BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

50-vjetori i bazës materiale risi pedagogjike

50-vjetori i bazës materiale risi pedagogjike

Kjo lëvizje daton në maj të vitit 1970 dhe pasqyron një nga rrugët më konkrete e origjinale të mësuesve të Beratit për pasurimin e bazës materiale-mësimore, në fushën e përsosjes së metodave të mësimit e edukimit. Kjo u motivua nga fakti se pjesa më e madhe e shkollave 8-vjeçare e të mesme nuk kishin mjete mësimore të mjaftueshme për zhvillimin e një procesi mësimor, që t’u përgjigjej kërkesave për një ndryshim cilësor të shkollës. Më poshtë po ndalemi në momentet më të veçanta si lindi e u zhvillua kjo nismë në rrethin e Beratit e më pas në të gjithë republikën. Në maj 1969 dhe prill 1970, në shkollën 8-vjeçare Syzes, me drejtues studiuesin Bedri Telegrafi u organizuan seminare teoriko-praktike me mësuesit e biologjisë e matematikes të shkollave të Beratit. Mësuesi i biologjisë Irfan Haxhialiu e kryeagronomi Angjello Mici me nxënësit kryenin studimin për rendimentin e grurit në përshtaje me kushtet e mikroklimës së zonës, mbi metodikën shkencore të aplikuar për aftësimin e tyre me elemente të kërkimit. Në këtë shkollë një punë të veçantë kishte kryer edhe mësuesi i matematikës Refat Peshtani, që kishte përgatitur figura e trupa gjeometrike për konceptimin në hapësirë të tyre në poligonin e gjeometrisë dhe kabinetin e matematikës. Ky poligon në teren të hapur në natyrë shërbente për lidhjen organike të teorisë së gjeometrisë në mënyrë konkrete e praktike. Po kështu në shkollën 8-vjeçare Sinje, në një zonë malore gjithçka me forcat e veta, mësuesi i biologjisë Shkëlqim Bego, kishte ndërtuar një kabinet biologjie model. Mësuesi kishte siguruar në bashkëpunim me gjahtarët shpendët e zonës që i kishte balsamosur mjaft bukur. Në shkurt 1970 u organizua një seminar teoriko-praktik me kryetarët e komisionit të biologjisë të rrethit, ata panë nxënësit që kryenin diseksionin e shpendëve në tavat e diseksionit, përgatitjen e preparate likuide. Një kënd zinin dhe herbaret e bimëve mjekësore të zonës. U vizitua në këtë shkollë sheshi i edukimit fizik, mësuesi Mandi Xhamo në bashkëpunim me nxënësit kishte instaluar të gjitha pajisjet e nevojshme me dru dhe hekur për zhvillimin e kësaj lënde. Mësuesi Hysen Mezini në shkollën “22 Tetori” pas një pune disa mujore në prill 1970 ndërtoi një klasë-laborator model. Balsamimet ishin kryefjala, këndi i natyrës së gjallë –terariume bazuar mbi principet e evolucionit, mjete didaktike për të gjitha temat mësimore e klasat për këto lëndë. Nxënësit nëpërmjet metodës së vrojtimit e krahasimit, me shumë dëshirë e dashuri merrnin pjesë në studimet e reflekseve, mënyrën e të ushqyerit, sjelljet e tyre, përzierja e tokës nga krimbat e shiut, rigjenerimi i krimbave unazorë, fuqinë mbirëse të farës, cikli i zhvillimit tek bimët, roli i dritës në formimin e klorofilës, përgatitjen e herbareve, ksilotekën e drurëve etj. Në shkollën 8-vjeçare Perondi mësuesi Roland Dasho ngriti një klasë kabinet biologjie me preparate mjaft interesante për sistemet nervore të vertebrorëve, me herbare të bimëve mjekësore të zonës, balsamime, cikle zhvillimi të kandrave, si dhe të një kopshti koleksioneve model nga algat e deri tek bimët e larta. Në maj 1970 erdhi për kontroll një ekip i Ministrisë së Arsimit, i kryesuar nga prof. Bedri Deja në atë periudhë zëvendësministër. Sigurisht që krahas kontrollit profesori vizitoi e pa nga afër punën krijuese e plot pasion që kryheshin në klasat laborator e terren jo vetëm në shkollat nismëtare, por edhe në shkollat e tjera. Në konkluzionet që u bënë u fol për vlerat shkencore të punës krijuese të mësuesve në këtë aspekt. Mjetet e krijuara ishin interesante për të krijuar përfytyrime dhe shprehi të sakta, për të lidhur organikisht teorinë me praktikën. Në këtë rast parimi “tip” që vinte nga Ndërmarrja e Mjeteve Mësimore Sportive u pasurua jo vetëm nga numri, por baza e kësaj nisme ishte aktivizimi i nxënësve në përgatitjen e përdorimin me efikasitet gjatë mësimit. Rruajtja e tyre dhe përkujdesja kur mjetin e ke realizuar vetëkuptohet, mirëmbahet. Shkollat e Beratit i dhanë shtysë përpunimit të mendimit pedagogjik, krijimtaria e mësuesve ishte e pashtershme e mundësitë e realizmit janë plus-infinit. Jo vetëm shkollat nismëtare, por edhe shkollat e tjera u bënë qendra të përhapjes së përvojës pozitive. Në çdo njërën prej tyre gjeje bërthama interesante të ideve të aplikuara. Në realizimin e kësaj nisme nuk mund të lëmë pa përmendur angazhimin e gjithë shoqërisë pa përjashtuar asnjë në ndihmesën pa interes për të kontribuar për arsimin. Pa këtë angazhim të shoqërisë në këtë lëvizje mbarëpopullore për shkollën zor se do të realizohej gjithë kjo ndërmarrje në rang republike. Me porosi të Komisionit Qendror të Arsimit përvoja e mësuesve të Beratit u vu detyrë të gjithë rretheve e shkollave që jo vetëm të përqafohej, por të shikohej efektiviteti i përfitimit nga kjo nismë. Gjatë muajit dhjetor 1970 në Syzes u mblodhën metodistët e kabineteve të rretheve për matematiken, në shkollën “22 Tetori”, Sinjes e Perhondi metodistët e kryetarët e komisionit të shkencave biologjike. Në prill 1971 në shkollën e Lapardhasë u vizitua “Parku i interpretimeve shkencore” nga drejtuesit e shkollave. Me drejtuesit e kabineteve e shefat e seksioneve u organizua vizita në qendrën e përgatitjes së mjeteve u vizituan shumë shkolla. Në shkollën 8-vjeçare Lapardha u ngrit “Parku i Interpretimeve Shkencore” për lëndët e kimisë, fizikës, matematikës, gjeografisë e biologjisë. Ky park u ideua nga drejtuesi i shkollës Myslym Pupe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë mësuesit e nxënësit. Në ambientet e kimisë shprehej në mënyrë të qartë evolucioni i formimit të lëndëve organike nga ato joorganike, lidhja midis grupeve të kompozimeve kimike, furra në miniaturë për prodhimin e gëlqeres, në ambientet e biologjisë tregohej evolucioni i botës së gjallë, serra e luleve dhe eksperimentimi i domateve, në atë të gjeografisë ishte ndërtuar në bazë të parimeve shkencore lavjerrësi i Fukoit, modelimet e maleve, vullkaneve e prerja e tyre, e te gjitha nocioneve gjeografike të relievit. Ky kënd gradualisht u shndërrua në një laborator në natyrë për punë masive me nxënësit e të gjitha klasave e lëndëve. Kabineti Pedagogjik i rrethit ndërtoi qendrën teknike për riparimin e prodhimin e mjete për lëndën e fizikës, të mjeteve elektrike, si dhe për realizimin e mjeteve për të gjitha lëndët mësimore që kërkonin bazë materiale për t’i realizuar. Kjo u bë qendër e shkëmbimit e realizimit të ideve novatore. Nën drejtimin e metodistit Engjëll Myrteveliu dhe të mësuesve pasionantë Staver Avrami e Nikolla Ikonomi. Mësuesit e fizikës punën fizike e kryenin në uzinat e rrethit për prodhimin e paisjeve të laboratorëve të fizikës, mësuesit e biologjisë të drejtuar nga metodisti tjetër organizuan ekspeditat për grumbullimin e herbarizimin e bimëve mjekësore e tanifere me të cilat u pasuruan klasat kabinet të shkollave, bërjen e hartës BMT për rrethin e Beratit si dhe përdorimin e tyre. Për këtë punuan prof. Llazar Xhamo, Polizoi Gjika, Vangjel Dollani, Sheab Numani etj. Në qershor 1972 u organizuan ekspedita në detin Adriatik, në Durrës, Shëngjin, Vlorë me materialet e grumbulluara u përgatitën 2000 preparate likude të ihtiofaunes për pasurimin e mëtejshëm të kabineteve të biologjisë. Në kulmin e nismës për pasurimin e bazës materiale mësimore u ngritën: 51 kabinete biologjie, 52 kabinete të matematikë-gjeometrisë, 35 laboratorë “tip” të fizikes, 42 kabinete të gjeografisë, 16 kabinete teë historisë, 20 kabinete të letërsisë dhe 45 kënde të edukimit fizik. Më pas kjo nismë përfshiu shkollat e mesme të përgjithshme e ato profesionale bujqësore e industriale dhe atë të naftës. Në SHMP “Babë Dudë Karbunara” u ngritën kabinete model i biologjisë, laboratorë të fizikës, të kimisë së përgjithshme e organike, të historisë e gjeografisë, të gjuhëve të huaja. Në Bujqësoren “Kristo Isak” u ngrit baza prodhuese ku nxënësit i kryenin të gjitha punët, aty ishin edhe klasat laborator të mbrojtjes së bimëve,të punimit të tokave, kopshti i koleksioneve, apikultura, mirërritja e derrave, frutikultura, ofiçina me të gjithë agregatet edhe për riparimin e mekanikës bujqësore. Ne Teknikumin e Naftës në Kuçovë mësuesit në bashkëpunim me nxënësit ngritën kabinete të nxjerrjes së naftës e gazit, të autotraktorëve, të riparimit të makinave metalprerëse, të shpimit të puseve të naftës e gazit si dhe modelimeve. Kabinetin e nxjerrjes e përpunimin e naftës e gazit i modeluar në xham transparent u projektua nga ing. i talentuar Pandi Cule, në bashkëpunim me nxënësit e Institutin Kërkimor të Naftës. Në atë kabinet paraqiteshin në formë dinamike mënyrat e nxjerrjes së naftës, metodat e remontit nëntokësor të puseve të naftës, prerje të profilit gjeologjik të shtresave naftëmbajtëse, kampione të ndryshme shkëmbinjsh të ngopur me naftë e gaz, naftë bruto dhe nënproduktet e saj, të marra nga vendburimet tona të naftës. Baza materiale mësimore e që u krijua, krijoi premisa që metodat tradicionale, sipas të cilave burim kryesor i njohurive të nxënësve, që libri dhe fjala e mësuesit, të pasuroheshin me metoda alternative të punës praktike laboratorike në fizikë, kimi, biologji, në lëndët profesionale, ku nxënësi vepron, analizon dhe nxjerr konkluzione vetë. U lehtësua procesi i mësimdhënies dhe u shtua interesi i nxënësve për mësim. Për këtë qëllim ndërkohë u organizuan Konferenca në bazë rrethi e kombëtare. Konferenca e I-rë në bazë rrethi e studimeve pedagogjike u zhvillua në 7 mars 1971, e II-ta po në 7 mars 1973. Materialet u botuan ne Buletinin Pedagogjik. Në tetor 1974 në Konferencën Kombëtare të Studimeve Pedagogjike që u zhvillua në Tiranë për këtë problem mësuesit e rrethit tonë u paraqiten me kumtesa që u botuan në Revistën Pedagogjike. Në to u paraqitën konkluzione si lindi kjo nismë, si u ngritën e çfarë përmbanin këto klasa-laboratore, rezultatet e arritura për konkretizimin e orës së mësimit, të rritjes së rendimentit të saj, ngritjes teorike, aftësimin praktik, vlerat e mëdha edukative për dashurinë për natyrën, mbrojtjen e saj etj. Nisma erdhi si nevojë nga mësuesit për konkretizim e pjesëmarrje të nxënësve në këtë proces dhe angazhimin e gjithë shoqërisë për të ndihmuar e çuar përpara arsimimin e fëmijëve të tyre.

 *Ish-Drejtor i Kabinetit Pedagogjik Berat