitin tjetër i mundëm brenda në Durrës. Në këtë mënyrë kishte filluar epoka Partizani tek të rinjtë.
Pse themi epokë?
Themi epokë se Partizani pati supremaci për disa vite me radhë. Në klub bëhej punë sistematike. Që të bëheshe pjesë e skuadrës së parë të Partizanit ishte një ëndërr e madhe. Kishte emra të mëdhenj, sportistë që merrnin pjesë në aktivitete ndërkombëtare. Mendoja: Do jem i zoti ta arrij dhe unë këtë? Për mendimin tim ishin fillimet e mëdha të basketbollit. Më 1968 Partizani barazoi me Oransod të Italisë 73:73 në Tiranë, ishte rezultat fantastik. Kemi humbur me Yllin e Kuq të Beogradit me vetëm dy pikë. Por përveç Partizanit ishte dhe Tirana një skuadër shumë e mirë në atë periudhë.
Ju përmendët Yllin e Kuq, por Jugosllavia e kohës ishte si të vinte nga një planet tjetër në basketboll, apo jo?
Më 1970 Jugosllavia e asaj kohe ishte kampione e botës. Dy muaj më vonë, ekipi ynë universitar merr pjesë në Olimpiadën e Universiteteve në Torino. Ne u ndeshëm me Jugosllavinë që kishte 80% të lojtarëve të saj si kampione e botës. Ne e humbëm ndeshjen në sekondën e fundit të lojës, me dy pikë diferencë. Por ndeshja pati jehojnë në shtypin italian të kohës.
Nga e dinit se kishte jehonë në shtypin e huaj?
Tim vëlla solli revistat dhe artikujt që shkruanin për ekipin tonë. “Të vegjlit e Shqipërisë përballen denjësisht me të mëdhenjtë e basketbollit”, shkruhej. Një fit më vonë, në Kaljari, humbëm me Italinë me dhjetë pikë diferencë në kuadër të eliminatoreve të Europianit. Por në radhët e skuadrës italiane luanin më të mëdhenjtë e basketbollit botëror.
Ju thatë që luanit me Agimin, vëllanë tuaj, në një skuadër. Kishte rivalitet midis jush?
Nuk mendoj se kishte rivalitet midis nesh. Gimi luante në nivele shumë të larta. Ai kujdesej shumë për mua, por në sport nuk më hapte rrugë. Ëndrra ime dhe e çdo basketbollisti në atë kohë ishte të bëhej si tim vëlla. Kishte vullnet të jashtëzakonshëm. Ai ka pasur oferta për të luajtur jashtë vendit. E kërkonin disa nga skuadrat më të mira në botë dhe i ofronin shuma të mëdha për kohën. Torino madje i ofroi më 1970 një kontratë financiare të barabartë me atë të Karem Abdul Xhabari, që ishte njëshi në Amerikë, njësoj si Xhordani i viteve 90-të. Pati një peng, pasi e ftuan në kombëtaren e botës kundër Spanjës, apo në ndeshjen Evropa-Jugosllavia për nder të të famshmit Koraç, por nuk shkoi se nuk e lejonte udhëheqja. Nuk lejohej të udhëtoje vetëm i pa shoqëruar.
Ndiheshit i lënë pas dore ngaqë Agimi ishte më i famshëm se sa ju?
Në fakt, mua në rrugë s’më vinte mirë që të tjerët më drejtoheshin “vëllai i Agimit”. Por është krenari e madhe për mua të jem vëllai i Agim Fagut. Mund të thosha më tej se popullariteti i tij ishte aq i madh sa kudo flitej për ne. Njerëz nga gjithë Shqipëria i sillnin letra dashamirësie. Por kjo kishte dhe një domethënie tjetër, pasi vëllai përfaqësonte njeriun intelektual në sport. Nëpërmjet sportit ne ndiheshim më të lirë. Sporti të jepte kënaqësi e nga ana tjetër, Agim Fagu ishte një figurë tërheqëse për të rinjtë. Formën dhe nivelin e tij në basketboll, nuk e arriti asnjë dhe s’e ka arritur asnjë deri tani.
Si ishte organizimi i basketbollit në atë kohë?
Në Shqipëri u zhvillua më 1965 Ballkaniada. Rezultatet ishin të tilla që basketbolli mori një prioritet. Quhej ndryshe edhe si sporti i studentëve dhe ardhja e një brezi të talentuar ia rriti shumë popullaritetin. Kishte shumë gjëra pozitive dhe niveli u rrit vazhdimisht. Dua të them që organizimi ishte shumë i mirë.
Si kanë qenë raportet tuaja me femrat?
Ishte koha kur pallatet e sportit ishin jo vetëm plot e përplot, por rreth gjysma e të pranishmëve ishin femra. Ne ndiheshim shumë të privilegjuar me vajzat. Në gjimnaz, në klasë kishim vajza të talentuara, që u bënë më vonë emra të spikatur në shumë fusha, pra edhe në nivel intelektual. Një pjesë e vajzave u bënë sportiste të dëgjuara si Brikena Çabej, Zana Bekteshi etj. Unë si kryeqendra e sportit, isha i vlerësuar.
Si e gjykoni nivelin e infrastrukturës për atë kohë?
Infrastruktura e kohës kishte kushte jo shumë optimale, por është fakt ama që terrenet u shtrinë në të gjitha lagjet. Në shkolla kishte terrene për të gjitha sportet. Sporti ishte pjesë e jetës tonë në shkollë. Shteti e mbështeste shumë. Bëheshin kampionate midis shkollave çdo vit dhe drejtoritë arsimore i përkrahnin shumë këto aktivitete. Mendoj se terrenet e shkollave janë çelësi i suksesit. Kam pasur rastin të ndjek shumë organizime jashtë dhe them që është për t’u vajtuar se ku është katandisur sporti shqiptar sot. Sporti nuk është vetëm garë, por edhe argëtim, kulturë, edukim e formim etj. Në vendet e zhvilluara nordike nuk kuptohet dot të kesh mbaruar shkollën e të mos kesh ushtruar një sport. Në Kaliforni, nga cikli fillor deri në universitet, jo 50, por 60% e terreneve të shkollave ishin sportive. Në nivelin e organizimit ishin shumë lart. Rinia jonë sot është e stresuar se s’ka fushë sporti. Është e pakonceptueshme që në Tiranë sot ka më shumë pika llotosh se sa terrene sportive për të rinjtë.
Pse mendoni se basketbolli ynë përjeton këtë nivel të lartë krize?
Basketbolli është në krizë se nuk ishte i përgatitur për ndryshimet e sistemit. Mungonte formimi i kuadrove. Ka pasur gjatë këtyre viteve mungesë politikash zhvillimore në sport. Ka pasur largim të sportit nga shkolla, kur dihet që sporti është pjesë e edukimit dhe e formimit për të ardhmen. Intelektualët nuk arrijnë të kuptojnë se ku mund të shkojë një komb pa sport. Ne po bëjmë përpjekje të integrohemi në Europë, por në Europë pa sport nuk shkohet. Sot Bashkimi Europian ka 2/3 e banorëve të tij të anëtarësuar në sport. Në Skoci 90% e banorëve janë anëtarësuar në sport. Suedia me 8.2 milionë banorë kishte 6.5 milionë njerëz të anëtarësuar në sport. Që ta themi troç: atje nuk konceptohet asgjë pa sportin.
Po në Shqipëri si qëndrojnë këto raporte?
Është turp të tregohet, pasi në vendin tonë vetëm 4-5 % e popullsisë angazhohet në sport. As në Afrikë nuk ndodh një shifër kaq e ulët. Ky është një tregues i frikshëm për ne. Gjatë viteve 1993 e në vazhdim punova si pjesë e SOROS-it. Ishte problem si të organizonim aktivitetet. Kërkesat ishin të mëdha në pjesëmarrje. Nga viti 1993-2000 kishim 2 mijë nxënës që merrnin pjesë në aktivitetet tona. Më vjen keq që i them këto fjalë, por situata nuk është e mirë sot.
Jeni pesimist?
Jam pesimist për nivelin e organizimit që kemi sot. Të rinjtë kanë mundësi të pakta, ndërsa infrastruktura nuk u përgjigjet kërkesave. Ne sot do të kishim nivele të mira të basketbollit po të dinim të organizonim. Do desha të shtoja se i gjithë sporti në vend është në nivele të trishtueshme. Më vjen keq ta them por nëse vazhdojmë kështu, sporti te ne do të shuhet. Sporti në Shqipëri nuk është vetëm dy medalje të sjella nga peshëngritja. Sporti është mbi të gjitha shëndet, gëzim, edukim etj dhe duhet organizim i mirë që të jetë cilësor.
Dy fjalë për kuadrin trajnues aktualisht?
Që ta them shkoqur kuadri trajnues ka probleme, por kjo është një çështje tjetër. Megjithatë, është afruar p.sh.Fatmir Cuka në krye të Kombëtares. Ai ka marrë eksperiencë në Turqi dhe në Amerikë dhe është një shembull i mirë. Duhet më shumë punë në trajnim.
Pavarësisht kësaj, rezultatet e ekipit janë katastrofike...
Një trajner s’mund të ndryshojë ekipin për një apo dy muaj. Por duhen vënë pikat mbi “i”. Sot investimi është i dobët, por edhe trajningu i dobët. Sot bëhet 1-2 orë stërvitje në ditë, jashtë vendit bëjnë 5-6 orë stërvitje në ditë. Tek ne mesatarja vjetore është 1 orë në ditë, pamundësi terrenesh, si dhe shumë kohë pushim. Me rregullore duhen dy javë pushim, madje dhe ato të mos jenë pasive.
Si e shihni hapjen e ekipeve private, kryesisht nga universitetet private?
Që kur u bëra pjesë e UAT-së i kam përgëzuar për iniciativën. Ata donin të kishin sport si pjesë e jetës universitare. Basketbolli duhet bërë pjesë e shkollës dhe kur shkolla nuk ka sport kjo është një fatkeqësi. Që këtu mund të thuhet pa frikë se formimi që marrin studentët është i përgjysmuar. UAT është për mua eksperiencë e re, më bëri për vete. Ishte një nismë e vetë studentëve dhe u përkrah nga universiteti. Duke qenë ëndërr imja e mbështeta. E ngrita si ekip me gjimnaziste e studentë. Që në vitin e parë zumë vendin e parë në grupin B, tani jemi në grupin A. I rëndësishëm është entuziazmi që ka krijuar kjo skuadër. Motoja e këtij universiteti “të parët në shkollë të parët në jetë”, është shumë domethënëse dhe sporti e ndihmon këtë. Unë do të dëshiroja që UAT të bëhet pjesë e kulturës së shkollës. Basketbolli po vdes dhe pa fansa, pa spektatorë e pa përkrahje s’mund të ekzistojë.
A ka zgjidhje situata?
Sigurisht që ka zgjidhje. Ato janë nga më të ndryshmet, por më së pari nevojiten projektet afatgjata. Unë shoh që ka kompani bastesh që nxjerrin fitime marramendëse e s’japin 1 % për sportin. Askush nuk po e kupton që forcën, karakterin dhe deri personalitetin ta jep sporti. Na mungojnë politikat sportive. Në faqet e shtypit sportiv sheh tituj të mëdhenj për sherret në federata e në KOKSH, por nuk dëgjojmë për sportin e sportistët. Ne flasim për “Londër 2012”, por që të kemi një sportist olimpik duhet tetë vjet punë intensive, ku angazhohet trajneri, mjeku, shkencëtari etj. Këto gjëra nuk po kuptohen këtu.
Si qëndrojnë raportet në afrimin e talenteve?
Talentet nuk mungojnë. Personalisht këto vite kam pasur rastin të stërvis disa nga anëtarët e ekipit kombëtar, që ishin talente të basketbollit, si Agolli, Arra, Lasku, Lame, Talelli, Ismeti etj. I mora në moshën 14-vjeçare, sot janë në radhët e Kombëtares. Natyrisht që sot ka pak basketbollistë, por brenda tyre ka dhe talente. Basketbolli është një sport që kërkon formim intelektual, por këto talente që kemi, fatkeqësisht e ardhmja e tyre është e trishtueshme. Një sportist që të rritet do infrastrukturë, do stimul, do mbështetje.
Ju vetë keni një karrierë të gjatë si trajner. Si ndodhi që morët këtë drejtim?
Unë kam nisur punë si mësues i edukimit fizik në vitin 1979 te shkolla “Avni Rustemi”. Në fakt s’e mendoja veten trajner. Ëndërroja tjetër gjë në jetë, ndoshta mjek, menaxher, por kontaktet e para si mësues i klasave sportive më dhanë shtysë, ndjenjë, vullnet dhe lidhja me botën e fëmijëve më jepte pasion, e në të njëjtën kohë përgjegjësi për të përcjellë profesionalizëm në punë.
Si ka mundësi që sot në kampionatin tonë dominon vetëm Tirana? Domethënë mungon rivaliteti?
Është vetëm Tirana sepse plotëson kushtet financiare, por jo nivelin e përgatitjes. Tirana ka sot elementët më të mirë të basketbollit shqiptar dhe kjo ka sjellë dobësimin e të tjerëve. Kjo është një meritë e tyre, por për interesat e basketbollit kjo është një politikë e gabuar se ka ulur krejtësisht rivalitetin.
Partizani, dikur emër i madh, sot i pashpresë. Cili është mendimi juaj për të?
Unë jam rritur te Partizani. Unë jam mbase trajneri i fundit i Partizanit si finalist në kampionat, ku humbëm përballë Tiranës. Natyrisht më vjen keq që kjo skuadër e madhe, kjo shkollë e madhe e sportit në vendin tonë, është sot vetëm si pjesëmarrëse në garë. Vërtet për të ardhur keq.
Derbet Partizani-Tirana të rinisë tuaj ishin diçka e madhe. Çfarë emocionesh mund të na përcillni?
I kam përjetuar shumë emocionalisht, mdje që fëmijë, kur rrija pranë tim vëllai. Lojtarët e Partizanit e të Tiranës ishin shumë shokë në jetën e përditshme, por një javë para nuk kishin asnjë kontakt. Ndeshjen midis tyre e ndiqnin 3 mijë veta brenda e 3 mijë veta jashtë pallatit të sportit. Për të shkuar në pallat duhej të kaloje disa kordone policie. Pallati i sportit merrte 4100 vetë, por mbante deri në 5 mijë. Interesimi ishte kaq i madh sa nuk i merrte të gjithë, uleshin në prehër të njëri-tjetrit. Në publik për këto ndeshje flitej me javë të tëra. Në vitin 1971 Tirana na mundi me një kosh të Roland Topallit në sekondën e fundit. U quajt kosh dramatik dhe Tirana doli kampione. Lot gëzimi në kampin e fituesit e lot hidhërimi në kampin e humbësit. Kanë qenë derbe të jashtëzakonshme. Partizani kishte më shumë fansa, por edhe Tirana shumë. Unë e them sot me bindje se në atë kohë ishe me fat kur gjeje një biletë për të parë ndeshjen.
Kushedi sa jeni përpjekur të siguronim biletat për shokët...
Unë, si vëllai i Gimit, më thoshin të gjej ndonjë biletë. Vëllai mbyllej në hotel se kishte detyrime për biletat. Ishim në stres si të gjenim biletat për shokët. Mësues e pedagogë na luteshin për bileta që të shihnin ndeshjet. Pas derbeve tona në kryeqytet, e hëna ishte ditë debati kudo.
Ka një problem me pallatet e sportit, pasi kemi ende atë që kishim këtu e gjysmë shekulli më parë. Si e shihni zgjidhjen?
Shumë terrene sportive u shkatërruan, ambientet u dëmtuan apo nuk është vënë dorë mbi to. Pallati i vetëm që kemi nuk plotëson kushtet minimale për proces sportiv në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Sot në vitin 2012 s’kemi ambiente sporti për fëmijë, e kjo është shumë e rëndë. Sporti është luftë kundër drogës, krimit e fenomeneve negative. Ka ardhur koha që Shqipëria të mendojë për sportin.
Ju keni dëgjuar për investimet e fqinjëve në basketboll. Çfarë pengesash ka që të ndodhë e njëjta gjë edhe këtu?
Rajoni ka basketboll të zhvilluar. Unë kujtoj këtu që Maqedonia ngriti dy vjet më parë 140 salla sportive dhe ky shtet nuk është veçse sa gjysma e shtetit tonë. Vendet e rajonit e kishin infrastrukturën më të mirë se sa ne, tani e kanë rritur dhe më shumë. Ne s’kemi projekte afatgjata dhe politika zhvillimi për sportin. Diferencat sot me basketbollin e rajonit janë shumë të mëdha. Më 1986 kur unë drejtoja kombëtaren e të rinjve në ballkaniadën që u zhvillua në Izmir, kur u ndeshëm me Jugosllavinë e kohës, që kishte në përbërje yjet e botës si Danieloviç apo Komozec, kemi humbur me shtatë pikë. Para dy vjetësh, po në Ballkaniadë, të rinjtë tanë humbën ndaj serbëve me diferencë mbi 90 pikë. Në atë periudhë ne luajtëm e fituam me Rumaninë me diferencë tetë pikë. Sot kemi lojtarë me 2.08 m, 2.06 apo dhe 2.05 e 2.04, pra tregues shumë të mirë që s’i kishim më përpara. Ne jemi popull me temperament, që bëjmë lojë të shpejtë e agresive, por pa cilësi nuk arrihet asnjë sukses. Ne duhet të mësojmë nga shembujt pozitivë që kanë ndjekur vende si Turqia, që kanë bërë shumë progres.
Çmendim keni për Kombëtaren?
Unë vetëm e kam drejtuar ekipin kombëtar, kemi elementë të mirë, por duhet punë e madhe disavjeçare që të kemi sukses. Unë e shoh të vështirë që ekipi të ketë sukses me një muaj e dy muaj punë. Kushdoqoftë trajner, e ka të pamundur të bëjë më shumë.
Ne folëm edhe për Gim Fagun, por a ka basketbolli ynë sot një Agim Fagu?
Nuk më pëlqen të bëj krahasime, por s’besoj se kemi dhe nuk mendoj se do të kemi dhe për ca kohë një sportist të tillë. Mund të bëhesh sportist i madh, por jo sa ai, pasi rrezatonte personalitet mbi të gjitha. Askush nuk mund të shfaqë karakterin e tij dhe atë që ai ka transmetuar. Për shumë  e shumë gjëra, s’mund të kemi një Gim Fagu sot.
Është thënë shpesh se Gimi ka qenë i privilegjuar nga udhëheqja e kohës. Në fakt cilat kanë qenë raportet tuaja me udhëheqjen?
Kush e njeh karakterin e Agim Fagut e di që ai nuk merr gjë që nuk i takon. Unë po tregoj një ndodhi nga ajo kohë. Bëhemi gati për të shkuar në ndeshje. Unë mbaja çantën dhe futemi në autobus. Atje, dy oficerë madhorë nisën t’i jepnin muhabet vëllait. “Ou, Gim Fagu!”, etj. I përshëndeti dhe Gimi, e pastaj u kthye me fytyrë nga krahu tjetër. Ata mbetën si të fyer dhe unë po e këshilloja Gimin që t’u jepte fjalë. Por Gimi tha që duhen respektuar të varfrit, se këta që sot na shohin kështu, nesër kur të rrëshqet këmba të japin shqelmin. Është e vërtetë që Gimi kishte privilegje, por fëmijët e bllokut ishin fansat e tij më të mëdhenj. Por edhe pse ishin fansat më të mëdhenj, Gimi i afronte më pak se të tjerët. Jo se ishin të këqinj, por se ishin fëmijët e tyre. Madje në atë kohë i kanë hequr dhe çmimin që kishte (e ia rikthyen sërish), pasi në Kinë u grind me kinezët, një ngjarje që e transmetoi dhe radio. Atë vit e hoqën dhe nga anketa e sportistëve më të mirë. Askush sa Gim Fagu nuk e ka fituar 10 herë anketën në fjalë.  Kishte personalitet të jashtëzakonshëm.
Së fundi, si e sheh të ardhmen e basketbollit?
Vetë sporti më mëson të jem optimist dhe uroj që shumë shpejt sporti të bëhet pjesë e jetës në shkolla. Uroj që këtë që bëri UAT ta ndjekin edhe shkollat e tjera. Vetëm duke futur sportin në shkolla do të kemi progres.

Kush është Arben Fagu?
Datëlindja:     08.10.1956
Vendlindja:     Tiranë
Arsimi: ILKF “Vojo Kushi”, Master në Universiteti i Sporteve
Karriera si sportist: Partizani (1969-1981)
Trofe: 11 vjet kampion kombëtar
Karriera si trajner: Dinamo (1984-1986 dhe 1998-2001), Kombëtarja e të rinjve (1986-1988), Studenti (2003-2005), Partizani (2006-2009), UAT (2009-vazhdim), Kombëtarja (1998-2001).
Titulli: Mjeshtër i Sportit (që nga 1980)

 

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 56

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2018 - 07:28

Gjermania bëri lojën, Franca mori fitoren. Kështu mund të përkufizohet dueli i mbrëmshëm i luajtur në Paris midis “Gjelave” dhe “Pancerave”, fituar nga francezët 2-1.

Postuar: 17/10/2018 - 07:26

Skënderbeu po kalon një moment të vështirë, pasi klubit i janë ngritur në protestë lojtarët, të c

Postuar: 17/10/2018 - 07:25

Shqipëria nuk i ka punët në terezi në grupin e parë të Divizionit C në Ligën e Kombeve dhe për kë

Postuar: 16/10/2018 - 20:39

Lojtari i ri i Barcelonës, Malcom duket se nuk ka ngelur i kënaqur me minutat që po akt

Postuar: 16/10/2018 - 20:14

 “France Football” ka përpiluar një listë me 10 treshet më të forta në sulm gjat

Postuar: 16/10/2018 - 19:04

Postuar: 16/10/2018 - 18:20

Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, është akuzuar nga Federata e Futbollit të Anglisë pë