Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

“ NATO”, në luftë kundër “NATO”- s?!

“ NATO”, në luftë kundër “NATO”- s?!

Duket diçka e jashtëlogjikshme, por jo! Ja që nuk është ashtu, sepse kjo është ligjësi zhvillimit të pabarabartë të natyrës së kapitalizmit midis njëri-tjetrit. E jo vetëm kaq, por në situata të caktuara është dhe dëshmi e kontradiktave të papajtueshme me njëri-tjetrin, për shtrirjen dhe zgjerimin e zonave të influencës ekonomike, kontradikta këto të cilat kur acarohen dhe arrijnë në pikën kulminante manifestohen me kërcënime të ndërsjellta për ndërhyrje të armatosur. Po çfarë po ngjet në fakt në mikroishullin “Kastellrico” që Turqia pretendon se është një padrejtësi e madhe që i ka bërë Europa që ishullin në fjalë si ndëshkim për perandorinë Otomane dhe dëmet që Turqia i kishte shkaktuar Greqisë, ja la këtë ishull kësaj të fundit në vitin 1947. Mbase dhe për faktin tjetër, se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Turqia herë hiqej asnjeanëse e herë kërkonte lidhje me Gjermaninë. Ky qëndrim i paqartë politikisht dhe pa një pozicion të vendosur, e bëri Turqinë edhe më qesharake kur ajo i “hapi luftë” boshtit fashist Romë - Berlin- Tokio, në fillim të vitit 1945, kur lufta thuajse i kishte ditët e saj të fundit! Duhet nënvizuar njëkohësisht dhe fakti tjetër se midis Turqisë dhe Greqisë (ky nuk është vetëm rasti i fundit,) që nga viti 1974 Turqia si anëtare e NATO-s u mobilizua ta pushtonte ishullin e Qipros duke kërcënuar ushtarakisht dhe Greqinë. Teksa Europa e njeh si tokë të Greqisë, Turqia e njeh si tokën e vet dhe nuk e njeh aspak Qipron greke. Po pse cila është arsyeja? A nuk ishin atje ku janë dhe gjenden edhe sot si Greqia, si Turqia madje dhe ishujt? Çfarë e detyron Greqinë që të këmbëngulë aq shumë për ruajtjen e ekskluzivitetit të zonës së saj ekonomike, ndërsa kërkon nga ana tjetër zgjerimin e hapësirës detare me Shqipërinë? Po Turqia çne, mbas dhjetëra e dhjetëra viteve na kujtohet se kjo tokë meqenëse është vetëm 2 km larg territorit të Turqisë në një kohë që vetë Greqia e ka më shumë se 500 km larg, i takon asaj, pra Turqisë?! Mos vallë Erdogan efendiu me këtë rast ne na “del në mbrojtje” (Shqipërisë) duke justifikuar me këtë rast edhe orekset e tyre në Egje? Meqenëse jemi në këtë temë, më duhet të bëj të ditur edhe opinionin publik tonin, pra të Shqipërisë, se mbas viteve 1975 meqenëse në veri të ishullit të Sazanit ngjitur me bregun bulëzojnë shtëllunga gazi, u mendua të shpohej për të kërkuar naftë. Filluan dhe punime, por nuk u shpua atje ku bulëzonte gazi, por gati 1km më në jug dhe naftë nuk u gjet... po gazi? Mos vallë kjo i kjo i ka tërhequr vëmendjen Greqisë? E shkruaj këtë, sepse menjëherë dhe një kompani italiane në një vijë të drejtë në perëndim të Sazanit, afër brigjeve të tyre diku pranë Brindisit, ngritën nje platformë shpimi (këtë platformë e kam parë personalisht gjatë kryerjes së një detyre luftarake në atë kohë). Pra çështja nuk është thjesht territoriale, por sikurse vërehet në mes janë interesa të mëdha ekonomike, sepse pikërisht në këtë ishull të Egjeut në Kastelrizo, mendohet sipas kërkimeve të kompanisë eksploruese të ketë sasira të mëdha të gazit natyror në gjendje të ngrirë. Europës kjo gjë i intereson shumë, sepse nga pikëpamja strategjike nëse fillojnë punimet për nxjerrjen e gazit nëpërmjet tubacioneve që kalojnë nga Egjipti në Tel Aviv ishullin grek të Qipros dhe prej Greqie nëpër Europë. Nëse do të realizohej me sukses nisma e “East Med” atëherë Europa nuk ngelet më e varur nga gazi dhe rubinetat ruse kështu që dimri rus kalon me acar në Europë. Por Europa madje dhe Amerika janë në hall të madh, sepse të dy vendet si Turqia dhe Greqia që janë dhe anëtare të bllokut agresiv e ushtarak të NATO-s dhe dihet se NATO ruan interesat ekonomike të “Bashkësisë euro-atlantike”. Si të bëjnë?! Erdogani vuri në hall të madh dhe Trampin, i cili kërkon të ndërmjetësojë, por edhe vetë Merkelin e Gjermanisë, për të gjetur një zgjidhje paqësore midis tyre, madje me këtë situatë të pazakontë, nuk janë ngritur në alarm dhe gatishmëri luftarake vetëm forcat aero-detare të Turqisë dhe Greqisë, por me urgjencë është nisur drejt Egjeut dhe një grupim me luftanije, të cilat mbajnë në shtizën e direkut, flamurin francez. Dhe po atje janë nisur në heshtje dhe luftanije ruse. Qirjako Micotaqi i Greqisë ka mbështetjen e Europës, teksa Rusisë nuk i intereson aspak ky pellg gazi, sepse si Turqia ashtu dhe Greqia si njëra ashtu dhe tjetra ta kenë si zonë të tyre ekonomike, asaj, pra Rusisë do t’i dëmtoheshin interesat e saj ekonomike dhe pse dihet se Rusia mban anën e Turqisë. Parë nga ky këndvështrim, carëve të rinj të Kremlinit do t’u interesonte që tensioni midis dy vendeve të vazhdonte, paçka se së opinionin ndërkombëtar hiqen se dhe ata janë për zgjidhjen e krizës. Një konflikt i armatosur brenda për brenda BE-së; Rusisë së Putinit do t’i interesonte shumë deri në pikën e sabotimit të ndërtimit të impiantit gazsjellës me qëllim që ajo dhe vetëm ajo, të jetë “padronia”e padiskutueshme e ekskluzivitetit të shpërndarjes së gazit në të gjithë Europën e deri në skajet më të largëta të Azisë. Flitet edhe për krizën e emigrantëve apo dhe çështjen e kishës ortodokse të Shën Sofisë (për t’u ndërtuar brenda mureve të një xhamie), por këto nuk përbëjnë aspak motiv konflikti të armatosur, madje dhe incidenti i fregatës greke “Limnos” ndaj anijes eksploratore turke “Oruk Ris” në ujërat përreth ishullit. Këta janë elementë provokativë që acarojnë artificialisht situatat, sepse ajo që është thelbësorja, pra kontradiktat ekonomike midis një vendi të BE dhe të një tjetri që aspiron për në BE, flet për kacafytjen me njëri-tjetrin edhe në stanin e ujqërve kapitalistë, kacafytje kjo ekonomike, që po sfidon dhe vetë NATO-n. E sfidon për faktin se NATO, nga një organizëm lufte për të mbrojtur “Bashkësinë Euro-Atlantike” e formuar më 1949, po kthehet në një organizëm dhe arenë e luftës së brendshme ose më saktë “NATO në luftë me vetveten kundër NATO-s”. Ja pra si vërtetohet plotësisht teza e Leninit mbi natyrën e kapitalizmit dhe imperializmit, se luftrat janë bashkudhëtare të këtij sistemi, se ato nuk janë gjë tjetër, veçse vazhdim i politikës ekonomike me mjete të tjera dhune, më të ashpra deri në konflikte të armatosura. Gjithsesi, luftë nuk do të ketë, sepse nëse ajo do të shpërthente, nuk do jenë më as Turqia e as Greqia, ato, që do e shpërthejnë atë. Ato, e shumta do jenë një motiv i hapjes, një preteks i luftës midis superfuqive, (si koburja e Gavrilio Principit që nga tyta e saj shpërtheu gjasme Lufta e Parë Botërore) një luftë thellësisht katastrofike imperialiste e me gjakderdhje të madhe. Do ta lejojnë vallë popujt, dorën gjakatare të imperializmit, që për nga përmasat mund t’ia kalojë dhe Luftës së Dytë Botërore?! Në këtë rast popujt duhet të dinë dhe kuptojnë mirë, se duhet ta marrin ata në dorë fatin e tyre dhe luftën ndërimperialiste, ta kthejnë, nga një luftë grabitqare, në një luftë për çlirim kombëtar e shoqëror ku të mbizotërojë me plot kuptimin e fjalës, liria barazia, vëllazëria e vërtetë, duke e shporrur një herë e përgjithmonë skllavërinë ekonomik edhe jo të bëhen mish për top për interesat e atyre që na shfrytëzojnë, i skllavërojnë çdo ditë e më shumë. Ndaj dhe Marksi e ka cilësuar jo pa qëllim se “Proletariati është varr-rrëmihës i borgjezisë”. Marksi kishte dhe ka të drejtë, a mundet dot kush që ta kundërshtojë? Jo! Sepse të kundërshtosh Marksin, do të thotë se jo vetëm nga padituria të mos njohësh realitetet historike, por edhe kur i shikon ato, të jesh qorri më i keq në vlerësimin e dialektikës së zhvillimit të ngjarjeve dhe fenomeneve shoqërore.