BREAKING NEWS

Rama zbulon mesazhin që i kanë dërguar në telefon, mikesha i tregon SFIDËN që i ka shpallur Basha: Më tha o xhan do të...

Rama zbulon mesazhin që i kanë dërguar në telefon, mikesha
x

Opinion / Editorial

7 prill 1939, fillimi i rezistencës shqiptare

7 prill 1939, fillimi i rezistencës shqiptare

Shqipëria në prag të pushtimit fashist

Populli shqiptar e ndjeu rrezikun e pushtimit. Ai shpërtheu në demonstrata dhe i kërkoi qeverisë të organizonte qëndresën. Demonstruesit shkuan përpara pallatit mbretëror në Tiranë për të kërkuar armë. Gatishmërisë së kosovarëve për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre, qeveria jugosllave iu kundërvu me mbylljen e kufijve. Zogu nuk mbathi opingat dhe nuk ngjeshi armët për ta mbrojtur Shqipërinë sikur kishte premtuar, por mbathi këpucët e modës italiane dhe së bashku me krejt familjen e gjerë, me arin dhe me disa adjutantë besnikë, iku nga atdheu i pushtuar. Më 8 janar të vitit 1939 kryetari i qeverisë fashiste, Benito Musolini, miratoi planin e Çianos për pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Ahmet Zogu mori disa masa kundër planeve italiane. Ambasadori italian në Tiranë protestoi për këto masa. Ndërkohë, në Italinë e Jugut u përqendruan forcat ushtarake që do të realizonin pushtimin. Më 25 mars 1939 Ahmet Zogut iu paraqit një projekt traktat nga qeveria italiane që synonte nënshtrimin e Shqipërisë. Por Ahmet Zogu e la në heshtje. Pasi iu përsërit më 2 prill, iu paraqit ultimatumi me afat deri në orën 12:00 të datës 6 prill. Më 5 prill 1939 qeveria shqiptare i paraqiti ministrit italian në Tiranë kundërpropozimet, në të cilat kërkohej të përfundohej një konventë ushtarake dhe të përcaktoheshin rrethanat kur ushtria italiane mund të vendosej në Shqipëri. Më 6 prill pasdreke, Parlamenti shqiptar e hodhi poshtë ultimatumin e B. Musolinit. Në mëngjesin e 7 prillit 1939, ushtria fashiste italiane, prej 35-40 mijë vetë e sulmoi Shqipërinë duke zbarkuar në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, ushtria e vogël shqiptare e drejtuar kapteri i marinës Mujo Ulqinaku i bëri qëndresë pushtuesit. Ushtarët italianë zbarkuan në bregun e Durrësit, por u detyruan të zmbrapseshin në det mbasi në breg i priti mitralozi i Mujo Ulqinakut që mbronte trojet e veta.

Në krye të detarëve të braktisur nga mbreti

Kështu, nuk vonoi shumë dhe më 7 prill 1939 trupat fashiste italiane, pas përgatitjesh të shumta, sulmuan atdheut. Me pushtimit fashist italian vendi ynë u gjend i tradhëtuar dhe i papërgatitur për rezistencë. Populli shqiptar në historinë e tij nuk e kishte duruar shtypjen, u ngrit në këmbë dhe kërkoi armë për të luftuar agresionin fashist. Megjithëse armët iu refuzuan, populli u rezistoi fashistëve italianë të armatosur. Të organizuar vullnetarisht mjaft luftëtarë i zmbrapsën me guxim shumë herë me radhë sulmet e fashistëve. Me gradën e nënoficerit në një nënrepart të marinës në Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët e mbretit. Ai organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë. Ushtarët italianë zbarkuan disa herë në breg dhe po aq herë edhe u zmbrapsën. Por ushtria italiane ishte e shumtë në numër dhe Mujo nuk mund t’i bënte ballë për shumë kohë veçse sa qe gjallë, ata nuk kaluan dot. Në këtë mbrojtje të truallit të vet Mujo Ulqinaku ra heroikisht dhe u bë kështu dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Bashkë me Mujon ranë dhe Hamdi Liko Dollani nga Gramshi, Haxhi Mustafa Tabaku nga Durrësi, Ismail Isuf Reçi nga Kruja, Ramazan Halil Velia nga Dibra, Isak Selim Metalia nga Dibra, Ibrahim Ramë Osmani nga Dibra, Hysen Koçi (Kallço) nga Durrësi. Ndërsa në Sarandë, Vlorë, Berat e Shkodra kanë rënë në fushën e nderit Mitro Vaso Dhimërtika nga Saranda, Hamit Selman Veshko nga Vlora, Zenel Abedin Bllana nga Berati, Tonç Gjon Toma nga Shkodra, Izet Hysen Shahu nga Erseka.

Shtypi i huaj për qëndresën shqiptare dhe rezistencën antifashiste

Gazeta franceze “La Croix”, duke folur për rezistencën e popullit tonë, në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të qeverisë shkruante: “Stërnipërit e Skënderbeut zmbrapsin trimërisht pushtuesin dhe deri tani kanë ndaluar çdo zbarkim...”. Duke vazhduar luftën kundër armikut që po shkelte vendin, shqiptarët i treguan gjithë botës se si e mbrojnë lirinë e tyre. Ndërsa gazeta angleze “The Daily Telegraph”, dashur padashur shkruante: “Shqipëria foli me një gjuhë të cilën Europa e kishte humbur zakonin ta dëgjonte. Shqiptarët refuzojnë të nënshtrohen dhe vazhdojnë luftën...”. Ja si e përshkruan okupimin fashist të Shqipërisë publicisti francez, Hubert Bouchet: E pashë të vdesë Shqipërinë. Durrësi u zgjua këtë mëngjes të së premtes së shenjtë si zakonisht. Në port ishin ankoruar dy anije të vogla të përhirta, me pamje peshkaqeni dhe që mbanin flamurin e Madhërisë së Tij Perandorit të Italisë e të Etiopisë. Të tjera anije, në det të hapur, disa milje larg po patrullonin si me pamje të pafajshme… Kishte mbetur në Europën e mekanizuar në kulm edhe një ishull i vogël njerëzish me zakonet e tyre të lashta, që hanin bukën e thekrës, pinin qumështin e dhive, këndonin luginave baladat e të parëve të tyre! Dhe tani u dashka që këta të marshojnë me hapin e patës, të këndojnë “Giovinezzan”, të përshëndesin fashistçe, të njohin uniformën e përhimët të një populli vënë në rresht regjimentesh… Por, në fund të fundit, duhet thënë se as që u kërkua ndonjëherë të merrej mendimi i tyre. Pas tradhtisë që Mbreti Zog i bëri vendit, duke e lënë nën mëshirën e gjerakëve të Musolinit, rinia revolucionare e Shqipërisë e bashkuar me Partinë Komuniste Shqiptare, filloi organizimin e rezistencës kundër pushtimit italian dhe për pesë vjet rresht luftoi deri në çlirimin e vendit në nëntor të vitit 1944. Shqipëria ishte vendi i parë në Europë, i cili u çlirua nga nazi-fashizmi, me forcat e veta gjashtë muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Qyteti i Durrësit është qyteti i rezistencës popullore, antifashiste, italiane. Në këtë 82 vjetor të Rezistencës Antifashiste shqiptare dhe të gjithë atyre që dhanë jetën duke luftuar në atë ditë historike për kombin, gjithë populli shqiptar përkulet me nderim para veprës së tyre.

Marinari Mujo Ulqinaku

Mujo Ulqinaku lindi në Ulqin në familjen e një detari të varfër, në vitin 1896. Që në moshë të vogël hyri si ndihmës detar dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Durrës. I ati ishte marinar. Edhe Mujo, duke ndenjur me të, u mësua me detin dhe i hyri në zemër, kështu që u bë marinar. Shërbimin ushtarak e kreu në marinë, por edhe pas mbarimit të ushtrisë, mbeti përsëri marinar i shërbimit aktiv dhe më vonë, më 1929, u bë kapter. Mujo shërbeu në motoskafin “Tirana”, i cili bënte roje në bregdetin shqiptar. Në ushtri ra në kontakt me elementët patriotë dhe filloi ta luftojë regjimin e Zogut dhe fashizmin italian. Mujo për fashizmin italian foli hapur. Kështu që u ra në sy autoriteteve të qeverisë, të cilët e nxorën në lirim. Ai filloi të endet sa andej këtej duke punuar në portin e Durrësit për të siguruar jetën e familjes. Më 1933 e kërkuan përsëri në shërbim. Pas shumë ngurrimesh dhe nisur nga gjendja e vështirë ekonomike, dashuria për detin dhe i nxitur nga shokë marinarë të vjetër, rifilloi shërbimin në marinë. Mujo kishte ndryshuar. Jeta e kishte mësuar, kalitur, e pjekur dhe e shikonte gjendjen më realist. Urrejtjen që ushqente për regjimin e Zogut nuk e fshihte, por e shfaqte te shokët e detit, në anije, në qytet e kudo. Ishte viti 1937, kur Italia fashiste po kurdiste provokacione për të pushtuar vendin. Mujo mori pjesë në manifestimet e urrejtjes nga rinia dhe patriotët e qytetit të Durrësit që organizuan kundër këtij provokimi. Qeveria kishte dijeni për këtë provokim, duke parë urrejtjen e popullit, kërkoi që anijet luftarake italiane të largohen nga porti i Durrësit. Italia fashiste me këto veprime bënte manovra, sepse ajo nuk hoqi dorë asnjëherë nga qëllimet e saj agresive. Në këto përpjekje legjendare të popullit shqiptar në Durrës mori pjesë dhe Mujo Ulqinaku, i cili, me thirrjet që u bënte shokëve të tij marinarë, u thoshte: “Tradhtia e ka mbuluar vendin tonë... Ne, na takon të luftojmë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë. Të betohemi vëllezër, se s’do të kursejmë as gjakun, as jetën tonë për mbrojtjen, e atdheut”. Dhe Mujo e mbajti fjalën. Së bashku me patriotët e tjerë shqiptarë, luftoi deri në pikën e fundit të gjakut të tij. Vetëm me epërsi të madhe në numër e mjete fashistët mundën të thyenin rezistencën heroike të popullit në Durrës, në Vlorë, në Sarandë, në Shëngjin e gjetkë. Dhe megjithëse vendi u pushtua, populli shqiptar asnjëherë nuk e pranoi robërinë dhe nuk u përkul. Aktit heroik të Mujo Ulqinakut i kushtohet busti i vendosur pranë kullës së kalasë së Durrësit, emrin e tij e mbajnë rrugë, anije, shkolla etj. Për meritat e tij të shquara me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të atdheut, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i dha Mujo Ulqinakut titullin e lartë “Hero i Popullit”. Veteranë, familjarë të dëshmorëve, pjesëtarë të Forcave të Armatosura dhe populli në këtë ditë të shënuar bëjnë homazhe pranë monumentit të Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, duke nderuar kujtimin e atyre që dhanë jetën për të ndalur pushtimin e vendit.