Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Luiza Gega, atletja 44 kg që theu rekordin e Pavlina Evros

Postuar: 15/06/2011 - 00:00

Sportistja shënoi rekord të ri kombëtar në 800 metra, duke thyer rekordin e para 26 vjetëve

Kishte shumë e shumë vite që nuk thyhej një rekord në garat e shpejtësisë në atletikën shqiptare. Rekordet ishin vendosur në mesin e viteve 80-të për distancat 800, 1500 dhe 3000 metër me pengesa. E famshmja Pavlina Evro mbante rekordin e 800 metrave për 26 vjet me radhë,

deri para pak ditësh, kur sportistja Luiza Gega, mundi të thyejë mitin e saj në këtë disiplinë dhe t’i japë atletikës një rekord të ri, por edhe një shpresë se mund të përfaqësohet denjësisht me kualifikim direkt në Olimpiadën e Londrës të vitit të ardhshëm. Rezultati 2’02’’94 është tashmë rekordi më i ri i garës së 800 metrave dhe ky rezultat ka marrë dy ditë më parë miratimin edhe të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, pasi ishte njohur zyrtarisht më parë nga strukturat kompetente të federatës tonë të atletikës. Sportistja, që nuk është më shumë se 45 kg peshë trupore, kishte prej një kohe të gjatë që shënonte rezultate mjaft të mira, në progres të vazhdueshëm dhe falë përkushtimit ia doli mbanë të fiksojë një rekord të ri, por jo të vetmin. Gjasat janë që Gega të përmirësojë rezultatet e saj jo vetëm në disiplinën e 800 metrave, por edhe në garat e 1500 metrave, si dhe në 3000 metër me pengesa. Madje kjo e fundit është dhe disiplina ku ajo ndihet më mirë, ka rezultate në rritje të vazhdueshme dhe është realisht gara ku mund të kapë normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike të vitit 2012. Nuk është euforike, qëndron me këmbë në tokë, por ka besim në vetvete që mund të bëjë më shumë. Testi i parë i saj do të jetë më 18 dhe 19 qershor në Reikjavik të Islandës, ku do të zhvillohet një kampionat atletike i quajtur “Third League” dhe ku Gega ka si synim përmirësimin e rezultateve të saj në 3000 metër me pengesa dhe 1500 metra.

Ju keni pak ditë që keni thyer rekordin kombëtar në garën e vrapimit 800 metra. Si ndiheni dhe çfarë emocionesh përjetuat?
Kam afro katër vjet që punoj vazhdimisht për të rritur performancën sportive dhe në vazhdimësi kam pasur rezultate në progres. Për të thyer rekordin në 800 metra kam punuar intensivisht, me përkushtim, por edhe në mënyrë graduale, duke mos pasur ndonjë nxitim të domosdoshëm. Pas shumë përpjekjesh isha më në fund e gatshme ta bëja këtë hap, pra për ta thyer rekordin. Dhe më në fund ia dola. Gjatë garës kisha disavantazhe, pasi isha e vetme në pistë, pa rivalë që të më jepnin shtysë, kisha disi dhe frikë, por e rëndësishme është se ia dola. 

Shpesh është vështirë të mbash ritëm në gara të tilla vendimtare, aq më tepër që janë dy xhiro rreth pistës....
Ishin dy xhiro me nga 400 metra. Në 400 metrat e para ndihesha më e lirshme, pastaj dëgjoja trajnerin që më bërtiste e që më thoshte që je në kohë  për të pasur rezultatin e dëshiruar. Kuptohet që 400 metërshi i mbetur ishte vendimtar. I bëra pak a shumë në të njëjtën kohë dhe në fund gëzimi ishte sigurisht i madh. Ishte shpërblyer puna e bërë për një kohë të gjatë.

Në fakt, ky rekord u duk disi i papritur, nisur nga fakti se rekordi ishte vendosur nga një atlete e famshme shumë vite më parë. Ju kishit besim se në këtë kampionat do ta arrinit këtë sukses?
Siç thashë unë kisha kohë që përgatiteshim dhe puna ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Kisha besim se do ta thyeja rekordin dhe pavarësisht vështirësive që erdhën si pasojë e prezencës e vetme në garë ia dola. Së bashku me trajnerin kishim njoftuar që më parë edhe Federatën e Atletikës se jemi për rekord, pasi në prova rezultatet kishin qenë shumë të larta. Sa i përket pjesëmarrjes në kampionat ky është një detyrim i atletit, pasi nëse nuk prezantohesh në aktivitetet kombëtare të humb e drejta të marrësh pjesë në aktivitetet ndërkombëtare. Problemi im në garat e zhvilluara nuk kishte të bënte me konkurrencën, pasi nuk bëhej fjalë për vendin e parë, por për rezultatin.

Në të vërtetë ju thyet dy rekorde në kampionatin e fundit kombëtar, pasi ishte dhe gara e 3000 metrave me pengesa. Ishte dita juaj apo jo?
Në garën e 3000 metrave me pengesa garova në ditën e dytë të aktivitetit. Edhe në këtë disiplinë theva rekord kombëtar. Gjatë këtij viti e kam thyer tri herë me radhë rekordin në këtë disiplinë, duke e zbritur kohën nga 12’35’’ në 9’54’’, pra është një përmirësim i dukshëm dhe premtues.

Më parë rekordin e 800 metrave e mbante Pavlina Evro. Ju e njihni atë?
Nuk e njoh nga afër, por kam dëgjuar për të. Ka qenë një emër i spikatur i atletikës tonë, pra një sportiste shumë e mirë dhe me rezultate shumë të larta, çka e tregon dhe fakti se rekordi i vendosur kishte kaq shumë kohë në fuqi.

Cilat janë objektivat tuaja në vazhdim?
Objektivat e mi madhorë janë aktivitetet ndërkombëtare, pasi synohet pjesëmarrja në Olimpiadë. Rezultatet do të jenë më të mira në aktivitetet që do të zhvilloj jashtë, pasi atje do të ketë konkurrencë, me rivalë direktë. Atje garon si e barabartë dhe përpjekja për vend të parë bëhet më e madhe. Kësisoj janë rritur dhe qëllimet e mia për të pasur rezultate më të mira dhe ecuria e dy viteve të fundit më jep shkas të besoj se në garat e ardhshme ndërkombëtare do të mund të siguroj kualifikimin në Olimpiadë.

Në ç’nivel ka qenë prezantimi juaj në aktivitetet ndërkombëtare të kohëve të fundit?
Duke filluar nga viti 2010, në të gjitha garat ndërkombëtare ku kam marrë pjesë, kam zënë vendin e parë. Kështu, në Tivar, si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, zura vendin e parë. Të njëjtin sukses pata dhe në aktivitetin e Zenicas  në Bosnjë, si në vitin 2010 ashtu dhe këtë vit. Në turneun “Bruno Zauli”, që i përket “Ligës së Tretë” me pjesëmarrjen e 16 vendeve , zura vendin e parë në 800 metra dhe në 1500 metra. Normalisht që rezultatet kanë ardhur në rritje të vazhdueshme dhe kjo është pozitive. Kam që nga viti 2008 që shënoj vetëm rritje në rezultate dhe kjo më jep besim për vazhdimësinë.

Ju garoni në disa disiplina, por cila është realisht gara juaj e preferuar?
Unë për garën e 800 metrave kam punuar jashtëzakonisht shumë. Madje që kur kam ardhur këtu e kam nisur me garën e 800-it. Por kam bërë dhe garën e 1500 metrave, duke qenë se jam e lehtë në peshë. Unë kam thyer një rekord në 800 metra, por mund të them se edhe në 1500 metra nuk është e vështirë për ta thyer rekordin. Megjithatë, unë siç thashë kam investuar në garën e 800 metrave. Në të vërtetë nuk jam e fiksuar pas rekordeve. Sportin e shoh për një kohë të gjatë. Gradualisht dua të arrij rezultate gjithnjë e më të mira. Sidoqoftë, edhe pse 800-i është gara ku kam punuar më fort, edhe në 1500 metra mbaj vendin e parë në kampionat kombëtar.

Ju sapo keni thyer rekordin në 800 metra, por stafi teknik, pra trajneri, këmbëngul që gara ku ju mund të çani është 3000 metra me pengesa...
Në garën e 3000 metrave me pengesa kam premisa për të shkuar në Olimpiadën e Londrës. Në këtë lloj gare kam pak kohë që jam marrë. Duke qenë peshë e lehtë dhe duke kaluar me lehtësi pengesat, kam mundur të fiksoj një rezultat të mirë, i cili po përmirësohet vazhdimisht. Pavarësisht se në këtë disiplinë nuk kam bërë shumë stërvitje, kam shënuar disa rezultate që kanë shumë pikë olimpike dhe realisht në garën e 3000 metrave me pengesa ndihem më afër Olimpiadës.

Së shpejti do të garoni në aktivitetin e Reikjavikut. Është ky testi i duhur për të treguar se jeni realisht e aftë për kualifikim në Olimpiadë?
Në këtë aktivitet, që zhvillohet më 18 qershor, do të garoj në garën e 3000 metrave me pengesa, pasi aty kam objektiv madhor rezultatin. Nëse gjërat shkojnë mirë dhe nëse ndihem në formë, të nesërmen, pra më 19 qershor, do të garoj dhe në 1500 metra, më tepër për t’i dhënë pikë ekipit.

Cili është objektivi juaj në këtë aktivitet?
Objektivi im është të zë vendin e parë dhe kam besim se do t’ia arrij. Kjo garë realisht më jep shtysë, pasi në ranglistën botërore të kësaj disipline mbaj vendin e 17 në botë. Pra kam shumë shpresë për një rezultat akoma më të mirë. Ndodhem vetëm pak sekonda larg normës olimpike dhe deri vitin e ardhshëm kam bindjen se do ta kem kapur rezultatin e dëshiruar.

Nuk i frikësoheni rivalitetit me sportistet e tjera?
Përkundrazi, rivaliteti do të më ndihmojë për një rezultat më të mirë. Vështirësia në këtë aktivitet mund të lidhet vetëm me kushtet atmosferike në Islandë. Gjithsesi, unë luftën në këtë aktivitet nuk e bëj për pozicion, por për rezultat më të mirë nga sa kam shënuar deri tani.

Cila është gjendja e pikëve olimpike që keni pas rezultateve të fundit?
Në 800 metra kam 1102 pikë olimpike, ndërsa në garën e 3000 metrave me pengesa, kam 1108 pikë olimpike. Siç shihet në këtë të fundit ndihem më mirë dhe kam më shumë shanse për përmirësim.

Merrni shpërblim nga FSHA-ja?
Asgjë deri tani. Ka premtime, sidomos pas rekordit, por...

A ju ka kontaktuar KOKSH-i pas rezultateve tuaja të fundit? A merrni ju bursë olimpike?
Jo, nuk marr bursë olimpike, por shpresoj këtej e tutje. KOKSH-i deri tani s’ka bërë asgjë, por me siguri që do të reflektojë pas rezultateve që arrita në kampionatin e fundit kombëtar. Mendoj se tani do të ma japin bursën olimpike, nisur dhe nga shifra e konsiderueshme e pikëve olimpike që kam, e cila është dukshëm edhe mbi atletët e tjerë cilësorë.

A është aktiviteti i radhës i vlefshëm për kualifikim në Olimpiadë?
Aktiviteti që zhvillohet në Islandë është i vlefshëm për kualifikim në Olimpiadë. Madje çdo aktivitet i atletikës në një vit që mbetet nga zhvillimi i Olimpiadës është i vlefshëm për kualifikim. Unë jam katër sekonda larg normës së kualifikimit dhe duke pasur parasysh që në tre muajt e fundit kam përmirësuar më shumë se 1 minutë, mendoj se kam shanset e duhura për ta përmirësuar rezultatin në 3000 metra me pengesa.

 


Kush është Luiza Gega?
Datëlindja:    05.11.1988
Vendlindja:     Dibër
Vendbanimi:     Durrës
Arsimi:    I lartë
Pasuniversitar:    Master në Shkencat e Lëvizjes
Disiplinat:     800 m, 1500 m, 3000 m/p
Rekorde:     800 m (2’02’’94), 3000 m/p (9’54’’77)

 

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 0