BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Opinion / Editorial

100 vjet nga Lufta e Parë Botërore, mësime prej saj

100 vjet nga Lufta e Parë Botërore, mësime prej saj

Lufta e Parë Botërore, ose Lufta e Madhe, ishte një luftë globale, e përqendruar në Europë, e cila filloi më 28 korrik 1914 dhe zgjati deri më 11 nëntor 1918. Ajo përfshiu të gjitha Fuqitë e Mëdha të botës, të mbledhura në dy aleanca të kundërta, (Britania e Madhe, Franca dhe Rusia) dhe Fuqitë Qendrore (Gjermania dhe Austria-Hungaria). Më shumë se 70 milionë ushtarakë, duke përfshirë 60 milionë europianë, u mobilizuan në një nga luftërat më të mëdha në histori. Më shumë se 9 milionë luftëtarë u vranë.

Shqipëria në LIB nuk u bashkua me asnjë nga Fuqitë ndërluftuese, të Antantës apo të Boshtit Qendror. Shqipëria, gjatë kësaj periudhe, ishte i vetmi vend ballkanik pa kryetar shteti, pa qeveri, pa politikë të jashtme të shtetit shqiptar. Fuqitë ndërluftuese nuk e shihnin Shqipërinë si një vend aleat, apo kundërshtar, por si një terren lufte dhe plaçkë tregu për të kënaqur interesat e tyre.

Ekziston një debat njëqindvjeçar mbi shkaqet dhe origjinën e LIB. Si mundet që vrasja e një njeriu, kryepeshkopit Franz Ferdinand, të shkaktonte vdekjen e miliona njerëzve në një luftë me shkallë të paparë? Si arriti Europa, brenda një muaji, nga vrasja e Franz Ferdinandit në situatën në fillim të gushtit kur Gjermania dhe Austria-Hungaria ishin në luftë me Serbinë, Rusinë, Francën, Belgjikën dhe Britaninë? Gjetja e përgjigjes për këtë pyetje ka angazhuar historianët për 100 vjet dhe arritja në një konsensus bindës është provuar e pamundur.

Vendosja e përgjegjësisë për përshkallëzimin e krizës së korrikut në një luftë europiane dhe më pas në një luftë botërore ka qenë e debatueshme qysh para fillimit të Luftës e deri më sot. Francezët, belgët, rusët, serbët dhe britanikët ishin të bindur se ata ishin të përfshirë në një luftë mbrojtëse për qëllime të drejta. Austriakët dhe hungarezët po luftonin për hakmarrjen e vdekjes së Franz Ferdinandit. Gjermanët u siguruan se ishin të detyruar të mprihnin shpatën kundër fqinjëve të tyre. Në vitin 1914, gjermanët ishin të sigurt se nuk e kishin filluar ata luftën. Por nëse jo ata, atëherë kush e kishte shkaktuar këtë luftë? Për fituesit, kjo ishte një pyetje e lehtë për t'u përgjigjur dhe ata ranë dakord në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, se Gjermania dhe aleatët e saj ishin përgjegjës për shkaktimin e Luftës.Vendimi "Për fajësinë e Luftës", i cili u mishërua në nenin 231 të Traktatit të Versajës, vendosi tonin për debatin e gjatë që pasoi mbi shkaqet e luftës.

Çështja që është diskutuar me shumë forcë është nëse LIB qe e predestinuar të shpërthente, sepse konkurrenca e gjashtë Fuqive imperialiste e kishte bërë të pashmangshme, apo nëse ishte e mundur një stabilizim i rendit të paqes. Kjo mospërputhje e politikës së atëhershme europiane u bë e qartë në mënyrë mjaft shembullore në Shqipërinë e vogël. Nga njëra anë u bë e mundur të gjendej një konsensus në formën e një Shqipërie të pavarur me princin Wied në krye, nga ana tjetër, më pas, në qeveritë kombëtare fitoi përparësi politika për ndjekjen e interesave të veta.

Për historianët, të kuptuarit e shkaqeve të LIB janë po aq të rëndësishme sa të kuptuarit e efekteve shkatërruese të konfliktit. Kishte shumë faktorë që kushtëzuan LIB.

Ekspansioni europian - Në vitet 1900, disa kombe europiane kishin perandori dhe zotëronin toka në mbarë globin. Para LIB, britanikët dhe francezët kishin rajonet më të fuqishme të kolonizimit në botë. Zgjerimi i kombeve europiane si perandori mund të shihet si shkak kryesor i Luftës. Ndërsa vazhdonte ekspansionizmi britanik dhe francez, u rritën tensionet mes perandorive kundërshtare, duke përfshirë Gjermaninë, Austro-Hungarinë dhe Perandorinë Osmane, duke çuar në krijimin e Fuqive Aleate dhe Fuqive Qendrore.

Nacionalizmi serb - Nacionalizmi ishte një shkak i rëndësishëm për fillimin e Luftës, veçanërisht nacionalizmi serb, i cili mund të datojë qysh në mes të viteve 1800. Në Ballkan, serbët kërkuan pavarësinë nga Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane dhe në vitin 1878 ata u përpoqën të fitonin kontrollin e Bosnjës dhe Herzegovinës, për të formuar një shtet të unifikuar serb. Me rënien e Perandorisë Osmane, nacionalizmi serb vazhdoi të ngrihej, duke kulmuar me vrasjen e Kryepeshkopit të Austrisë.

Vrasja e Franz Ferdinandit - Më 28 qershor 1914, u vra Kryepeshkopi i Austrisë, Franz Ferdinand. Kryepeshkopi u zgjodh si objektiv sepse ai do të ishte trashëgimtar i Perandorisë Austro-Hungareze. Pas vrasjes, Austro-Hungaria lëshoi një ultimatum për Serbinë dhe shpalli luftë kundër saj, me mbështetjen gjermane. Rusia erdhi në mbrojtjen e Serbisë, duke nisur kështu LIB. Lufta nisi nga Gadishulli i Ballkanit dhe jo vetëm për shkak të vrasjes së Kryepeshkopit, por edhe për shkak se Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913 ishin një lloj faze prove. Asnjë nga gjashtë Fuqitë e mëdha të asaj kohe nuk ishin të përkushtuara për të realizuar interesat e tyre në bashkëveprim me shtetet e reja kombëtare. Kjo ishte vënë re që në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, përfundimet e të cilit ishin të pafavorshme veçanërisht për shqiptarët dhe kjo dukuri u ashpërsua më tej gjatë Luftës.

Konfliktet mbi aleancat - Në epokën para LIB, vendet në të gjithë Europën kishin krijuar aleanca. Aleancat premtuan se çdo vend do të mbështeste tjetrin nëse lufta mund të shpërthente midis një aleati dhe një fuqie të madhe. Para Luftës ishin krijuar disa aleanca, si ajo Rusi – Serbi, Francë - Rusi, Gjermani - Itali - Austro-Hungari, Britani – Francë – Belgjikë etj. Nga fillimi i Luftës, Italia dhe Shtetet e Bashkuara hynë në anën e Fuqive Aleate, që përbëhej nga Rusia, Franca dhe Britania e Madhe. Fuqitë Qendrore, në mënyrë alternative, përbëheshin nga Gjermania, Austria-Hungaria, Perandoria Osmane dhe Bullgaria.

Aleanca midis Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë - Në korrik të vitit 1914, Gjermania ofroi mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Austro-Hungarisë. Nëpërmjet mbështetjes së pakushtëzuar, Austro-Hungaria fitoi triumfin ushtarak dhe politik në sigurimin e Ballkanit. Gjermania u dha udhëheqësve austro-hungarezë besimin e nevojshëm për të filluar luftën kundër Serbisë.

Milenarizmi i Gjermanisë, Shpirti i vitit 1914 - Për Gjermaninë e LIB, historianët dëshmojnë se Shpirti i vitit 1914 ishte i lartë, me mbështetjen e popullatës gjermane për pjesëmarrje në luftë. Qeveria gjermane besonte se fillimi i Luftës dhe mbështetja e saj ndaj Austro-Hungarisë ishte një mënyrë për të siguruar vendin e saj si një fuqi kryesore, e cila u mbështet nga nacionalizmi publik. Suksesi që gjermanët panë në betejat e para të LIB, siguroi një platformë për qeverinë gjermane për t'u pozicionuar si e aftë për të arritur më shumë, e frymëzuar nga një shpirt i unifikuar nacionalist.

Në LIB të gjitha palët ndërluftuese shkelën në mënyrë arbitrare të Drejtën Ndërkombëtare, Ligjin ekzistues të Luftës dhe konventat e atëhershme. LIB, veçanërisht për Fuqitë Qendrore dhe Perandorinë Ruse mbetet një njollë e errët në histori, përsa i përket zbatimit të së Drejtës së Luftës.

Ashtu si ngelën në letër konventat dhe e Drejta Ndërkombëtare, ashtu ngelën në letër edheaktet e viteve 1913-1914 lidhur më Shqipërinë të përpunuara prej 6 Fuqive. I rëndësishëm është ndryshimi midis Traktatit të Londrës dhe akteve të 1913-1914-s lidhur me Shqipërinë. Dallimi midis tyre shprehet jo vetëm në numrin e pjesëmarrësve, por sidomos në shkallën e efektivitetit të tyre dhe pasojat që rrodhën prej tyre. Aktet e 1913-1914 nuk u kufizuan të shprehnin vetëm vullnetin e 6 Fuqive. Ato u pasuan edhe me një varg masash konkrete për realizimin e tyre në praktikë. Aty zënë fill procedurat e njohura të brendshme e të jashtme që duhej t'i jepnin zgjidhje çështjes shqiptare. Traktati i Londrës nuk mund të zhvleftësonte aktet e 1913-1914-s. Ai ishte një shkelje flagrante e tyre. Traktati i Londrës, mban firmat në emër të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Rusisë. Janë këto 4 firma (nga të 6-at) që figurojnë po ashtu në aktet ndërkombëtare mbi Shqipërinë, të aprovuara pak më shumë se një vit më parë. Çështja shtrohet jo vetëm nga ana morale, por edhe juridike. Më thelbësore është pikërisht çështja e themeltësisë juridike të këtyre akteve që përjashtojnë njëri-tjetrin; ato të 1913-1914-s, që njohin dhe garantojnë pavarësinë shqiptare dhe Traktati i fshehtë i 1915-s, që është një mohim i plotë i tyre. Del pyetja, (pyetje që do të përbënte objektin e një debati në instancat ndërkombëtare lidhur me bazat juridike të rimëkëmbjes së shtetit të pavarur shqiptar pas Lufte): a ishte Traktati i prillit i 1915-s një fakt juridik i tillë i cili do t'i godiste aktet e 1913-1914-s në vetë vlefshmërinë e tyre? A mund të konsideroheshin këto akte tani si të paqena e të pavlefshme?

Përgjigjja e këtyre pyetjeve nuk mund të gjendet në doktrinën e së të Drejtës Ndërkombëtare, për arsyen e thjeshtë se aty mungojnë zgjidhje qoftë në sensin pozitiv, qoftë në atë negativ. Politikanët e Fuqive të Mëdha nuk janë ndodhur kurrë ngushtë nga mungesa e kallëpeve juridike të gatshme për t'u dhënë edhe arbitrariteteve më flagrante trajtën e jashtme të veprimeve "legjitime". Përgjigjja më e saktë jepet nga vetë zhvillimi i ngjarjeve brenda në Shqipëri, që karakterizohet nga prania dhe gërshetimi i dy faktorëve: në njërën anë, veprimet ushtarake të palëve ndërluftuese dhe në anën tjetër, kundërveprimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e regjimit të okupacionit e të administratës ushtarake të vendosur prej palëve kundërshtare.

LIB është një nga periudhat më të rrezikuara të ekzistencës së shtetit shqiptar. E megjithatë, në këto vite të pushtimit, kaosit, të pazareve në dëm të interesave kombëtare dhe të arbitrariteteve flagrante të së drejtës ndërkombëtare, shkëlqeu vitaliteti shqiptar, jo vetëm si rezistencë popullore kundër ekspansionit të fqinjëve, por edhe si veprim i personaliteteve kryesore politike ndaj diplomacisë së Fuqive të Mëdha.

LIB u solli shteteve ballkanike zgjerime territoresh dhe rritje artificiale popullsish në dëm të shqiptarëve, të cilit ishin të vetmit që u sakatuan në territoret dhe popullsinë e tyre. Kjo periudhë i gjeti shqiptarët në kohën e tyre më kaotike, të paqartë në perspektivën e tyre, të paorganizuar së brendshmi dhe të kërcënuar së jashtmi. Italia dhe Greqia, në vjeshtë të 1914 futën forcat e tyre ushtarake në Vlorë e në Shqipërinë e Jugut. Serbia dhe Mali i Zi në qershor 1915 pushtuan Shqipërinë Veriore deri në Durrës. Bullgaria pasi hyri në luftë përkrah Fuqive të Boshtit pushtoi territore shqiptare nga Ohri deri në Elbasan. Franca, në vjeshtë të 1915-s dërgoi forca dhe mori nën kontroll rajonin e Shqipërisë juglindore me qendër Korçën.

Shqipëria qe territor i pushtuar nga austriakët, serbët, malazezët, grekët, francezët, bullgarët, italianët, dhe secili prej tyre kishte aleatët e vet shqiptarë. Gjithsesi, personalitetet kryesore politike shqiptare kanë arritur të orientohen dhe të veprojnë, duke treguar kompleksitet në sjelljet e tyre. Kështu, krahas nënshtrimit dhe vënies së interesave personale mbi ato kombëtare, vihen re meritat e shumicës që edhe në ato rrethana të rënda nuk i reshtën përpjekjet për rimëkëmbjen e pavarësisë dhe integritetin e tokave shqiptare. Në vitet e pushtimit merr vlera të veçanta vitaliteti shqiptar, jo vetëm si rezistencë popullore, por edhe si veprim i personaliteteve kryesore politike ndaj diplomacisë së Fuqive të Mëdha. Vlen të përmendet "Republika" e Korçës dhe qëndrimet patriotike jo vetëm të pjesës dërmuese të popullsisë, por edhe të personaliteteve të asaj kohe.

LIB, qëndrimet e aleancave, të shteteve të fuqishme dhe të fqinjëve, si dhe padrejtësitë që u shkaktuan ndaj shqiptarëve gjatë kësaj Lufte, shërbejnë si një mësim i madh historik.

Integrimi në Europë, në institucionet dhe aleancat euroatlantike, si një mësim historik, megjithëse kërkon kohë dhe përkushtim, mbetet alternativa e vetme për shqiptarët. Fantazma e konflikteve dhe e luftës ndihet ende sot në Ballkan, ku shumë probleme kanë mbetur pa zgjidhje. Edhe në kohën e sotme Ballkani po përballet me problematika dhe mosmarrëveshje të natyrës politike, etnike, fetare, institucionale, kufitare, ekonomike etj. Konfliktet ballkanike, gjendja e pasigurtë dhe e pastabilizuar janë një arsye e fortë për Europën se duhet të marrë më shumë përgjegjësi në aspektin e sigurisë dhe prosperitetit.

Çështja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja formale e Kosovës nga Serbia, negociatat Shqipëri – Greqi, çështja e emrit të Maqedonisë, si dhe shumë problematika të tjera të pambyllura, janë çështje të shtruara për zgjidhje, dhe megjithë skenarët, incidentet, shantazhet, apo ngjarjet në dukje të shkëputura, zgjidhja e tyre do të jetë sipas vlerave dhe parimeve të botës demokratike. Sot jetojmë së kohë tjetër dhe në situata të tjera, e megjithatë shfaqen problematika të ngjashme me ato të 100 vjet përpara. E rëndësishme është që ngjarjet e së kaluarës, vuajtjet dhe padrejtësitë të na shërbejnë si mësime historike për të ardhmen tonë.

Nga Dr. Luljeta KODRA*

*Pedagoge e së Drejtës Ndërkombëtare