BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Opinion / Editorial

110 milionë eurot që dhembin aq fort

110 milionë eurot që dhembin aq fort

Më 23 mars 2020, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), një strukturë arbitrazhi ndërkombëtar e Bankës Botërore, hoqi pezullimin e gjobës prej 110 milionë eurosh, të vendosur nga kjo qendër ndaj shtetit shqiptar, për konfliktin me sipërmarrësin italian Francesco Beçheti (https://www.ocnal.com/2020/03/francesco-bechetti-wins-trial-icsid.html). Duke na dënuar praktikisht me pagimin e kësaj gjobe të rëndë. Më 27 gusht 2019, qeveria jonë, nëpërmjet Avokatit të Shtetit kërkoi dhe arriti të pezullonte përkohësisht zbatimin e vendimit të marrë nga ICSID, duke angazhuar studion ligjore amerikane Foley Hoag, e njohur në botë për mbrojtjen e shteteve në konflikte gjyqësore. Mirëpo përpjekjet rezultuan të pafrytshme. Sipërmarrësi italian Francesko Beçhetti (në shqip Françesko Beketi), ia doli të na gjobiste me afro 1 për qind të prodhimit tonë kombëtar, ose 5 për qind të taksave që i paguajmë shtetit në vit. Të gjithë ne si shqiptarë të Shqipërisë, do të na duhet të punojmë tre ditë për të dëmshpërblyer këtë italian. Por çfarë i paskemi si shtet atij? Sipas shkrimit të portalit ndërkombëtar www.Law360.com të datës 19 qershor 2019, (https://www.law360.com/articles/1170703/albania-must-pay-125m-in-claim-over-tv-station)  

të risjellë nga një portal shqiptar, citohet Beketi të jetë shprehur: “Marrja e konfirmimit se ke qenë subjekt i një persekutimi nga një shtet është e rrallë dhe ne jemi të kënaqur që fjalët e shkruar nga arbitrat tregojnë se jemi plotësisht të pafajshëm” ( https://dosja.al/del-shifra-ekzakte-francesko-beketi-do-te-marre-110-milione-euro-nga-shteti-shqiptar/). Po a është persekutuar, përndjekur ky sipërmarrës italian nga shteti ynë, apo me shumë mjeshtëri, ai ka “ndjekur” paranë e pensionistëve, mjekëve dhe arsimtarëve shqiptarë, pra të buxhetit tonë të shtetit? Si qëndron e vërteta? Francesco Beçhetti (në shqip Françesko Beketi), është nipi i Manlio Cerroni-t, manjatit italian të prodhimit të energjisë nga plehrat, pronar i Malagrotës, fushës së plehrave më të madhe të Europës, pranë qytetit të Romës, i cili, sipas shtypit italian është arrestuar nga policia italiane më 9 janar 2014 (https://ëëë.ilfattoquotidiano.it/2014/01/09/rifiuti-7-arresti-a-roma-anche-il-patron-malagrotta-manlio-cerroni/836318), nën akuzat e krijimit të një grupi kriminal, mashtrimit dhe trafikut të paligjshëm të mbeturinave. Po sipas medias italiane, Francesco Beçhetti i ka marrë një prej bankave më të mëdha të botës, bankës gjermane Deutche Bank 159 milionë euro gjobë gjyqi për një hidrocentral të licencuar dhe të pandërtuar në Shqipëri. Të gjithë ne e kemi dëgjuar emrin e hidrocentralit-ëndërr: hidrocentrali i Kalivaçit. Por si ndodhi që një sipërmarrës italian të pasurohet duke mos ndërtuar në Shqipëri? Këtë na e tregojnë gazetarët italianë. Sipas gazetarit italian Lorenzo Bagnoli, në shkrimin e tij “Agon Channel-mashtrime miliona euro dhe riciklim i jashtëzakonshëm parash: akuzat ndaj Bechetti-t”, të datës 14 dhjetor 2015 në gazetën italiane “Fakti i ditës”( (https://ëëë.ilfattoquotidiano.it/2015/12/14/agon-channel-truffe-milionarie-e-enorme-riciclaggio-le-açuse-a-beçhetti/2303476/), sipërmarrësi Beketi mori nga shteti shqiptar në vitin 1997 një leje për të ndërtuar një digë (hidrocentral) me fuqi 80 megavat mbi lumin Vjosë, në luginën e Kalivaçit. Për të marrë lejen, ai themeloi shoqërinë aksionere “Kalivac Green Energy” (në anglisht-Energjia e Gjelbër e Kalivaçit). Në këtë shoqëri, Beçhetti, me njohjet e dajës së tij, mundi të tërheqë si ortak, fillimisht gjigantin shtetëror italian të energjisë, kompaninë ENEL dhe më vonë super bankën gjermane Deutsche Bank. Po ç’ndodhi mes Beketit dhe ENEL? Këtë e shpjegon një tjetër media italiane në artikullin “Misteri Agon Channel bën të dridhet edhe vetë ENEL-in” (https://www.magazinedonna.it/mister-agon-channel-fa-tremare-anche-lenel/21985/). Sipas revistës italiane, rreth vitit 2000, Françesko Beketi bind administratorin e ENEL, Franco Tatò dhe Presidentin Chiço Testa të ndërtojnë sëbashku një hidrocentral me fuqi 100 megavat në Shqipëri. Italianët e ENEL u bindën, pasi Beketi ju tha se energjia e prodhuar do të transportohej në Shqipëri dhe pastaj do të dërgohej në Itali nëpërmjet një kablloje nënujore, të quajtur Unaza Mesdhetare. Falë kësaj infrastrukture dhe marrëveshjes dypalëshe Itali-Shqipëri, energjia elektrike shqiptare do të shitej në Itali, me zbritjet e taksave për energjinë e rinovueshme. Mirëpo marrëveshja nuk u zbatua dhe Beketi mendoi ta hedhë në gjyq ENEL. I kërkoi 440 milionë euro dëmshpërblim. Mes procedurave të arbitrazhit, sekuestrimeve paraprake të pasurive dhe konfiskimeve, mosmarrëveshjet e Beketit me ENEL kanë vazhduar mbi 18 vjet. Ende për ENEL mashtrimi i Beketit është një ankth financiar i vërtetë. Ndërkohë, po sipas gazetarit italian Lorenzo Bagnoli në shkrimin e përmendur më sipër, Françesko Beketi bind investuesit e bankës gjermane Deutsche Bank të investojnë në energjinë e rinovueshme në Shqipëri dhe e kalon shoqërinë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” që zotëron nën kontrollin 100 për qind të kompanisë “Hydro srl”. Kjo shoqëri, gjatë viteve 2007-2013 kalon 55 përqind të kapitalit në pronësi të familjes Bechetti, nëpërmjet grupit energjetik “Beg (Beçhetti Energy Group)” sha dhe 45 për qind në pronësi të Deutsche Bank. Sot ajo i përket vetëm grupit energjetik “Beg” sha (ku aksioner me 10 përqind është daja i tij manjati i riciklimit të plehrave, Manlio Cerroni). Po si? Kjo, ngaqë shoqëria aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” pagoi për të ndërtuar hidrocentralin kompaninë “Energij”, një kompani tjetër të familjes Bechetti, me pronar kryesor shoqërinë “Costruzioni srl”, në pronësi të nënës së Françeskos. Në vitin 2009, Beketi i kërkon shoqërisë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” një kompensim prej 48 milionë eurosh për 911 ditë punë të “Costruzioni srl” që nuk janë paguar kurrë. Deutsche Bank nuk pranon të paguajë 45 përqind të kësaj shume. Beketi e hedh në gjyq në Shqipëri dhe gjykata jonë vendos në favor të tij. Sigurisht, Deutsche Bank nuk pranon të paguajë për punë që nuk janë kryer kurrë. Mirëpo Beketi, me vendimin e gjykatës shqiptare në dorë, e hedh në tre gjyqe ndërkombëtare bankën gjermane Deutsche Bank. Në dy nga këto tre gjyqe ndërkombëtare, Deutsche Bank humbet dhe vendos të mos e çojë më tej. Gjithnjë sipas mediave italiane (vetë Deutsche Bank nuk e ka konfirmuar kurrë), banka gjermane i paguan 159 milionë euro italianit që hiqet si viktimë se nuk i kanë bërë punën. Me ne, në gjyqin që hapi në strukturën e arbitrazhit të Bankës Botërore ICSID, Beketi arriti derisa ta konsideronte veten viktimë të ngacmimeve seksuale në aeroport nga policet tona femra. Këtij njeriu sot i kemi borxh 110 milionë euro dhe jemi të detyruar t’ia paguajmë. Qeveria jonë provoi të mundurën më 27 gusht 2019, por ishte shumë vonë. Mësuam me një kosto të jashtëzakonshme se sa të kujdesshëm duhet të tregohemi me ata sipërmarrës të huaj që marrin statusin e investuesit tek ne dhe që në momente kyçe e tregojnë veten jo të ndershëm e të sinqertë.