BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

2 miliardë eurot e Durrësit më afër

2 miliardë eurot e Durrësit më afër

Kam pyetur shumë herë miq të vyer durrsakë se çfarë mendonin për projektin e shndërrimit të qytetit të tyre të dashur në portin më të madh të jahteve në Mesdhe dhe të zhvendosjes së portit të mallrave dhe trageteve në Porto Romano. Shumica shpreheshin mosbesues dhe e konsideronin projektin më shumë një karamele (kishte dhe që thoshin një tortë) elektorale dhënë Ramës nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe. Madje dhe kur Ministria jonë e Infrastrukturës shpërndau për mediat planet 3 dimensionale të ndërtimeve në portin e Durrësit dhe në Spitallë. Shpreheshin se të gjitha këto gjëra të bukura do të ngeleshin me kaq, në ajër. Sikurse ngeli investimi 2 miliardë euro në Karpen të Kavajës. Madje bravo, thoshin që sollën edhe imazhet 3D, pse tek Karpeni nuk i sollën. Dhe vijonin shakanë mes tyre: “Po pse e lanë tortën me vlerë 2 miliardë euro, sa Karpeni? Ta bënin 3 miliardë! Ha ha”. Ne shqiptarët, këtë vend, Emiratet e Bashkuara Arabe e njohim pak. Si qytetarë, dimë vetëm që është ndër vendet e vogla të Gjirit Persik, shumë të pasura në naftë. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një sipërfaqe pak më shumë se tre herë sipërfaqen e Shqipërisë, me afro 10 milionë banorë, por renditen në vend të shtatë në botë për nga niveli i zhvillimit, me të ardhura për frymë 70 mijë dollarë në vit, ose një prodhim kombëtar 647 miliardë dollarë në vit (https://en.wikipedia.org/wiki/United_Arab_Emirates). Presidenti i vendit, princi i Kurorës Khalifa bin Zayed bin Sultan Al Nahyan është i biri i themeluesit të Emirateve Zayed bin Sultan Al Nahyan, i cili i donte shqiptarët dhe financoi në vitin 1999 ndërtimin e Aeroportit Zayed të Kukësit. Khalifa i qëndroi amanetit të babait dhe na ndihmoi me 2 mijë apartamente në Spitallë për rindërtimin nga tërmeti, ose 70 milionë dollarë. Porosinë për t’i ndërtuar këto apartamente, Princi i Kurorës ia la arabit të katërt më të fuqishëm në botë, sipas revistës “Arabian Business Magazine” ( https://www.arabianbusiness.com/lists/422978-worlds-most-powerful-arabs-2019-32), Muhamed Alabbar, ndërtuesit të më shumë se gjysmës së Dubait, qytetit të mrekullive. Dhe Alabbar vjen në Shqipëri në dhjetor të vitit të kaluar dhe projekton investimin në Durrës, përtej ndërtimit të 2 mijë apartamenteve si kontratë me qeverinë e vet. Duke premtuar investime rreth 30 herë më shumë, 2 miliardë euro! Deri këtu edhe unë isha brenda shakasë së miqve të mi durrsakë. Por më 1 maj 2021, Alabbar del në intervistë në rrjetin prestigjoz amerikan CNN. Alabbar ka dalë rrallë herë në intervistë në këtë rrjet, për të deklaruar investime miliarda dollarëshe apo në euro, që më pas i ka realizuar. E tillë ishte intervista në CNN më 14 korrik 2018 (https://www.youtube.com/watch?v=-HjaWWVzyPM), kur krijoi platformën tregtare dixhitale “Noon (Mesdita)”, një projekt 1 miliard dollarë, në bashkëpunim me Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite, për t’iu shërbyer 400 milionë arabëve nëpërmjet tregtisë elektronike. Intervista në CNN nuk është një shpenzim 20 mijë euro që i jep pronari i një sipërmarrjeje një televizioni, qoftë ky edhe rajonal në Ballkan, për të dalë me një premtim apo projekt, të cilit pronari do që televizioni t’i bëjë reklamë. As edhe me 200 mijë euro sponsorizim nuk mund të dalësh në CNN në emisionet e tij të biznesit. Kurrë! Mund të paguash kaq para, por do dalësh si reklamë, jo si program i vetë CNN. Ja përse, kur pashë intervistën e Alabbar në CNN më 1 maj 2021, kuptova që investimi në Durrës është diçka shumë serioze dhe reale. Alabbar nuk është investues i panjohur në këtë pjesë të Ballkanit. Në Serbi, në prill 2015, gjashtë vite më parë, nënshkroi një kontratë me qeverinë serbe për shndërrimin e një stacioni të vjetër trenash dhe zonës së braktisur përreth, në buzë të lumit Sava, në një strukturë moderne. Alabbar synonte të investonte 3 miliardë euro në këtë projekt. Por dolën disa probleme mosbesimi tek autoritetet serbe dhe projekti dha frytin e tij të parë vetëm në tetor 2020, me përurimin e qendrës tregtare më të madhe në Ballkan, të quajtur “Mega Galerija”, e cila zotëron 300.000 m2 hapësira, nga të cilat 93.000 m2 për t’u dhënë me qera, shet 300 marka lokale dhe ndërkombëtare mallrash (elektroshtëpiake, televizorë, celularë, veshje, etj.), ka 50 restorante dhe kafene dhe 3,600 hapësira parkimi. Qendra do të shërbejë po ashtu për aktivitete kulturore dhe artistike. Alabbar përmend në intervistën në CNN eksperiencën pozitive në Serbi. Ndërsa Shqipërinë e quan “Europa e re”. Ta besojmë? Mendoj se me daljen e Alabbar në CNN, të 2 miliardë eurot e projektit fantastik për Durrësin janë më afër nesh. Tani duhet një punë shumë me përgjegjësi e qeverisë sonë, që çdo kërkesë të këtij investuesi vizionar ta zbatojë në kohë reale, pa e penguar, sikurse ndodhi në Serbi.