BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

“88 dritëhije dhe ngjyra”, ekspozita me veprat e piktorit Sali Shijaku në COD

“88 dritëhije dhe ngjyra”, ekspozita me veprat e piktorit Sali

 “88 dritëhije dhe ngjyra” titullohet ekspozita me veprat e piktorit Sali Shijaku, që u çel në hapësirat e COD në kryeministri. Në materialin për ekspozitën, Qendra për Hapje dhe Dialog shprehet se “88 dritëhije dhe ngjyra” sjell të pranishme jo vetëm figura, të cilat piktori i ka trajtuar shpesh gjatë jetës së tij artistike, por edhe vepra të pa ekspozuara kurrë më parë, në vizatim e pikturë, që na shfaqen plot jetë mes kapriçove “allegro passionato” abstrakte. “Një lojë linjash të pjerrëta që ndërthuren me ngjyrime të papritura, duke prezantuar befasisht figura shprehëse e duke ngacmuar përfytyrimet, fantazitë, imagjinatën. Në 88-vjetorin e vet, artisti Sali Shijaku në papritmëri zgjodhi Qendrën për Hapje dhe Dialog si “shtëpinë” e radhës për artin e tij. Sipas Shijakut, jeta është një lojë dhe duhet luajtur gjithmonë”, thuhet në materialin e ekspozitës. Të pranishëm në hapje të ekspozitës ishin piktori Sali Shijaku dhe familjarë të tij, kryeministri Edi Rama, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano dhe artistë të tjerë. 112 vepra në vizatime, pikturë dhe skulpturë që përmbledhin një hark kohor krijimtarie prej 50 vitesh janë ekspozuar në “88 dritëhije dhe ngjyra” në COD. Impresioni i parë është drita, impresioni i dytë është ngjyra, kur vëren pikturat e Sali Shijakut. Në kërkim të vazhdueshëm të ndjesive, me qëllim zgjimin emocional, artisti lëviz guximshëm me ngjyrat, shpesh në kontrast. Dikur, nën thundrën detyruese të artit nga realizmi socialist, gjeti strehë tek legjendat dhe epika shqiptare, duke rrëfyer karakterin e vet artistik e duke mos humbur veten. Orët, zanat, trimat, figurat homerike janë subjekte të përzgjedhura të tij, trajtuar me individualitet në varësi të figurës. Elipsa tregimtare e veprave përmbyllet me 16 vizatime e piktura abstrakte të piktorit, realizuar në vitet 2000 - 2009. Ekspozita që u hap në COD më 23 mars do të qëndrojë deri më 19 maj.

Vepra e piktorit, gur themeli në zhvillimin e arteve pamore

Ekspozita u hap të martën në mbrëmje COD dhe prezanton punime të ndryshme të artistit të njohur. Për studiuesin e artit Agim Janina, ndër vite krijimtaria e bollshme e piktorit Sali Shijaku dallohet për veçoritë stilistikore në zhvillimin e larmishëm të spektrit koloristik, ku zhvilloi figuracionin larg pozimit drejt një lëvizjeje e qëndrimi sa më domethënës me temën. “Materializimi kthehet në forcë shpërthyese në rritjen e emocionit dhe peshës së kompozimeve. E gjithë vepra mban kolorin dhe dritën përthyerjet e relievit dhe tipit shqiptar. Shpejt u kthye në një udhërrëfyes për shumë artistë që filluan të ndjekin penelatat e tij. Është mjeshtër i rrallë i trajtimit të njëfigurëshit në kompozime ("Vojo Kushi", "Mic Sokoli", "Nora e Kelmendit", "Ilia Kici Dashi" etj). Trajtimet dallohen për siluetat e forta, sa që duken me ngarkesë skulpturore, në profile të thugta, kontrastet ballafaquese dhe një ngarkesë emocionale në rritje”, thotë studiuesi për punën e artistit në vite. Për studiuesin Janina, në krijimtarinë e tij piktori në peizazh iu largua pasqyrimit të drejtpërdrejtë, duke e interpretuar për të dhënë jo thjesht atë që dukej, por atë ç'ka ndjente, jo një pamje të thjeshtë, por thelbin e tij. Në portrete, studiuesi Agim Janina thotë se bën zhbirilime psikologjike, ku shpesh ndihet fryma heroike dhe legjendare. Sipas tij, vepra e Sali Shijakut edhe pse një pjesë e rëndësishme e saj u zhvillua nën diktaturë arrin ta kapërcejë atë, duke u bërë një gur themeli në zhvillimin e arteve pamore shqiptare. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime, 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.