BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

6 gjërat ku gabojmë me Koronavirusin

6 gjërat ku gabojmë me Koronavirusin

1. Mendojmë se po të na kapë, do ta kalojmë lehtë, pse nuk kemi sëmundje të tjera. Themi: “Do të jetë si një grip dhe do fitojmë imunitet”. Kjo nuk është gjithnjë e vërtetë. Në botë deri tani janë infektuar mbi 28 milionë vetë. Ndër ata që nuk janë më me ne në këtë glob, për shkak të Koronavirusit, 20 për qind nuk kishin asnjë sëmundje serioze më parë.

2. Mes miqsh dhe si duke e marrë pak me humor, shprehemi se “Një ditë kjo kolerë do na lërë shëndenë. Dhe do të kthehemi sikurse kemi qenë”. Sipas studimeve më të fundit, të përmendura dhe nga Drejtori i Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, Antoni Fauçi, me Koronavirusin do të na duhet të bashkëjetojmë për një kohë të gjatë. Ndoshta më shumë se sa bashkëjetuam si glob 98 vjet më parë, kur ra pandemia e Gripit Spanjoll. Atëherë virusi u zhduk pas dy viteve. Pa lënë më gjurmë. COVID-19 duket se do të qëndrojë. Sidoqoftë, asgjë nuk do të jetë si më parë për një kohë të gjatë.

3. Ende nuk lodhemi së thëni se virusi është prodhuar në kushte laboratorike dhe hedhur qëllimisht nga një forcë e errët. Dhe jo pak nga ne shtien fall kush është kjo forcë. Në të vërtetë, deri tani asnjë studim i mirëfilltë shkencor, i botuar në revistat më të njohura shkencore në botë, si “The Lancet (Bisturia)”(e përjavshme), “Neë Scientist (Shkencëtari i Ri)”, “The Scientist (Shkencëtari)”, etj. nuk kanë përmendur asnjë provë, veti, karakteristikë të virusit të shqyrtuar kaq fort, që të vërtetojë ose qoftë edhe hedhë dyshimin për natyrën e tij laboratorike.

4. Themi se “Kur të dalë vaksina, nuk do ta bëjmë, sikur ta dimë se vdesim”. Disa prej nesh shkojnë deri aty sa të përmendin fjalë që në vaksinë kanë hedhur “çip” të lëngshëm, që të na kontrollojnë dhe të na gjejnë kudo ku jemi. Edhe sikur kjo marrëzi të besohej vetëm një sekondë, substancat valë-lëshuese të lëngshme që mund të qëndrojnë në trupin e njeriut për një kohë të gjatë sot kushtojnë të paktën 50 dollarë doza. Ndërsa 2 miliardë vaksinat që do të përgatisë e gjithë bota vitin e ardhshëm parashikohet të kenë një kosto prodhimi 1.2 dollarë doza.

5. Mendojmë jo pa frikë dhe me ankth pak të papërmbajtur, se virusi do të kthehet akoma më shumë vrasës në nëntor e dhjetor, kur të ftohet koha, për shkak se në temperatura të ulta reziston më shumë. Në të vërtetë, me botën e papërgatitur në muajt shkurt dhe mars, vrasja e virusit ishte e frikshme: mes të infektuarve, 2 për qind prej tyre të vdekur në Korenë e Jugut, 4.3 për qind në SHBA dhe 13 për qind në Itali! Mirëpo me kufizimet e lëvizjes, distancimin shoqëror dhe vendosjen e maskave, virusi “u bë” më pak vrasës. Do të ngelet i tillë, më pak vrasës, nëse do vijojmë të mbajmë rregullat e mësipërme, sidomos të vendosim maskë në mjedise të mbyllura. Shumë epidemiologë në SHBA paralajmërojnë se nëse të gjithë amerikanët do të mbanin maska në mjedise të mbyllura dhe publike, 20 mijë qytetarë më pak do të vdisnin nga pandemia për katër muajt e ardhshëm deri në fund të vitit në këtë vend. Po kështu edhe tek ne nuk parashikohet një thertore e virusit në muajt nëntor-dhjetor, nëse do të jemi të disiplinuar në mbajtjen e maskës në mjedise të mbyllura. Mund të kemi raste më shumë dhe ndoshta, fatkeqësisht edhe humbje jete pak më shumë, por jo vdekje masive. Duam s’duam, të qëndruarit në mjedise të mbyllura do të shtohet, me uljen e temperaturave.

6. Ende ka mes nesh që besojnë se virusi do të përhapet më shumë këtë dimër që po afron. Në të vërtetë, Koronavirusi e ka ngadalësuar së tepërmi shpejtësinë e shpërndarjes së vet. Por jo se ai ka shpejtësi vetë. Jemi thjesht ne që ia ngadalësojmë përhapjen, duke u ruajtur më shumë. Studimet e para dhe vlerësimet fillestare në muajt shkurt dhe mars të epidemiologëve në mbarë botën jepnin të dhëna që një person i infektuar me COVID-19 mund të infektojë dy deri në katër persona. Një ritëm që të çon në shpërthim të rasteve, nëse nuk bëhet asgjë për ta zvogëluar përhapjen. Në fakt, mbarë bota bëri të pamundurën. U mbyllën në shtëpi 6 miliardë njerëz. Ekspertët tani llogarisin që niveli aktual i transmetimit në SHBA-të, që kanë ende shumë vatra të forta infeksioni, shkon nga 0.90 deri në 0.95. Kjo vlerë nën 1 tregon më pak raste të reja në këtë vend, pak a shumë si kudo në botë, duke përjashtuar Brazilin dhe Indinë. Por sërish, ajo që ka ndryshuar është sjellja jonë, jo virusi në forcën e tij përhapëse. Nëse vijojmë masat mbrojtëse, sidomos mbajmë pafund maskat që shpëtojnë jetë, virusi do të ngadalësohet prapë si në maj. Nëse e lëshojmë dorën, do të kemi rastet e shtuara si në gjysmën e dytë të qershorit dhe në korrik.

Ka dhe shumë gjëra të tjera që ndoshta nuk i mendojmë të bazuara në burimet e njerëzve të shkencës. Kjo ndodh ngaqë gjithnjë në jetë jemi mësuar të dëgjojmë veten, të afërmit, komshiun dhe mikun dhe pak i jemi referuar specialistëve, qoftë edhe në raste sëmundjesh. Por tani nuk mund t’ia lejojmë më vetes një mendjelehtësi të tillë, pse mund të përkthehen shpejt në gabime dhe keqinterpretime fatale.