BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

400 milionë euro garanci

400 milionë euro garanci

Portali i Bankës Qendrore Europiane “Eurosystem” njoftoi më 17 korrik 2020 se Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Shqipërisë krijuan një linjë të marrëveshjeve të riblerjes (në anglisht “Repo line”) (https://www. ecb. europa. eu/press/pr/date/2020/html/ecb. pr200717_1~f143ca1c56. en. html#:~:text=The%20European%20Central%20Bank%20(ECB, to%20the%20COVID%2D19%20shock. ). Kjo linjë përfaqëson një instrument që i mundëson blerësit të sigurojë likuiditetin (paranë) e nevojshëm për një periudhë të shkurtër kohore. Në kushtet kur një pjesë e madhe e sipërmarrjeve në Shqipëri kanë mungesa të theksuara parash letër, kjo linjë është një garanci më shumë për sistemin tonë bankar, në mënyrë që asnjë moment në asnjë ditë, bankat tona tregtare të ngelin pa likuiditetin (paranë letër) e nevojshëm. Banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë ka mundësi, sipas dakordësisë me Bankën Qendrore Europiane, që të tërheqë deri në 400 milionë euro për nevojat për para letër të sistemit tonë bankar. Kjo përbën një garanci më shumë në këtë periudhë shumë të vështirë që po kalojmë si ekonomi dhe si sistem bankar e financiar. Afati maksimal i secilës sasi parash që banka jonë qendrore mund të marrë tek banka qendrore e Eurozonës është deri në tre muaj. Marrëveshja e linjës së kreditit afatshkurtër “Repo” është një formë huamarrje e butë dhe me garanci. Përmes saj, Banka e Shqipërisë shet përkohësisht tek Banka Qendrore Europiane tituj që i disponon, duke marrë përsipër t’i blejë ato në një kohë të dytë, sipas kushteve të rëna paraprakisht dakord me Bankën Qendrore Evropiane. Realizimi i kësaj linje përbën një shenjë besimi që banka qendrore e Eurozonës tregon ndaj bankës sonë qendrore, për profesionalizmin e treguar nga kjo e fundit në përballimin e vështirësive monetare dhe të funksionimit të sistemit bankar në këtë periudhë të pandemisë tek ne. Shtyrja dy herë e kredive, furnizimi pa kufi me likuiditet i bankave të nivelit të dytë dhe niveli gati zero i kostos së parasë sollën që më 1 korrik 2020, një mision vlerësues në distancë i Fondit Monetar Ndërkombëtar të shprehet: “Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë mbetet e përshtatshme. Vijimi i fleksibilitetit në kursin e këmbimit do të ndihmojë në amortizimin e goditjeve dhe në rivendosjen e bilancit të jashtëm. Pandemia e gjeti sistemin bankar në përgjithësi likuid dhe të kapitalizuar mirë… Ne mbështesim ristrukturimin e matur të kredive aty ku është e nevojshme për ato sektorë dhe biznese që janë prekur nga goditjet” (https://www. imf. org/en/News/Articles/2020/07/01/pr20252-albania-imf-staff-concludes-a-remote-staff-visit). Në fund të majit 2020, në një urdhër të përbashkët me kryeministrin, banka jonë qendrore shtyu edhe për tre muaj të tjerë qershor-gusht 2020 pagesën e kësteve të kredive tregtare të biznesit dhe qytetarëve. Janë 21 mijë kredi të tilla, ose rreth 2 miliardë euro të dhëna nga të 12 bankat tregtare tek ne, këstet e të cilave u shtynë. Tashmë bankat tregtare janë të ndërgjegjësuara tërësisht. Mbijetesa e klientëve të tyre, pavarësisht se fitimi bankar në këtë periudhë nuk mbijeton, është më e rëndësishme edhe për ato, se sa vetë fitimi i tyre! Duket paradoksale, por kështu është. Banka e Shqipërisë e bëri publikisht të qartë se sistemit tonë bankar, por edhe gjithë ekonomisë i interesonte përpara së gjithash që kapacitetet prodhuese dhe të shërbimeve (pra fabrikat, punishtet, njësitë e prodhimeve fason, qendrat e thirrjeve “call-center”, kompanitë e ndërtimit, hotelet dhe bujtinat pritëse të turistëve, restorantet, agjencitë turistike etj.) të mos mbylleshin. Pra, të mos falimentonin. Mbajtja në këmbë e tyre është një kosto shumë më e ulët për ekonominë e të gjithë shqiptarëve dhe për xhepin e gjithsecilit prej nesh, në krahasim me rritjen e borxhit publik apo rritjen e stokut të kredive të këqija. Banka e Shqipërisë paraqiti dhe një program lehtësimi që kreditë me probleme (të tilla ka me mijëra) të ristrukturohen deri më 31 dhjetor 2020. Janë muaj të vlefshëm kohe për marrëveshje mes bankave tregtare dhe mijëra bizneseve, për shtyrje afatesh pagimi nga një deri në disa vite, të kredive të marra, për ato hua që kanë dalë me probleme, për sipërmarrjet tona në ditë të hallit. Dhe biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha në vështirësi të jashtëzakonshme sot ka po ashtu me mijëra. Por ama shumica e tyre janë të shëndetshme në kapitale dhe në njohuri e vullnet sipërmarrjeje dhe e kanë urgjente t’u jepet një dorë. Nuk kanë para letër, likuiditet tani. Prandaj dhe është e domosdoshme të ndihmohen. Kjo është ndihma më konkrete që sistemi ynë bankar, banka jonë qendrore mund të jepte dhe po e jep. Likuiditeti i siguruar nëpërmjet linjës së kredive të Repo do t’i vihet në dispozicion sistemit bankar shqiptar nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Ky instrument është një mjet mbrojtje rezervë, që mund të vihet në përdorim në rast se do të kemi rëndim të situatës së parasë letër, për shkak të vështirësive të jashtëzakonshme të biznesit me pandeminë nga COVID-19. Instrumenti Repo Line do të jetë në fuqi deri në fund të muajit qershor 2021, por mund të shtyhet më tej në kohë, nëse do të vendoset nga të dyja bankat qendrore, ajo europiane dhe ajo shqiptare.