BREAKING NEWS

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik raportimesh për UFO-t në Itali, ja rasti i paprecedentë që ka kapur radari në aeroportin Malpensa në Milano dhe lidhja me pandeminë e COVID-19

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik
x

Opinion / Editorial

108-vjet tradita që pasurohen në vijimësi nga Forcat e Armatosura

108-vjet tradita që pasurohen në vijimësi nga Forcat e Armatosura

Ushtria kombëtare shqiptare është vepër e shqiptarëve

4 Dhjetor 1912 ushtarakët shqiptar festojnë ditëlindjen e FA. Në këtë datë lartësohen në kujtesën historike të Atdheut brezi i ushtarakëve që me kurajo, me besim dhe me ide fisnike krijuan Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare (Luftës). Madhështia e aktit të kryer, pavarësisht përpjekjeve të regjimeve të ndryshme për denigrim, për të harruar, apo mënjanuar, kjo datë ka zënë vend në kujtesën kombëtare. Shtetet kombëtare nuk krijohen nga aktorë të jashtëm, qofshin këta dhe Fuqi të Mëdha, në qoftë se nuk egziston një popull që ka nevojë për shtetin e vet. Prof. Kristo Frashëri ka theksuar se asnjë nga popujt e Ballkanit nuk ka zhvilluar gjatë shekujve aq shumë kryengritje kundër zgjedhës osmane sa shqiptarët. Në periudhën e shkurtër të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ushtria shqiptare, e re dhe e brishtë, e udhëhequr dhe drejtuar nga gjeneral Mehmet pashë Dërralla, major Shefqet Ali Shkupi dhe oficerë të tjerë atdhetarë, të cilët kishin shërbyer në radhët e Ushtrisë së Perandorisë Osmane, bënë ç’ishte e mundur. Kjo ushtri e përbërë kryesisht nga strukturat rezerviste, vullnetarë, xhandarë dhe më pak forca aktive, e kryen detyrën e vështirë, në kushte kur vijonte Lufta Ballkanike, për mbrojtjen e pavarësisë së arritur me shumë përpjekje të shtetit të sapokrijuar dhe të rendit. Zhvillimet politike shoqërore të viteve 1912-1920, shënojnë një etapë të veçantë në historinë e popullit tonë. Kjo periudhë shërbeu për të kristalizuar tiparet, pikëpamjet, mendimet dhe karakteristikat dalluese të një kombi, si dhe përpjekjet për të qenë të organizuar në përballim të sfidave politike e ushtarake për sigurimin e mbijetesës.

Rreth konceptit dhe mendimit ushtarak

Gjatë viteve në vijim 1921-1924, mori formë dhe spikati më qartë koncepti dhe mendimi ushtarak për ndërtimin, organizimin, stërvitjen dhe përdorimin e Fuqive të Armatosura dhe të Ushtrisë në veçanti, sipas niveleve bashkëkohore të përparuara. Në këto vite morën formë tiparet e Ushtrisë shqiptare, si ushtri e kohës gjithnjë në kërkim të vetvetes. U hodhën gradualisht bazat e organizimit të mirëfilltë e të qëndrueshëm ushtarak me imazh bashkëkohor. Përgjatë këtij harku kohor 1925-1939, u bënë përpjekje për t’u integruar me filozofi e konceptime perëndimore, por duke ruajtur traditën, me veçori e përshtatshmëri kombëtare. U synua dhe u arrit në strukturën e organizimit, e pajisjes, e armatosjes dhe e përgatitjes së saj. Në këto vite u bë shkëputja nga mendësitë dhe nga format e vjetra dhe tradicionale të stërvitjes, duke përzgjedhur dhe zbatuar një infrastrukturë ligjore të nevojshme të kohës. U plotësua hap pas hapi përmes miratimit të bllokut të ligjeve përcaktues për krijimin, organizimin, pajisjen, arsimimin e kualifikimin, shërbimin ushtarak, trajtimin ekonomik e financiar deri më 1939, ku gjetën mbështetje fillimisht në status me vlera kombëtare, duke u dhënë fuqinë e duhur ligjore. Njëherësh, u punua për krijimin e një kuadri të domosdoshëm me rregullore, të cilat rregulluan organizimin, jetën dhe veprimtarinë e Ushtrisë shqiptare. Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë dhe Italisë për të krijuar një ushtri shqiptare të aftë për të ruajtur dhe mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë, kjo nuk dha fryte. Ushtria shqiptare nuk mund të ngrihej kundër sundimtarëve të saj. Kështu spontanisht, vetëm disa dhjetra ushtarakë dhe më pak nënreparte të veçuara, së bashku me vullnetarë popullorë, i bënë një qëndresë disa orëshe pushtuesve të huaj të shpërndarë në drejtimet kryesore të zbarkimit. Ky ishte një mesazh dhe një mësim për Forcat e Armatosura, për ushtarakët dhe gjithë popullin, në raportin e tyre ligjor e profesional ndaj politikës, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me zbatimin e misionit kushtetues për mbrojtjen e atdheut.

Lëvizja antifashiste

Gjatë pushtimit të Shqipërisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, lindën forca të armatosura, joqeveritare, fillimisht në formë e përmasa të vogla nacionaliste. Pas Konferencës historike e pluraliste të Pezës, këto forca u zgjeruan dhe fituan përkatësinë politike të PKSH, të Ballit Kombëtar, të Legalitetit etj. Forca e armatosur më e madhe në numër, e cila paraqiti një skemë organizative me formacione më të qëndrueshme sulmuese, të cilat erdhën në rritje, ishte Ushtria Nacionalçlirimtare Partizane Vullnetare, që zotëronte një fuqi të madhe goditëse, disiplinë dhe shpirt të lartë luftarak. Procesi organizativ dhe veprimtaria luftarake e saj drejtohej nga një Shtab i Përgjithshëm profesional. Kjo ushtri pati një mbështetje të gjerë në popull. Deri në fund të nëntorit të vitit 1944 numëronte 70.000 luftëtarë të rreshtuar në 24 brigada, 8 divizione sulmuese dhe 3 korparmata, si dhe në dhjetra formacione territoriale në tërë sipërfaqen e vendit. Përvojë të veçantë në pikëpamje të organizmit ushtarak e më gjerë përbëjnë dhe formacionet luftarake të drejtuara nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti, përvojë që meriton të trajtohet.

Dukuri e formacioneve partizane ishte se në krye të shtabeve drejtuese e në komandat e tyre luftarake, që u krijuan në vitet e Luftës Antifashiste, drejtuan një numër i madh ish-oficerë e nënoficerë të karrierës, që vinin nga radhët e ish-ushtrisë shqiptare. Ata drejtuan me kompetencë dhe aftësi profesionale procesin organizativ dhe luftarak në rritje të kësaj ushtrie. UNÇSH ishte vijuese e traditave dhe vlerave më të mira luftarake të popullit shqiptar. Përvojë krejt të veçantë, që konfirmoi Lufta Antifashiste dhe UNÇSH, me sistemin e saj të organizimit, ishte afirmimi i parimit të vullnetarizmit. Sipas këtij parimi edhe nëse asnjë ligj nuk arrin të realizojë mobilizimin e detyruar, atëherë shtetasit rrëmbejnë armët vullnetarisht dhe bashkohen në emër të një ideali të lartë, siç është lufta për liri. Ende është e padrejtë, që për hir të pësimit historik, e që nuk është fenomen shqiptar, të minimizojmë e deri të injorojmë rolin e UNÇSH, fitoren në Luftën e Dytë Botërore, rëndësinë e madhe që pati për kombin shqiptar aderimi i LANÇ në Shqipëri në Aleancën Antifashiste Botërore.

Ndryshime dhe reforma

Ushtria shqiptare, e quajtur Kombëtare prej 10 korrikut 1945 deri në korrik 1949 dhe pas kësaj deri në vitet 1990 Ushtria Popullore, kaloi përmes një zinxhiri të gjatë ndryshimesh e reformimesh. Ushtria u riorganizua sipas një koncepti dhe filozofie tjetër, duke provuar skema të reja organizimi dhe vendosjeje, në raport me kërkesat dhe situatat politiko-ushtarake të kohës, për një mbrojtje sa më të sigurt. Nga mesi i viteve ‘60 disiplina, koncepti për stërvitjen dhe përgatitjen luftarake u përsosën, si dhe armatimi dhe teknika luftarake. Arsimimi i oficerëve pati rritje cilësore pasi shkollimi i lartë dhe kualifikimi pas akademik bëhej në akademitë më të njohura të ish-BS. Me futjen e armatimit dhe teknikës luftarake, lindën dhe disa armë e shërbime të reja si aviacioni luftarak, radiozbulimi, mbrojtja kundërkimike etj., dhe u përsosën ato ekzistuese. Fuqia mbrojtëse e vendit u rrit, ndërsa ushtria në 1955 u anëtarësua në Traktatin e Varshavës dhe veproi pothuajse si një armatë e tij prej nga doli në vitin 1968.

Tablo ndryshe paraqiten FA mbas vitit 1966 deri në fillim të viteve 1990. Në ushtri u hoqën gradat ushtarake, u rivendos posti i komisarit politik dhe u forcua ndjeshëm roli i Partisë së Punës në komandat e të gjitha niveleve. Në kuadrin e Luftës së Ftohtë dhe në përputhje me konceptin politik të kohës e të vetëizolimit, Ushtria shqiptare mori përmasa të mëdha. Kështu deri në fillim të viteve 1990 Ushtria shqiptare, duke tejkaluar madje dhe raportet e aplikuara nga vetë Traktati i Varshavës, kishte 61.000 ushtarakë aktiv ose mbi 2% të popullsisë, 360.000 rezervistë dhe 200.000 forca vullnetare territoriale, pa folur për mobilizimin e rinisë shkollore e studentore të armatosur. Ndërsa në përputhje me një nga parimet e mbrojtjes së vendit “pëllëmbë për pëllëmbë”, ushtria la kazermat dhe u shpërnda në afro 2.200 pika hapje e garnizone ushtarake në të gjithë sipërfaqen e vendit. Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe mjaft të gjatë, pavarësisht nga sistemi në fuqi, që u ndihmua dhe nga aleatët ideologjikë, kurdoherë ushtria dhe gjithë FA u përpoqën dhe ia dolën të kryejnë misionin e tyre kryesor, mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit.

Ndryshime rrënjësore në FA

Rënia e sistemit politik dhe zhvillimet demokratike në Shqipëri në fillim vitin 1990 ishte e natyrshme që kërkoi një varg ndryshimesh rrënjësore e rinovimesh dhe në FA të vendit. Në këtë proces kompleks e të vështirë, ushtria veproi përgjithësisht me një frymë demokratike dhe luajale, duke demonstruar se e donte dhe mbështeste demokracinë. U shënuan arritje në ripërqendrimin e forcave dhe të mjeteve luftarake, në hapjen dhe lidhjen e ushtrisë me ushtrinë e vendeve të tjera, në arsimimin e kualifikimin e qindra ushtarakëve në shkollat perëndimore, si dhe lidhja me organizma ushtarake ndërkombëtarë etj. Ndër kohë u përfshimë në nismën Partneritet për Paqe (PfP), u fut linja e kontrollit civil në ushtri, si dhe përpjekje u bënë për departizimin dhe çideologjizimin e forcave ushtarake. Reforma nuk ia arriti të dalë në sferën praktike, veçanërisht në linjën e departizimit të jetës dhe të veprimtarisë së ushtrisë. Shkurtimet e pastudiuara, emërtimet dhe gradimet, përzgjedhja e oficerëve për kualifikime brenda dhe jashtë vendit etj., u panë shpesh si një çështje personash e funksionesh dhe jo gjithmonë si një çështje e strategjive të zhvillimit dhe obligimit profesional. Mjaft oficerë që u larguan nga reforma u privuan nga trajtimi ekonomik, si dhe një masë e tyre gati u izoluan nga kontaktet me repartet e institucionet ku kishin investuar energjitë më të mira atdhetare e profesionale.

Ngritja e një force ushtarake moderne

Historia e Forcave të Armatosura shqiptare në ditëlindjen e 108 të saj të na shërbejë për ringjalljen e vetëdijes se gjithçka të bukur e fisnike, si vetë historia e FA që nuk asgjëson vetveten, se humbjet janë të përkohshme, se ato mund të jenë deri diku kalendarike, aspak shpirtërore, ideale, intelektuale e profesionale. Të gjitha këto kanë një interes, ngritjen e forcave ushtarake moderne. Përvoja 108-vjeçare e Ushtrisë sonë, ruan vlera progresive e pozitive sidomos kur arritjet janë të dukshme dhe që meritojnë të shfrytëzohen. Theksoj se çdo komb dhe vend i zhvilluar, një forcë e armatosur moderne, nuk mund të bëhet e tillë pa piketat e traditës, dmth të veprës së drejtuesve dhe të personaliteteve të shquara që përfaqësojnë atë, sepse “burrat e shtetit dhe luftëtarët e vërtetë e gjejnë rrugën dhe në errësirë vetëm nëse ata nuk injorojnë dritat që kanë lënë paraardhësit”. Përvoja jonë e ka vërtetuar vlerën e kësaj aksiome, se një ushtri pa tradita rrezikon të mbetet pa individualitete. Anëtarësimi në NATO, na ka bërë pjesë të veçantë të mbrojtjes kolektive për herë të parë në historinë e shtetit tonë të pavarur. Ky anëtarësimi në NATO ka motivuar për një qeverisje demokratike, për institucione të forta shtetërore, për udhëheqje të aftë e të orientuar nga interesi kombëtar, gjithmonë duke vlerësuar vendndodhjen gjeostrategjike, burimet e bollshme dhe klimën shumë të mirë të Shqipërisë. FA kanë kohë që po shpalosin performancë të përsosur në misionet paqeruajtëse, duke evidentuar dhe njëherë vlerat tona kombëtare. Angazhimi ynë mbetet solemn, me rrënjë tek detyrimi ynë ndaj Atdheut, nderit dhe detyrës. Historia e Forcave tona të Armatosura përcjell bindshëm mësimin se idealet njerëzore i paraprijnë një mosbindjeje të përhershme, universale ndaj së keqes. Kjo është ajo që ideuan dhe luftuan themeluesi i shtetit modern shqiptar Ismail Qemali dhe bashkëluftëtarët e tij. Dhe kjo doktrinë zbatohet plotësisht tek FA, mbartësit dhe garantuesit e vazhdimësisë së mbrojtjes së shtetit dhe traditave kombëtare në momentet e rëndësishme të historisë.