BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

30 vjet demokraci dhe ne prapë …bardh e zi

30 vjet demokraci dhe ne prapë …bardh e zi

Pozita dhe opozita janë dy armët jo vetëm të pranishme, por edhe të domosdoshme në një demokraci të vërtetë. Ato janë në luftë të vazhdueshme për pushtetin, por edhe bashkëluftëtare kur bëhet fjalë për interesat kombëtare. Sepse është ky së pari dhe pastaj vjen pushteti. Fatkeqësisht ne nuk e kemi këtë privilegj. Jo vetëm sot. Në monizëm ishte edhe më zi. Nuk kishte fare opozitë. Partia që ishte në krye të gjithçkaje e kishte ndarë popullin në “ne” dhe “ata”. “Ne” ishin ata që shkonin pas berihajit të partisë dhe “ata” ishin ata që nuk e donin atë dhe kishin tre alternativa: përpara kallashnikovit, në “shtatë penxheret” ose në internim. “Ne” dhe “ata” u ëndërrua të zhdukej nga fara e dheut pas revolucionit demokratik të viteve ’90, por… nuk ndodhi ashtu. Edhe sot pas 30 vitesh shqiptarët vazhdojnë të jenë bardhë e zi, ose me “ne” ose me “ata”. U hodhën në fillim vitet ’90 parulla gjoja pajtimi si “vëllezër por opozitarë”, “bashkëvuajtës e bashkëluftëtarë”, por edhe ato i mori era si shumë ëndrra të asaj kohe. Edhe këto 30 vjet gjoja me aromë demokracie, urrejtja ndaj njëri-tjetrit kurrë nuk u kthye në dashuri për ne shqiptarët. Duke filluar nga kupola politike e deri në fshatin më të thellë vazhdon ndarja o me “ne” o me “ata”, o i majtë o i djathtë. U bënë ca ndërthurje alla shqiptarçe ku më të majtët u bënë më të djathtë dhe anasjelltas aq sa edhe hapur është shprehur mendimi popullor se “Berishës i takonte të drejtonte të majtën dhe Nanos të djathtën”, por ata ngelën në llogoret e tyre. Pati kjo periudhë edhe tradhtarët e vet, por edhe ata, pas një sorollatje nëpër sallonet e pushtetit, bënë ç’bënë u kthyen në bazë, si nëndetësja 105. Të rendisnim emrat e tyre do të duheshin faqe të tëra gazetash, por sa për konkretizim le të përmendim Cekën, Imamin, Zogajn … dhe më “legjendarin” Maliqin që sa ndjen erën e pushtetit nuk e ka problem të ndryshojë ngjyrën politike. Fatkeqësia e kësaj ndarjeje bardh e zi është se rëndon mbi shpatullat dhe të ardhmen e shtetit tonë. Vëreni pa shumë vëmendje situatën politike në marrëdhënie me ndërkombëtarët: sapo ata afrojnë një bashkim në familjen e tyre për ne, jemi po vetë ne që gjejmë mangësi edhe atje ku nuk të vete mendja për të prishur këtë afrimitet. Në vend që në këtë mundësi, pozitë e opozitë të bëhen bashkë dhe përfitimi të jetë i shtetit tonë, opozita e çdo krahu nuk lë gurë pa lëvizur që ky afrimitet të mos realizohet. Madje edhe fare hapur. Takohen miq e homologë europianë dhe u serviren edhe fakte jo të vërteta që ata të ngrenë zërin e tyre në institucionet europiane për ta larguar Shqipërinë prej tyre. Në të tashmen ata mendojnë se marrin kuota politike, por harrojnë se dëmtojnë jashtëzakonisht të ardhmen e vendit të tyre. Le të ketë kacafytje në luftën e brendshme, le të jenë këtu përpara nesh gjithë ditën dhe gjithë natën bardh e zi, por atje ku luhen fatet e vendit tonë le të jenë së bashku. Të mos përmendim shumë nga e kaluara e hidhur në këtë përplasje bardh e zi, por vetëm të kujtojmë të tashmen: afrimi apo edhe aderimi në Bashkimin Europian nuk është avantazh i vetëm Ramës dhe Lulit apo Ilirit, por i gjithë shqiptarëve dhe duhet që në këtë aspekt të gjithë duhet të jenë në kor dhe jo njëri të luftojë për të arritur këtë qëllim dhe tjetri të bëjë përpjekje maksimale për ta penguar. Ka plot probleme shqetësuese sot vendi ynë dhe le të përleshemi për t’i zgjidhur ato në frontin e brendshëm, por kur të shkojmë përpara të huajve të jemi unik. Ka një gjetje fenomenale populli ynë për këtë gjë: një familje e rregullt, të brendshmet e veta i nder për t’u tharë brenda oborrit të vet që të mos ia shikojë edhe fqinji më i afërt. Le ta bëjmë edhe ne këtë. Se ndarje më domethënëse bardh e zi se ajo që ndodh në Parlamentin shqiptar në vite nuk mund të gjendet: kur janë të majtët në pushtet nuk marrin parasysh asnjë propozim të së djathtës, nuk miratojnë asnjë ligj të propozuar prej tyre dhe anasjelltas. A thua që vetëm mazhorancat janë të mençura në këtë vend dhe opozitat janë armiqësore apo mbisundon mentaliteti fëminor: unë kam topin dhe do ta gjuaj vetë penalltinë. Dhe ndodh më e keqja, ndarja bardh e zi në kupolë shoqërohen edhe poshtë. Sapo ndërrohen drejtorët për arsye politike ndërrohen edhe shumica e punonjësve, ndonëse pjesa më e madhe e tyre janë specialistë dhe shteti ka investuar për kualifikimin e tyre. Doni një konkretizim të ndarjes bardh e zi (dhe këtë radhë do flas me emra, le të zemërohen disa) nga fusha e medias, që në vendin tonë ka influencë në disa raste më shumë se politika. Shikoni emisionin “Opinion” të Fevziut. Sapo ai bën të ditur të ftuarit e tij, djathtas teje Preçin, Markun, Artanin dhe majtas teje Batonin, Irisin dhe Vangjelin ti e kupton rrjedhën e emisionit dhe nuk ka nevojë të harxhosh kohë të rrish përpara ekranit. Vezë të kuqe të ketë bërë mazhoranca, ata djathtas do të gërmojnë në fjalorin e gjuhës shqipe për të gjetur fjalët me denigruese për të. Të ketë bërë një lëvizje që duhet mbështetur opozita, ata majtas do ta sulmojnë si penguese e reformave që vetëm mazhoranca di t’i bëjë. Aq zhgënjyes janë dhe aq të pabesueshëm, ngaqë nuk janë vetvetja, por mbrojnë partinë që përfaqësojnë, sa ti je i sigurtë që edhe ata vetë kur dalin nga studioja kanë tjetër mendim nga ai që shprehën. Një miku im që merret me statistika më thoshte një ditë se nga 100 propozime dhe mendime që ka dhënë profesor Marku në këto emisionet e fundit, 98 nuk i kanë dalë. Edhe shaka të jetë dhe të marrim gjysëm të vërtetën, është skandaloze. Ne duhet ti kemi llogoret përballë në luftën politike të brendshme edhe në studio televizive kur bëhet fjala për të mbrojtur partinë ku aderon apo edhe që e dashuron, por duhet të jemi në një front kur bëhet fjala për të mirën e atdheut.