BREAKING NEWS

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të burgosuri, GJKKO merr vendimin dhe ndryshon masën e sigurisë për bashkëshortin e ish-gjyqtares Mimoza Margjeka

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të
x

Opinion / Editorial

80 vjet nga lufta italo-greke dhe ligji i Luftës

80 vjet nga lufta italo-greke dhe ligji i Luftës

Më 28 tetor të vitit 1940 filloi lufta italo-greke e nisur nga territori i Shqipërisë së okupuar nga Italia fashiste. Planet e Musolinit, kryeministrit të atëhershëm të Italisë (i ardhur nga Partia Nacional Fashiste Italiane), ishin për të rikrijuar një perandori të re romake. Për të filluar këtë luftë italianëve u duheshin disa shkasë për ta nxitur atë, por kryesorja ishte se në atë luftë për të përfshirë shqiptarët u përdor ideja e Shqipërisë së madhe dhe përfshirja e Çamërisë në kufijtë e Shqipërisë. Kjo propagandë u zhvillua që në fillim të vitit 1940. Pra u përdor edhe karta e nacionalizmit, “çlirimin” e Çamërisë me armët e fashizmit italian, për realizimin, siç shkruante kryetari i Këshillit të Lartë Fashist Koorporativ, Terenc Toçi – Zenone Beninit, një “Shqipërie të madhe, me Perandorinë që do të bëhej më e gjerë dhe më e fuqishme…( https://alb-spirit.com/2017/01/13/lufta-italo-greke-1940-1941-dhe-te-renet-greke-ne-shqiperi/).

U përdor si shkas vrasja e Daut Hoxhës në Konispol, një çami dhe një atdhetar. Në një raport të Cianos – nga mesi i gushtit 1940 – mëkëmbësi i përgjithshëm, tregonte historinë e trishtueshme të Daut Hoxhës, një atdhetar i Çamërisë, i cili ishte i detyruar të kalonte vite në Shqipëri dhe sapo ishte gjetur i vrarë në Konispol. Vrasësit, të cilit donin të përfitonin pjesën premtuese prej qeverisë së Athinës, e kishin kryer krimin të mbështetur prej emisarëve të zyrtarëve grekë. Nga mikrofonat e EIAR (RAI i sotëm), një spiker njoftonte se “sakrifica e tij nuk do të shkojë kot, mbasi lajmi i krimit të poshtër ka prekë thellësisht shqiptarët e Çamërisë”.

Po kështu, më 26 tetor agjencia “Stefani” njofton se një bandë greke kishte sulmuar një pikë kufitare afër Korçës, duke shkaktuar vrasjen e dy shqiptarëve dhe duke lënë në duart e trupave kufitare gjashtë të burgosur. Nga ana tjetër, tri bomba kishin shpërthyer prej terroristëve grekë në zyrën e mëkëmbësit të Santa Quarantas (Sarandës).

Nga ana e tyre, grekët saktësonin se në të vërtetë Daut Hoxha ishte vrarë gjatë një zënke prej dy shqiptarëve dhe se ai ishte një bandit, i dënuar shumë herë si një rebel qysh prej njëzet vjetëve. Dihet se në Çamërinë e asaj kohe jetonin tetëdhjetë mijë shqiptarë dhe dhjetëmijë grekë, sipas propagandës fashiste, qysh kur ky rajon, në vitin 1913 i qe dhënë Greqisë… (http://www.panorama.com.al/si-nisi-lufta-italo-greke-dhe-komentet-per-vrasjen-e-daut-hoxhes/).

Komandanti i Ushtrisë Italiane Visconti Prasca (dhe gjeneral Badoglio) shpjegon se aksioni kundër forcave greke në Epir, do të përfshinte rreth tridhjetëmijë njerëz dhe paraprakisht parashikonte një seri stërvitjesh, falë të të cilave në dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë, i gjithë rajoni do të mund të pushtohej shpejt. Në fakt nuk ndodhi kështu.

Në mëngjesin e 28 tetorit 1940, trupat italianë në Shqipëri, nën komandën e gjeneralit Sebastiano Visconti Prasca, do të nisnin marshimin për sulmin kundër Greqisë.

Prej fundit të tetorit 1940 kur filloi lufta dhe deri nga fundi i dhjetorit 1940, e më tej, deri në prill 1941, trupat greke zunë një pjesë të konsiderueshme të territorit shqiptar, përfshirë Korçën dhe Gjirokastrën. Për pasojë, Shqipëria pas okupacionit italian po vihej edhe nën okupacionin grek, që do t'i kushtonte veçanërisht jugut.

Musolini i turpëruar kërkoi ndihmën e Hitlerit dhe me një operacion të kombinuar, forcat italo-gjermane e mposhtën Greqinë në fund të prillit 1941. Në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve vendi do të njohë edhe okupacionin gjerman pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943

(https://sq.wikipedia.org/wiki/Lufta_italo_-_greke,_diktator%C3%AB_e_kuisling%C3%AB).

Në këtë luftë u përfshinë edhe batalionet shqiptare. Madje në mënyrë simbolike ishin dy batalione të Milicisë Fashiste Shqiptare që në mëngjesin e 28 tetorit sulmuan të parët kufijtë grekë në Epir. Por u zhgënjyen shumë shpejt. Pritshmëria nga shqiptarët në frontin e luftimeve rezultoi nën zero. Dezertimi u bë një fenomen masiv dhe i organizuar. Në ushtrinë italiane morën pjesë: batalioni “Tomorri” në Regjimentin 83 të divizionit “Venecia”, batalioni “Korabi” në Regjimentin 77 të divizionit “Lupi di Toscana”, batalioni “Kaptina” në Regjimentin 78 të divizionit “Lupi di Toscana”, batalioni “Gramoz” në Regjimentin 47 të divizionit “Ferrara”, batalioni “Dajti” në Regjimentin 48 të divizionit “Ferrara”, batalioni “Tarabosh” në Regjimentin 3 Grenadier. Spiro Moisiu komandonte batalionin Tomorri. Batalioni Korata komandohej nga Fuat Dibra, dhe Kaptina komandohej nga Preng Previzi. Batalioni Taraboshi komandohej nga Rexhep Gilani, por edhe Lefter Ruço, batalionet Gramozi dhe Dajti komandoheshin herë pas here nga Adem Boletini. Por shqiptarët e përfshirë në këto batalione dezertuan shumë shpejt dhe kundërshtuan luftën. Të parët ngritën krye ushtarët e batalionit “Tomori” kur shumica e të cilëve në 4 nëntor u larguan nga fronti e ku mbetën vetëm 120 njerëz. Veprimi i tyre u pasua nga batalioni “Taraboshi” e pak më vonë edhe nga batalionet “Gramozi” e “Dajti”. Vetëm në një natë, duke u gdhirë 23 nëntori, në zonën e Pogradecit dezertuan 206 ushtarakë shqiptarë. Gjithsej në përfundim të luftës italo-greke dezertuan nga fronti e nga shërbimi mbi tre mijë shqiptarë. Ushtarët dezertorë që u kapën dhe mbeturinat e batalioneve shqiptare u grumbulluan në fillim në Fier e pastaj në Shijak ku edhe u riorganizuan në një grupim të vetëm të quajtur “Skanderbeg”.

Me qindra familje të ushtarëve të dezertuar ose të arratisur u persekutuan dhe u internuan, përfshirë edhe afro 400 veta në Itali (https://gazetamapo.al/lufta-e-humbun-e-arben-putos-me-historine/).

Lufta italo-greke u zhvillua thuajse në territorin shqiptar për rreth gjashtë muaj. Në përfundim të kësaj lufte, Shtabi Madhor i ushtrisë italiane raportoi se ishin vrarë afro 14 mijë njerëz, ishin plagosur rreth 51 mijë të tjerë dhe llogariteshin të humbur mbi 25 mijë vetë. Më vonë këto shifra patën një korrigjim të vogël. Humbjet e ushtrisë greke sipas burimeve greke ishin: 11 mijë e 911 oficerë dhe ushtarë të vrarë e të vdekur dhe 1342 të humbur ( https://alb-spirit.com/2017/01/13/lufta-italo-greke-1940-1941-dhe-te-renet-greke-ne-shqiperi/).

Nga ana juridike, Italia Fashiste i shpalli luftë Greqisë, dhe automatikisht Shqipëria e pushtuar si pjesë e Mbretërisë së Italisë i shpalli luftë Greqisë me firmën e kryeministrit të atëhershëm, Shefqet Vërlaci. Kryeministri shqiptar Shefqet Vërlaci, që i dorëzoi kurorën Viktor Emanuelit të Italisë, firmosi dhe dokumentin e luftës kundër Greqisë: Më 9 qershor 1940, një ditë para se Italia fashiste t'i shpallte luftë Anglisë dhe Francës, mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, nënshkroi, pa pyetur qeverinë kuislinge të Tiranës, një dekret të posaçëm për Shqipërinë - dekreti nr. 194, i cili u botua në gazetën zyrtare të Shqipërisë, nr. 93, datë 10 qershor 1940.

Në nenin 1 të dekretit thuhej: "Mbretëria e Shqipërisë pranon se është në luftë me shtetet me të cilët do të jetë në luftë mbretëria e Italisë". Në bazë të këtij dekreti, gatuar në kuzhinën e Musolinit kur të nesërmen, më 10 qershor 1940 Italia i shpalli luftë Anglisë dhe Francës, Shqipëria detyrimisht u ndodh pa dëshirën e saj në gjendje lufte me dy Fuqitë e Mëdha perëndimore. Kjo situatë u përsërit edhe më 28 tetor 1940, kur Italia fashiste i shpalli luftë Greqisë. Po atë ditë, qeveria kuislinge e Tiranës e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, ishte e detyruar nga ligji i përmendur të solidarizohej me Romën (https://www.botasot.info/.../shqiperia-i-shpalli-lufte.../).

Po kështu Mbretëria Greke shpalli gjendjen e luftës kundër Italisë dhe Shqipërisë:

Ligji i Luftës i realizuar nga Greqia duke shpallur armiq Italinë dhe Shqipërinë:

Ligji i Luftës Nr. 2636/1940, Athinë, më 08 nëntor, 1940, të nënshkruar nga Shtetas të devotshëm të Lartmadhërisë Suaj Mbreti i Greqisë:

Ministrat: i Drejtësisë; i Financave; Ajis Tabakopullos Andhr. Apostolidhis.

 Ligji i Forcës Nr. 2636 1940 si dhe ligjet, pjella të tij Nr. 4506/1966, dhe 1664/1998.

Nëse ligji i Luftës kundër Italisë u hoq menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ligji i Luftës kundër Shqipërisë egziston edhe sot dhe është aktiv, përsa i përket dispozitave 1 dhe 2 që flasin “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”.