Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

75 Majet e Përmetit dhe një shëtitje me shekullorin Visho Emini

Postuar: 25/05/2019 - 07:15

 I pari Maj i Lirisë nuk harrohet! Përmeti ynë binte ende erë baruti, tymi e hiri nga gërmadhat e shkrumbuara. Qytet i djegur katër herë nga pushtuesit. Nuk kursyen as djepet e foshnjave, as trëndafilat fletë-fletë. As lulet e tjera që mbytnin sokakët në mëhalla, avllitë, sofatet e portave kanathapura dhe parmakët e penxhereve që prisnin e përcillnin yjet mbi Dhëmbel e Nemërckë, mërmërima e fjalë të kulluara dashurie e mirësie me njeri-tjetrin. Historikisht kështu. Përmbytje, zhuritje e uri e pllakosur që çante edhe gurin! Dhe i thërrisnin qytetit si djalit të vetëm: O Përmet, O Përmet, - bukë pak e ujë det! Mbijetesë mbinjerëzore përballë shtypjes e mjerimit. Prandaj i përngjante “atij zogut të Lindjes, që digjet edhe ringjallet prej hirit te vet”. Vetëm dialogun e përjetshëm të maleve me Vjosën, nuk e ndërprenë dot. Shpirtin paqedashës, atdhetar e liridashës të përmetarëve nuk e shkrumbuan dot kurrë. Zëri i bijave e bijve të vet luftëtarë, të thjeshtë, të ditur e modestë, hynte e bënte vend zemër me zemër:

“- Kasollet digjen, por idealet kurrë!

- Njerëzit vriten e burgosen, por idealet kurrë!

- Dheu zhuritet, por bari mbin përsëri!...”.

Nuk ishte hiç rastësi zhvillimi i Kuvendit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar në ketë qytet të dashur e mjaft dinjitoz. Ndoshta e vetmja trevë në botë që vetëm nga një shtëpi i dha kombit tre prijës të pavdekshëm, tre rilindasit e mëdhenj, vëllezërit Frashëri! E të tjera figura të ndritura që i bëjnë dritë mëmëdheut në çdo kohë e sistem. Më tej. Vërshimi e krijimi i Çetave, Batalioneve, Brigadave e Divizioneve Partizane buzë Vjosës, flet e do të flasë fort, brez pas brezi. Dhe jo më kot është pagëzuar bukur nga populli: Qyteti i Kongresit! Aty i hodhi themelet Kuvendi i vërtetë Popullor (Parlamenti). Aty u zgjodh Qeveria e parë Demokratike (e përkohshme). Me votat e delegatëve të zgjedhur nga populli në Jug e Veri. Shumica e tyre nuk e kishin marrë teserën e Partisë Komuniste, por kishin fituar besimin e njerëzisë nëpër fshatra, krahina e qytete. Besimin e shqiptarëve të ndershëm dhe sidomos bekimin e pastër të Vegjëlisë. 186 vajza dhe djem të nënave kishin kaluar mjaft prova zjarri në zona të çliruara dhe të paçliruara, në luftime e beteja historike. Madje, nuk kishte “të djathtë e të majtë”. Edhe Enver Hoxha, aty u emërua Komandant i përgjithshëm i UNCL. Komandant që nuk erdhi në krye nga bulevardet me dy gishtat lart! Historia, e vërtet mund të hollohet por kurrë nuk këputet. Sistemet politike vijnë e shkojnë. Baltrat “pluraliste” i pastron koha, bashkë me jargët e kalemxhinjve të ndryshkur të akshamit, kalemxhinj që shesin edhe nënën e babanë për ca para e favore të pista. Para se mbyllte sytë përgjithmonë, e tha bukur historiani e akademiku frashërlli: “Jezu Krishti në kohën e vet nuk e donte Jul Cezarin, megjithatë, jepini Cezarit atë që i takon Cezarit!”. Për atë kongres e në atë Kuvend të Parë, nuk duhet harruar: për herë të parë në histori votuan edhe nënat e motrat shqiptare. Një progres i rrallë dhe meritë e pamohueshme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Te dera e asaj Salle historike të thjeshtë, kishte bërë roje edhe miku im i vjetër, ish partizani përmetar Koco Culli (i ndrittë shpirti atje ku prehet!). Krah për krah me “Gëzimin” që nuk do e gëzonte Lirinë, partizanin trim e të mençur kuçjotin Birçe Sinemati (xhaxhai i Gëzimit, kolegut tim të vjetër në gazetën “Bashkimi”). Atë Kuvend përmendore nderi e shqiptarie, e mbronin bijtë e popullit nëpër Çeta, Batalione, e Brigada Partizane. Një fakt i rrallë: e mbrojtën edhe dyqind vajzat luftëtare që ishin mbledhur në Sukë të Dëshnices dhe u radhitën në Brigadën e 12 Sulmuese të sapoformuar! Edhe të hënën, te ai shesh e rreth atij lapidari u mblodhën mjaft veteranë e pasardhës. 75 herë kështu! Sinqerisht u kënaqa dhe u emocionova kur më mori në telefon djali i komisarit të asaj Brigade Partizane, Prof. Fatos Klosi. “Babë Qemali” (kështu e thërrisnin deri në fund edhe hamenjtë e portit të Durrësit), ishte mik i xhaxhait tim të ndjerë. Iku pa bujë e zhurmë, në 1996, në një kohë kur Televizioni e mjaft gazeta nuk begenisnin të thonin as dy fjalë për këto figura popullore të dashura e luftëtarë për një Botë të Re. Jam krenar që atëherë munda të botoj një shkrim të veçantë e me zemër për atë burrë.

Fjala vjen, kur punova gazetar profesionist, në Tepelenë më ka treguar gjatë edhe një grua ish partizane në atë Brigadë. Mirëpo mbrëmë, nuk i shpëtova dot një meditimi: ju udhëtarë që shkoni e vini në Sasaj a në Lukovën e bukurive të Bregut të Detit, në ato kodra të mbuluara me lavdi e djersë, 75 vite më parë rrodhën edhe dy çezma gjaku. U plagos për të dytën herë Tafili (Danaj) nga Progonati! U shkoq e bë copë nofulla e njomë e pionieres partizane Dallëndyshe Bektashi. Por një luftëtar, një burrë trim e sua trimash nuk mund ta braktiste e linte aty “cikëndinë e nënës”, vajzën e parritur mirë. Ashtu me plagët e veta të lidhura nxitimthi e që pikonin ende, e hodhi mbi shpinë si motrën e vogël dhe u nis me hapa tronditës e me një frymë drejt “spitalit partizan”. Mbi pikat e gjakut të tij e që po kuqonin gurë e drurë, pikoi e u bë culkë edhe gjaku i partizanes Dallëndyshe… “Më shpëtove jetën, o vëlla Tafil!”. Kështu i drejtohej shpesh bashkëluftëtarja, një nga dallëndyshet e para të lirisë. Nëpër vite kështu, derisa mbylli sytë e iku krenare në atë botë (5 vite më vonë, në kodrat plot zjarr e hekur të Vidohovës, një tjetër djalë nga Danajt e Kurveleshit, djali i xhaxhait të Tafilit, mbrojti me gjakun e jetën e tij çdo pëllëmbë tokë përballë provokacioneve të zeza të Gushtit ‘49…

Meditimi i mësipërm u ndërpre vetiu dje, kur në zemër të qytetit historik, po më afrohej një burrë shtatdrejtë i mbështetur në një shkop të zakonshëm pleqërie, me syze të errëta e me një buzëqeshke ujëvare në fytyrë. Me hapa të qetë e të sigurt, befas me thirri ne emër. Ishte shekullori Visho Emini, “babulja” siç i thërrasin djemtë, nipat e mbesat, nuset, fisi, shokët e miqtë. Sivjet po përgatiten të gjithë ti festojnë 100 vjetorin e lindjes! U përqafuam me shumë mall. “Eh, more Kristo djali, vetëm mali me malin nuk piqen! Më gëzove shumë... Më ke lënë pa shkop e më gjete me shkop. Ty të lumshin këmbët! Ti më thoje shpesh se jam djalë i ri, kur ishe korrespondent këtu në Përmet. Ndërsa sot, jam vërtet djalë i ri, por vetëm nga mendja ama. Tani po mbaj 100 samarë!...”. Ky plak i urtë e i mençur, ish partizan, dikur drejtonte Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar në Leskaj të Malëshovës. Ishte vetëm 24 vjeç! Por populli e donte dhe e vlerësonte besnikërinë dhe ndershmërinë e tij proverbiale. Babai e kishte lënë kërthi bashkë me motrën e vogël. U rrit jetim nëpër duart e nënës e të gjyshes së moshuar. Përfytyroni një 13 vjeçar, përmes flakës së luftës që po digjte e shkretonte çdo gjë me urën e zjarrit të pushtuesve e kolaboracionistëve, që përvesh mëngët e u hyn punëve në bujqësi e blegtori dhe gjer te ndërtimi i rrugëve në Gjirokastër e Tiranë! Pra, një lloj “kryefamiljari” i parakohshëm, gati i pabesueshëm. Sepse jeta, Visho Eminit nuk i hodhi vetëm lule, por edhe gurë. “- Veçse pleqëria vjen me kusure. Plaka po bën dhjetë dimra që më iku, më qorollisi fare...rroftë e qoftë Vjollca, nusja e djalit, Eminit! Se djalin tjetër (Safetin) e kam në Shkodër, mbeti atje që kur ishte me shërbim të detyrueshëm ushtarak. U dashurua atje, ndërtoi jetën me zanatin e rrobaqepësit. Por e kam shumë male kaptuar... qaj hallet me Vjollcën, që e uroj dhe e bekoj përditë me shpirt e jo sa për të larë gojën. Unë i ngjava gjyshes Dylbere që rrojti 102 vjeçe, por edhe mëmës Hançe që iku 95 vjeçe…”.

- Festofsh edhe 105 vjetorin vakërrjoti im (patrioti)!, - e urova aty për aty, duke u capitur ngadalë e me vështrimin e ngulur tek Monumenti i Partizanit kushtuar Kongresit të Përmetit.

- Ngrije dhe pak kandarin, ngrije, se nuk i dihet, dëgjo mua!, - ma ktheu buzagaz e duke më shtrënguar krahun. - Sikur kam ardhur dje në jetë, kështu më duket. Kam parë e dëgjuar shumë në këtë botë. Por djemtë e Luftës Çlirimtare më dalin shpesh edhe në gjumin me ëndrra shumë. Ja, ti më the se je ngritur pa dalë mirë dielli dhe shkove te lëndina përtej, siç bëje shpesh kur ishe me baluke, te lëndina e trimave, te Dëshmorët përmetarë. Atje prehen edhe bashkëfshatarët e vërsnikët e mi Stefan Jorgo e Shaqo Tafani (dhe sytë i rrëmbushën papritur). Kjo tregon se ke mbetur ai që ke qenë, nuk të është turbulluar “komiteti qendror” (mendja) nga llagëmet dhe palldrëmet e qelbura në pluralizmin pa kokë e pa këmbë. Se sot, politikanët nuk e duan Shqipërinë si bashkëfshatari ynë fatzi, i kulturuari Sejfulla Malëshova. Sot e duan vetëm për ta mjelë e përvjelë… A po kënaqesh me ndryshimet e mira në Përmet e Këlcyrë? Ka vajza e djem të zotë nahija jonë. Nuk u punon mendja vetëm për të qëruar (vjedhur) e rrëzhgapur apo për të marrë arratinë. Mileti i njeh një për një dhe nuk vrapon hiç pas valles së mangët (të majtë e të djathtë). Partitë e udhëheqësit në Tiranë kanë punët e tyre, por mileti ka kandarin e tij që nuk gabon kurrë. Veç të tjerave, jeta më ka mësuar se burri a drejtuesi i kolmë lidhen nga fjala, kau lidhet nga brirët… Do ma bësh kabull, se sot nuk u shkoqitëm tamam. Do vete në mbledhje. Mbase piqemi prapë…

Këtë burrë shekullor e respektojnë në qytet e në fshat. Ai nuk flet asnjëherë me qëllime të liga dhe as është fjalë e halë. Do shkonte në Konferencën e Veteranëve të LANC të rrethit. Ashtu haplehtë, me trokun e shkopit (“Me nevojitet kur më merren mendtë dhe për tu mbrojtur nga qentë, u them me shaka shokëve që më kanë mbetur gjallë. Se deri dje e mbaja ndezur zjarrin e muhabetit me Simo Tyton e rrallë, por edhe me Jorgo Xhanin që më dogji xhanin e iku përgjithmonë”) këmben përshëndetjet e përditshme me njerëzit e mirë të Përmetit tonë të dashur. Fjalëbutë e të shtruar, kështu e pagëzojnë në vite. Larg fjalëve rrumbullake që shpesh rrokullisen në tym e nuk zënë vend… “Ja, më thuaj, miku im, a do të kishte Shqipëria Rilindje Kombëtare pa tre vëllezërit e një dere në Frashër, Abdyl, Naim e Sami?! Po nëse nuk do të kishte një Mentor Xhemali, një Tefta Tashko Koço, një Odhise Paskali, një Laver Bariu, një Androkli Kostallari etj?! Po nëse nuk do të kishte një Kongres Antifashist si ai i pari në Përmet?!… Lum kush i nderon në çdo kohë! Ne të dy e pimë një kafe bashkë, e bëmë një copë rrugë në shëtitore dhe prapë na mbeten mjaft net dimri e pranvere pa u molloisur. Mosha e pleqërisë herë-herë është hileqare e me huqe, mbaje mend këtë llaf! Lum ti, që të shoqëron prokja (gruaja) kur shkon gjëkundi. Rrofshi e pleqërofshi sëbashku, miku im i vjetër!...”

Nga Kristo MËRTIRI

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/06/2019 - 07:24

Edi Rama është nga të pakët politikanë që e ka shoqëruar sherri dhe urrejtja gjatë tërë karrierës së tij politike që sa futi këmbët në Ministrinë e Kulturës, vazhdoi në Bashkinë e Tiranës dhe kurba shënoi kulmin këto

Postuar: 19/06/2019 - 07:23

Ndoshta ne jemi ndër ato vende të pakta që nuk ditëm ta menaxhojmë si duhet demokracinë që e fitu

Postuar: 19/06/2019 - 07:22

Fillimisht do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen, se ideja dhe këmbëngulja e Presidentit Meta për

Postuar: 18/06/2019 - 07:23

Zakonisht dhe praktikisht, "sovran" ka lindur si term për individin mbi popullin!

Postuar: 18/06/2019 - 07:22

Jemi në fushatë për të 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore(bashkitë), por deri tani asnjë vërejtj

Postuar: 18/06/2019 - 07:20

Nuk është as e re dhe as e sotmja, beteja që zhvillohet sot midis “gladiatorëve” të p

Postuar: 16/06/2019 - 10:55

Dekretimi, çdekretimi dhe sërish dekretimi i datës së zgjedhjeve, çd