BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

2020-ta ose viti që u mundua të “anulonte” lirinë dhe demokracinë!

2020-ta ose viti që u mundua të “anulonte” lirinë dhe

Po përfundon ky vit sigurisht i mbrapshtë. Jo vetëm për ne në Shqipëri. Po ikën në një kohë kur kanë filluar vaksinat kundër Covid-19, i cili solli në vëmendjen e njerëzve se sa e brishtë është vija ndarëse mes lirisë, demokracisë dhe tentativës për t’i anuluar ato me urdhra apo dhe ligje absurde, të cilat shpiken ose përdoren në kohë pandemie apo emergjence me “arsyetimin” e mbrojtjes së jetës. Në këtë vit, shkoi puna deri aty sa qeveri, shoqëria vetë dhe establishmente të shpallin kriminelë (vrasës) njerëz të sëmurë. E kjo, sepse të sëmurët bota, por dhe shoqëritë demokratike nuk kishin kapacitete të duhur, ilaçe dhe vaksina që pikërisht të sëmurin ta kuronin ose mbanin nën kontroll. Në këtë vit tragjik në të cilin u shkatërrua ekonomia dhe u prek liria nga shumë qeveri u prekën dhe të drejtat bazike të njeriut dhe padyshim u ngritën kritika të mëdha, u bënë protesta dhe u nxorën konkluzione nga organizma ndërkombëtare, sepse po përdorej Covid-19 për interesa që shkelnin të drejtat themelore të njeriut. Një nga marrëzitë më të mëdha të ndodhura në Shqipëri ishte “nxjerrja e blindave” në rrugë, kur qeveria shqiptare vendosi një “luckdown” nga më të egërsuarit kundër shoqërisë. Po pra dhe e gjithë “madhështia” e një veprimi të tillë ose kulmi ishte rrëzimi Teatrit Kombëtar. Mbas verës e cila nuk kishte vdekjet e pritshme Rama nuk mbylli më vendin dhe besoj se u qartësua se nuk i vlente më qoftë dhe për ndonjë veprim tekanjoz të tij sidomos në ndërrime fjalësh dhe përdorim të “Komitetit Teknik” si “dishepujt e tij profesionistë” dhe ky si Krishti sipër tyre - duke iu kërkuar të falur për krahasimin disi pa vend. Por kështu u soll si herën e parë dhe të dytën, duke mos pyetur dhe duke qenë shpesh herë i paqartë për veprimin në kushtet e ligjeve të përpunuara si ai i burgut për njerëzit e sëmurë (le ta ketë kush të dojë në Europë dhe botë, sepse sërish jam i bindur se është ligj i padrejtë dhe kundër njeriut) dhe urdhrave nga FB për mbyllje hapje dhe orare idiote. Tani e ka lënë hapur dhe mirë ka bërë. Kjo nuk heq meritat për ngritje strukture anti Covid-19 dhe pse me vonesë. Por unë e kam fjalën për vitin e mbrapshtë i cili filloi me shprehjen idiote “distancë shoqërore”, e cila më vonë u kuptua se ishte kundër të drejtave të njeriut dhe që duhej thënë – distancim fizik. Edhe demokraci të konsoliduara e përdorën me arsyen e shëndetit, por duke thyer lirinë dhe rrënuar demokracinë. U tentua me anën e provokimeve dhe urdhrave por dhe anarkisë së tyre që njerëzit të shkonin drejt frikës. U zbatuan në mënyrë idiote dhe të fajshme protokolle që e futën Covid-19 në azile pleqsh dhe spitale duke bërë në mënyrë të fajshme arsyen e vdekjeve të shumë e shumë pleqve dhe të sëmurëve. Po pra dhe sidomos në Itali. Kjo emergjencë i nxori në pah dhe Perëndimit shtresat që janë të abandonuara, obeze, pa shërbime konkrete dhe emergjinalizuara. Kjo fatkeqësi pandemike tregoi se sa të vështirë e ka demokracia të ruajë nivelin e saj për të ruajtur pikërisht shëndetin e qytetarëve. Kina si një diktaturë kapitaliste po, mbase ajo kishte mundësi sjellje në tirani, por Perëndimi demokratik sigurisht që jo. Në Kinë mjaftonte urdhri, por në demokracitë liberale - ai është fashizëm. Pandemia largoi teatrot, shkollat, sportin, kulturën dhe artin, por dhe religjionin pjesërisht duke i bërë një të keqe të madhe shoqërisë. Kjo pandemi tregoi se dhe përdorimi i ilaçeve dhe kurave ishte shpesh herë gabim dhe vetëm tani nga fundi, përballja me ilaçe dhe kura u riparua, duke kursyer mijëra e mijëra jetë njerëzish. Kjo pandemi solli kurimin në shtëpi, harxhimin e mijërave eurove për të mos u përballur me fluksin dhe përkujdesin pothuaj të pamundur kur spitalet Covid janë plot dhe janë pak. Kjo pandemi shkaktoi viktima të shumta, por gjithmonë më pak se dikur sepse njerëzit tashmë mësojnë të mbrohen vetë. Por kjo pandemi krijoi dhe disa “tiranokraci” sidomos në vende “hibride” me demokraci (si ne) që përfituan të japin urdhëra dhe thyejnë ligje dhe kjo vërtetohet dhe te ne. Por ka plot në lindje dhe pa dyshim edhe në Perëndim. Kjo pandemi bëri armiq njerëzit për një maskë dhe ktheu shoqërinë në një “maskaradë pikërisht maskash”. Padiskutim që duheshin vendosur, por pa diskutim dënimi për to është një marrëzi antiligjore në shkelje të të drejtave të njeriut. Ishte marrëzi e pranuar nga një shumicë, por ishte në shkelje të atyre që demokracia ka vendosur si të drejta të njeriut dhe që kundër tyre nuk ka VKM dhe urdhër administrativ që mund të veprojë. Për më tepër me ligje që ju bien ndesh konventave themelore të të drejtave të njeriut. E mbajtja e maskës ishte gjëja më e vogël dhe sigurisht një sakrificë për t’u bërë, por që te ne nuk u zbatua se nuk u bë kurrë ligj i pranuar, por mbeti – urdhër i tiranizuar. Ishte thjesht një urdhër që mbledh lek dhe që nuk kthehet në moral shoqëror, sepse është tekanjoz dhe ashpërsisht i përdorur keq në fillim. Jo vetëm te ne, por pothuaj kudo. E padyshim ishte pandemia që impononte të tilla marrëzi kundër njeriut dhe jetës së tij në liri. Për të mos thënë pastaj largimin nga llogaria e ekonomisë dhe përballimi i saj me urdhra, influenca politike të çastit dhe marrëzi financiare që i bien në qafë borxhit kombëtar të shtuar dhe ekonomisë kombëtare kudo dhe sidomos te ne. Ky vit tentoi të anulonte disi demokracinë dhe i ra në qafë për arsyen e sëmundjes lirisë sonë. Po nuk ishte thjesht pandemia, por përdorimi i saj nga elitokraci jo vetëm te ne, por dhe botë që tashmë kanë kryer dhe kohën e tyre biologjike në pushtete. Teoritë konspirative janë kaq larg, por dhe kaq afër për rezultatet dhe qëllimin e një pandemie, por tentativat u dukën që diçka në përdorim të pandemisë luajti për të prishur ekuilibra dhe sidomos liritë dhe demokracinë. Për të rrënuar mundësisht ekonomi dhe futur botën në një shtysë centrifugale fatkeqe që nuk do ti dihej fundi. Gjithsesi ky vit po ikën dhe me të shpresojmë dhe idetë për të bërë keq shoqërisë dhe lirisë së saj, për të pasur jetën shoqërore normale dhe zhvillimin ekonomik normal. Me sa duket viti i ri do të sjellë dhe përballjen e plotë me atë që u quajt pandemi dhe bëri dëme të mëdha në njerëz, liri dhe ekonomi.